back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Një foto dhe historia e fatit të një familje Familja Vushmaqi – familja e nënës sime – nga Jozef Radi

Gazeta

Familja Vushmaqi, Pejë 1925, Frano e Pjetër, me gratë e prindët
Familja Vushmaqi, Pejë 1926, Frano e Pjetër, me gratë e prindët

Një foto dhe historia e fatit të një familje

Familja Vushmaqi – familja e nënës sime

nga Jozef Radi

Kjo foto është e vitit 1926, është në natyrë në qytetin e Pejës. Në të janë katër çifte, 2 prindët, dhe trë fëmijët me familjet e tyre respektive dhe një fëmijë. Është familja e nënës sime Vitore Vushmaqi – Radi. Përmes kësaj fotoje do të përpiqem të bëj edhe një panoramë, si më i madhi i nipave në Shqipëri, e që i kam njohur thuajse të gjithë pjestarët e kësaj familje… 
Në të djathtë të fotos janë Frano Llesh Vushmaqi (1905-1978) dhe e shoqja Katerina Çiflaku – Vushmaqi (1900-1956); në qendër janë dy prindët e tyre Llesh Pjetër Vushmaqi me të shoqen (emrin e së cilës s’e kujtojmë) në qendër është edhe e bija, Emilia Vushmaqi, po në qendër mbas tyre në këmbë, është i shoqi i saj me kapele (emrin s’ia dimë, dimë vetëm se ishte nëpunës slloven dhe jetonin në Lubljanë! Sëbashku me ta është e bija, (emrin s’ia dimë)… kurse në të majtë është Pjetër Llesh Vushmaqi (1902-1968) me të shoqen Monika Berisha – Vushmaqi
Dëshmohet se kjo familje ka pasur edhe një djalë më të madh (i cili mbasi u sëmur, u kthye në Vermosh  ku edhe vdiq) si edhe një vajzë tjetër (e cila duhet të jetë martuar në Kroaci o në Vojvodinë) por që mbyllja e kufijve dhe izolimet bënë që të humben lidhjet?
Fotoja është e pranverës së vitit 1926, mbasi Katerina disa muaj më vonë, me 12 qershor 1926, do të lindte fëmijën e parë me Frano Llesh Vushmaqin: Vitoren. Mbas saj, në harkun e 13 viteve, ajo do të sillte në jetë edhe pesë fëmijë të tjerë: Viktori, Rexhina, Adelajdja, Maria dhe Xhuzepina.
Familja Vushmaqi, ishin me origjinë kelmendas të Vermoshit, të zbritur në Pejë. Dy djemtë e Llesh Vushmaqit u shkolluan në Austro-Hungari… ku Frano Lleshi u specializua në përpunimin e mishit, sallamit dhe ëmbëlsirave; kurse Pjetër Lleshi kreu shkollim ushtarak. Nuk dimë asgjë për shkollimin  e vëllait  të madh, i cili siç e theksuam më sipër s’gëzonte shëndet të mirë. (emrin e tij s’e kujton asnji prej nesh, të brezit të tretë
Në 1931, si rezultat i një konflikti, familja Vushmaqi e lë Pejën, dhe dy vëllezërit, Pjetri dhe Franoja vendosen në Tiranë. Brenda një kohe të shkurtë, biznesi i tyre qe mjaft i suksesshëm, mbasi Pjetri shërbente si oficer në xhandarmërinë shqiptare, kurse Frano së bashku Monikën, gruan e Pjetrit, i vunë shpatullat biznesit të tregëtisë së sallamit në Shqipëri.
Mbas fitores së komunizmit, si për gjithë tregëtarët e ndershëm, edhe për familjen Vushmaqi, do të niste kalvari. 
Së pari, më 1944 u arrestua Pjetër Llesh Vushmaqi, i cili u dënua më dhjetë vite burg. Me 1948, largohet për në Jugosllavi, Viktori, djali i vetëm i Frano Llesh Vushmaqit, mbasi familja ishte me shtetësi jugosllave. Ai u vendos fillimisht në Slloveni, te halla Emili, e më pas në Itali, ku edhe do të martohej me një italiane.
Ndërsa i burgosin të vëllanë, Pjetrin, Frano Lleshin do ta largonin nga Tirana, ku për ca kohë jetoi në Durrës, kurse prej vitit 1950 e deri më 1978, do të jetonte në Elbasan, në profesionin e tij, si mjeshër në punishten e sallamit.
.
Familja Vushmaqi - Tirane - 1941
Familja Vushmaqi – Tirane 1941 Viktori – Vitorja – Rexhina – Maria – Adelajdja – Xhuzepina – ulur Frano e Katerina
Të bijën, Vitoren, e cila prej vitit 1943, do të ishte e shoqja e Lazër Radit, do ta arrestonin në vitin 1952, dhe do ta dënonin me 9 vite burg. Para se të dilte nga burgu (mars 1956), në vitin 1955 asaj do t’i vdiste fillimisht e motra, Marie Vushmaqi (1934-1955), vetëm 21 vjeçe, ndërsa një vit më vonë, në 1956, nga tronditja dhe humbjet e njëpasnjëshme, do t’i vdiste edhe nëna, Katerina Vushmaqi – Çivlaku (1900-1956), (s’ jam i sigurt nëse mbiemri ishte Çivlaku apo Çiflaku!!). E ëma ishte vetëm 55 vjeçe!
Në vitin 1963, pa mbushur 40 vitet, do t’i vdiste edhe e motra, Rexhina Ndoja Vushmaqi (1928-1963) e martuar me Injac Ndojën, duke lënë pas një djalë Henrik, ende pa mbushur 6 vitet. Në vitin 1968, do të vdiste Pjetër Llesh Vushmaqi, i cili mbas 10 viteve burg, do të jetonte diku, pranë Kishës Françeskane në Rrugën “Ali Pashë Gucia”. Vitet e fundit, ai jetoi i paralizuar, dhe nga martesa me Monikën nuk pati fëmijë. 
Dhjetë vite më vonë, me 1 gusht 1978, do të vdiste i nderuar dhe i respektuar mjaft prej elbasanasve, me të cilët ndau 27 vite të jetës, Frano Llesh Vushmaqi (1905-1978). 
I biri, Viktor Frano Vushmaqi, do të vendosej fillimisht në Romë ku do të martohesh me Giuseppina ? me të cilën pati katër fëmijë: Catia, Franco – Moris, Sara dhe Suzi. Më pas, ai do të vendosej në Brazil, në San Paolo, ku mbas një martese të dytë do të kishte edhe tre fëmijë (dy vajza dhe një djalë – djali vdiq në moshë krejt të re prej një sëmundje). Më 1987, ai fiton një llotari të madhe në Brazil, e cila ajo do të bëhej edhe shkak i vrasjes, mbasi gjatë vjedhjes së shtëpisë, ai u gjend përballë me banditët. 
.
Frano Llesh Vushmaqi (1905-1978)
Frano Llesh Vushmaqi (1905-1978)
Më 1988, do të vdiste edhe motra Adelajde Abaxhogllu – Vushmaqi (1930-1988) e cila nuk pati fëmijë… Vitore Radi – Vushmaqi (1924-1997), pati katër fëmije (vajza Veronika Radi (1944-1945) do t’i vdiste në vitin e vështirë 1945, dhe Jozef, Adriana dhe Luçiano). Ajo do të vdiste më 23 mars 1997. Në vitin 2006, do të largohej edhe fëmija e fundit e Familjes Vushmaqi, Xhuzepina – Vushmaqi (1939-2006) e cila la pesë fëmijë!
Familja Vushmaqi, ishin krenar për origjinën e tyre kelmendase, për besimin fetar e për traditat e tyre familjare. Tre fëmijët e Llesh Vushmaqit: Pjetri, Franoja dhe Emilia (thuhet se kishin edhe dy te tjerë) u shkolluan dhe edukuan me kulturë gjermane, çka binte në sy tek të gjithë fëmijët: rregulli, disiplina, feja, familja, ndershmëria, korrektesa, dinjiteti!
Për dy fëmijët e tjerë, djalin e madh dhe vajzës tjetër, informacioni është fare i pakët. Fakt është se kultura austriake, bashkuar me shpirtin malësor të kelmendasit, si njerëz të punës, të besimit e të fjalës, u bënë bosht i gjithë fëmijve të tyre. 
Për Emili Vushmaqin, të madhen e fëmijëve, dimë që u martua në Slloveni me një nëpunës, dhe mbas ’44, për shkak të dramës së familjes Vushmaqi, marrdhëniet mes tyre humbën. 
Fotoja në fjalë është gjithashtu edhe dëshmi e veshjeve. 
Të tre burrat dallojnë të veshur me kostume dhe kravata. Patriarkët Vushmaqi, burrë e grua, janë të ulur në qendër dhe vajza e madhe Emilia në mes me të bijën pranë tyre. Në të majtë janë Pjetër Lleshi me Monika Berishën; në të djathtë Frano Lleshi me të shoqen Katerina Çivlakun. Mes dy vëllezërve është i shoqi Emilisë. Gratë dallojnë për veshjet qytetare të asaj kohe. Katerina, vinte nga një familje e pasur e pejane, Çivlakët, (ajo kishte pasur disa drama familjare, dhe ishte ishte rreth 5 vite më e madhe se Franoja. Shkëputja për një kohë të gjatë dhe fati tragjik, e ndau për së gjalli nga pjesa tjetër e kësaj familje.
Nëna ime, Vitorja sa herë e shihte këtë foto thoshte: Kjo foto është e prillit 1926, sepse mbas dy muajve do të ishte ardhja e saj në jetë. 
Nëna kishte lindur me 12 qershor 1926! (meqe ishte tejet e re kur u martua, 6 dhjetor 1943 – u detyrua ta ndryshoje vitin ta beje 1924)
Në Vermosh, njerëzit më të afërt të kësaj dege të shkëputur prej truellit, janë familja e Dedë Vushajt (Vushmaqi), hallat e të cilit kanë qenë të afërta, dhe i mbajten lidhjet qoftë reale qoftë edhe përmes kujtimeve apo bisedave me të parët e tyre. Ato u takuan si me nënën tonë, Vitoren në Tiranë ashtu dhe me motrën e saj Xhuzepinën, në qytetin e Shkodrës.
Fotoja tjetër është Familja e Frano Llesh Vushmaqi – në Tiranë në vitin 1941.
2018-2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.