back to top
23.8 C
Tirana
E hënë, 15 Qershor, 2026

Një hymn për revoltën e Spaçit dhe herojtë e saj nga dëshmitari – nga Rexhep Shahu

Gazeta

Rexhep Shahu dhe Busti i Havzi Nelës
Rexhep Shahu dhe Busti i Havzi Nelës
Një hymn për revoltën e Spaçit dhe herojtë e saj nga dëshmitari
nga Rexhep Shahu
Havzi Nela – Fluturon Shqiponj’e Malit
Kënga e pestë

(Fragment poeme kushtuar Revoltës së Spaçit të Majit 1973. Marrë nga Fletorja e tretë, në librin Shtatë Fletore, me 5548 vargje, i botuar nga Klubi i Poezisë me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, ne 30 vjetorin e varjes së poetit Havzi Nela)


Si rrebesh pa frik’ e drue,
N’gojë të pushkës, ballë për ballë,
O me vdekë o me fitue,
Një nuk do me mbetun gjallë
Për gryk t’plumbit duen me dalë!

Skënder Daja e Pal Zefi
Dervish Bejko vrullin mori
Si n’furtunë kur fryhet deti,
U tmerrue prej nesh mizori
U ngërdhesh e dhambët nxori.

Kur tiranit të tërbuem,
Në mesnatë fjala i shkoi,
Brof në kambë e si hutuem
Qeverinë në kamb e çoi
Tanë ushtrinë e alarmoi.

Kambësorinë altilerinë
Top e pushk’ e autoblindë,
Zabërhanet, policinë,
Për Mirditë vetimë i lëshoi,
Si me re malet i mbuloi.

U nxinë majat, shkrepat, brigjet
U zunë përrojet, rrugët, shtigjet
Me vringllimë, me t’madh potere
Tue mbjellë mort, tue futun tmerre
Tue lëshue kujën der’për derë!

Çoi Feqorrin, Kasëm Kacur
Dy xhelatë që ka Tirana,
Dy xhelatë dy sytë iu plaçin
Nuk menduen për nanat tona
Nuk menduen i shitoftë zana!
………….
U derdh gjak, filloi dajak,
Ranë trima djem martirë
Nuk ju tremb syni aspak
Se të deshën t’jeshë e lirë
Shqipja jonë o zogu i vdirë.

Ra Pal Zefi, ra Skënderi,
Ra Dervishi e Hajriu,
Djem të shkathtë posi skifteri
Trima t’ashpër si Veriu
Xhelat i marrë për tok’ i shtriu!

Ra Skënderi trandafili,
Te armiqtë ai futi tmerr
Me flakë n’gojë sytë i mbylli
E për liri e skuqi dhenë
U derdh ndër re si një zgalem!

Ra Skënderi, syshqiponja
Vdekjen ai e puthi n’ballë,
Si kobec bilbil nga goja,
Ai xhelatit nuk iu fal,
I dha gjoksin, i tha: – Ndal!

Gojë e tij fuqi baroti,
Derdhi valë e nxori zjarr,
Ai tradhëtarëve frikë u futi
E për tiranin hapi varr,
Hajde ç’djalë, një yll i rrallë!

Ç’nuk u tha Skënderi i vogël,
Ballë për ballë e sy ndër sy,
Të gjitha krimet e poshtërsitë
Ua shpalosi nji nga një,
Gojë për gojë e me breshni!

Zemra e madhe e Skënderit
Tundi gjithë truellin arbënor,
Tundi fronin e derr-beterrit
E për shqiptarë u ba jehonë,
Si ogiçi me këmbonë.

Si Skënderi e shokë tjerë,
Ka të vdekur e të gjallë,
Se këso trimash kanë lind përherë
Nanat tona, ky truell shqiptar
Këto thepa e shkrepa, kjo tok e mbarë!

Maj oh maj o maji ynë,
Lulet tua kuq u banë
Ne deshtëm jetën, kërkuem Lirinë,
Ja xhelatët çfarë na dhanë!
Na i shtuen prangat, me gjak na lanë!

Mbrenda n’tela të rrethuem
Ç’mund të bajshim ne ma shumë,
Kundër armikut të tërbuem,
Që mbi ne, vërshoi si lum,
Posi det’ gjithë dallg’ e shkumb!
———

Kjo poemë e ndame në kangë, u hartue në birucat e Rrëshenit, kur unë isha në vuejtje dhe në nji mërzi të randë, për shkak se, megjithëse unë kisha mbarue punë me hetuesinë dhe kisha dalë edhe në gjyq (me 8 gusht 1975) vazhdonin të më mbanin ashtu, në kondita shumë të vështira jete. Pra, isha në muejin e gjashtë të qëndrimit tim në atë çeli, kur më lindi ideja për këtë poemë. Nuk kisha as laps as fletore, por frymëzimi që më lindi dhe dëshira për të ba diçka edhe në ato kondita të vështira, më bani t’ia filloj punës dhe ia nisa hartimit vetëm në mendje dhe ato që nxirrja i përsëritsha po me mend, me qëllim që t’i ngulja në kujtesë për të mos i harrue. Në fillim i nxora pjesët të shkëputuna, por ma vonë më lindi mendimi me i bashkue, duke krijue edhe nji farë lidhje midis tyne. Duke e përsëritë herë pas here, për rreth 8 vjet, munda që ta ruej të pashlyeme nga kujtesa.
Këtë poemë mendoj me e titullue me një strofë prej katër vargjesh:

“Fluturon shqiponj’ e malit,
Fluturon me hov në gji,
Fluturon, trimnisë i falet
Mbjell kushtrim, kërkon Liri!”
.

Në faqen e parë mbi titullin e librit mendoj që të ketë nji shqiponjë që ka hapë krahët dhe duke fluturue nëpër Atdhe lëshon kushtrimin e Lirisë që shpërtheu nga gjokset djaloshare në Spaç, në maj 1973, dhe që mori emnin “Revolta e Spaçit”.
Për titullin do të mendohem përsëri për ta paraqitë ma shkurt dhe kuptimplotë.
Mundet edhe kështu ta titulloj:

“Vend për vend po lëshon kushtrim,
Mbjell stuhinë, kërkon lirinë”.
Marrë nga Muri i FB, Rexhep Shahu 21 maj 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.