
Një lloj vetëdijeje që s’mund të burgoset kurrsesi
refleksion nga Robert Martiko
rreth poezisë së Jozef Radit “Ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba”
“Ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba” – kjo fjali e parë, e thjeshtë në formë, por e thellë në kuptim, hap një botë ku liria dhe burgu nuk janë thjesht kundërvënie fizike, por gjendje shpirtërore. Poezia nuk përshkruan vetëm një vend ku njerëzit janë të mbyllur, por një gjendje ekzistenciale ku liria nuk varet nga mungesa e pengesave, por nga aftësia për ta parë botën matanë tyre.
Kur thuhet “jo, s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime/ të lirë janë ata që rrethohen me mure” kemi të bëjmë me një paradoks që e sfidon logjikën e zakonshme. Ata që ndërtojnë mure, që ngrenë barrierat dhe sisteme shtypëse, në realitet janë më të burgosur se sa ata që i përjetojnë këto mure. Kjo ndodh sepse është në veprim vetë frika e tipit “Makbeth”, e Enver Hoxhës apo e nazistit Himler, që i bën robër ndërtuesit e tyre, ndërkohë që të burgosur të veçantë, me bagazh kulturor e mendor, si vetë autori Jozef Radi, apo babai i tij Lazër Radi, ndjehen të lirë në mendje e shpirt. Është diçka që të kujton filozofin grek Epiktetin, i cili, duke qenë skllav, mësoi se liria e vërtetë vjen nga vetëdija dhe pranimi i asaj që nuk mund të ndryshohet.
Metafora e “lulëkuqeve në çdo dhëmb hekuri” dhe “qëndisjes së klithmave me fije bari” është një imazh i fuqishëm i rezistencës dhe krijimtarisë në kushtet më të vështira. Telat me gjemba simbolizojnë dhunën dhe shtypjen, por akti i krijimit, qëndisja e klithmave, shndërrimi i dhimbjes në diçka të bukur, është një shprehje e lirisë së pandërprerë. Këtë ide e gjejmë edhe te Albert Kamy: në absurditetin e ekzistencës, ku njeriu mund të zgjedhë të krijojë kuptim dhe të ngadhënjejë përmes veprës së tij. Kjo pikërisht ndodh edhe me Jozefin, me babanë e tij dhe me gjithë familjen Radi, apo njerëzit e mençur të kësaj natyre.
Më pas vjen vargu: “të lirë mbeten veç njata që botën e kqyrnin/ përtej frangjive, përtej telave me gjemba…”. Këtu, liria nuk është thjesht mungesa e kufijve, por aftësia për të parë përtej tyre. Është një lloj vetëdijeje që s’mund të burgoset kurrsesi. Sepse liria e vërtetë nuk varet nga kushtet e jashtme, por nga mënyra se si fuqia shpirtërore është e aftë për t’i përballuar ato.
Në fund të poezisë, liria lidhet me dashurinë: “asht çeshtje shpirtnash, çeshtje dashnie”… e kjo na kthen te një nga temat thelbësore të ekzistencës njerëzore, lidhja midis lirisë dhe marrëdhënieve njerëzore. Dostojevski, tek “Vëllezërit Karamazov”, shkruan se “ne jemi të gjithë përgjegjës për njëri-tjetrin”. Liria nuk është vetëm çlirimi individual, por edhe aftësia për të dashur dhe për t’u lidhur me të tjerët, pa u ndjerë i shtypur.
Kështu, për horizontin e zgjeruar të mendimit të poetit Jozef Radi, kampi i telave me gjemba nuk është thjesht një vend ku njerëzit janë të burgosur, por një hapësirë ku liria testohet dhe kuptohet në thellësinë e saj të vërtetë. Janë vargje që tregojnë se liria s’është një vend ku shkojmë, por një mënyrë se si e shohim botën edhe në kushte të vështira jetësore, madje edhe kur ajo është e rrethuar me gjemba.

Ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba…
poezi nga Jozef Radi
ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba
hedhë midis nji kënete që e bamë fushë
…ngulëm nga nji lulkuqe në çdo dhamb hekuri
e me fije bari qendisëm klithmat e fatit tonë…
jo, s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime
të lirë janë ata që rrethohen me mure,
prandaj rrethohen: të vritet liria e tyne!
po liria s’asht çeshtje hapsinash as qiejsh
asht çeshtje shpirtnash, çeshtje dashnie…
ata që ngrejnë rrethime, mure e karakolle
tan botën ta shetisin kurrë t’lirë s’do t’ndjehen,
të lirë mbeten veç njata që botën e kqyrnin
përtej frangjive, përtej telave me gjemba
përtej konopit, përtej rrasave të ftohta t’gurve…
ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba.
Libri “Muret e Muzgut”, 1993
Marrë nga Muri i FB, Robert Martiko 12 prill 2025