back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Një foto dhe… disa rreshta – Sadri Ahmeti nga Qerim Vrioni

Gazeta

Sadri Ahmeti (1939-2010) - Foto nga Qerim vrioni
Sadri Ahmeti (1939-2010) – Foto nga Qerim Vrioni

Një foto dhe… disa rreshta – Sadri Ahmeti

nga Qerim Vrioni

me rastin e 80 vjetorit te Lindjes

Me piktorin dhe poetin Sadri Ahmeti (Vuthaj, Mali i Zi, 23.03.1939-Tiranë, 24.6.2010), isha njohur në një ekspozitë pikture në Galerinë e Arteve të Tiranës nëpërmjet Kujtim Halilit, mikut tim të ndjerë, poet dhe njëkohësisht punonjës i saj. Më pas e shtuam miqësinë edhe me kafet e mëpasme si edhe me… ndonjë gotë rakie që rrëkëllenim të tre aty nën valanidhin e madh para Galerisë.
Ai kishte kaluar një jetë plotë vështirësi, ishte larguar nga vendlindja me shumë ëndrra për në shtetin-amë, i cili e priti krahmbyllur (siç nuk mendonte se do pritej), sepse pas peripecive të ndryshme, si banim i caktuar dhe punë e detyruar, me vështirësi fiton të drejtën e studimit për Institutin e Arteve, në fillim të viteve ’70. Pas 2-3 vite akademikë, ai arrestohet për agjitacion-propagandë dhe kryen disa vite burg politik. Në burgun famëkeq të Spaçit, ai pikturoi me fantazinë e tij në akuarele disa portrete vajzash, “të bukurat e dheut të racës shqiptare”, me të cilat siç shprehej me humor, “martoi beqarët e burgosur”.
Portret vajze - Sadri Ahmeti
Portret vajze – Sadri Ahmeti
Sidoqftë, as burgu dhe as vështirësitë e jetës para tij, Sadriut nuk ia kishin zbehur dëshirën për të bukurën në arte, ai shkruante poezi të ndjera dhe pikturonte akuarele plotë hijeshi. Ndoshta të dy fushat e artit ku krijonte, i jepnin dorë njera-tjetrës. Veçse me një ndryshim, ndërsa me fjalë edhe gjëmonte kundra padrejtësive ndaj shqiptarëve, me penel përkëdhelte bukuritë e racës tonë. Gjithashtu, vuajtjet nuk ja kishin tharë ndjenjën e humorit, të cilin e përcillte me atë të folurën e tij të ngadalshme dhe karakteristike, por edhe me të qeshurën e vet që e niste i pari.
Sadriu ka marrë pjesë me akuarele në rreth 15 ekspozita të përbashkëta dhe vetjake, brenda dhe jashtë vendit. Ai mbahet nga kritika e arteve pamore, si një nga 3-4 akuarelistët më shquar në vend.
Pas viteve ’90, Sadri Ahmeti botoi edhe disa përmbledhje poetike si, “Një e qeshur harbon nëpër errësirë“, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Aisbergu i preludit të katastrofës”, “Masakra e Tivarit“ dhe në prozë, “33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës”, të cilat janë pritur me kënaqësi nga lexuesit dhe kritika.
Koha e kësaj fotoje përkon me një ekspozitë kombëtare në mjediset e Galerisë Kombëtar të Arteve. E fotografova si vjedhuraz kur ai po shikonte dikë në të majtë.
Ishte nëntor 2003.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.