
Një nuse për dy trima
nga Ethem Ruka
Tridhjetë trima të Jutbinës ishin mbledhur pranë një zjarri dhe pinin nga një gotë verë. Flakët përpëliteshin në errësirë, duke ndriçuar fytyrat e tyre të gdhendura nga betejat e shumta që kishin zhvilluar kundër balozëve dhe ushtrive të sundimtarëve të huaj. Të gjithë ishin burra të njohur, trima të fjalës dhe të besës, ndaj e gjithë Jutbina i nderonte si kreshnikë.
Ndër ta, trimi mbi trima ishte Muji, fjala e të cilit peshonte si guri dhe nuk vihej kurrë në dyshim. Në një çast, Muji ngriti zërin dhe tha se, për fat të keq, në Jutbinë nuk kishte lindur ende ai trim që të guxonte të hynte natën në kullën ku jetonte Rusha, vajza më e bukur në oborrin mbretëror të sundimtarit të Krajlisë.
Fjalët e tij ranë të rënda. Burrat u panë ndër sy, por askush nuk foli. Por heshtja nuk zgjati shumë. Zuku Bajraktari, një djalë trim e i fuqishëm u ndje i sfiduar nga këto fjalë. Ai i tha Mujit se nuk ishte e vërtet që Jutbina nuk kish nxjerrë akoma burra të tillë.
-Betohem në Zotin që më ka falur jetën se unë kam qenë në atë kullë dhe kam kaluar tre ditë e tre netë me Rushën. Ajo ishte aq e bukur sa të drithërohente kur e prekje, pale kur i zbërtheje kopsat e jelekut.
-Ti në kullën e Rushës? – tha Muji, duke e parë drejt në sy, – Nëse vërtet do të kishe kaluar tri ditë e tri net me atë vajzë, jam i bindur se do të kishe rënë në ethe për tri vjet rresht dhe sot nuk do ishe i gjallë.
Kaq mjaftoi. Fjalët e Mujit ranë si plumba dhe Zuku u ndje i prekur në nder. U ngrys në fytyrë, ndërsa sytë i morën një shkëlqim si thëngjijtë e zjarrit. Papritur u ngrit në këmbë dhe, me zë të fortë, tha:
-Meqë nuk më besoni, po betohem para jush o trima, se nesër do të nisem për në Krajli. Ose do të lë kokën atje, ose do të kthehem në Jutbinë bashkë me Rushën.
Kur Zuku u kthye në shtëpi, ende nuk e kishte marrë veten. Nëna, sapo i pa fytyrën, u shqetësua. Sytë e tij nuk ishin më ata të zakonshmit. Në to lexohej një trazim i thellë.
-Çfarë të ka gjetur, bir? – e pyeti ajo me ankth, – Mos të është vrarë ndonjë mik në betejë? Mos të ka thirrur ndonjë baloz në mejdan? A mos ke shkëmbyer fjalë të rënda me ndokënd?
Zuku e pa nënën drejt në sy, i hodhi dorën në sup dhe, me një zë të rënduar, i tregoi gjithçka që kishte ndodhur. I tha se nderi i tij ishte vënë në pikëpyetje dhe se nuk kishte rrugë tjetër veçse ta vinte në vend. Sapo të zbardhte agimi, do të nisej për në Krajli, për të marrë Rushën.
-Mos, biri im… mos shko, – i tha nëna me sytë e mbushur me lot, – Nuk na mungon asgjë. Mund të të gjejmë vajzën më të mirë në këto anë, pa rrezikuar jetën tënde.
Por Zuku e kishte dhënë fjalën para tridhjetë trimave të Jutbinës. As shpata, as plumbi nuk mund ta kthenin mbrapa. Fjala e dhënë ishte më e rëndë se jeta.
Të nesërmen në mëngjes, shaloi kalin dhe u nis si vetëtimë drejt Krajlisë. Kaloi nëntë male e nëntë lugina, dhe buzëmbrëmja e gjeti pranë kullave të mbretit të Krajlisë. Pastaj u ngjit në një nga muret, aty ku drita ishte më e zbehtë, dhe me kujdes kapërceu brenda. Iu shmang rojeve dhe për fat të mirë më në fund, u gjend përballë derës së kullës së Rushës.
Trokiti lehtë. Asnjë përgjigje. Brenda, Rusha u drodh. Mendja i shkoi menjëherë te Muji apo te vëllai i tij, Halili. Frika nuk e la ta hapte derën. Por pas pak, një zë i ulët, i njohur, i pëshpëriti emrin e saj. Ishte Zuku. Ajo ia njohu menjëherë zërin. Me zemrën që i rrihte fort, hapi derën pa bërë zhurmë. Sapo u panë, ajo e tërhoqi nga dora dhe e përqafoi me mall.
-Kam ardhur të të marr, – i tha Zuku me vendosmëri, – Bëhu gati. Në çastin e duhur, do të largohemi pa na diktuar askush.
Gjatë gjithë natës thurën plane. Por mendja e Rushës ishte edhe më e mprehtë. Ajo vendosi t’u çonte pije rojeve, si shpërblim për “vigjilencën” e tyre. Mbrëmjen tjetër, sapo errësira ra mbi saraje, rojet nga kulla deri te porta, ishin dehur dhe kishin rënë në gjumë, me shishet ende në duar.
Ishte çasti i duhur. Zuku dhe Rushja shaluan kalin dhe, pa kthyer kokën pas, u nisën drejt Jutbinës. Lajmi mori dhenë. Zuku ishte betuar dhe ja ku e kishte mbajtur fjalën, e kishte sjellë Rushën në Jutbinë.
Kur Muji e dëgjoi këtë lajm, në fillim nuk e besoi. Pyeti një herë, dy herë, derisa u bind se ishte e vërtetë. Rusha, vajza që ai e kishte admiruar aq shumë dhe që e kishte menduar për shoqe jete, po bëhej gruaja e dikujt tjetër, qoftë edhe e mikut të tij më të afërt, Zukut. Brenda tij u ndez një zjarr i fortë. U ndje i sfiduar. Këtë gjë nuk mund ta pranonte lehtë. I dërgoi fjalë Zukut dhe u takuan.
– Të falënderoj për trimërinë që tregove, i tha fillimisht, – Ti je i pari nga Jutbina që munde të hysh në kullën e Krajlisë. Na solle në Jutbinë Rushën, vajzën që nuk i gjendet shoqe askund.
Pastaj rrudhi ballin dhe, me një zë më të rëndë, shtoi: – Por ajo më takon mua për grua.
Zuku mbeti i shtangur. Nuk e priste këtë nga Muji, të cilin e kishte më të dashur se vëllai. Kishin luftuar krah për krah në shumë beteja, Shpatat e tyre kishin rrëzuar armiq, por kishin mbrojtur edhe jetët e njëri-tjetrit. Tani ai ndodhej përballë një dileme të rëndë: të humbiste mikun më të mirë dhe të mbante Rushën për vete, apo të përulej nga turpi dhe t’ia linte atë Mujit.
U mendua gjatë. Në fund, për të shmangur përplasjen dhe gjakun mes tyre, i propozoi Mujit që të shkonin te kadiu i zonës dhe t’i kërkonin atij të gjente një zgjidhje.
Kur kadiu u njoh me kërkesën e tyre, u ndje ngushtë. E kuptoi menjëherë se përballë kishte një çështje që mund të përfundonte deri në gjakderdhje. Tri ditë e tri net u mendua pa vënë gjumë në sy. Në fund, pas shumë mundimesh, gjeti një zgjidhje.
I thirri të dy, Mujin dhe Zukun, dhe u tha se kishte marrë vendimin. Të dy do të ngjiteshin në livadhin rrëzë bjeshkës. Në mes të livadhit do të qëndronte Rusha në këmbë. Ata, të hipur në kuaj, do të vendoseshin në dy skajet e livadhit, të baraslarguar prej saj.
Kur ai të jepte shenjën, do të niseshin njëkohësisht, dhe ai që do të arrinte i pari te Rusha, do ta merrte për grua.
Fjala e kadiut u pranua. Në ditën e caktuar, jo vetëm Muji, Zuku, Rusha dhe kadiu dolën në livadh, por edhe tridhjetë trimat e Jutbinës, që u rreshtuan për të parë fundin e kësaj përplasjeje.
Në fushë ra heshtje. Të gjithë prisnin. Kur u dha shenja, kuajt u lëshuan si shigjeta drejt Rushës. Toka u drodh nën këmbët e tyre dhe sytë e të gjithëve u përqendruan në atë garë që do të vendoste fatin.
Në fillim, të dy ishin thuajse njësoj larg Rushës. Por pak nga pak, u duk qartë se kali i Mujit po fitonte terren. Ai ishte më i shpejtë, më i fortë. Fitorja dukej e sigurt. Por fati nuk ishte me të.
Kur kali i Mujit ishte vetëm një hap larg Rushës, ndaloi papritur. U ngrit mbi këmbët e pasme dhe u kthye mbrapsht. Muji u përpoq ta kthente, por më kot. Kali nuk iu bind. Në atë çast, gjithçka ndryshoi. Kali i Zukut arriti te Rusha. Ai e kapi për dore dhe sytë i shkëlqyen nga gëzimi. Trimat shpërthyen në brohoritje: – Të trashëgohesh, Zuk! Ti e meritove me dashuri dhe trimëri Rushën tënde!
Ndërsa zhurma e gëzimit mbushte livadhin, Muji qëndronte i heshtur. Ai u afrua te kali i tij dhe i foli me një zë të rënduar nga dhimbja, por edhe nga mirëkuptimi:
-Kishe të drejtë, miku im. Nuk më ke lënë kurrë të turpërohem në asnjë betejë. Por sot e kuptove se po i bëja keq mikut tim më të mirë. Ti më dhe mundësinë që miqësia jonë të mbetet si më parë dhe të kuptoja se jo gjithmonë fiton më i forti, por ai që ka më shumë të drejtë në zemër.
Marre nga Muri i FB, Aleksandër Cangonja, Durrës 16.04.2026