back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026

Një jetë e madhe me përpjekje dhe arritje – Inxhinier Mërgim Korça iku… – nga Visar Zhiti

Gazeta

Mërgim Korça
Mërgim Korça
Lajmërim Vdekje dhe Hatri – Mërgim Korça (30 dhjetor 1932 – 22 shkurt 2026)

Me respekt dhe admirim të thellë, nderojmë jetën dhe trashëgiminë e Mërgim Korçës (lindur më 30 dhjetor 1932 – ndarë nga jeta më 22 shkurt 2026), bashkëshort i dashur, baba i përkushtuar dhe gjysh i mirë. Njëkohësisht, ai ishte inxhinier, intelektual publik prodhimtar dhe mbrojtës i palodhur i së vërtetës historike, i cili la një gjurmë të pashlyeshme në diskursin kulturor dhe qytetar.
Homazhet u mbajtën nga ora 3:00 pm – 8:00 pm, të premten, më 27 shkurt 2026, në Pixley Funeral Home, 322 W University Dr. Një vizitë tjetër do të mbahet nga ora 10:00am – 11:00am, të shtunën, më 28 shkurt 2026, e ndjekur nga ceremonia “Celebration of Life” nga ora 11:00 am– 12:30 pm, dhe më pas ceremonia e varrimit në Guardian Angel Cemetery, 4701 N Rochester Rd, në orën 1:00 pm.
I lindur në Graz, Austri, në kohë trazirash politike, Mërgim Korça trashëgoi nga familja e tij (Xhevat dhe Seadet Korça, si edhe vëllai i tij Genc X. Kortsha) një trashëgimi guximi dhe intelekti. Pavarësisht pengesave sistematike në atdheun e tij (Shqipëri), për shkak të përndjekjes së familjes së tij nën regjimin komunist, Korça qëndroi i palëkundur. Ai u formua si inxhinier mekanik, duke krijuar makineri bujqësore origjinale që avancuan ndjeshëm përpjekjet për mekanizimin në Shqipëri. Përkushtimi dhe zgjuarsia e tij i sollën titullin prestigjioz “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe Teknikës”, i dhënë me dekret shtetëror – një nder i rrallë që qëndronte mbi paragjykimet politike të kohës.
Mërgim Korça u martua me bashkëshorten e tij Mimoza (Selfo) Korça në vitin 1967, dhe në vitin 1991 ata emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me vajzën e tyre të dashur, Bibika Chabay. Atje, ai ndërtoi një jetë të re në një moshë kur shumëkush mendon të ngadalësojë ritmin dhe përqafoi një thirrje të dytë si shkrimtar, analist dhe folës publik. Duke zotëruar gjuhën angleze në fund të të pesëdhjetave, krahas disa gjuhëve të tjera, ai u shndërrua në një publicist të mprehtë, duke sjellë qartësi dhe guxim në tema shpesh të errësuara nga ideologjia.
Përtej shkrimeve të tij, Mërgim Korça njihej për humanizmin e tij të ngrohtë, ndershmërinë intelektuale dhe besimin e palëkundur se historia duhet të shqyrtohet jo përmes ideologjisë, por përmes fakteve dhe analizës kritike. Si profesor në Wayne State University, ai dha mësim gjuhën dhe kulturën shqiptare për studentët e rinj, duke nxitur krenarinë për trashëgiminë e tyre. Ai lë pas një vepër që vazhdon të frymëzojë studiues, mendimtarë dhe të gjithë ata që vlerësojnë integritetin intelektual.
Mërgim Korça shërbeu gjithashtu si përkrahës i komunitetit për Teqenë, Xhaminë dhe Kishën Katolike, duke promovuar unitetin, dialogun dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet traditave fetare.
Pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale dhe komunitare, Mërgim Korça gjithmonë e konsideroi familjen si përparësinë e tij kryesore. Ai ishte bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur dhe gjysh i çmuar. Ai lë pas dhe do t’u mungojë jashtëzakonisht shumë bashkëshortes së tij Mimoza, vajzës së tyre Bibika (Oltion) Chabay dhe nipërve e mbesave Claudia dhe Brandon Chabay. Ai lë pas gjithashtu mbesën dhe nipërit: Anne Notter (Kenneth), Dennis Kortsha (Jodi) dhe Duane Kortsha (Barbara), si dhe fëmijët e tyre.
(Lajmërimi është marrë nga shtëpia funerale Pixley Funeral Home).
Famullia Zoja Pajtore, të cilën ai e deshi shumë, i përcjell ngushëllime të sinqerta familjes. Shpirti i të ndjerit Mërgim Korça pushoftë në paqe.

Mergim Korça (1932)
Mergim Korça (1932)
Një jetë e madhe me përpjekje dhe arritje.
– Inxhinier Mërgim Korça iku… nga Visar Zhiti

I dhimbshëm dhe i trishtë lajmi se Inxhinier Mërgim Korça iku… Tani në qiell përgjithmonë. Një jetë me ikje dhe me arritje të mëdha, me vuajtje të mëdha, mendova, por plot me dije, me njerëz dhe libra, me shkencë, shpikje dhe gjuhë… ndërkaq i përndjekur dhe i mbrojtur nga talenti i tij si inxhinier mekanik, duhej për patentat e makinerive bujqësore, që ia njeh dhe bota… ndërsa në Amerikë iu përkushtua dhe një pasioni tjetër…

Në Lushnjën e internimeve
Aty e pamë inxhinierin dhe ne, të rinjtë e gjimnazit në Lushnjë, dëgjuam për aftësitë e tij, lexonte në disa gjuhë të mëdha, gjermanisht e frëngjisht e italisht, etj, burrë fisnik, ashtu shtatlartë, i çiltër deri në buzëqeshje, ndryshe nga të gjithë, qytetar, kurajoz dhe i heshtur, por… seç kishte në biografi.
Dhe e shoqja e tij, doktoreshë Mimoza Selfo – Korça, njihej për humanizmin e saj, pa luftë klasash dhe kritikohej në mbledhjet e kolektivit të spitalit në Lushnje: mos na u bëj si Nënë Tereza! – i thoshin. Edhe ajo ashtu e kishte biografinë… Regjimi i kishte pushkatuar babanë, por njiheshin a kishin lidhje si gjirokastritë me Enver Hoxhën dhe diktatori bëri një lëshim dhe…
Dhe babai i Mërgimit kishte vdekur në burgun e Burrelit, madje me dëshirë tronditëse, me grevë urie, e para në burgjet shqiptare, i dha fund jetës dhe në shenjë proteste… në një popull që shtypej dhe të uritur gjatë gjysmë shekullit diktaturë…
-Krenar me babanë tënd…! – i kishte thënë im atë Inxhinier Mërgimit, do të ma tregonte vetë ai, kur do të miqësoheshim dhe bashkë.
Xhevat Korça kishte mërguar si kundërshtar i monarkisë, u kthye t’i shërbejë atdheut gjatë pushtimit fashist, u bë dhe ministër i arsimit, etj. dhe e dënuan si kolaboracionist.
Njihet polemika e tij në burgun e Burrelit me ministrin e brendshëm të atëhershëm, Mehmet Shehun, qënke i ditur, Profesor, – i tha ai, – pse s’u bëre komunist me ne? – Prandaj, Mehmet, – ia ktheu ai, se e di…
Ndoshta Kryeministri Shehu, ashtu brutal dhe trillan siç ishte, e mbështeti të birin e tij, Mërgimin. Në Lushnje porositi se ne nuk na duhen të deklasur si Mërgim Korça, por na duhen inxhinierë si ai…

Të dhëna dhe ca shënime:
Mërgimi lindi në mërgim, prandaj dhe iu vu ky emër, në Graz të Austrisë, në kohë trazirash politike, në 30 dhjetor 1932…
Lexoj në nekrologji që “trashëgoi nga familja e tij (Xhevat dhe Seadet Korça, si edhe vëllai Genc X. Kortsha) një traditë guximi dhe intelekti. Megjithëse u përball me pengesa sistematike në atdheun e tij (Shqipëri) për shkak të përndjekjes së familjes nën regjimin komunist, Korça nuk u dorëzua. Ai u formua si inxhinier mekanik, duke krijuar makineri bujqësore origjinale që avancuan ndjeshëm procesin e mekanizimit në Shqipëri. Përkushtimi dhe zgjuarsia e tij u vlerësuan me titullin prestigjioz “Punëtor i Shquar i Shkencës dhe Teknikës”, i akorduar me dekret shtetëror – një nder i rrallë që qëndronte mbi paragjykimet politike të kohës.”
Pas vdekjes se babait në burg, ndërsa vëllai i tij më i madh, Genci, me të dalë nga burgu, arratiset, vjen në SHBA dhe shquhet si shkecëtar dhe ai dhe për një libër autobiografik, të shkruar në anglisht, Mërgimi mbetet me nënën në atdhe, duke u endur jug e veri, duke bërë punë nga më të rëndat, edhe në gurore thyente gurë me varre, u njoh me të persekutuar të mëdhenj, me të klerit katolik në Shkodër, me mendimtarë e shkrimtarë të viteve ‘30, që i kishin lënë gjallë, kryen shkolla nate, duke fshehur dhe identetin, universitetin me korrespondecë, shkëlqen si talent në punë, inxhinier në SMT në Lushnjë, lexues i madh romanesh në gjuhë të huaja, etj, etj.
Me të rënë perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri, – ajo nuk ra, por u shkërrmoq, – thoshte Mërgimi, – ikën në vitin 1991 bashkë me gruan, Doktoreshë Mozën dhe vajzën e tyre të vetme, Bibikën.
Ndalën në Itali. Mërgimi më tregonte se në bisedat e tij me gazetarin e shquar italian, themelues i gazetarisë moderne, Indro Montaneli, babai i të cilit kishte qenë këshillar në Tiranë i babait të Mërgimit ministër, do t’i thoshte se në Shqipëri demokracia po bën një gabim, kuçedrës së diktaturës nuk po i pret kokën vulnerabile dhe, kur i heq një, nxjerr dy koka të tjera. Do të vuajë Shqipëria…

Në Michigan, SHBA
Mërgimi familjarisht mërgon për në SHBA, te i vëllai, Genci, në Michigan. Nisi një jetë të re dhe një pasion të ri. Në të gjashtëdhjetat zotëron gjuhën angleze, “në një moshë kur shumëkush mendon të ngadalësojë ritmin, ai përqafoi një thirrje të dytë si shkrimtar, analist dhe ligjërues publik… ai u shndërrua në një publicist të mprehtë, duke sjellë qartësi dhe guxim në tema shpesh të mjegulluara nga ideologjitë. Përtej shkrimeve të tij, Mërgim Korça njihej për humanizmin e tij të ngrohtë, ndershmërinë intelektuale dhe bindjen e palëkundur se historia duhet të shqyrtohet jo përmes ideologjisë, por përmes fakteve dhe analizës kritike”.
Janë me rëndësi zgjidhjeve që u ka dhënë ai çështjes së kolaboracionizmit në Shqipëri, trajtesat për personalitet kompkekse të historisë moderne, polemikat me akademikë, studimet për Nënë Terezën, Baba Rexhepin dhe Padre Pio-n, adhurimi per at’ Fishtën, drejtimet letrare, epoka e Skënderbeut, posdiktatura, etj, etj.
Unë e takova Mërgim Korçën në New York, i ftuar në veprimtarinë e “Shtëpisë së Lirisë”, organizuar nga drejtuesi i saj Muç Xhepa. U bë ajo që s’ishte bërë në Shqipëri, që iu dha emri “Gjyqi i New Yorkut”, ku dënohej diktatura. Mërgim Korça mbajti referatin kryesor, ai analizoi në thellësi burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ndërgjegja dhe përgjegjësitë.
Dhe çudia tjetër për mua do të ishte se ai iu përvesh punës dhe përktheu në italisht të gjithë veprën “Ferri i çarë”, mbi 500 faqe, duke punuar 8-9 orë, 10 në ditë dhe e mbaroi brenda një viti. Miqtë italianë që e kanë lexuar, u pëlqen italishtja e tij, “manzoniane”, më thonë. Botuesi që nxori “Rrugët e ferrit” e pret si vazhdimin…
Pastaj do të takoheshim dhe në Tiranë. Në Ministrinë e Kulturës një sesion përkujtimor për shkrimtarin themeltar Ernest Koliqi. Përsëri fjala kryesore do të ishte nga Mërgim Korça.
Tashmë ai si profesor në Wayne State University, do të jepte mësim gjuhën dhe kulturën shqiptare për studentët e rinj, “duke ushqyer krenarinë për trashëgiminë e tyre”
Mërgim Korça shërbeu si aktivist i komunitetit për Teqenë, Xhaminë dhe Kishën Katolike, duke frymëzuar unitet, dialog dhe nderim të ndërsjellë mes traditave patriotike e fetare…
Në nekrologjinë anglisht lexojmë që Mërgim Korça u nda nga jeta në 22 shkurt 2026, bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur dhe gjysh i çmuar. Ndërkohë inxhinier i shquar, intelektual me profil publik, mbrojtës i palodhur i së vërtetës historike, një gjurmë e pashlyeshme në diskursin kulturor dhe qytetar. Mërgim Korça dha një krijimtari referuese, libra nyjëtues të çështjeve historike e bashkëkohore me një integritet intelektual.

* * *
Në ditën e fundit të shkurtit dhe të dimrit do të mbahet “Celebration of Life” dhe më pas ceremonia e përcjelljes në “Guardian Angel Cemetery, 4701 N Rochester Rd”, ndërsa të nesërmen e tyre do të jetë dita e parë e pranverës.
Lulet dhe bari aty do të duken si porosi të bukura nga ëndrra e Mërgim Korçës… Ideali dhe përpjekjet ia vlejtën, e dëshmojnë lulet në fund që janë dhe një fillim tjetër i jetës…
Marrë nga Muri i FB Visar Zhiti, 27 shkurt 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.