back to top
28.5 C
Tirana
E premte, 19 Korrik, 2024

Një libër nga lufta, por i shkruar për çdo luftë… – nga Lindita Komani

Gazeta

“E gjithkohshmja andërr” - Donika Dabishevci
“E gjithkohshmja andërr” – Donika Dabishevci
Një libër nga lufta, por i shkruar për çdo luftë…
nga Lindita Komani

“E gjithkohshmja andërr” nga Donika Dabishevci është çlirimi më i bukur poetik i dhimbjes pas traumës që ende pas dy dekada e gjysmë vijon të lërë gjurmë në ndërgjegjen e kujtesën e secilit bashkëkohës të saj, një libër tronditës dhe shumë i kthjellët kujtese për krejt dhimbjen e luftës në Kosovë, një vaj pa mbarim. Kështu e lexova dhe e perceptova unë atë.
Pesha e lëndës poetike mund të ndihet qysh në titullin që zbërthehet me leximin e poezisë me të njëjtin titull:

E pashkatërrueshme, e pavdekshme,
e gjithkohshme asht Andrra
me dalë gjallë prej lufte
bashkë me krejt t’dashunit e tu!

Promovimi i Librit “E gjithkohshmja andërr” ne QKLL
Promovimi i Librit “E gjithkohshmja andërr” ne QKLL

Ky është lajtmotivi i librit. Njeriu i goditur nga lufta është në qendër të tij, njeriu i thjeshtë, ai mbi të cilin lufta bie si një gjëmë që i transformon jetën ose mund t’ia marrë atë për fare. Vetëm e me njerëzit e dashur pranë, njeriu është në përpjekje për të dalë gjallë prej luftës.
Vaji është i bebave dhe nënave të tyre që mendohen:
…..
qysh me ua mshelë gojën – pa ua zanë…
pa ua ndalë frymën, pa i molepsë?
Shhhhhhhhhh…
Qysh me i ba,
qysh me i ba, bre…
fmijte diqysh t’padukshëm
qysh me i ba?

Vaji është i të rinjve që humbën jetën në lule të rinisë e të moshuarve që shkulen nga vatra, i të dashuruarve që vdesin në krahë të njëri-tjetrit, i burrave që shkojnë drejt pushkatimit e për të cilët autorja shkruan:

Nji e shtanë pa ja huqë n’shej për secilin,
e secili pa i huqë hapat,
brof e n’guvë t’vorrit t’hapun me duer t’veta.
Çfarë koreografie!
Çfarë hedhje elegante drejt tokës s’bekueme,
Çfarë hopi me u kthye n’mitër t’dheut,
e me e ba gjumin e fundit n’At-Dhè!

Pa e ditur që autorja Dabishevci është nga Kosova, do ta mendoje që ky libër është i shkruar për çdo luftë, edhe për të tjerat luftëra që janë zhvilluar apo po e do të zhvillohen. Për këtë mendoj që ajo meriton një përgëzim të veçantë, sepse ka arritur ta universalizojë e ta bëjë të lexueshme një përvojë sakatuese për shpirtin si kjo e luftës për një publik që uroj që ta ketë më shumë se vetëm shqiptar.
Këtë shënim të shkurtër me të cilin thjesht dëshiroj që të nxis edhe njerëz të tjerë të kërkojnë ta gjejnë e ta lexojnë, po e shoqëroj me tekstin e plotë të poezisë që më bëri më shumë përshtypje se gjithë të tjerat për temën specifike që trajton e për të cilën përfytyrimin deri kur e lexova nuk ma kishte dhënë asnjë film apo lexim tjetër për luftën:

“E gjithkohshmja andërr” - Donika Dabishevci
“E gjithkohshmja andërr” – Donika Dabishevci

Era e njeriut

Deri s’na përplasi lufta
katuneve t’shmangta
t’djeguna
t’rrafshueme –
e t’kthyeme n’kasaphan’
se kishim pas ditë
qysh kundërmon kurmi,
çfarë ere mun’ i vjen të vrarit,
të masakruemit,
t’premunit n’thela
t’përzhitunit n’prush
t’pjekunit n’hell!

Donika Dabishevci
Donika Dabishevci
S’kish menu nanézeza
poezi nga Donika Dabishevci

Poezi e shkrueme n’ kujtim të 7-vjeçarit, Leotrim Ahmeti, i plagosun randë prej granatash di n’derë t’shpisë n’Rrezallë, vdekun në Gradicë me 11 shtator 1998

S’kish menu nanëshkreta që mun’ vjen ajo ditë
kur me ma t’kthjelltin menim kish me e lypë dekën e fmisë.
Aman mor Zot, merre
“Merre nji dakik e ma parë.
T’falem Zot, merre shpejt,
merre e mos e le me hjekë!”
S’kish besue nanëmjera se mun’ vjen ajo ditë,
që kish m’u gzue kur shpirti i shpirtit t’saj,
zemra e zemrës, loçka e loçkës,
ai qingj i vogël që sa kish marrë kambtë me ecë ledinave,
kish me i mshelë ata sy t’bukur, sy bojëqielli.
Jo me pushue, as me fjetë…
Me i mshelë për mos me i çelë ma.
Kurrë!
Nanëzeza menxi ja kish tubue zorrtë t’birit,
zorrtë e çpupurituna si krelanë prej ciflave t’granatës.
“Marova nane prej barku, mos m’prek…
po m’dhem shumë”.
si gjylpana n’shpirt deri n’ditë t’vorrit
gugatjet e tij t’fundme…

*Shkëputun prej librit “E gjithkohshmja Andërr”, Donika Dabishevci Littera, Prishtinë. 2024
Skulptura: Sabri Behramaj

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.