back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Një lexim në Kujtesën e Mjegullës – nga Besnik Mustafaj

Gazeta

Besnik Mustafaj - 2006 Mantova
Besnik Mustafaj – 2006 Mantova

Një lexim në Kujtesën e Mjegullës

nga Besnik Mustafaj

Libri me poezi “Kujtesa e Mjegullës” i Jozef Radit,
botuar nga Shtëpia Botuese “Liria”
.
Jozef Radi ka botuar sivjet përmbledhjen me poezi “Kujtesa e Mjegullës” dhe është i biri i të shquarit Lazër Radi. Në kushtet normale s’do të kishte arsye të përmendej atësia e poetit, qoftë ky edhe një njeri i shquar. Por letërsia jonë e sotme, fatkeqësisht, është ndër veprimtaritë shqiptare më të prekura nga anormaliteti. Shkruan gjithkush e boton gjithkush, mjafton të ketë në dorë para dhe libraritë e pakta, e të ngushta të vendit tonë, janë përmbytur prej librash, të cilave s’u njihen as autorët e as lexuesit. Askush nuk na ndihmon, as botuesit dhe as kritika të marrim vesh ardhjen e një libri të mirë nga një poet a romancier fillestar. Këtë realitet e ka njohur mirë, me siguri, edhe i ndjeri Lazër Radi, gjashtë vjet më parë kur zgjodhi të botonte një libër të përbashkët me Jozefin.
Mendja ma thotë se ai nuk do ta kishte bërë një veprim të tillë, nëqoftëse nuk do të kishte qënë fort i bindur se vargjet e të birit mbartin poezi të vërtetë.
Lazër Radi pa dyshim që e donte pjellën e vet, jam gati të them se e donte më shumë se vet jetën e tij, edhe pasi rasti nuk e ka sjellë kurrë që t’i takoj as njërin as tjetrin e të mësoj nga goja e tyre si shkonin at e bir. Por, me aq sa kam lexuar nga Lazër Radi e me aq sa kam dëgjuar për Lazër Radin, gjatë viteve Tetëdhjetë e veçanërisht më pas, ai kishte diçka edhe më eprore se kjo dashuri, e që nuk mund ta nxirrte në pazar madje as për të birin: ishte emri i tij, domethënë nderi i tij, të cilin deri në fund e kishte mbrojtur duke i thënë të zezës e zezë e të bardhës e bardhë, ani pse kishte paguar shumë shtrenjtë e ku çmimi më i kushtueshëm, kanë qënë vuajtjet e pafund të djalit të tij nëpër kampet e internimit në Kuç, në Radostinë, në Çermë dhe në Savër. Ishte e natyrshme që ai ta ndjente veten thellë borxhli ndaj të birit dhe të bënte për të deri në ditën e mbrame gjithçka mund të bëhej, por pa shkelur mbi vetveten. Ai do t’i ketë njohur nëpër kohë vargjet e Jozefit dhe do të jetë bindur pak nga pak, ngeshëm për mbërritjen e tyre dhe zgjodhi më 1994, mënyrën më imponuese për të tërhequr vëmendjen tonë: ia bashkangjiti një pjesë të krijimtarisë së vet, asaj të djalit nën të njëjtën kopertinë. Dhe mirë bëri! Të paktën për veten time di të them se sot e kësaj dite vështirë të kisha menduar për të lexuar “Kujtesën e Mjegullës” nëse nuk do të më kishte shtyrë Lazër Radi, pra gjithsesi sot e kësaj dite do të më kishte munguar takimi me një poezi vërtetë të bukur, për të cilën kritika, pikërisht ajo, që e ka për detyrë, nuk e ka marrë mundimin, e ndoshta nuk do ta marrë edhe për kushedi sa kohë, të flasë…
.
Jozef Radi - Kujtesa e Mjegulles (2000)
Jozef Radi – Kujtesa e Mjegulles (2000)
Ky rast më nxiti të mendojë se sa poetë e romancierë të tjerë të mirë mund të ketë midis emrave të panjohur, që shoh nëpër vitrinat e librarive e që nuk ka kush t’i nxjerrë, sadopak në pah t’i shkëpusë disi nga turma e sharlatanëve dhe grafomanëve, për të na i propozuar. Të rinjtë, kanë nevojë për lexues edhe më shumë se shkrimtarët e poetët e njohur.
Vetëm gjenitë nuk i dekurajon mungesa e lexuesit. Unë shpresoj që midis tyre të ketë edhe ndonjë gjeni, i cili të jetë i vetëdijshëm për talentin e tij dhe të vazhdojë me besim e këmbëngulje ta mundë heshtjen dhe të shkruajë poezi a proza në vetminë e tij, duke pritur ditën kur ne, lexuesit, të kthehemi drejt tij. Sepse për një letrar, heshtja dhe mospërfillja e sotme nuk kanë asgjë të krahasueshme me heshtjen dhe braktisjen, që e rrethonte Jozef Radin, pesëmbëdhjetë apo njëzet vjet më parë, kur ai, siç tregon edhe vetë, çapitej nga një kamp internimi në një tjetër.
Ai e dinte asokohe nga i vinte e keqja dhe ndeshej me të si një sfidant. Kurse heshtja dhe harresa në liri, janë krejt ndryshe për letrarin e ri.
Në liri kjo heshtje rrezikon të bëhet realisht vrastare e talentit, pasi herët a vonë, poeti shtyhet të pyesë veten se përse shkruan. Dhe përgjigja më e lehtë është se shkruan kot.
.
Botuar te RD, e diel 5 Nëntor 2000
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.