back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Një psalm i hidhur e një mirënjohje e ndritshme për Hans Joachim Lanksch-in – nga Kristaq Jorgo – Kujtimit të Hans Joachim Lanksch-it

Gazeta

Hans Joachim Lanksch
Hans Joachim Lanksch

Një psalm i hidhur e një mirënjohje e ndritshme

për Hans Joachim Lanksch-in

nga Kristaq Jorgo

Kujtimit të Hans Joachim Lanksch-it
në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta 20 maj 2019

Nuk njihesha dhe s’kisha pasur fatin të komunikoj me Hans Joachim Lanksch-in, “shqiptarin” gjerman, student dhe më pas mik shumë i afërt i Martin Camajt, përkthyes i jashtëzakonshëm i poezisë së tij e i një vargu poetësh të tjerë të mëdhenj të shqipes (Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Primo Shllaku); kryemjeshtër deri më sot i përkthimit të poezisë shqipe në gjermanisht e ndër më të shquarit e përkthimit të saj në përgjithësi.
Admirimi për mjeshtërinë e Tij përkthimore më çoi të punoj rreth temës “Studimi & përkthimi: Martin Camaj i Hans Joachim Lanksch-it (Një analizë kuantematike)” dhe t’i referoj disa rezultate të saj në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Albanologjia në hapësirën gjermanishtfolëse”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në fund të vitit 2017.
Hans Joachim Lanksch-i nuk kishte mundur të qe i pranishëm në atë Konferencë.
Nëpërmjet postës elektronike u njoha me dëshirën e Tij për ta lexuar kumtesën.
I pakënaqur me trajtën që kish puna, iu luta Mjeshtrit t’ia dërgoja atë në një kohë të dytë. Dhe, kur më në fund ia postova, ndonëse sërish i pakënaqur, pasi më dukej – e ishte – ende e mangët dhe e paplotë, mora prej e-mail-it të Tij një tekst automatik: “Ju falemnderit për mesazhin. Në pamundësi t’ju përgjigjem menjëherë, do t’ju shkruaj më vonë, më së shpejti pas tre-katër muajsh.
Përzemërsisht, Hans Joachim Lanksch.”

Perkthyesi Hans Joachim Lanksch
Perkthyesi Hans Joachim Lanksch

Turbull dyshova diçka, por mendja përpiqej ta zëvendësonte atë diçka me ndonjë tjetër arsye.
Kaluan më shumë se katër muaj, më shumë se pesë muaj, gjashtë, tetë, dhjetë… Asnjë përgjigje.
Pikërisht në t’aguar të ditës së sotme, sikur një parandjenjë më bëri t’i dërgoj Hans Joachim Lanksch-it kërkesën për miqësi në facebook, ndonëse në faqen e Tij nuk figuronte prej shumë muajsh asnjë postim!

Po sot, iu kushtova përkthimit të poezisë Psalm të Paul Celan-it, përkthim që vetiu e natyrshëm mori trajtën e gegnishtes camajane, njëheri gegnishte e Hans Joachim Lanksch-it!
Dhe, fill pasi përkthimi u krye, mësoj se… në t’aguar të ditës së sotme… Mjeshtri kishte ndërruar jetë!
Pikëllim.
Të paharrueshme vepra dhe emri,
Hans Joachim Lanksch!

Në vijim një fragment i shkurtër i artikullit si dhe përkthimi i poezisë Psalm (Paul Celan)
[…]
Me statusin e tij si lexuesi e studiuesi i gjallë më i vjetër i krijimtarisë së Martin Camajt, njohës i thelluar nga shumë pranë i Poetit, i botëvështrimit, i jetës dhe i veprës së tij (poetikë, stil, gjuhë), përkthyes në gjermanisht i pjesës themelore të korpusit të poezive në konsultim të ngushtë me autorin, përcjellës i vetëm i një vargu dëshmish të një rëndësie themelore-gojore e të shkruara – të këtij të fundit, Hans-Joachim Lanksch-i bën pjesë sot e gjithë ditën në grupin fare të ngushtë të autoriteteve të dorës së parë në fushën e studimeve camajane.
Puna përkthimore që Hans Joachim Lanksch-i ka bërë me korpusin poetik të Camajt përfaqëson rastin e parë fatlum, të vetmin deri më tash dhe ndoshta të papërsëritshëm më në traditën e përkthimit të poezisë shqipe në gjuhë të huaja: bashkëpunimin e ngushtë dhe minucioz të përkthyesit me poetin në çdo hap të ndërmarrjes së përkthimit. Për cilësitë e saj ajo imponohet në më shumë se një kuptim si shkollë e vërtetë studimi.
Në vizionin tonë lidhja Camaj-Lanksch është një shprehje emblematike e asaj çka e dallon mendimin albanologjik të hapësirës gjuhësore gjermane prej të tjerave, sa i takon raportit me objektin e vet hulumtues si dhe me mendimin albanologjik vendës: ndërlidhja e fortë, kuptimi i thellë, plotësimi, përkushtimi. Kryesorja: depërtimi empatik përtej akademizmit të ftohtë n’atë që është thelbësore, intime dhe e papërsëritshme në fenomenin shqiptar në studim [ përkthim].

Paul Celan (1920-1970)
Paul Celan (1920-1970)

Psalm – poezi Paul Celan

Áskush mâ s’na gatuen prej balte e dhéu,
áskush s’e ngjall pluhunin tonë.
Áskush.

Lëvdue qofsh ti, áskush.
Për dashnín tande
lulzojmë.
Ty
kundruell.

Ishim, jem’, duem t’mbesim
tué lulzue:
Nji jo-e-i-askuj
trándafíl.


pistilin shpirt-e-dritë,
edhe thekët qiellorshkret,
kurorn’e kuqe
prej fjalës t’purpur që këndonim
sipër, oh sipër
mbi gjemb.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.