
Një nga bijtë më të ndritur të Shqipërisë dhe mjerimi ynë kolektiv…
nga Kristaq Jorgo
Të shkruash diçka që vlen, sado e shkurtër qoftë, duhet pak mund e kohë. Asnjëherë më parë nuk e kam pasur më të vështirë të konceptoj e të hedh në letër sa çka do të lexoni në vijim. Ridimensionova në këto javë një të vërtetë që përvoja ma kishte mësuar qyshkur: Sa më i rëndë problemi, aq më e rëndë pena.
E njihni cili është njeriu në foto? Jam i bindur se pjesa dërrmuese e miqve, pos shumë pak përjashtimesh, do të mendohen një grimë e pastaj do të ngrenë supet: “Jo! S’e kemi parë ndonjëherë.”
Jam i sigurt se asnjë prej mijëra nxënësve e studentëve anembanë trojeve shqiptare të të gjithë brezave, këtu e tetëdhjetë vjet, nuk do t’i përgjigjej “po” kësaj pyetjeje.
Jashtëzakonisht të paktë ndër milionat e shqiptarëve kudo nëpër botë, sa gishtat e dy duarve ndoshta, mund të jenë ata që ia dinë emrin.
Mjerimi ynë kolektiv!
Përse?
Sepse Njeriu i fotos bën pjesë në Çetën-E-Më-Të-Ndriturve-Bij Që Shqipëria ka pasur ndonjëherë!
Si është e mundur? Në të vërtetë, kjo ka dekada e shekuj që ndodh. Ndodh herë si ‘dhuratë’ e të huajve që na ‘duan të mirën’ e herë, akoma dhe më shpesh, për shkak të dy prej plagëve më të rënda të gjindjes shqiptare: amnezisë së saj kolektive endemike si dhe ‘virtytit’ kobzi për të mos çmuar kurrë sa duhet, akoma më keq edhe fort më shpesh, për të shpërfillur, injoruar, rënduar, njolluar, plaguar, coptuar, dërrmuar e jo rrallë varruar një pjesë të Bijve të saj më të mirë, Lulen e Racës, Ata që ia kanë falur Shqiptarisë gjithë çka kishin: Emër, Dije, Pasuri, Dinjitet… Duke zëvendësuar me gjysmakërinë, jo rrallë me elementë turme, vendin e lënë bosh prej kësaj kositjeje kriminale të një pjese të madhe të Elitës!
* * *
Njeriu i fotos është Prof. Izet Bebeziqi.
Lindur në Shkodër në vitin 1905, Izet Bebeziqi u shkollua me rezultate të shkëlqyera në njërën prej kryeqendrave të botës së qytetëruar, në Perandorinë Austro-Hungareze e më pas në Austrinë e Pasluftës së Madhe, ku ndoqi të gjitha ciklet e studimit për gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë (1916-1932). Specializohet për filozofi e letërsi në Universitetin e Graz-it. Fiton një kulturë enciklopedike të jashtëzakontë, së cilës i bashkohen atdhedashuria e zjarrtë, një botëkuptim ndër më të përparuarit, një karakter i çeliktë dhe një kujtesë fenomenale. Zotëron si shqipen e vet edhe dy – jo dy, ndjesë! – edhe dymbëdhjetë gjuhë të tjera të botës: gjermanishten, frëngjishten, spanjishten, anglishten, turqishten, italishten, serbo-kroatishten, rusishten, latinishten, greqishten e vjetër, greqishten e re, persishten.
Në moshën 16-vjeçare krijon bibliotekën private me vulë personale: “Biblioteka Illyria-Bebeziqi, Shkodër 1.XI.1921”
Përzgjidhet prej albanologut më të madh të kohës, prof. Norbert Jokl-it, si njëri ndër fare pak dishepujt e tij më të afërt e më të aftë. Me porosi të Tij do t’i shkelë pëllëmbë për pëllëmbë ngulimet arbëreshe të Italisë, do të mbledhë atje folklorin e trashëguar prej Tatave e Mëmave, tipare të të folmeve arbëreshe, do të njohë e do t’ia bëjë të njohur publikut shqiptar të këtej Adriatikut – ndër të parët mes pak të tjerëve – jetën e veprën e Etërve Themelues të Rilindjes Arbërore: De Radën, Darën, Seremben, Schiroin, Crispin.
Me kulturën e vet të rrallë do të marrë pjesë gjallërisht si “një ndër penat më të forta kritike” me përcaktimin e Gaetano Petrotta-s (“Popolo, Lingua e Letteratura Albanese”, 1932) në shumë prej periodikëve kulturorë të viteve ‘20-‘30 të shekullit që shkoi “Dialëria”(Vjenë), “Shqipëria e Re” (Kostancë), “Kombi”, “Fryma”, “Kultura islame”, “Fjala e Korçës”, “Revista Letrare” e në të tjera] me artikuj, studime, polemika për çështje të filozofisë, të artit, të kulturës, të folklorit, të historisë, vlera e të cilave punë do t’i bënte dritë botës shqiptare edhe sot e kësaj dite.
Dënohet me burg në mungesë nga regjimi i Zogut. I rikthyer në atdhe pas amnistisë së vitit 1934, emërohet profesor në Gjimnazin Teknik të Tiranës (1934-1936), më pas në Shkollën Tregtare të Vlorës e në fund në Liceun Francez të Korçës. Shkëlqen me dijet, me aftësitë pedagogjike, me frymën emancipuese e atdhetare që përcjell te gjimnazistës dhe bëhet për ta burim i madh frymëzimi.
Në Vlorë pret me armë në dorë pushtimin italian të 7 prillit. Në Tiranë bëhet figurë kryesore në manifestimin antifashist që organizohet në varrin e Naim Frashërit. Në Korçë u prin nxënësve të Liceut dhe gris flamurin fashist në qendër të qytetit para syve të autoriteteve. Arrestohet e dënohet me internim për tre vjet në ishullin Ventotene bashkë me dhjetëra antifashistë të tjerë.
* * *
Mund të parashihej që Prof. Izet Bebeziqi të çmohej lart për gjithë kontributet e veta në Shqipërinë e Pasluftës II Botërore e të gëzonte një karrierë të shkëlqyer. Do të shohim se si e pse ndodhi krejt e kundërta.
Të paktën, do të pritej domosdosdoshmërisht që vlerësimi mbi personalitetin e jashtëzakonshëm të Tij të ridimensionohej me themel pas ndryshimeve të fillimviteve ’90 të shekullit të kaluar. Me përjashtim të ndonjë nderimi e disapak artikujve, prof. Izet Bebeziqi vijon të mbetet krejt i panjohur edhe në më shumë se tri dekadat e fundit.
Mjerimi ynë kolektiv!
Kombi që harron të kaluarën e tij e përfaqësuesit më të shquar të vetët nuk e meriton të jetojë si i tillë; më e pakta, do ta ketë ashtu si dhe e ka pasur të ardhmen e vet: të zymtë.
Krejt e pazakonshme e gati unike është se Prof. Izet Bebeziqi vijon të mbetet i panjohur, madje i nënçmuar, jo vetëm nga masa e gjerë e publikut, por dhe nga përfaqësues të dijes(!!!)
Në një artikull a studim mbi kontributet e Atë Zef Valentinit (ri)botuar pak më shumë se një muaj më parë, z. Ndriçim Kulla riprodhon ndër të tjera këtë pasazh nga një shkrim i Atë Valentinit në vijën e një polemike të tij me Izet Bebeziqin (1938):
“Nji farë Izet Bebeziqi me dy artikuj qi, në qershuer e tetuer të kaluem, botoj e përkohshmja “Kombi”, pa ja pasë pá as kartuçat teologjís, na ngrehet e na kokorisë çashtje këso dege, thue se e ka pjellë vetë teologjija e Salamankës. Nder sa e sa tjera, thotë se Kisha Katolike nuk âsht ajo qi ka temelue Krishti. Ndërmjet Kishës e Krishtit “qindron nji humnerë fare e madhe. Larg nga Kisha. Lirí fetare. Lirí personale klithte Dante. Reformë don Kisha, se dogma e shtangët na mbyti, thriste poeti… Mendsija e tij e lirë, dhe sidomos kritika me frymë reformative ndaj mungesve dhe të metat e kishës dhe veseve të papve xânë vend… kryekrejet në vepren në fjalë. Raca dhe jo Religioni ka randësí të madhe per Danten”, e giatë e giatë këtí krahi. […] Kjaje, Zo’, të keqen!”
Vijon me fjalët e tij Ndriçim Kulla: “Dikush mund të thotë se përse At Valentini humbiste kohë me një njeri të tillë si ky Bebeziqi (sic!), të cilin e quan një shkarravitës (sic!) që nuk di as gramatikën shqipe (sic!). Shtypi shqiptar i kohës përveç autorëve me vlera, të cilët i kanë mbijetuar kohës, ishte i mbushur dhe me të tillë njerëz (sic!). Por At Valentini e dinte se këta mund të bënin dëm duke përhapur të pavërteta, prandaj herë pas herë përzgjidhte ndonjërin prej tyre (sic!) për t’i dhënë përgjigje kështu shtrembërimeve që përhapnin ata.”
“O kohë, o zakone!” britnin latinët për ngjarje a rrethana të paimagjinueshme si kjo.
Po, “Kjaje, Zo’, të keqen!” Kështu thotë Atë Zef Valentini kur dëgjon prej atje ku është të rimerren nga Ndriçim Kulla, pas gati tetë dekadash, fjalët që ai pat shkruar në adresë të Prof. Izet Bebeziqi. Por “Kjaje, Zo’, të keqen!” nuk i thotë tani për prof. Bebeziqin, por për Ndriçim Kullën. Me siguri kështu thotë për këtë të fundit, pasi ka pasur mundësi t’ia njohë vlerat e kapacitetin e integritetin të Parit. Nga ana tjetër, pa guxue me hy në analizë të polemikës e aq më pak me vlerësue ashtu shpejt e shpejt secili, në ç’pikë, nga ç’këndvështrim e përse mund të ketë më shumë a më pak të drejtë se Tjetri, po mjaftohem të nënvizoj se polemikat, rëndom, kudo e përgjat gjithë historisë, lidhen ngushtë me kontekstin e janë prodhim botëvështrimesh të ndryshme, po aq a më fort se prodhime logjike e argumentimi. Më tej: Ndriçim Kullës ia drejton natyrisht ato fjalë At Zef Valentini, pasi është e pamendueshme të japësh vlerësim për një polemikë pa e studiuar me themel atë. Po aq e pamendueshme të gjykosh një Personalitet, ta fyesh madje, pa e njohur fare, as sot!, në të XXI-tin shekull, kur njeriu burimet e pafundme të informacionit i ka vetëm një pëllëmbë larg!
U dridhen në varr eshtrat Norbert Joklit, Lasgush Poradecit, Eqrem Çabejt, Skënder Luarasit, Musine Kokalarit, Arshi e Myzafer Pipës, Beqir Çelës, Hafiz Ali Korçës, Riza Danit, At Vinçens Prennushit e sa e sa të Ndriturve të tjerë, miq të Izet Bebeziqit, kur dëgjojnë fjalët që Ndriçim Kulla guxon të shqiptojë për Të në 2023-shin! Rënkon shpirti i Sandro Pertini-t, presidentit legjendar të Italisë, që e pati njohur gjatë internimit në Ventotene Prof. Izet Bebeziqi – kështu i drejtohej: Profesor! – bashkë me të tjerë që do të formonin ajkën e Italisë Demokratike të Pasluftës së Dytë Botërore.
Rënkon shpirti i Atë Gjergj Fishtës atje ku është kur ndien këtë marre që ka ndodhur. Përse rënkon? Ja njëra ndër arsyet, siç na vjen prej studiuesit Mark Vuji: “At Gjergji ka qenë dhe një polemist i fuqishëm. Ende edhe sot mbahet mend në Shkodër, e përcillet fjalazi një diskutim filozofiko-teologjik, i zhvilluar në Kafen e Madhe midis dy burrave të mençëm e të dijshëm të Shkodrës, Padër Gjergj Fishtës e prof. Izet Bebeziqit për probleme të ndryshme të feve muslimane e të krishterë. Ishte një polemikë e diskutim publik në sy të të gjithëve. Këta dy “Gladiatorë të Mëndjes”, dy shkodranë të ditur, “u përleshën” miqësisht në sy të “publikut” në kafen kryesore në qendër të qytetit. Nuk ka rëndësi kush fitoi, fituan të gjithë dhe kjo ndeshje “trimoçash të mendimit” mbeti e u ngulit thellë në kujtesën e breznive deri më sot.” [Në kohën e këtij debati, na bën me dije njëri ndër dy nipat e Prof. Bebeziqit, Bamir Bebeziqi, Izeti ishte 30 vjeç dhe At Fishta afër të shtatëdhjetave.]
Lavdia jonë kolektive!
Pasi lexon në gazetën “Panorama” artikullin e Ndriçim Kullës, shkruan Bamir Bebeziqi: “Dje një lëmsh sikur m’u mblodh në grykë. Më ndodh ndonjëherë kur nuk mundem të justifikoj ndonjë veprim timin, kur kam ndonjë problem familjar, kur kam ndonjë problem me shëndetin apo kur kam ndonjë vështirësi në punë… Por kësaj radhe lëmshi m’u krijua nga një person që as e kam njohur e as nuk kisha për ta njohur kurrë, nëse ai nuk do të ngacmonte një njeri “të vdekur” qysh prej vitit 1939…”
I drejtohen me qetësi z. Ndriçim Kulla nipërit e Prof. Izet Bebeziqi, në mënyrë që duke e njohur me personalitetin e kontributet e Tij, të marrë mbrapsht vlerësimet më shumë se fyese e të kërkojë publikisht ndjesë.
Z. Ndriçim Kulla jo vetëm nuk i bën këto, por ua përplas portën e komunikimit në fytyrë!
O Bamir e Arian Bebeziqi, nipër fisnikë të Heroit Izet Bebeziqi e bij të dijetarit Danish Bebeziqi: Lereni mjerimin tonë kolektiv aty ku është. Ju jeni pasardhës të Lavdisë sonë Kolektive!
Por një “gabim” e keni bërë. Ju e cilësoni Gjyshin tuaj – Hero “të vdekur shpirtërisht qysh në vitin 1939”, kur ishte në lulen e moshës, vetëm 35 vjeç, pasi që atëhere dhe rreptësisht pas “atij që i thanë ‘Çlirim’” (fjalë këto të Lasgush Poradecit), iu ndaluan njëherë e përgjithmonë mësimdhënia dhe e drejta e botimit, dy pasionet e Tij të mëdha.
Dhe i luteni Ndriçim Kullës t’ia lerë të qetë eshtrat një njeriu që s’është në këtë jetë prej gati tetë dekadash!
“Gabim” i madh ky i juaji.
“Gabim” i madh, pasi pjesa e dytë e jetës së Prof. Izet Bebeziqi prej 1939-s e deri në 1982-shin kur shkon në Amshim, dhe ju e dini fort mirë këtë, është – pavarësisht gjithçkaje e çdo privimi – po aq e lavdishme sa e para.
* * *
Nuk po përsëris se si veproi e çka pësoi Prof. Izet Bebeziqi si hakmarrje ndaj kundërshtimit burrnor që i bëri pushtimit fashist.
Pas kthimit nga internimi në Ventotene e gjejmë drejtor të Gjimnazit të Pejës. Burgoset nga gjermanët në Shkodër, prej nga me ndihmë të miqve të vet arrin të arratiset e vendoset ilegalisht në Tiranë.
Më 17 gusht 1944, merr pjesë si delegat i Shkodrës tok me dr. Gjon Kovaçin në mbledhjen e përgjithshme të intelektualëve të Shqipërisë, tubim që formon Komitetin Drejtues të këtij organizmi me kryetar Jani Dilon e parrullë themelore: “Tash e tutje nuk do të mendojmë ma individualisht, por do të jemi të gjithë nji Shtet, me nji Qeveri, me nji Komandë.”
Në tetor 1944, falë njoftimit të një ish-studenti të vet partizan, i shpëton ekzekutimit nga komunistët.
Me ndihmën e Skënder Luarasit çel në 1945-n një dyqan të vogël librash e duhani në Durrës, ku ka dhe familjen.
Bashkë me Musine Kokalarin është në bërthamën themeluese të Partisë Socialdemokrate. Ndodhet në survejim të vazhdueshëm.
Pas refuzimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1946 duke deklaruar haptas se “Pjesëmarrja në votime nuk është e detyrueshme” arrestohet e dënohet me 7 vjet burg politik.
“Jam shumë mirë, nuk kam nevojë për asgjë” i drejtohet stoiku Izet Bebeziqi ish-kryeministrit Mehmet Shehu, i cili, me shumë gjasë, i shkon në qeli për të larë gojën pas interesimeve të forta që vijnë për fatin e Profesorit nga përtej Adriatikut, prej miqve të tij të mëdhenj Sandro Pertini me shokë.
Me daljen nga burgu i bashkohet në Durrës pas shumë vitesh familjes, bashkëshortes, Bedrije Bebeziqi, figurë e ndritur edhe Ajo e arsimit shqiptar dhe djalit e fëmijës së tyre të vetëm, Danishit.
Zgjedhja që Prof. Izet Bebeziqi ndërmerr prej këtij momenti e deri në fund të jetës është unike, e denjë për një dramë me protagonist një Hero tragjik, vetësakrifikues deri në skajet që vështirë të përfytyrohen. Arsyen e thellë, të heshtur të zgjedhjes së Tij, zgjedhje që vetëm një karakter i jashtëzakonshëm mund ta verë në jetë, jam i bindur se nuk janë të shumtë ata që e kanë kuptuar.
Ç’mund të bënte në ato rrethana një njeri që do të mbajë përherë damkën e armikut të popullit? Mund të bënte atë që shumëkush ka bërë në situata të ngjashme. Të vijojë jetën familjare, por duke ua përcjellë për forcë të rrethanave ‘mallkimin’ e vet të afërmve.
Heroi Izet Bebeziqi nuk bën këtë: Ai e sheh të udhës të ndahet prej familjes, përgjithmonë!
Vendoset në Shkodër, shkëput çdo lidhje me njerëzit e tij më të shtrenjtë, duke mos i takuar asnjëherë deri sa mbyll sytë (1982), vetëm e vetëm që hija e zezë që i vuri fare brutalisht koha e regjimi, të mos helmonte jetën e shoqes së tij të zemrës e të jetës, të djalit dhe të nipave që do të vinin më pas!
Ne nuk mund ta marrim me mend, as dhe larg e larg dhembjen që prof. Bebeziqit e Çiftit Bebeziqi i është dashur të përjetojë duke vënë në jetë një vendim të tillë ekstrem!
Vijojnë vite të mundimshme të papunësisë derisa ia del që me ndihmë të disa miqve ta pranojnë si një librar të thjeshtë në bibliotekën e qytetit, më tej në atë të Institutit Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës, më pas Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Ka detyrën më të ulët: merr porosinë nga lexues e studentë, rrëmon nëpër raftet e librave dhe ua sjell porosinë të interesuarve.
Por Floriri mbetet Flori kudo ta hedhësh, ashtu si Heroi mbetet Hero në çdo situatë. Ato dije të stërmëdha që zotëron në shumë fusha të kulturës e të shkencave, ato dymbëdhjetë gjuhë të huaja që i di si shqipen dhe, e fundit por po aq e rëndësishme, ideali i shenjtë atdhetar e synimi për t’ua falur gjithë çka di e mund brezave të rinj, sjellin një rezultat fare të thjeshtë e të lehtë për Prof. Izet Bebeziqi, por të papritur e të jashtëzakonshëm për jetën intelektuale, shkencore e pedagogjike të Shkodrës: Krahas Universitetit “Luigj Gurakuqi” bën jetë në njëqind-e-një mënyra një “universitet” i dytë, “Universiteti Izet Bebeziqi”. Me qindra e mijëra janë studentët e pedagogët që e kanë ‘ndjekur’ atë.
* * *
Në fund të këtyre radhëve shtroj pyetjen që më ka munduar në gjithë këto javë: Çfarë mallkimi, domethënë çfarë virtyti suprem duhet të ketë zotëruar prof. Izet Bebeziqi për t’u bërë fli prej mjerim-kolektivitetit shqiptar kaq gjatë në kohë?
Them se nuk ka zotëruar një, por disa virtyte të tillë, supremë, prej atyre që gjindja shqiptare nuk i kapërdin dot lehtë.
Cilët mund të jenë këto?
–Suksesi: “Shqiptari nuk ta fal kurrë suksesin”, – nënvizonte Konica në fillim të shek. XX.
–Idealizmi: po Konica na e thotë, është fare i rrallë ndër ne, rrjedhimisht i pafalshëm për turmën (milet-pushtetin) e babëzisë pragmatiste e materialiste.
–Parimësia përkundër konformimit kameleonik të shumicës.
–Bindjet e Palëkundura përballë “dallëndyshe ktheje ndryshe”.
–Qëndresa – tepër e rrallë – ndaj nënshtrimit, përballë qullosjes së më të shumtëve.
–Largpamësia në mesin e një milet-pushteti që mendon “sot në sabah për sot në aksham”.
–Heroizmi, thuajse i padukshëm në kënetën e “s’ka ç’më duhet mua”.
–Integriteti i hekurt dhe besnikëria e palëkundur ndaj vetes pa cënuar kërkënd tjetër përkundër të njëjtave virtyte, por duke bërë fli dhe të tjerë.
–Mbrojtja e interesit më të lartë të të gjithë bashkësisë përkundër frymës partikulariste, klanizmit, tarafit.
–Kryelartësia përkundër sahanlëpirjes.
–Paaftësia për të lejuar njollosjen më të vogël të vetes pavarësisht rrethanave ekstreme, përkundër shfajësimit “ashtu ishte koha…”
E të tjera ‘mallkime’ të ngjashme, pa dyshim.
I mendoj të gjitha këto virtyte të bëra bashkë, të trupëzuara në një qenie njerëzore të vetme dhe pyes veten: Sa të tillë mund të ketë pasur, mund të ketë në mesin e mjerimit tonë kolektiv?
Heronjtë e një Çete të Tillë më dalin të pakët, të rrallë.
Në atë Çetë ndrin Portreti i Prof. Izet Bebeziqit. Në mesin e mjerimit tonë kolektiv shkëlqen Lavdia jonë kolektive.
Marrë nga Muri i FB, Kristaq Jorgo, 28 tetor 2023