
Një poemë me shpirt biblik si ballafaqim i Njeriut me Kohën
pasthënie nga Emrije Krosi
mbi poemën “Feniksi i Rilindur” i Rozana Sulit (kushtuar Lazër Radit)
Të krijosh një poemë, teksa ndjek një dokumentar, për një njeri përmes perceptimit dhe imazhit, duke ndërtuar një lloj tjetër marrëdhënie transhedentale, një lloj tjetër krijimi përmes elementeve afektive dhe efektike, reale dhe surreale, ku koncepti i mbivendosjes kalon përmes njeriut të frymëzuar, me frymë fetare, ku përmes gjithrrokjes morale, për t’i dhënë fabulës një ngjyresë të thellë ndjesie dhe pafajësie, tejkalon vetë njeriun, e rritur në kohë tjetër. Kultura, që ka ngjizur besimin dhe mistikën, gjallmon me elemente mitike, biblike dhe reale, (më)përtej një vështrimi në formë imazhi “in resto”, përmes të shkuarës në të tashmen, nuk është absolutisht e lehtë, por përkundrazi, përtej kohëzimit, ndeshen dy kohë të ndryshme, dy botë të ndryshme, dy mendësi të ndryshme, ku “syri i mendjes” lidhet me “klasifikimin moral” të retorikës poetike, përmes përdorimit të bollshëm të metaforës simbolike, duke i dhënë një kahje tjetër qasjes së mendimit, jo thjesht si një ligjërim “ad hoc”, por edhe si një model sintaksor. Njësitë kuptimore të poemës, me një organizim specifik, përmes ndjesive të brendshme ndërtojnë një realitet imagjitativ, si një stukturë të papërcaktuar ku personazhi (Lazër Radi), është një individ biologjik, që ka të kaluarën e tij konseguente, në gjithë tërësinë e topikës së veprës, përmes përmbajtjes dhe formës.
Në pjesën e dytë, ndeshemi me një ballafaqim social dhe shoqëror, ku koha e vërtetë e shkuara, mbivendoset në kohën e njëmendësisë, përmes vizionit ireal, kohë kur autorja e lindur në kufijtë e viteve’ 90-të, e nuk e ka jetuar të shkuarën e sistemit, vetëm përmes konceptit të perceptimit, ajo përfaqëson edhe të ardhmen e një brezi tjetër, i cili kërkon të vërtetën ndryshe, qoftë edhe përmes imazheve, se Shqipëria, ruan ende strukturat e një realiteti të mugët shoqëror, me shumë probleme me vetëbesimin, ku dhe vetë autorja i ka ikur këtij realiteti, se vetë e ardhmja mbetet gjithnjë e më tepër në udhëkryq, si një zhgënjim, por edhe si braktisje në formë revolte ndaj një “pseudorealiteti” tjetër, që në emër të demokracisë, ku fjala dhe e vërteta kanë ngecur në lakun e një tjetër zhgënjimi të ri, edhe më të madh sesa i brezave para saj me diktaturën?!
Ndarja e poemës në dy pjesë (një vargmim modest) po me një sinqeritet të thellë, na sjell imazhet e kohës që parakalojnë nëpër atdheun e saj, ku liria e pamjaftueshme me veten e saj, po “rrënon” edhe tepricat, ka nxjerrë në sipërfaqe ajsbergun e humnerës së madhe sociale, ku shoqëria vazhdon e ndarë në “klasa”, si dikur, e nuk po mundet dot të dalë në bregun e shpëtimit të pastraumës komuniste!
Dimensioni imagjinar i pavetëdijes individuale të Frojdit dhe pavetëdijes kolektive të Jungut, përmes vështrimit të imazheve filmike, ku skenat konceptuale, lidhin kohën e mëparme dhe të tashmen, kanë përmbysur simetrinë e Unit, në kontakt me lëvizjet e trazuara të subjektit, që po e ndjen se po e “shpirtëzon” atë. Kjo lloj lidhjeje, përmes iluzionit të fuqisë, si një marrëdhënie tjetër e qenies (personazhi dhe kumti poetik), që sendërton vetë imazhi vizual, na shpaloset në fushën e imagjinatës, ku pranohet çdo rikrijim i një realiteti të ri.
Në këtë poemë, ku jeta e një njeriu është ruajtur në celuloid, ka edhe formën e një trajtese mistike, përmes krahasimit me Shën Lazrin, ku vetë edukimi kishtar, (shumë emra dhe terma biblikë) lidhen me emra vendesh të shenjta në Jerusalem, plot me lëng eliksiri, të një jete krejt ndryshe.
Në këtë poemë, autorja, “zbulon” rrënjëve e pemës së besimit kristian, duke lidhur figurën e Lazrit me misticismin, ku veç të tjerave, shenjtëron jo vetëm veprën dhe mundimin golgothian të tij, por vëzhgon edhe tjetërsimin e njeriut në çdo kohë, ku shpeshherë besimi e shpëton atë nga dehumanizmi.
Dashuria sublime, shkon më përtej krijimit të një poeme, për një figurë që fati e dënoi padrejtësisht, me zjarrin heretik të kohës, vetëm pse mendonte ndryshe dhe vetëm pse i doli në krah fjalës së lirë.
Dy pjesët poemës, të shkruara në gjuhë të huaj dhe të sjellë në shqip në një gegnishte të ëmbël nga Jozef Radi, janë konceptuar e shkruar aq thjeshtë, si në formën e vargmimit të traditës së poezisë klasike shqipe me 10/ 11/ 12 rrokësha, me një ngjashmëri fabulore me “Komedinë Hyjnore” përmes vargjeve: prej nji jete që s’vdes,/ prej nji njeriu që – u përball me vdekjen – e ka dhanë ma shumë fruta,/ se banaliteti i së keqes me frutat e veta t’helmatisuna…, është e trajtuar me kaq dashuri, ku vetë dashuria e kishte braktisur njeriun shqiptar, por jo dashuria Hyjnore, ajo s’e braktisi, dhe pse nga jeta ai ka vjelë vetëm fruta të hidhura.
Krahasimi me Djallin e kuq, dhe qëndresa ndaj metamorfozës, është e lidhur me shpirtin e besimit dhe dashurinë ndaj Zotit, për të jetuar, dhe për të krijuar pemën e jetës: familjen.
Kur pyetja e autores: A ka mënyrë ma t’mirë me andrrue nji Shqipni ma t’mirë?/ Nji njerëzim ma njerëzor, e nji botë ma t’drejtë…, ndeshet me një realitet shumëpërmasor, në përshkrimin irreal gati-gati mistik dhe përfytyrimin e një Shqipërie demokratike, ku zhgënjimi, antivlera, zilia, urrejtja, mënjanimi, përçmimi, harresa, arroganca, nuk i ka zvetënuar vlerat më të mira qytetare, kulturore dhe intelektuale, në trashëgiminë e sociorealizmit, që akoma “skalit” fytyrën e re të modernitetit (në art kulturë dhe letërsinë e sotme shqipe). Përmes qasjes së simbolikës së kërkimit të vetvetes, autorja ndesh në zhgënjime të mëdha, pse atdheu i saj vazhdon të jetë “i pashpirt”, e ku fëmijët e tij plangprishës, po ia grryejnë ashtin atdheut, duke e thërmuar edhe atë pak shpresë të filozofit Lazër, tashmë të paqtuar me shpirtin në veprën e tij, si një kontribut i pamohuar ku militantizmi po ia zë përditë e më tepër frymën artit të vërtetë.
Në kërkimin e veprës së tij të pluhurosur, nëpër librari apo tekste shkollore, prapseprap nevojitet durim dhe urtësi, për një kohë të re, ashtu si ditët e Krijimit të Botës, duke kultivuar dritën e Epërme Hyjnore, shpresën e së nesërmes, përmes rinjalljes frymës biblike, që e rilindi nga hiri feniksin e shpresës, në fundvargjet: ndoshta ka qenë bash kjo arsyeja pse m’ke folë,/ folmë o Lazër i shpresës,/ o Fenix që rilindesh prej hinit tand,/ folmë përsëri…
Emrije Krosi, maj 2022