Një grua kalon Siberinë, për t’i dhënë botës një gjeni… – Dmitrij Mendeleev (1834-1907)

Gazeta

 

Dmitri Mendeleev Tabela Periodike e Elementeve
Dmitri Mendeleev Tabela Periodike e Elementeve

Një grua kalon Siberinë, për t’i dhënë botës një gjeni…
Dmitrij Mendeleev (1834-1907)

Në vitin 1849, një nënë dhe djali i saj nisën një udhëtim epik, mbi 2.000 kilometra nëpër dëborën dhe stepat e ngrira të Siberisë. Ata u nisën nga Tobolsku me asgjë tjetër, veç një valixheje, një ëndrre dhe një inteligjence të jashtëzakonshme për të mbrojtur. Emri i saj ishte Maria Dmitrievna. Emri i tij ishte Dmitrij Mendeleev. Ai ishte vetëm 15 vjeç.
Maria e dinte se djali i saj nuk ishte si të tjerët. Që në moshë të vogël, ai bënte pyetje që i hutonin edhe mësuesit e tij. Ai jo vetëm studionte, por donte të kuptonte arsyet e gjërave. Pasi vdiq burri i saj dhe fabrika e qelqit e familjes u dogj nga një zjarr, Maria e vendosi: Asgjë nuk do ta ndalte të ardhmen e djalit të saj.
Ata udhëtuan për javë të tëra, pjesërisht me sajë, pjesërisht më këmbë, nëpër Perandorinë e pafundme Ruse. E megjithatë, në Moskë, ata morën refuzimin e parë: Dmitrij nuk u pranua në universitet, pjesërisht për arsye politike, pjesërisht për shkak të statusit të tij provincial. Por Maria s’u dorëzua. Me forcat e mbetura, vazhdoi udhëtimin për në Shën Petersburg.
Në Institutin Qendror Pedagogjik, Dmitry u pranua më në fund. Vëllai i tij më i madh, Paveli, e ndihmoi financiarisht që të studionte.
Në Shën Petersburg, Mendeleev u diplomua në shkencë në 1855, dhe shpejt u dallua për kërkimet e tij. U bë i njohur për qasjen e tij ndërdisiplinore: ai kombinoi kiminë, fizikën, matematikën dhe filozofinë. Ai flinte shumë pak, shkruante në mënyrë kompulsive dhe ishte i bindur se natyra ndiqte një rend logjik… ajo thjesht duhej gjetur.
Në 1869, vetëm 35 vjeç, ai botoi Tabelën e tij të parë Periodike. E krijoi sipas një intuite gjatë një ëndrre. Ai kishte rregulluar kartat e elementeve kimike në tabelë dhe i rraskapitur, ra në gjumë. Me t’u zgjuar, ai tha:
“Në ëndërr pashë një tabelë, ku të gjithë elementët u futën në vendet e tyre. U zgjova dhe e shkrova menjëherë!”
Por intuita e tij shkoi më tej, ai kishte lënë boshllëqe, duke parashikuar ekzistencën e elementeve ende të panjohura. Vite më vonë, kur u zbuluan germaniumi, galiumi dhe skandiumi, të cilat përputheshin në mënyrë të përkryer me parashikimet e tij, bota shkencore u detyrua të njihte gjenialitetin e vizionit të tij.
Dimitri ishte aq i saktë sa për germaniumin, të cilin e quajti “ekasilicon”, kishte parashikuar:
– peshën atomike → 72 (zbuluar: 72.6)
– dendësinë → 5.5 g/cm³ (reale: 5.47)
– pikën e shkrirjes → më pak se 1000°C (reale: 937°C)
Një nivel pothuajse absolut saktësie.
Mendeleev nuk ishte vetëm një shkencëtar: ai gjithashtu u mor me meteorologjinë, bujqësinë, naftën dhe politikën shkollore. Në vitin 1891, ai ishte ndër të parët që propozoi një reformë të arsimit shkencor në Rusi. Ai ishte njeri me mendim të lirë, shpesh edhe në konflikt me pushtetin.
U nominua për Çmimin Nobel në vitin 1906, por nuk e mori atë, ndoshta për shkak të arsyeve politike dhe rivaliteteve akademike. Ai u përjashtua gjithashtu nga Akademia Ruse e Shkencave për pikëpamjet e tij të pavarura, por komuniteti shkencor botëror nuk e harroi kurrë kontributin e tij.
Sot, Tabela Periodike është zemra e kimisë moderne. Dhe elementi numër 101 mban emrin e tij: Mendelevium (Md), i zbuluar në vitin 1955, në nder të tij.
Nëna e tij, Maria, vdiq pak pasi ai hyri në institut. Ajo s’mundi ta shihte suksesin e të birit. Por pa të, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur.
Historia e Dmitry Mendeleev është historia e guximit të një nëne, zjarrit të kuriozitetit dhe fuqisë së intuitës. Është provë se revolucionet e mëdha nuk fillojnë në laboratorë, por në zemrat e njerëzve që refuzojnë të dorëzohen.
Dhe gjithçka filloi me një grua që kaloi Siberinë për t’i dhënë botës një gjeni…
Përktheu Fatmir Shqarri…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit