back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Një mesazh për pijetarët nga Lutfi Alia

Gazeta

Prof. Lutfi Alia
Prof. Lutfi Alia

Një mesazh për pijetarët

nga Lutfi Alia

Ndonëse prodhimi, tregëtimi dhe përdorimi i pijeve alkoolike, janë aktivitete të lira, nuk janë të ndaluara me ligje, në fakt janë lëndë, që e dëmtojnë shëndetin si me efektet toksike, por dhe si droga të lehta me të gjitha efektet, të afta të modifikojnë mendjen, duke u shprehur me reagime jo korrekte e të papranueshme në aspektin mjekesor, familjar, social dhe ligjor.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pijet alkoolike përdoren në të gjithë botën:
-Në vitin 2015, konsumi i pijeve alkoolike për popollatën botërore mbi 15 vjeç, ishte 6,5 litër për person, sasi që përkon me 13, 8 gram alkool puro në ditë.
-24.8 % e pijeve alkoolike prodhohen ilegalisht dhe jashtë kontrollit ligjor.
-50.1 % e alkoolit të prodhuar në botë, konsumohet në formën e spirits (rakisë).
-Etanoli është përgjegjës për shkaktimin e 200 sëmundjeve, që lëndojnë shëndetin e njerëzve.
-Në vitin 2012, pijet alkoolike janë përgjegjese për vdekjen e 3, 3 milion njerëzve.
-Pijet alkoolike janë droga të vërteta, të cilët veprojnë dhe modifikojnë aktivitetin e trurit, duke ndryshuar funksionin e aftësive perceptuese dhe kontrollin mbi realitetin. Përdorimi për kohë të gjatë dhe në doza relativisht të larta i pijeve alkoolike, krijojnë dipendencën fizike dhe psikike, njëlloj si drogat e tjera.
Efekti drogë i pijeve alkoolike i dedikohet etanolit, që është një alkol me varg alkilik linear, me formulë kimike CH3CH2OH në strukturë të kondensuar.
Etanoli është përbërësi bazë i të gjitha pijeve alkoolike. Njihet me emërtimin alkooli etilik, ndërsa pijetarët e quajnë spirito-shpirti, ne shqiptarët e quajmë raki, emërtim i huazuar nga turqishtja.
Pijet alkoolike, përmbajnë përqindje të ndryshme etanoli.
Një gotë vene (1 dl-100 ml), një gotë birre (3 dl), një gotë pije superalkolike (3 cl-30 ml ajo që quhet teke), seicila përmbanë 7 g alkool etilik.
Përqindja e alkoolit etilik në pijen alkoolike, tregon gradën alkolike, konkretisht
Birra 5% (5°)
Rakia 18-25%
Konjaku, (18°-25°)
Gin (xhin) 38%
Uisky, votka, rhum, sakè, tequila, ferneti. amaro etj 30-45%
Vermouth 18 %
Vena 10-15%
Vena e përdorur gjatë ushqimit 11%
Etanoli krijon dëmtime organore me tre mekanizma bazë:
-Efekti toksik mbi indet dhe organet.
-Helmimi i qelizave të trurit, i shprehur me turbullimin e ndergjegjies, bllokimin e aftesive konjitive, afektive, të sjelljes dhe prishjen e kordinimit fizik.
-Dipendenca e njëjtë si e drogave të tjera.
.
Alcooli dëmton rininë...
Alcooli dëmton rininë…

Përthithja e alkoolit në organizëm.

Pijet alkoolike përthithen të pamodifikuara. Mukoza e stomakut, e duodenit dhe e zorrës se hollë e përthtithin tërësisht sasinë e alkoolit që pihet, madje dhe në kohë shumë të shpejtë.
Përthithja fillon menjëherë pasi gëlltitet pija alkoolike dhe kompletohet brenda 10-40 minutave.
Nga stomaku, nëpërmjet vazove të gjakut, kalon në mëlçi, që është stacioni i parë i përpunimit të etanolit të përthithur. Në qelizat e mëlçisë metabolizohet nga grupi i enzimave alkooldehodrogenaza. Prania e etanolit në gjakun qarkullues, konstatohet brenda 5 minutave të para, që ka filluar pirja dhe arrin koncentrimin maksimal në një interval kohe nga 30 minuta deri në 2 orë.
Kalimi në gjak është më i shpejtë, sa më i lartë të jetë përqëndrimi i etanolit në pijen alkoolike dhe sa më e madhe sasia e pijes të konsumuar.
Metabolizimi i etanolit në organizëm.
Rreth 90-95 % e etanolit, pëson transformim kompleks në mëlçi, ndërsa 10% eleminohet me urinën, me djersën dhe nga mushkëritë gjatë nxjerrjes të fluksit te ajrit.
Te femrat, sasia e etanolit të metabolizuar është 4 herë më e pakët, sesa në meshkuj, sepse femrat kanë pak enzima alkool-dehidrogenaza, andaj dhe alkoolemia (përqendrimi në gjak i etanolit) në femrat, është shumë më e lartë se në meshkuj, çka çon në dehje shumë të shpejtë të femrave.
Etanoli shkakton dëmtime akute të qelizave të mëlçisë dhe dëmtime kronike si hepatit kronik alkoolik dhe cirhoza e mëlçisë.
Alkooldeidrogenaza, enzima kryesore metabolizuese në citosolin e qelizave të mëlçisë, katalizon etanolin dhe metanolin (alkooli metilik).
Dëmet e shkaktuara nga pijet alkoolike, janë më të rënda kur ato përmbajnë metanol, sepse nën veprimin e alkool-dehidrogenazës, metanoli degradohet në formaldehid, një substancë toksike, që dëmton rëndë qelizat nervore, prish shikimin, shkatërron qelizat e mëlçisë e të trurit. Kur sasia e alkolit metilik është e madhe shkakton vdekje te shpejtë.
Duhet të kemi parasysh, se rakia e “pikës së parë të kazanit”, fraksioni i parë që del nga distilimi, është kryesisht metanol (alkool metilik). Metanoli çlirohet i pari, sepse ka temperaturë më të ulët vlimi se etanoli, dhe është shumë i dëmshëm dhe me pasoja të rënda për shëndetin e atyre që konsumojnë rakinë e pikës së parë.
Rakia e prodhuar nga distilimi i mareve, përmban sasi të madhe alokooli metilik, që shkakton dehje të shpejtë, dhimbje të forta koke dhe dëmtime të rënda të trurit e të mëlçisë.
Pijet alkoolike përthithen shpejt dhe metabolizohen nga qelizat e mëlçisë.
Sasia e etanolit të oksiduar në një orë – për kg/peshë trupore, është 60 deri 80 miligramë.
Kjo sasi alkooli e metabolizuar nuk varet as nga puna e muskujve, as nga i ftohti, as nga i nxehti. Ky aktivitet metabolik do të thotë se 100 g sasi alkooli i tolerushem (përkon me një litër venë 12°), individi me peshë trupore 70 kg, duhet ta “djegë” e ta eleminojë, në një interval kohe prej 24 orësh.
.

Shpërndarja e etanolit në organizëm.

Etanoli përthithet dhe shpërndahet me shpejtësi të madhe në organizëm, sepse molekulat e etanolit janë të vogla dhe të tretëshme në ujë dhe në lëngjet e organizmit.
Molekulat e etanolit udhëtojnë në forma të lira, të palidhura me proteina transportuese dhe janë shumë aktive nga pikpamja biologjike, si në plazmën e gjakut ashtu dhe në lëngjet ekstraqelizore të organeve.
Organet e para të interesuara, më saktë të lënduara nga shpërndarja e alkoolit janë mëlçia, truri dhe në vazhdim mushkëritë, zemra, veshkat, stomaku, duodeni, muskujt dhe indi dhjamor.
Vlen të theksohet se muskujt dhe dhjami janë indet ku depozitohet etanoli.
.
Pija si goditje e trurit
Pija si goditje e trurit

Efektete e etanolit

Ashtu si të gjitha drogat dhe etanoli vepron në sistemin nervor qendror, saktësisht në qendrën e kënaqësisë në tru, që ndodhet e fshehur në sistemin mezolimbik, të traktit kortiko-limbik.
Arrijtja e etanolit ne tru, shkakton dipendencë potente, pra qendra e kënaqësisë e pëlqen etanolin dhe krijon varësi të fuqishme.
Në ndryshim nga drogat e tjera, dipendenca ndaj etanolit është e fuqishme por e shmangëshme më lehtë e në mënyre të përherëshme.
Pijet alkoolike, së pari krijojnë efektin e kënaqësisë, ndjenjë që pëlqehet shumë dhe nxit rimarrjen, pra përsëritjen e kënaqësisë, njëlloj si me drogat e tjera.
Pijet alkoolike nuk kanë aspak vlera ushqyese, madje e dëmtojnë ushqyeshmërinë e organizmit, çrregullojnë raportet normale të metabolizmit, provokojnë grumbullim yndyrnash dhe metabolitesh toksike (radikale të lira) në qelizat e trurit, të mëlçisë, të zemrës, të veshkave, të muskujve etj.
Pija alkoolike e çrregullon mendjen e turbullon ndërgjegjen, si thotë populli ynë: “Është një lëng, që e pi me mend dhe të lë pa mend”.
Etanoli e modifikon aktivitetin e trurit, shkakton ulje të funksioneve të vatrave të rëndësishme të kores së trurit, lëndon qendrat që kontrollojnë procesin e të menduarit, të arsyetimit, të analizes, të gjykimit, si dhe i frenon reflekset, pra i ngadalëson madje dhe i bllokon reflekset.
Kur konsumohen pijet alkoolike, fillimisht individi ndihet i relaksuar, i kënaqur, por në kohë të shkurtër bëhet euforik, i shfrenuar në të folur dhe në aktivitetin motor. Më pas, reflekset dalin jashtë kontrollit, pijetari humb autokontrollin, kryen sjellje agresive, madje dhe akte dhune.
Kur kalon në fazën e dehjes, pijetari manifeston çrregullime psiqike, është i çorientur dhe me probleme në koordinimin e lëvizjeve të këmbëve e të duarve, humb gadishmërin e reflekseve, humb ndjesinë e dhimbjes fizike.
Në këtë gjendje ecën duke u lëkundur, nuk mban ekuilibrin dhe flet me vehte me zë të lartë. Kur dehja është e thellë, pijetari ka të vjella, humb ekuilibrin, bie në gjendje dëshpërimi të plotë. Nëse ky pijetar vazhdon të pijë, dehja rëndohet, humbin funksionet e nervave motore, ndërgjegja
përgjumet (më saktë e humb ndërgjegjen) dhe bie në gjendje helmimi nga etanoli.
Në rastet me dehje të rëndë (konsumimi në sasi të mëdha pije alkoolike), pijetari bie në koma, madje nëse nuk reanimohet nga mjekët, rrezikon vdekjen nga koma alkoolike.
.
Alcooli - humbja e kontrollit te vetvetes
Alcooli – humbja e kontrollit te vetvetes

Dëmtimet e psiqikës:

Efekti dëmtues i etanolit mbi sistemin nervor qendrore, është në varësi të sasisë të etanolit dhe të kohëzgjatjes të pijes.
1.Përdorimi në sasi të moderuara i pijeve alkoolike provokon:
-eufori, të folurit me zë të lartë, të qeshurat spontane e të pamotivuara
-rilaksim i tensionit psiqik dhe i ankthit
-sjellje miqësore të ekzagjeruara, nga një herë dhe gazmore euforike
-krijon ndjenjën e të nxehtit trupor, të pasuar me të ftohtin dhe të dridhura të trupit
-efekti i “amnezisë”, harron problemet dhe preokupacionet.
-ulje e theksuar e përqëndrimit të vemendjes.
2.Kur sasia e pijes alkoolike i kalon nivelet e tolerancës te organizmit, shpërthejnë efektet negative:
-përgjumje dhe depresion
-agresivitet dhe dhunë
-të përziera dhe të vjella
-ulje e presionit të gjakut dhe e temperaturës së trupit
-ngadalësim i reflekseve dhe zgjatja e kohës të reaksionit ndaj stimujve
-përkeqësohet koordinimi motor, nuk komandohen duart dhe këmbët, ecën duke u lëkundur, madje shpesh dhe rrëzohen.
-humb aftësinë për të vlerësuar kohën, distancën dhe shpejtësinë.
3.Përdorimi në sasi të madhe i pijeve alkoolike, p.sh mbi 500 ml raki, çon në dehje me gjendje inkoshience, jo rrallë të pasuara me koma dhe nga një herë në vdekje.
4.E njejta sasi pije alkoolike, mund të provokojë efekte te ndryshme në individë të ndryshëm: Pasojat janë në varësi të këtyre rrethanave.
-Personat me fizik të dobët (nënpeshë, të kequshqyer), janë më pak tolerantë ndaj etanolit, dehen më shpejt në krahasim me personat me peshë normale dhe mbipeshë.
-Femrat janë me pak tolerante ndaj pijeve alkoolike, pasi nuk kanë sasi të mjaftueshme enzime për të katalizuar etanolin, për rrjedhojë dehen shumë shpejt dhe në gjendje të rëndë.
-Efektet e alkoolit janë më të rënda, nëse përdoret kur je esëll dhe pas një lodhje fizike.
-Abuzimi për kohë të gjatë me pijet alkoolike, shkakton dipendencë mendore dhe fizike.
.

Dëmtimet në organet e brendëshme:

Etanoli është substancë tepër toksike, i lëndon të gjitha qelizat e organeve të brendëshme dhe më tipiket janë dëmtimet e radhitura në vazhdim:
1.Ezofagite, refluks gastro-ezofageal, gastrite atrofike, ulçera të stomakut dhe të duodenit.
2.Hepatite kronike alkoolike.
3.Steatoza e mëlçisë, pra dhjamosje difuze e qelizave të mëlçisë, që asfiksohen nga prania e tepërt e
dhjamit në citoplazëm. Alkolistët kronikë e kanë të shprehur steatozën e mëlçisë, aq sa shihet dhe me ekografi, si një dëmtim i gjerë hypoekogjen.
4.Provokon formimin e gurëve në fshikzën e tëmthit.
5.Ul përqëndrimin e sheqerit në gjak, të shprehur me lodhje trupore, marrje mendësh, djersitje dhe deri zvenitje.
6.Pankreatitit kronik, i ndërlikuar me diabet sheqeri të tipit II
7.Pankreatit difuz kronik i ndërlikuar me insuficiencë pankreatike.
8.Favorizon arterosklerozën, sidomos koronarosklerozën, të ndërlikuar me infarkt miokardi dhe arterosklerozën e trurit, me pasoje iskemi e trurit, ose hemoragji e trurit.
9.Stomatite etj
.
Pija - flaka që i vë njeriu vetes
Pija – flaka që i vë njeriu vetes

Si matet sasia e alkoolit, që ka konsumuar një pijetar?

Përdoren dy metodika:
a.Dozimi direkt i përqëndrimit të etanolit në gjakun periferik. Në këto raste, pastrimi i lekurës, ku bëhet injeksioni për të marrë gjakun venos, bëhet me ujë të oksigjenuar, në rast se dizinfektohet me alkool ose me jod, rezultati nuk është i besushëm, pasi jep vlera me të larta se sa ato reale.
Analiza e alkolemisë bazohet në metodën enzimatike e Nicloux, me alkooldeidrogenazen dhe kromatografi në fazën gazore.
Ethylometer – Etilometri.
b.Dozimi indirekt i përqëndrimit të avujve të alkoolit të nxjerra me ajrin nga mushkëritë.
Në këto raste, vlerësimi i alkolemisë bëhet me aparatin Etilometer. Ekzistojnë shumë tipe etilometri, por të gjithë funksionojnë sipas principeve të absorbimit të avujve të etanolit.
Ky aparat ka një tub xhami, i cili përmban një reaktiv kimik, që e përthith etanolin. Gjatë këtij ekzaminimi, avujt e alkoolit, duke kaluar mbi reaktivin, provokojnë ndryshimin e ngjyrës nga e verdhë në të gjelbër, në disa tipe etilometër, shndërrohet në ngjyrë të kuqe. Sa më i gjatë shiriti i ngjyrës, aq më e lartë sasia e avujve të etanolit të nxjerrë së bashku me ajrin nga mushkëria. Vlerat sasiore të kësaj analize shprehen me numra dhe në përqindje.
Kur del pija alkoolike? Sa kohë duhet, për t’u eleminuar etanoli nga organizmi?
Përqëndrimi maksimal i alkoolit në gjak arrin pas 45 minuta, me kulmin pas 1-2 orë nga fillimi i pijes dhe shkon në nivel zero, pra eleminohet plotësisht pas 20 orësh.
Në rast se pija alkoolike merret esull, përqëndrimi maksimal i etanolit në gjak arrin më shpejt, kështu p.sh kur individi pi 750 ml venë, përqëndrimi i etanolit në gjak arrinë vlerat 0, 50 deri 0, 80 g për një liter gjak, ndersa kur pihen 2 litra vene, përqëndrimi i etanolit arrine 2 deri 3 g/l gjak, që përkon me gjendje dehje.
1,5 – 1 – 0,5 – 0
Kurba e përqëndrimit në gjak i etanolit dhe kohëzgjatja e eleminimit
Të gjithë pijetarët, në veçanti ata që ngasin makinën, janë të interesuar të dijnë, sa kohë duhet që të bëhen esull, pra t’iu dali pija.
Organizmi i njeriut, arrin të konsumojë rreth 7 gr alkool në një orë, me pakësim të alkolemisë me ritëm 0,15 g për litër/gjak çdo një orë.
Një pijetari, me nivel alkolemie 2 g/l, i duhen 10 – 12 orë kohe, që të arrijë nivelin 0, 5 g/l, që përkon me kufirin e dehjes legale dhe 20 orë për të arritur në nivelin zero gram për një litër gjak.
Theksoj: Nuk ekziston asnjë lloj antidoti, për të shpejtuar zbërthimin dhe elminimin e alkoolit nga gjaku, nuk ekzistojnë ilaçe, mjete dhe metoda për të hequr dehjen.
Ndër pijetarët, flitet për metoda dhe mënyra, që gjoja ndihmojnë për eleminimin e alkoolit dhe daljen nga gjendja e dehjes, por në fakt nuk janë të vërteta.
Nuk ndihmon as dushi me ujë të ftohtë, as dushi me ujë të ngrohtë; nuk ndihmon as kafeja, as dalja në ajër të freskët dhe as vrapimet.
Eliminimi i alkolit nuk mund të përshpejtohet me asnjë lloj substance, me asnjë lloj ilaçi dhe as me ushtrimet fizike.
Mendimet dhe ndjesitë se këto veprime ndihmojnë të largojnë pijen, janë mashtrime psikologjike.
.
Pijet alcoolike në bar...
Pijet alcoolike në bar…

Pasojat e alkoolizmit

Alkoolizmi krijon pasoja të rënda shëndetësore dhe shoqërore.
Alkolistët janë subjekte të predispozuar për kriminalitet, krijojnë konflikte verbale dhe fizike, pësojnë aksidente në punë dhe sidomos aksidente automobilistike.
Alkolistët janë bartës të sëmundjeve akute e kronike dhe të dëmtimit të sistemit nervor qëndror. Në Itali, çdo vit vdesin mbi 35.000 persona nga probleme shendetësore të lidhura me alkoolin. Aksidentet automobilistike ndodhin më shpesh me perona që përdorin pijet alkoolike dhe në çastin e aksidentit, i kishin vlerat e alkoolit në gjak mbi 0, 5 %.
Studimet sistematike kanë vërtetuar se kur një person i shëndetshëm, me peshë trupor 70 kg, pasi ka pirë në drekë dy gota venë (250 ml), ose dy gota birrë (600 ml), ose dy gota amaro, ose fernet, ose konjak, ose uhisky etj (80 ml pije alkoolike), e kanë përqëndrimin e etanolit në gjak 0, 5 g/litër, pra është në kufirin e dehjes dhe rrezikon 10 herë më shumë të kryej një aksident automobilistik, në krahasim me individët, që nuk përdorin pije alkoolike.
Në ditët e sotme, vdekjet nga aksidentet automobilistike, renditen në vendin e tretë pas tumoreve dhe sëmundjeve të zemrës.
Të dhënat epidemiologjike vërtëtojnë se alkolistët kronikë vuajnë nga hepatiti kronik dhe cirroza e mëlçisë, por dhe nga sëmundje të tjera si ulçerat, pankreatitet kronike, etj.
Të shtruarit në spitale psikiatrike, me pikozë alkoolike janë shtuar nga 5 % në vitin 1947, ne 29 % në vitin 2017.
Nga një studim epidemiologjik nga mjekët rusë, rezulton se 40 % e alkolistave kronikë, me moshë mbi 50 vjeç, vuajnë nga demenca e herëshme (matufepsie e parakohëshme – trurrjedhje).
Alkooli nuk ka vlera ushqyese, nuk sjell asnjë përfitim shëndetsor, përkundrazi. Ato “vlera” që i atribuohen alkoolit janë pa baza shkencore, janë fantazi iluzore, janë të thëna profanësh, që i përdorin për të justifikuar vehten për abuzimet me alkoolin.
Në të gjitha vendet e botës, flitet për vlerat e pijeve alkoolike, madje këto rrëfenja janë shumë të përhapura e të ngjashme me njëra tjetrën, por në fakt të gjitha janë të pavërteta, janë iluzione, besime fallse, konkluzione profanësh, të përpunuara me një fantazi të hollë, janë gënjeshtra të sofistikuara. Kjo “kulturë” profanësh, për fat të keq, i ka sugjestionuar disa persona, të cilët kanë konsideruar të vërteta ato vlera fallse, andaj i kanë përdorur pijet alkoolike në mënyrë jo të përshtatëshme, kësisoj kanë çrregulluar ushqyeshmërinë, duke vetëshkaktuar dëmtime serioze për shëndetin dhe jetën.
Propoganda e profanëve për vlerat e etanolit, ka ndikuar që shumë individë të bien viktima dhe të pësojnë efektet dëmtuese të etanolit, të vuajnë nga shumë sëmundje, që ua kanë lënduar shëndetin dhe ua kanë tronditur jetën, por të vuajnë dhe shpirtërisht nga dipendenca psiqike dhe fizike, që i mban të lidhur me pijet alkoolike këta individë.
E konsideroj me interes të trajtohen disa nga të ashtuquajturat vlera të pijeve alkoolike, pasi vetëm kështu mund t’i shmangim e t’i braktisim.
“Alkooli të jep potencë”. Shumë individa e dëshirojnë potencën reale, por etanooli nuk e ka këtë cilësi. Eshtë gabim simbolik, t’i atribohet etanolit vlera e potencës, pasi bën të kundertën e ul potencën. Pijetarët janë të lëndushëm psiqikisht (ulet niveli i inteligjencës) e të lëndushëm fizikisht. Shumica absolute e alkoolistave kronikë vuajnë nga hypotenca seksuale.
“Alkooli të jep forcë”: Alkooli nuk të fuqizon. Fillimisht pija alkoolike, të krijon ndjesinë sikur të heq mundimin, lodhjen, por më pas e rrit intensitetin e lodhjes, të bën të plogët e të pafuqishëm. “Alkooli të jep siguri, guxim”: Alkooli nuk të jep asnjë lloj sigurie për vehten, as kurajo, as guxim, por ndikon të harrohen momentalisht dhe artificialisht problemet, në një çast të largon ndrojtjen, frikën, por pas pak, i rëndon këto ndjenja dhe ndikon që pijetari, nga frika të mbyllet në vetvehte.
Shumë studiues kanë vërtetuar se personat e ndrojtur, janë më të predispozuar në konsumimin e alkoolit dhe më të rrezikuar të zhvillojnë dipendencën alkoolike.
“Alkooli të largon etjen”: Në fakt ndodh e kundërta, pijet alkoolike e shtojnë etjen, sepse duke shtuar diurezën (urinimi i shpeshtë), pijetarët humbin sasi të konsiderueshme uji, çka ndikon në shtimin e ndjesisë të etjes.
“Alkooli të ngroh trupin”: Dihet se alkooli fillimisht të krijon ndjesinë e ngrohjes së trupit, por kjo gjendje është e shkurtër, sepse pas 10 minutash, trupi fillon të ftohet. Kjo gjendje lidhet me faktin se alkooli fillimisht i zgjeron enët e gjakut, për pasojë, ngrohen organet e brendëshme dhe ky i nxehtë përhapet jashtë e atëhere temperatura e brendëshme ulet me shpejtësi.
Nëse temperatura e mjedisit është e ulët, pijetari dridhet. Për t’u mbrojtur nga i ftohti, krahas veshjeve të trasha e të përshtatëshme, duhen përdorur lëngje të ngrohta të sheqerosura si çokollata, mjalti, çaj i ngrohët dhe qumësht i ngrohur.
.
Ndikimi i alcoolit në jetën njerzore
Ndikimi i alcoolit në jetën njerzore

Rinia dhe Alkooli

Përdormi i pijeve alkoolike nga rinia, është një dukuri në rritje progresive dhe preokupante, sepse po krijon probleme serioze për prindërit, shkollën, shoqërinë dhe mjekësinë, por jo aq shumë për politikën dhe politikanët.
Një ndër problemet shqetësuese për rininë e sotme, është fillimi shumë i hershëm i përdorimit të pijeve alkoolike. Në një studim epidemiologjik të vitit 2015, rezulton se në Itali, pijet alkoolike fillojnë që në adoleshencë, saktësisht mosha mezatare e shijimit të pijeve alkoolike është 11.5 vjeç.
Shumica e të rinjëve të sotëm, i përdorin pijet alkoolike me raste, zakonisht në rrethana spontane dhe me shpesh në fundjave. Krahas kësaj prirje të përgjithëshme, në tre dekadat e fundit, konstatohet shtimi rasteve të konsumit të pijeve alkoolike nga të rinjtë dhe të rejat, që frekuentojnë diskotekat dhe klubet e natës, çka është shprehur dhe me shtimin e rasteve të dehjeve si individuale dhe në grupe.
Alarmuese paraqitet situata e konsumit të pijeve alkoolike të shoqëruara me lëndët stupefaçente (marijuana, heroina, kokainë, ekstazi etj), çka është shprehur me aksidente të shumta, madje dhe me raste vdekje në moshat e reja.
Shqetësuese është prirja e vajzave, për të përvehtësuar modelin e djemëve të tymosjes të duhanit dhe te konsumit të pijeve alkoolike.
Kjo mënyrë sjellje e vajzave është zgjeruar dhe në konsumin e pijeve alkoolike të shoqëruara me substanca stupefacente, si në mënyrë individuale, ashtu dhe gjatë mbrëmjeve që kalojnë në diskoteka dhe në klube nate.
Rreziqet dhe pasojat fizike, psiqike, psikologjike, familjare dhe shoqërore, që rrjedhin nga përdorimi i pijeve alkoolike nga rinia.
Në parim, të gjithë japin këshilla të mos përdoren pijet alkoolike, por në veçanti e me përparësi duhet ta edukojmë, të insistojme dhe ta bindim rininë, të mos përdorë pijet alkoolike, sepse për ata është me pasoja të rënda imediate dhe për prespektivën, pasi përdoruesit e pijeve alkoolike, do të kenë të ardhme të pasigurt.
Ligji që ndalon shitjen e pijeve alkoolike nën moshën 18 vjeç duhet të zbatohet me rreptësi nga të gjitha klubet, baret dhe dyqanet e tregëtimit të pijeve alkoolike.
Ndër rreziqet dhe efektet dëmtuese të pijeve alkoolike për shëndetin e të rinjëve rendisim:
1-Etanoli ndikon negtivisht në rritjen, ngadalëson zhvillimin dhe pjekurinë psikofizike të të rinjëve. Në disa studime epidemiologjike të kryera në Rusi, Poloni, Meksikë, etj, ku popujt e këtyre vendeve kanë zakon përdorimin e pijeve alkoolike në moshë të re, është verifikuar se grupi i djemëve dhe i vajzave, që kishin konsumuar alkool, paraqiteshin me zhvillim fizik të reduktuar dhe një pjesë e
madhe e tyre me zhvillim mendor të vonuar.
2-Adoleshentët dhe rinia, kanë sistem anatomofiziologjik delikat, nuk kanë sasitë e mjaftueshme të enzimave për të katabolizuar etanolin, andaj dhe efektet dëmtuese janë më të shpejta dhe më të rënda se në të rriturit.
3-Adoleshentet dhe rinia, nuk kanë formim dhe kulturë, për të kuptuar rreziqet e pijeve alkoolike, nuk i kanë të konsoliduara aftësitë mbrojtëse psikologjike, për të shmangur përdorimin e pijeve alkolike, andaj shpesh bien viktima, e fillojnë pijen si imitim dhe më pas e vazhdojnë si garë mes tyre.
4-Edhe konsumimi në sasi të vogëla i pijeve alkoolike, te adoleshentët dhe të rinjtë, ka ndikim negativ në aspektin psikologjik, kështu pa e kuptuar ata e shtojnë shpeshtësinë e marrjes së pijeve alkoolike dhe gradualisht e rrisin dozën e pijes, bëhen dipendentë të etanolit.
5-Përdorimi i pijeve alkoolike nga adoleshentët dhe të rinjtë në diskoteka dhe në klube nate, sidomos rastet kur janë të dehur, mund t’i implikoi në situata me rreziqe serioze si psh rrëzohen dhe pësojnë plagë e deri thyerje kockash, provokojnë grindje dhe rrahje me të tjerët.
6-Të rinjtë dhe të rejat me patenta që ngasin makina, pas përdorimit të pijeve alkoolike, shpesh bëjnë aksidente automobilistike, sepse etanoli vepron fuqishëm mbi sistemin nervor qëndror, ul reflekset, zgjat kohën e përgjigjies ndaj stimujve, çrregullon pamjen dhe krijon ndjenja fallco për kohën, distancën dhe shpejtësinë.
Në Itali, çdo ditë vdesin 15 persona në aksidente automobilistike e ndër ato, më të shpeshta janë aksidentet me të rinjtë, ata që ngasin makinën sapo kanë dalë nga diskoteka, ku kanë përdorur sasi të ekzagjeruara pijesh alkoolike, madje 75 % e tyre kanë rezultuar në gjendje të dehur.
7-Të rinjtë që përdorin pije alkoolike, zakonisht e ngasin makinën me shpejtësi të madhe, mbi limitet e lejueshme dhe kjo ndodh sepse nën efektin e alkoolit, u shtohet ndjesia e aftësive të autonomisë dhe të pavarësisë. Në këto raste, të rinjtë nuk pranojnë këshilla dhe kur i thua ta ulin shpejtësinë, bëjnë të kundërtën e ngasin makinën dhe më shpejt.
8-Të rinjtë që përdorin pijet alkoolike, kanë probleme serioze në raportet me të tjerët, pasi etanoli duke vepruar në koren e trurit, i çrregullon raportet interpersonale në familje, me mësuesit, me shokët në shkollë dhe në rrethin shoqëror.
Nga këto turbullime psiqike të shkaktuara nga përdorimi i pakontrolluar i pijeve alkoolike, të rinjte janë të axhituar, grindaveca, i kundërshtojnë të gjithë, sidomos ato që i kritikojnë, madje arrijnë dhe në rrahje para publikut. Në ndryshim nga qëndrimi dhe sjellja në shkolle e në familje, nën efektin e pijes alkoolike, manifestojnë sjellje brutale, sepse etanoli ua lëndon sferën e turpit shoqëror.
.

Pijet alcoolike më të preferuara
Pijet alcoolike më të preferuara

Pijet alkoolike dhe shoferat.

Koncepti i shoferit sot është modernizuar, nuk është më një profesion më vehte, sepse kushdo që disponon dhe drejton një veturë, kamion, taksi, autobus, furgon etj, është në fakt shofer, pra është shndërruar në profesion shoqëror i legalizuar me patentën.
Përdorimi i pijeve alkoolike nga shoferat dhe shoferet, është me pasoja të rënda, si për ata që drejtojnë automjete transporti pasagjerësh, ashtu dhe për ata që marrin në makinë familjen apo shokët e shoqet.
Drejtuesi i automjetit, nën efektin e pijes alkoolike i nënvlehteson rreziqet që “fsheh” etanoli, bëhet “trim”, nuk respekton rregullat dhe normat e qarkullimit, nuk respekton as vehten
Është me interes të përmend disa nga efektet e demëshme të alkoolit:
Nënvlehtesohet efekti i pijeve alkoolike, sidomos kur ende nuk ndjehen të dehur. Ekziston një opinion i gabuar, se një apo dy teke rakie nuk të dëmtojnë.
I rikujtojmë shoferave dhe shofereve, se etanoli vepron dhe në përqëndrime të vogla.
Nuk ka kufi minimal dipendence nga etanoli dhe doza te vogla pije provokojnë dipendencë. Etanoli ul ndërgjegjësimin për kufizimet personale dhe shoqërore.
I rikujtojmë shoferave dhe shofereve se etanoli është një stimulues fallco.
I rikujtojmë shoferave dhe shofereve se etanoli i bllokon reflekset mbrojtëse.
Të ngasësh automjetin, nën efektin e pijeve alkoolike është shumë e rrezikëshme. Mjafton një gotë venë (100 ml), për të ngadalësuar:
0, 3 g/l 0, 5 g/ l
0, 6 g/ l 0, 8 g/ l
0, 9 g/l 1, 6 g/l
38 % reagimin ndaj stimujve zanorë,
30 % reagimin ndaj stimujve luminoze,
50 % reagimin ndaj stimujve periferikë, pra ulet kontrolli i këmbëve dhe i duarve, çka do të thotë se shoferi reagon me vonesë, nuk arrin të kordinojë muskujt, nuk frenon në kohë e nuk është në gjendje t’i shmangë rreziqet.
Në varësi të niveleve të përqëndrimit të etanolit në gjak, shprehen dhe pasojat:
Fillon euforia, ulet aftësia drejtuese e automjetit, shoferi ndjen lodhje.
Thellohet euforia, shoferi flet pa pushim, ulet vemendja dhe aftësia e përceptimit, prishet ekuilibri.
Ulet aftësia e drejtimit të automjetit. Ngatërron tabelat senjalitike të rrugës.
Ulen 30 % reflekset, zgjatet koha e reagimit, nuk respekton distancën me makinën para tij, frenon me vonesë e në këtë gjendje përplaset me makinën që ndodhet para tij.
Ulet aftësia e shikimit anësor, nuk kontrollon pamjen në pasqyrat anësore, bën parakalime të nxituara e të gabuara, pengon kalimin e automjeteve që vijnë pas tij.
Nuk i dallon ngjyrat, kalon dhe me dritën e kuqe të semaforit. Nuk i dallon tabelat
senjalitike të qarkullimit rrugor.
Shoferi humb ekuilibrin, manifeston sjellje të çakorduara, humb aftësinë e arsyetimit dhe të gjykimit, kryen parakalime të rrezikëshme, e nget makinën me shpejtësi
të madhe mbi limitet e lejueshme, nuk mban krahun, kalon në mes të rrugës, ose me zik-zake e kështu bëhet i rrezikshëm dhe për të tjerët.
Shoferi është në dizekuilibër emotiv, ndjenë të përziera dhe fillon të vjelli.
E nget automjetin pa respektuar korsinë e vet.
Shoferi humb ndjenjat e perceptimit të realitetit. Ngushtohet dhe turbullohet shikimi.
Eshtë i paaftë të drejtojë makinën, bëhet i bezdishëm, grindet dhe duke pretenduar se është ende i zoti të drejtoi automjetin, vazhdon rrugën me shpejtësi të madhe dhe përplaset me makinën që ka përpara, ose del nga rruga ne kthesën e parë.
Në këtë gjendje dehje, drejtuesi i automjetit gjithmonë bën aksidente.
Kur ndalon dhe zbret nga automjeti, nuk është në gjendje të ecë, rrëzohet. Shoferi është në gjendje konfuzionale dhe nëse vazhdon të ngasi automjetin, përfundon me aksidente të renda.
Jeta është e bukur, në gëzimet, lumturinë, alegrinë dhe kënaqësinë familjare, është aktive me punën dhe në raportet shoqërore.
Mos e ndërlikoni jetën me stimujt fallco të pijeve alkoolike.
Gëzojeni Jetën!

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ky shkrim u botua në 2102, në gazetën “Corriere di Siena” – në tre numra të kësaj gazete, dhe italianët e kanë vlerësuar shumë. Mendova që, pijetarëve shqiptarë t’iu jap një mesazh se atje të gjithë e kanë mendjen te rakia.
    Kur isha në Tiranë, më erdhi një shoku im i fëmijërisë, dhe fjala e parë pa më pyetur që i tha kamarierit qe: “…një kafe e nga një teke raki…!” megjithëse unë insistoja duke i thënë se “Nuk e pi rakinë…” ai piu edhe timen edhe një dopio dhe kur iku mbas pak më telefonuan e më thanë se kishte bërë aksident, kishte përplas një makinë para dhe kishte përfunduar në spital. Përgjigja më e mirë për atë ishte ky shkrim.
    Ia dërgova shkrimin, dhe ai me shkruante se fajin e kishe ti që nuk e pive rakinë… Më detyrove ta pi unë për të mos e kthyer mbrapsht kamarierit… Ja si e pësova!!!
    dr. lutfi alia

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.