back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Një humanitare e rrallë… një heroinë e harruar… – kushtuar Melpomeni Dilos – nga Greta Dilo

Gazeta

Melpomeni Dilo
Melpomeni Dilo

Një humanitare e rrallë… një heroinë e harruar…

kushtuar Melpomeni Dilos

nga Greta Dilo

Unë Greta Dilo, e bija e Telemak Dilos e lindur në Tiranë dhe banuese në Amerikë, do të rrëfej pak nga historia e hallës sime, Melpomeni Dilo.
Melpomeni Dilo rrjedh nga një familje intelektuale dhe patriotike. Ajo ishte vajza e avokatit të njohur Dr. Vasil Dilo, i cili kishte mbaruar studimet e larta për Jurisprudencë në Athinë, dhe shërbente si avokat i njohur si në Gjirokastër po edhe në të gjithë vendin. Krahas avokatisë ai ishte dhe një publicist me emër. Melpomeni Dilo, ka lindur në vitin 1912, në Labovën e Zhapës, në Gjirokastër, dhe është rritur e ka jetuar në Tiranë. Mbasi mbaroi shkollën e mesme franceze, ku ishte drejtoreshë matmazel Gabriela Laverngie. Në vitin 1929, kur Melpomeni studionte në këtë shkollë ra një epidemi e rëndë gripi që preku një pjesë të madhe të popullsisë dhe sidomos ushtrinë. Për këtë në kujtimet e saja midis të tjerash Melpomeni shkruan: “…Në atë kohë unë ende në moshë të re, dola vullnetare si infermiere për të shërbyer pranë ushtarëve të sëmurë, të cilëve u mungonin jo vetëm mjekimet, por edhe kushtet e bënin akoma më të rëndë sëmundjen. Teksa mësova që një batalion ushtaresh në Shijak u kishte rënë gripi shkova vullnetarisht atje…” Atje ajo punoi për mëse dy muaj. Në fund të atij misioni humanitar, falë kursimeve të tyre ushtarët i bënë një dhuratë një medalion argjendi me përkrenaren e Skënderbeut dhe ne anën tjetër të saj shkruhej Zojushes Melpomeni, kujtim prej ushtarëve të Bat. Erzen 1/3/1929, të cilën ajo e mbante gjithmonë në qafë si të ishte medalje. Për merita në punë ajo u falenderua edhe nga kryeministri i asaj kohe Koço Kota, nga i cili iu dha fletë falenderimi.
.
Melpomeni Dilo, kujtim prej ushtarëve të Batalionit Erzeni - 1929
Melpomeni Dilo, kujtim prej ushtarëve të Batalionit Erzeni – 1929
Mbasi mbaron Shkollën e Infermierisë me rezultate të larta, Melpomenit, i del e drejta e studimit për në Paris, për t’u specializuar për rritjen e foshnjave. Atje ajo ndihmohet nga daja e saj: Panajot Neti.
Në vitin 1932, mbas mbarimit të specializimit filloi punë si ndihmës mjeke në Shkollën Amerikane te Dakos. Ajo gjindej kudo ku ishte nevoja shpirti i saj i brishtë e bënte të ndihmonte cilindo.
“Gjatë asaj kohe vdisnin shumë gra shtatëzana pse lindnin pa kushte në shtëpi, mbasi shumica e tyre ishin të vobegta, dhe nuk kishin mundësi të pagonin mamitë. Ky fakt – shkruan halla ime Melpomeni, – na frymëzoi mua me dy shoqet e mia: Nadide Kacaruho dhe Bedia Asllani për krijimin e një shoqërie për mbrojtjen e fëmijës.
Qëllimi ynë ishte krijimi i një materniteti me të gjitha komoditetet për lindjen dhe mjekimin e foshnajve. Për këtë qëllim ne u mbështetëm tek populli dhe fushata që hapëm në Tiranë gjeti një mbështetje të madhe. U lidhëm me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar (dega e mbrojtjes së femijës) e cila na dërgoi sasi qumështi të kondensuar, të cilën e shpërndamë në familjet e varfëra si edhe modelin e krevateve për fëmijët. Mjaft i vështirë për t’u zgjidhur ishte edhe problemi i godinës që do të shërbente për qëllimin tonë. Për këtë gjë morëm takim me drejtorin e spitalit Dr. Sabri Tafikut i cili e mirëpriti mendimin tonë dhe na afroi paisjet e sallës së lindjes dhe ish morgun me dy dhoma. Këtë godinë e meremetuam dhe e kthyem në një sallë lindjesh me dy dhoma e një guzhinë duke e mobiluar me tetë krevate për fëmijë dhe një për binjakë sipas modelit që na dërgoi dega kombëtare për mbrojtjen e fëmijës.
Në vitin 1937, krijuam maternitetin e parë në Shqipëri, që u prit me entuziazëm nga qarqet përparimtare dhe gjithë populli. Por kjo gjë nuk mbaroi me kaq sepse ne na u desh që të bënim edhe një punë propagandistike të madhe duke shkuar lagje më lagje, ku kishte gra shtatëzane që të vinin e të lindnin në Maternitetin tonë… – dëshmon Melpomeni në shënimet e saj të cilat i ka ruajtur halla tjetër Ksanthipi Dilo, si një kujtim i shtrenjtë nga pasioni i motrës së saj.
.
Melpomeni Dilo - 1937, në krijimin e maternitetit të parë në Shqipëri
Melpomeni Dilo – 1937,
në krijimin e maternitetit të parë në Shqipëri
Melpomeni Dilo, ka dhënë mjaft kontribute për popullin dhe atdheun. Kur flas kështu nisem nga çfarë kanë thënë dhe thonë të tjerët për të…. Dhe mund të them se ajo ishte një Nënë Terezë e dytë… Por në Shqipëri nuk ja njohën punën e saj humanitare kurrë… Unë besoj se të njejtin fat do të kishte pasur edhe Nënë Tereza, po të kishte jetuar në Shqipërinë Komuniste…
Me Shtatë Prill të 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ndaj Shqipërisë, në Sheshin Skënderbej në Tiranë u grumbulluan me qindra vullnetarë të cilët kërkonin të shkonin për të luftuar kundër pushtuesve italianë. Sheshi u mbush plot me vullnetarë, të cilët prisnin makinat për të shkuar në Durrës, aty doli edhe Melpomeni Dilo. Ajo pasi mori lejen e babait të saj, Vasilit, veshi iniformën e infermires dhe kur doli në shesh dhe hipi në një nga makinat që ishin mbushur plot me njerëz të shumtë që ishin aty e që e shoqëruan me brohoritje dhe entuzizëm, mbasi ishte e vetmja vajzë ndër gjithë ata vullnetarë të mbrojtjes së atdheut. Nisur nga ky fakt, ata shkonin për ta përqafuar e puthnin duart e uniformën aty tek spondat e makinës. Nga kjo skenë vëllezërit dhe motrat e Melpomenit që kishin dalë për ta përcjellë atë, iu mbushën sytë me lotë.
Melpomeni jo vetëm që u kujdes si infermiere për të plagosurit, por ajo kapi dhe armën e u rreshtua së bashku me vullnetarët e tjerë në pozicionet që ishin caktuar më parë nga komandanti i pergjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare Abaz Kupi. Një nga personat që hedh dritë mbi këtë fakt është dhe Kolonel Dr. Sinan Imami, i cili në vitin 1962, ka dëshmuar.
Edhe gjatë viteve të luftës Melpomeni u aktivizua me lëvizjen duke ndihmuar shumë guerilasit dhe partizanët e plagosur të cilët i mjekonte fshehuarazi në Spitalin Civil të Tiranës, si Sotir Spiron, Vasil Nathanailin etj…
Lufta e rinisë, e asaj rinie që ndriti vendin, fatkeqsisht e gënjyer rëndë, u muar në qafë nga sharlatanizmat e Enver Hoxhës të arritura gjer në krime të pebesueshme nga njeriu…
.
Tetë shtretërit e parë të lindjes në Maternitetin e ri
Tetë shtretërit e parë të lindjes në Maternitetin e ri

Persekutimi dhe harresa…..

Ndonëse familja Dilo u lidh e gjitha me lëvizjen Antifashiste dhe shtëpia e tyre aty te Rruga e Dibrës u bë një nga bazat më të forta ku strehoheshin Qemal Stafa, Vasil Shanto, Koço Tashko, etj… Dera e Dilove ka qenë gjithmonë e hapur, si në librat e shenjtë: “Trokit, dhe do të hapet” për njerëzit me halle, që kërkonin drejtësi e mbrojtje, që donin ndihmë e shpëtim…
Lufta ndaj kësaj familje patriote, filloi menjëherë mbas mbarimit të luftës, që në 1945, ata u goditën dhe u quajtën familje reaksionare. Kjo ndodhi mbas burgosjes së dy vëllezërve të saj Koço Dilos, i cili vuri kandidaturën si deputet i pavarur në Zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, dhe babait tim Telemak Dilo i cili u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg, i akuzuar si agjent i Anglo-Amerikanëve e ndërlidhës me Misionin UNRA. Mbas kësaj familjen Dilo, pushteti komunist do ta kishte halë në sy. Djemtë dhe vajzat e Dilojve i përballuan të gjitha me dinjitet, kokën nuk e ulën kurrë duke treguar ato cilësi të larta morale e njerëzore që kanë njerëzit e ndershëm e fisnikë. Bora e bardhë e malit nuk ndyhet kurrë nga opinga e grisur dhe gjithë baltë e atyre që kalojnë fushës. Ashtu edhe Dilot do lulëzojnë përsëri! Zgjuarsinë, mirësinë dhe patriotizmin e kanë në zemër e në gjak!
Melpomeni që kishte krijuar shërbimin e parë Gjinekollogjik-Obsertik në Shqipëri, që kishte luftuar me 7 Prill 1939, në Durrës dhe gjate luftës kishte kuruar ilegalisht partizanët, nuk iu dha kurrë e drejta që të punonte në profesionin e saj si ndihmës mjeke që ajo e donte aq shumë. Ajo mbeti pa punë deri sa vdiq, në vitin 1971 dhe sa ishte gjallë bëri kërkesa pa fund për t’iu njohur kontributi që kishte dhënë në luftë për efekt pensioni, por ajo gjë nuk ju dha kurrë. Ja çfare shkruan në kujtimet e saj Melpomeni: “Mbas 5 muajsh heshtje të kërkesës tek Kuadri i Komitetit Ekzekutiv, Janaq Konina me dha përgjigje negative. Vura duart në kokë dhe thashë: Obobo…! po të isha vrarë do të isha si Mujo Ulqinaku. Jam gjallë dhe ju me jepni këtë përgjigje? Shqipëria u lirua, por paragjykimet janë po ato. Mbylla derën dhe u largova… Këto rreshta duhet të shkruheshin për botim, po kujt t’i drejtoheshe? Të mbytnin paragjykimet… Dhe e bindi veten duke thënë, shprehjen e bukur të popullit: Bëjë të mirën dhe hidhe në detë, po s’ta diti peshku e di Zoti vetë…
Melpomeni e natës dhe e ditës, e mahallës dhe e të varfërve, nuk e njohu kurrë ç’është rroga e ç’është leku. Në shpirt humanitare bamirese, e tillë ishte dhe mbeti e edukuar nga prindët e saj.
Melpomeni u persekutua nga regjimi komunist derisa vdiq, ndonëse ishte e vetmja vajzë që me 7 Prillin e 1939, shkoi në Durrës për të luftuar kundër pushtuesve italianë…
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.