back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Një katekizëm në gjuhën shqipe e vitit 1584 dhe kryengritjet e arbërve kundër perandorisë osmane në vitet 1584-1596 – nga Lutfi Alia

Gazeta

Profesor Lutfi Alia
Profesor Lutfi Alia

Një katekizëm në gjuhën shqipe e vitit 1584 dhe

kryengritjet e arbërve kundër perandorisë osmane në vitet 1584-1596

nga Lutfi Alia

Në shek. XVI, populli albanez ishte nën trysninë e pushtetit të Perandorisë Osmane dhe nën dhunën e egër për t’u nënshtruar dhe konvertuar në fenë myslimane. Megjithë tronditjen e thellë që krijuan reprazaljet e administratës dhe të ushtrisë Osmane, kishat katolike dhe ortodokse mbijetuan, madje e fuqizuan aktivitetin. Kleri i kishave albaneze jo vetëm luftoi me vetmohim në ruajtjen e besimit të krishterë, por ndikoi fuqishëm dhe në mbrojtjen e gjuhës shqipe, si element fondamental i identitetit kombëtar. Përdorimi gjuhës albaneze në liturgjinë e kishave arbërore vërtetohet me historinë e arbëresheve, të cilet prej mbi pesë shekujsh, ende ruajnë të folurën e herëshme albaneze. Në kishat katolike dhe ortodokse të arbëreshëve në Itali, lutjet, mesha, pagëzimi, celebrimi i martesës, katekizma, krezma, zhvilloheshin dhe vazhdojnë të zhvillohen në gjuhën albaneze, pra me gjuhën që arbërit flisnin në trojet tona në shekujt XV – XVI. Në shekullin XVI, ritet liturgjike, pagëzimin e fëmijëve, katekizmën, pra mësimet e ungjillit dhe të parimeve ekleziasike të krishtërimit, si dhe meshat (sipas Mesharit e vitit 1555 të Dom Gjon Buzukut), klerikët e kishave arbërore i kryenin në gjuhën albaneze.1]
Historiani dhe teologu kroat Miroslav Vaninon, në një studim për jezuitin Aleksandar Komulovič (latinisht Comuleus) (1548-1608) tregon: “Në vitin 1584, At Aleksandar Komuloviç, bashkë me At Tommas Raxhio, rektori i Kolegjit Ilirik të Loretos, urdhëruan shtypjen e 500 (pesëqind) katekizmave në gjuhën albaneze, të cilat i shpërndanë gjatë udhëtimit apostolik në Albania në vitin 1584. Në këtë udhëtim nëpër trojet albaneze, Komulovičin dhe Raxhio-n i shoqëroi prifti albanez Amano Duka, nxënës i Kolegjit Ilirik të Loretos”.2]
Katekizma përfaqëson mësimet e parimeve të doktrinës së krishterë, të formuluara me pyetje dhe përgjigje, të drejtuara nga priftërinjtë për edukimin fetar të fëmijëve të moshave 8-14 vjeç, të cilët parapërgatiten për krezmën në kungimin e parë. Si kuptohet, ky edukim fetar në gjuhën amëtare është me efektivitet ndër fëmijët, që marrin mësimet e para të krishtërimit.3]
Katekizma në gjuhën shqipe e vitit 1584, u shtyp në tipografinë e Kolegjit Ilirik të Loretos, i cili ishte themeluar në vitin 1578. Në regjistrin e kolegjit, rezulton se nga viti i parë deri në vitin 1593, kanë studiuar 27 albanezë, që pasi u shugruan priftërinj, u rikthyen në famullitë arbërore, ku i kryenin shërbesat fetare në gjuhën albaneze.
Rektori i Kolegjit të Loretos ishte jezuiti Tommaso Raggio (latinisht Thomas Razzius), i lindur në Forli në vitin 1531. Në vitin 1575, u shugurua prift i urdhërit Jezuit dhe shërbeu në Loreto. Pas një misioni të shkurtër në Kotorr (1574-1575), u rikthye në Loreto. Në vitin 1582, Tommas Raxhion e emëruan rektor i Kolegjit Ilirik të Loretos, ku asokohe studionin dhe një grup seminaristash shqiptarë.1, 4]
At Tommaso Raxhio ishte klerik i shquar, me kulturë të gjërë, fliste disa gjuhë, mes tyre kroatishten (e quajtura gjuha ilirike) dhe gjuhën albaneze.2, 4, 5]
At Tommas Raxhio kishte miqësi të ngushtë me fisnikun albanez Tommaso Pelessa, i cili banonte në Venecia. Në vitin 1584, At Tommaso Raxhio ngarkoi Tomë Pelessa dhe priftin Amano Duka, të përkthenin në gjuhën albaneze katekizmën e teologut Roberto Bellarmina, si dhe urdhëroi shtypjen e 500 kopjeve të katekizmës, të cilat i shpërnadanë në famullitë arbërore, gjatë udhëtimeve apostolike në Albania.2, 4]
Këtë katekizëm të Bellarmina, vite më vonë e përktheu Imzot Pjeter Budi, i cili e botoi në Romë në vitin 1636, në veprën “Doktrina e Krishtene”, ku shtoi 53 faqe me poema fetare, që janë poezitë e para në dialektin gegë.
Në vitin 1584, Papa Gregori XIII, dërgoi At Tommaso Raxhio dhe At Aleksandar Komulovič, me misione apostolike në vendet Ballkanike. Në këtë udhëtim, të dy misonarët kishin shoqërues priftin albanez Amano Duka dhe fisnikun albanez Tommaso (Tomë) Pelessa. Fillimisht shkuan në Kroaci dhe Raguza e më pas zbritën në Albania. Gjatë vizitave në famullitë arbërore, ata i dorëzuan priftërinjëve katekizmat dhe literaturë liturgjike në gjuhën albaneze.2, 4, 5, 6]
Kavalieri Tomë Pelessa ishte personalitet i njohur në Venedik dhe në Vatikan. Në prill të vitit 1591, Senati i Venedikut e ngarkoi me mision të shoqëronte nëpër Albani, ambasadorin Lorenzo Bernardo, gjatë udhëtimit sekret për në Stamboll, ku ai shkoi të arrestonte Girolamo Lippomano, ambasadorin e Venedikut në Stamboll, i akuzuar për tradhëti të lartë, pasi i kishte informuar të huajt, për të fshehtat e Serenissima.2, 4, 12, 13, 14]
Gjatë viteve 1584-1587, rektori Tomë Raxhio dhe At Aleksandar Komuloviçi, kryen disa udhëtime apostolike në Albania, përherë te shoqëruar nga albanezi Tomë Pelessa dhe prifti Amano Duka.2, 4, 8]
Në shek. XVI, në kishat dhe manastiret tona shërbenin dhe priftërinj e murgj të pa shkolluar, me mangësi në formimin ekleziasik për të shërbyer liturgjinë dhe ceremonitë fetare të rregullta, kësisoj kjo literaturë në gjuhën albaneze, e përgatitur në Kolegjin e Loretos, ishte një ndihmesë e madhe për kishën arbërore.7, 9]
Në vitin 1592, Lek Matranga, shkrimtari i hershëm i arbëreshëve të Italisë, botoi në gjuhën albaneze doktrinën: “Të mësuarit e krishtërimit”, i cili është përkthim i librit me të njejtin titull i jezuitit spanjoll Juan Landesma. Këtë libër në gjuhën albaneze, e shpërndanë në kishat arbërore murgjit bazilianë dhe sidomos françeskanët, si dhe seminaristët e Kolegjit të Loretos, që pas përfundimit të studimeve, shërbyen në kishat dhe manastiret e vendit tonë. Ky libër shërbeu për ungjillizimin e popullatës në gjuhën albaneze, në gjuhën që fliste populli.1]
At Lek Matrenga, në vitin 1592, shkroi dhe një katekizëm në gjuhën albaneze, dokument që ruhet në bibliotekën e Manastirit Grottaferrata – Roma7] Ekzistencën e kësaj katekizme të shkruar në gjuhën albaneze, e bëri të njohur arbëreshi Prof. Papas Gaetano Petrotta në veprën “Saggio di bibliografia albanese 1500-1930”; botuar në Palermo në vitin 1931.9]
Pas pushtimit turk, Provincat e Urdhërit Françeskan të Maqedonisë dhe të Albanisë, për shkak të vështirësive të shumta dhe numrit të vogël të kuvendeve (vetëm 5 kuvende), u shndërrua në Kustode e Albanisë, pra roja shpirtërore e katolicizmit.3]
Në dy dekadat e fundit të shek. XVI, tre urdhërat Françeskanë u shtrinë gjerësisht në territoret arbërore, andaj në vitin 1592, me dekretin e Papa Klementit VIII, Kustodia Françeskane e Albanisë u kthye përsëri në Provincë.10]
Në vitet 1593-1595, At Raxhio dhe At Komuloviç, të shoqëruar nga dy albanezët, fisniku Tommaso Pelessa dhe prifti Amano Duka, shkuan përsëri në Albania me misione apostolike dhe për organizimin e kryengritjes kundër pushtuesve otomane.2, 4, 5]
Në vitin 1595, At Raxhio dhe Tomë Pelessa u rikthyen në Loreto, ndërsa At Komuloviç dhe At Amano Duka qëndruan në Albania dhe vazhduan misionet edhe tre vite të tjera.5]
Jezuiti Aleksandar Komuloviç (1548-1608) ishte i lindur në Split, asokohe në zotërim të Venedikut. Nga viti 1576 shërbeu në urdhërin e Shën Jeronimit në Romë, por në vitin 1579, e përjashtuan me akuzat për veprimtari në kundërshtim me rregullat e urdhërit. I braktisur nga të gjithë, shkoi në Venecia, në shtëpinë e mikut albanez Tomë Pelessa, ku bujti për pesë vite. At Komuloviči e vlerësonte dhe e nderonte mikpritjen e Tomë Pelessa, si shkruan në kujtimet, duke theksuar se i konfidoi se akuzat ishin të pabazuara dhe me qëllime diskredituese. Pas verifikimeve të shumta, akuzat kundër Komulovičit nuk u vërtetuan dhe në vitin 1584, u rikthye në Romë, përsëri në Urdhërin e Shën Jeronimit. Fillimisht shërbeu kanonik në Zadar dhe po në vitin 1584, e zgjodhën rektor i Akademisë së Shën Jeronimit, e quajtura dhe Akademia Illirike. Në vitin 1589 ishte primari i kishës së Shën Jeronimit në Romë. At Komuloviçi është ndër pionerët dhe kleriku më aktiv i Pan-Sllavizmit.2, 6]
Në vitin 1593, Papa Klementi VIII krijoi Lidhjen e Shenjtë, për të mbështetur perandorin Rudolfi II, në luftën e gjatë kundër Perandorisë Osmane. Kryengritjet antiosmane shpërthyen në të gjitha vendet e Europës lindore dhe në vendet Ballkanike, sidomos në Mat, Kunavi dhe Himarë të Albania.4, 8]
Ipeshkëvi Venior i Korfuzit, në vitin 1586 i kishte shkruar Venedikut, se forcat perëndimore do të kenë një ndihmë të madhe nga të krishterët ballkanikë, sidomos nga albanezët të cilët janë “shumë trima, të fortë dhe armiq të turqve”. Natyrisht, si gjithmonë, Venediku i përcillte në heshtje këto lajme.2, 4, 5]
Vatikani në bashkëpunim me mbretëritë e Austrisë dhe të Napolit, i kushtuan vëmendje të veçantë mobilizimit në kryengritje të popullsise së krishterë albaneze. Krahas misonarëve të Vatikanit, për të përgatitur kryengritjen kundër Perandorisë Osmane, shtetet perëndimore dërguan dhe instruktorë ushtarakë, të cilët u mirëpritën nga malësorët albanezë, të cilët dërguan tek Papa një delegacion për t’i kërkuar ndihma me armë dhe parà.4]
Delegatët albanezë i deklaruan Papës, se në luftën kundër Perandorisë Osmane, vetëm në trevat e Albanisë, të Moresë dhe të Maqedonisë, mund mobilizoheshin rreth 250.000 kryengritës.2, 4, 5]
Për organizimin e kryengritjes kundër Perandorisë Osmane, Papa Klementi VIII, kërkoi edhe mbështetjen e kishës ortodokse serbe dhe greke. Kësaj thirrje iu përgjigj Hirësia Atanasije, arkiveskovi i Ohrit, i cili kishte në varësi të gjitha ipeshkëvitë ortodokse të Albanisë jugore. Hirësija Atanasije ishte i lidhur me Patriarkanën Ruse dhe në kuadër të përgatitjeve të kryengritjes së përgjithëshme, shkoi në Moskë, për të kërkuar ndihma. Moska nuk e përkrahu. I zhgënjyer, sapo u kthye, shkoi dhe takoi Bajlozin e Venedikut në Korfuz, të cilit i kërkoi, që Venediku ta mbështesi kryengritjen me parà dhe ta furnizonte me armë.2, 4, 5]
Republika e Venedikut bëri të kundërtën, veproi duke penguar bashkimin e të gjithë fiseve shqiptare në një forcë të vetme antiosmane. Venediku e shihte me preokupim lidhjen e albanezëve me mbretërinë spanjolle të Napolit, e shihte si rrezik që prekte interesat e saj në Ballkan. Venediku nuk harroi as intrigat, as vrasjet e disa krerëve shqiptarë, madje i la pa ndihmë kryengritësit albanezë, të cilët përherë e kishin ndihmuar në luftrat kundër Turqëve. Ky qëndrim bojkotues dhe antialbanez i Venedikut ndikoi që në fund të shekullit XVI, prijësat albanezë të trojeve veriore të lidhen me mbretërinë Habsburge të Austrisë, ndërsa prijësat e Albanisë qëndrore dhe Jugore, sidomos ata të Provincës së Himarës, vazhduan lidhjen me Papën dhe Mbretërinë e Napolit.2, 4, 5]
Në vitet 1593-1597, At Komuloviçi ishte i deleguari i posaçëm i Papës në vendet e Europës qendrore dhe lindore, si dhe sidomos në vendet Ballkanike, për krijimin e koalicionit kundër Perandorisë Osmane.2, 4, 11]
Papa Klementi VIII, gjatë gjithë pontifikatit u impenjua për krijimin e një aleance paneuropiane të mbretërive katolike, për t’iu kundërvënë Perandorisë Osmane, si dhe për riorganizmin e kishës në vendet Ballkanike.
Në vitin 1594, u nënshkrua pakti mes Vatikanit, Polonisë dhe Rusisë, për t’i shpallur luftë Perandorisë Osmane. Pas kësaj marreveshje, Papa dërgoi At Komuloviç, si përfaqësues për bisedime me prijësat e fiseve albaneze, duke iu kërkuar të ngrihen kundër pushtueve osmanë.2, 4, 5]
At Komuloviçi, i shoqëruar nga Tomë Pelessa dhe At Amano Duka shkoi në Mat, ku thirri në takim prijesat e fiseve arbërore. Në korrik të vitit 1594, në Manastirin e Zonjës Hyjlindëse në Kunavi, u mbajt Kuvendi për orgnizimin e kryengritjes antiosmane. At Komuloviçi iu dorëzoi prijësve arbërorë letrën e Papa Klementit VIII, me thirrjen për organimin e kryengritjes antiosmane, letër e njejtë si ajo drejtuar himarjotëve.2, 4, 5, 8]
Pjesmarrësit ne kuvend zgjodhën Mark Gjini – udhëheqës të kryengritjes arbërore. Në vitin 1595, Mark Gjini, i shoqëruar nga At Komuloviç dhe Tomë Pelessa, shkuan në Romë ku u pritën në audiencë nga Papa, të cilit i kërkuan mbështetje financiare dhe armë për kryengritësit.
Nё vitin 1594, himarjotёt i dërguan letёr Papёs Klementi VIII, ku i kёrkonin tё forcohej aleanca mes Romёs dhe Himarës dhe t’i dërgonte ndihma pёr tё luftuar pushtuesit turq. Papa Klementi VIII, nё letёr përgjigjien himariotёve, i quan “Dilectis Filliis Senioribus Chimarrae – të dashurve bijëve dhe zotërinjëve himarjota” dhe i ftonte tё mbanin gjithmonё lart fenё katolike dhe i pёrgёzonte pёr sakrificat, qё kryenin pёr Lavdinё e Zotit dhe mbrojtjen e fesё së krishterë “pro Dei gloria et fidei defensione”, ndёrsa nё vazhdim, iu shkruante shkurt me premtimin e ndihmave, pёr tё flakur tej skllavёrinё.4]
Në verën e vitit 1595, At Komulovič, i shoqëruar nga At Amano Duka, shkoi në Himarë, ku së bashku me prijësit e Himarës, organizuan kryengritjen e vitit 1596. Të bindur se do të arrinin armët e premtura nga Mbretëria e Napolit dhe nga Roma, himarjotët u ngritën kundër pushtuesve osmanë. Armët nuk mbërritën. Anijet e Venedikut i sekustruan anijet me armë te dërguara nga Mbretëria e Napolit. Kryengritja e himarjotëve u shtyp nga turqit. Përsëri Venediku i tradhëtoi arbërorët. Kryengritja e përgjithëshme u shua.2, 4, 5]
.
Meshari i Gjon Buzukut
Meshari i Gjon Buzukut

Literatura

01.Alia Lutfi – Shkrimet e gjuhës shqipe. DIXIT 1, Shtëpia botuese 2M, Durrës 2017, f. 17-21
02.Vanino, Miroslav (1986) -Vrela i prinosi. Nova tiskara. (Përkthyer në shqip nga Elvina Ujkashi Lekiç)
03.Gonzaga Francesco –De origine Seraphicae Religionis Franciscanae eiusque progressibus. Roma 1587, p. 624
04.Miodrag Marovič –Balkanski Dzoker – Albanija i Albanci istorijska hronika nastajanja i razvoja albanskog pitanja. Belgrad 1995; Kulturna centar, f. 52-54. (Përkthyer në shqip nga Elvina Ujkashi Lekiç)
05.Zlatar, Zdenko (1992) – Our Kingdom Come: The counter – Reformation, the Republik of Dubrovnik and the Liberation of Balkan Slavs. East European Monographs. p. 206-212
06.Golub, Ivan (1974) –  Život i djelo Jurja Križaniča: zbornik radova. Fakultet političkih nauka Sveučilišta: Liber. p. 40. (Përkthyer në shqip nga Elvina Ujkashi Lekiç)
07.Il Catechismo albanese di Luca Matranga 1592 – estratto “Roma e l’Oriente” dì Grottaferrata Anno II; aprile-settembre 1912
08.Pagano, Sergio (2008) – La nunziatura di Ludovico Taverna: 25 febbraio 1592 – 4 aprile 1596. Istituto Storico Italiano per l’Età Moderna e Contemporanea.
09.Papas Gaetano Petrotta –  “Saggio di bibliografia albanese 1500-1930”; Palermo 1931.
10.Orbini Mauro – Il regno de gli slavi, hoggi correttamente detti schivoni. Pubblicato presso Girolamo Concordia, Pesaro 1601
11.Donato Fabianich – Storia dei frati minori, 1863, v. II, f. 337
12.Viaggio di un ambasciatore veneziano da Venezia à Constantinopoli nel 1591” – Venezia 1886.
13.Giacomo Diego, Storia della repubblica di Venezia dalla sua fondazione fino all’anno MDCCXLVII, vol. II, Venezia, 1751, p. 365
14.Diturija – Gazete e përkohëshme shqiptare. Tiranë, Prill 1927

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.