back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një inxhinier shqiptar mbrapa udhëtimit të parë të njeriut në Hënë nga Ruben Avxhiu

Gazeta

Wilson Kokalari te Illyria
Wilson Kokalari te Illyria

Lamtumirë për inxhinierin e shquar shqiptaro-amerikan,

Wilson Kokalari

Historia e shqiptaro-amerikanit që luajti rol kyç në udhëtimin e parë të njeriut në Hënë,
 Inxh. Kokalari ishte përgjegjës për kontrollin final të të gjitha fluturimeve të famshme të programit Apollo…
Sot, në orët e para të mëngjezit mbylli sytë inxhinieri shqiptaro-amerikan që luajti një rol kyç në fluturimet e programit Apollo, përfshi edhe udhëtimin e parë të njeriut në Hënë.
 Wilson Kokalari ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare, në spitalin “Sloane Kettering” në Manhattan, pas diagnozimit me një sëmundje të pashërueshme.
Wilson Kokalari ishte një inxhinier i shquar, por një njeri modest dhe emri i tij ka qenë tërësisht i panjohur nga shqiptarët, deri sa botuesi i gazetës “Illyria” e gjeti pas shumë kërkimesh informacionin e tij dhe e ftoi për një vizitë në redaksi.
Në vitin 2011, në darkën me rastin e 20-vjetorin e themelimit, “Illyria”, ai e nderoi me një çmim të veçantë duke i dhënë rastin të prezantohej përpara qindra shqiptaro-amerikanëve që e nderuan duke u ngritur në këmbë e duartrokitur me respekt. Ishte për të një çast shumë emocional.
 Me këtë rast po botojmë shkrimin e në gazetën “Illyria” që zbuloi për herë të parë historinë e Wilson Kokalarit, nderimin e tij në Darkën e 20-vjetorit të “Illyrisë” dhe letrën dërguar nga vajza, Rena Kokalari që njoftoin botuesin Bajrami që Wilson Kokalari ndërroi jetë, sot në mëngjes.

Kokalari dhe Misioni Apollo
Kokalari dhe Misioni Apollo

Një inxhinier shqiptar mbrapa udhëtimit të parë të njeriut në Hënë

nga Ruben Avxhiu (Illyria)

Për herë të parë në shtypin shqiptar – Historia e Wilson Kokalarit
Një nga figurat më interesante e më të lëna në harresë të komunitetit shqiptar viziton redaksinë e gazetës Illyria
Nëntor 2007 – Neil Amstrong, komandanti i Apollos 11, anijes kozmike që zbriti në Hënë, ka hyrë në histori me shprehjen e tij, pasi hodhi hapin e parë në “dheun e largët” në vitin 1969. Ai tha: “Një hap i vogël për muaj, po një kërcim gjigand për njerëzimin”.
 Njeriu dëshmoi se mund të linte Tokën e të zhvendosej diku tjetër, se mund të udhëtonte në Hapësirë, se teknologjia kishte ndryshuar në mënyrë rrënjësore në pak vite. Po derisa e gjitha kjo të bëhej publike, shumë pak njerëz e kishin idenë se sa pranë “kërcimit gjigand” ishte Amerika.
 Po një njeri dinte shumë për këtë punë, më shumë se edhe astronautët vetë. Ai ishte inxhinieri shqiptaro-amerikan, Wilson Kokalari, i ngarkuar për të programuar testimin final të të gjithë sistemit të Apollo-s përpara nisjes drejt aventurës ndërplanetare. 45 vjet pas fillimit të punës me programin më gjigand e sekret teknollogjik në botë dhe 38 vjet pas udhëtimit historik në Hënë, Wilson Kokalari pranoi të bëjë një bisedë ekskluzive me gazetën Illyria me ftesë të botuesit Vehbi Bajrami. Ai e vizitoi redaksinë e gazetës me gjithë të motrën, Lumton, bashkëshorten e veprimtarit të njohur Dr. Hamdi Oruçit.

Nga Gjirokastra në SHBA, djali i biznesmenit bëhet inxhinier
Wilson Kokalari, u lind në Gjirokastër dhe vjen nga familja e shquar Kokalari, ndër të cilët për lexuesit e gazetës sonë, më e njohura është Musine Kokalari, viktima e komunizmit. 
Wilsoni ishte vetëm një vjeç e gjysëm kur e gjithë familja e tij u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ati, Hilmi Kokalari ishte biznesmen i shkathët. Qysh në fillim filloi biznes me ullinj dhe djathë me Shqipërinë. Kjo përpjekje për të mos u shkëputur tërësisht nga Shqipëria për pak i kushtoi rëndë Hilmiut që në vitin 1939, u kthye nga Shqipëria vetëm pak ditë përpara pushtimit italian.
 Me shkëputjen e lidhjeve, ai u përqëndrua në tregtinë e pronave të patundshme. Me një numër ndërtesash në pronësi, në Manhattan, qysh në atë kohë më shumë se 50 vjet më parë, familja do të ishte sot miliardiere. Mirëpo, djemtë e tij kishin të tjera plane.
 Në vend që të përpiqej për t’u bërë një Donald Trump shqiptar, Wilson Kokalari dhe i vëllai, u dashuruan pas inxhinierisë. Wilson shkoi në “Perdue University” ku shkojnë pothuajse të gjithë ata që bëhen astronautë. Për shembull, Neil Armstrong, komandanti i Apollos 11, kishte një diplomë inxhinierie nga ky universitet.

Njeriu i Parë në Hënë
Njeriu i Parë në Hënë

Vajtja në Hënë – gara e nxehtë e Luftës së Ftohtë
Programi Apollo kishte filluar qysh në kohën e presidentit Eisenhower, por asnjëherë nuk kishte marrë zhvillim, për mungesë fondesh. Mirëpo, në prill të vitit 1961, sovjetikët dërguan njeriun e parë në Hapësirë, astronautin Yuri Gagarin. Efekti propagandistik ishte i fuqishëm në kuadrin e Luftës së Ftohtë. Një muaj më vonë Presidenti Kennedy foli përpara Kongresit dhe premtoi se “përpara se të mbyllet kjo dekadë do ta ulim njeriun në Hënë dhe do ta kthejmë në Tokë shëndosh e mirë”.
 Në vitet që vijuan NASA do të punësonte 400 mijë vetë dhe do të shpenzonte 24 miliardë dollarë.
 Në këto kushte, dhjetëra firma nga më të mirat amerikane konkurruan për t’u bërë kontraktuesit kryesorë të NASA-s. Dy firma private fituan kontratën për të ndërtuar dy pjesët kryesore të anijes kozmike që do të shkonte në Hënë: “North American Aviation” nga California do të ndërtonte Modulin e Komandë-Shërbimit (Command/Service Module – CSM) të Apollos, ndërsa “Grumman Aircraft Engineering Corporation” nga Long Island i New York-ut, fitoi të drejtën për të ndërtuar Modulin e Udhëtimit në Hënë (Lunar Module ose Lunar Excursion Module – LEM).

Një inxhinier shqiptar drejton programin e testimit të Apollo-s
Wilson Kokalari është nga të paktët ata që punoi për të dyja këto kompani. Projekti ishte gjigand dhe nuk mund të përballohej vetëm nga këto dy kompani. Të paktën katër firma të tjera private u kontraktuan nga NASA për të ndërtuar nënsistemet e anijes kozmike.
 Pozicioni i inxhinierit nga Gjirokastra ishte kyç për programin. Ai ishte testuesi kryesor final i tij. Pasi përfundonin nënsistemet ato duhej të testoheshin se si funksiononin. Pastaj duhej të testoheshin të gjitha së bashku dhe më pas i gjithë sistemi testohej
elektronikisht se si do të funksiononte në hapësirë, pa astronautët brenda. Në fund, i gjithë sistemi, e gjithë anija kozmike testohej bashkë me astronautët brenda saj për të marrë lejen që të nisej drejt hapësirës.
 Programi i testimit është qindra faqesh, e detajet pastaj kërkojnë mijëra të tilla. Ai u shkrua nga inxhinieri shqiptar gjatë një pune voluminoze dyvjeçare. Wilson Kokalari solli për kuriozitetin tonë në redaksi një kopje të një prej librave me të gjitha hapat e testimit. Ky libër udhëheqës me titullin Apollo, mban emrin e tij në ballinë dhe në kohën kur u shkrua ishte një nga sekretet më të mëdha të botës. Ndonëse ishte autori i tij dhe ndonëse ishte shumë i besuar, as Wilson-i vetë nuk mund ta merrte me vete jashtë vendit të punës këtë libër.
 Lexuesi jonë mund të jetë i njohur me Apollo-n 11 që çoi njeriun në Hënë për herë të parë në histori, apo për Apollo-n 13, që është përjetësuar nga filmi me të njëjtin titull ku luan Tom Hanks.
 Por më pak të publicizuara janë fluturimet provë apo të papërfunduara në Hapësirë si edhe vajtjet e mëvonshme në Hënë. Për shembull, gjatë periudhës 21 dhjetor 1968 dhe 18 maj 1969, NASA nisi tre misione Apollo (8, 9 dhe 10) në Hapësirë, duke shpejtuar punën nga frika se mos sovjetikët arrinin aty të parët. Secili mision kishte nga tre vetë, por asnjëri nuk u ul dot në Hënë. Gjashtë herë janë ulur amerikanët në Hënë (Apollo 11, 12, 14-17) dhe meritë për këto suksese ka një staf i gjerë, por pak njerëz kanë qenë aq në qendër të aksionit sa heroi ynë Wilson Kokalari.

Salla e Komandës - Apollo
Salla e Komandës – Apollo

Një pllakë me emrin e tij në Hënë
Astronautët në shenjë falenderimi për punën e jashtëzakonshme të Wilsoni-it dhe stafit teknik, morën me vete një pllakë, me emrat dhe firmat e tyre, të cilën e vendosën në Hënë, aty ku zbritën.
Wilsoni qesh kur i kujton se si rrallë kush në këtë botë e ka emrin të shënuar në një trup qiellor jashtë Tokës.
 “Në fillim do të ishin shumë pak emra”, kujton ai. “Vetëm ne stafi i ngushtë që bëmë bashkimin dhe provën përfundimtare të anijes kozmike. Por, pastaj u shtua edhe pjesa tjetër e stafit”.
 Fakti që emri i një shqiptari ndodhej në pllakën që astronautët lanë në Hënë përmendet në librin “Shqiptarët e Amerikës” me autor Vehbi Bajramin. Ai ka intervistuar personalisht dhe e ka bërë të njohur për lexuesin shqiptar në botë, astronautin shqiptaro-amerikan William Gregory.
Në kohën e përgatitjes së librit të tij voluminoz, Vehbiu nuk mundi të binte në gjurmët e Wilson Kokalarit, i cili sipas tij, padyshim që meritonte një portret në atë vëllim.
 Gjatë vizitës në redaksi të inxhinierit të shquar, tashmë në pension, Vehbi Bajrami e pyeti lidhur me astronautin Allen Sheppard, për të cilin shtypi shqiptar ka shkruar se është shqiptar, megjithëse kërkime serioze nga ana e gazetës kanë sjellë të dhëna kontradiktore.
 Wilson Kokalari, që i ka njohur të gjithë astronautët gjatë atyre viteve të famshme, qeshi dhe me humor tha: “Sipas kushëririt tim, Tajar, në Gjirokastër edhe Abraham Lincoln ishte shqiptar. “
Wilson Kokalari e ka njohur Sheppard-in gjatë punës së tij shumëvjeçare. në një nga seksionet më kyçe të NASA-s, por nuk ka punuar drejtpërdrejt me të.

Mrekullia e Tetë e Botës
Në një botë që sapo kishte filluar të mësohej me transportin ajror, udhëtimi në Kozmos ishte shpesh pothuajse fantazi. Njerëzimi po ecte me hapa gjigandë e për pjesën më të madhe të njerëzve kjo ishte përtej besimit.
 “Kur fillova të punoj me programin Apollo”, tregon Wilsoni, “në vitet ‘60, kur nisi si projekt, i thoja babait që do të shkojmë në Hënë, ai më shihte sikur më kishte lojtur mendja, sikur isha çmendur. Po, po, më thoshte, sigurisht që do të shkoni”.
 Për fat të keq, ai nuk ishte gjallë pak vjet më vonë për të mësuar ngjarjen e madhe të vitit 1969, në të cilin i biri luajti një rol të dorës së parë. 
“Sigurisht që njerëzit në atë kohë, as që e kishin idenë se sa pranë që ishim vajtjes në Hënë”, tregon Wilsoni. Një rol të madh në përshpejtimin e përpjekjeve, tregon ai, luajti edhe gara me Bashkimin Sovjetik, e cila u bë vendimtare pasi rusët hodhën satelitin e parë në hapësirë, të njohur me emrin “Sputnik”. Ishte presidenti Kennedy që premtoi se brenda 10 vitesh “do të shkojmë në Hënë dhe do ta sjellim njeriun përsëri mbrapa në Tokë”. Premtimi u bë realitet brenda një kohe më të shkurtër, po as presidenti Kennedy, nuk jetoi për ta parë arritjen e madhe.
 Sot, gati 40 vjet prej asaj ngjarjeje, të duket gati po aq mrekulli që njeriu e ndërmori atë hap gjigand. Wilson Kokalari, tani një pensionist, i kujton me mbresa ato ditë intensive të punës me anijen gjigande që shpejt do të shkëputej nga toka. Ai ka qenë aty për të gjithë versionet e Apollo-s dhe ruan disa prej librave të punës, shumica e të cilave janë tepër teknike për njeriun e zakonshëm.
 Nga ana financiare sigurisht që jeta e tij do të kishte qenë krejt ndryshe nëse do të ishte marrë me administrimin e ndërtesave që kishin prona të familjes në Manhattan. Ndër të tjera ruan një dokument ku një drejtues kërkon më shumë shpjegime se pse inxhinierit Kokalari duhej t’i rritej paga me 25 cent në orë. Përveçse dëshmi e vlerësimit të punës për profesionistin e përkushtuar, letra është edhe dëshmi e ironisë së pagesave modeste të kohës për punën e jashtëzakonshme që u krye në ato vite.
 Po nga ana tjetër, ai mendon edhe faktin se ka qenë aq pranë njërës prej ngjarjeve më të mëdha të historisë së njerëzimit, njërës prej arritjeve më të mëdha të tij. Eshtë sikur të kesh ndihmuar në projektimin e piramidave të Egjiptit apo në përcaktimin e itinerarit të Murit të Madh Kinez.
 Njeriu, të cilit i është dhënë mundësia të luajë një rol në diçka kaq të rëndësishme në jetë, ndihet në mënyrë të natyrshme krenar kur kthen kokën pas pavarësisht nga dilemat për drejtimet e tjera që mund të kishte marrë në jetë e rrugët nga mund të kishte shkuar.
 Ndërsa Illyria ka shkruar me kënaqësi e krenari për shumë figura të nderuara të komunitetit tonë, rrallë ka qëlluar që ndonjë shqiptar të ketë qenë kaq pranë historisë së madhe të njerëzimit e të ketë pasur një rol në të. 
“Herë pas here,” tregon ai, “bëhesha i ndërgjegjshëm se ky objekt i madh afër meje brenda pak orësh do të ishte, në Hapësirë, do të shkonte në Hënë. Ishte një përjetim që nuk mund të ketë të dytë, që vështirë se mund të krahasohet me gjë tjetër në jetë”.

Kokalari dhe e bija Rena
Kokalari dhe e bija Rena

Mesazhi i vajzës:

Nuk pati asnjë dhimbje, gëzohem që e vizitove

Në një mesazh me e-mail, për botuesin e gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, e bija e inxhinierit të njohur Reena Kokalari shkroi:
 “Im atë ndërroi jetë në orën 2:01 AM. Isha me të në të njëjtën dhomë ku erdhe për vizitë. Pacienti tjetër e liroi dhomën që të na linte të ishim bashkë.
 I mbaja dorën dhe i thoja që e doja shumë. Nuk pati asnjë dhimbje.
 Do të doja që Illyria të njoftonte për vdekjen e tij.
 Jam e gëzuar që e vizitove.
Me shumë dashuri
 Rena

Pjesë nga shkrimi kushtuar festës së 20-vjetorit të gazetës “Illyria”

Një tjetër personazh më i tërhequr por njësoj mahnitës është Wilson Kokalari, inxhinieri me prindër nga Gjirokastra që që luajti një rol kyç në udhëtimin e parë të njeriut në hënë. Ai hartoi programin final inxhinierik në bazë të të cilit u lejua nisja e fluturimeve në hapësirë të misioneve Apollo 11, 12 dhe 13. Misioni Apollo 11 dërgoi njeriun e parë në hënë. 
Wilson Kokalari nuk e priste nderimin që iu bë. Ky hero i heshtur i një arritjeje të jashtëzakonshme njerëzore, u përlot ndërsa përpiqej të tregonte historinë e angazhimit të tij me ekipin që bëri bujë në të gjithë botën.
Nëse nesër ju pyet dikush po çfarë keni bërë ju shqiptarët për Amerikën, një përgjigje e mirë mund të jetë: “Ja, ju ndihmuam të shkoni në Hënë! Ç’mund të bëjmë më shumë”. (Ruben Avxhiu)
Gazeta Illyria 23 mars 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.