
Një e vërtetë e thjeshtë dhe çarmatosëse…
nga Ernest Marku
Si të thuash se Ismail Kadare ishte shkrimtari më i madh shqiptar, si të thuash se ai nuk bënte fare si shkrimtar; në të dyja rastet ke thënë një budallallëk, i cili, veç të tjerash, zbulon dhe mediokritetin tënd…
Dhe Moza çfarë tha? Tha se Kadare është shkrimtar i mbivlerësuar. Një e vërtetë e thjeshtë dhe çarmatosëse.
Unë tani po shtoj se, Ismail Kadare ishte një ndër 5-6 apo 10 shkrimtarët më të mirë të brezit të tij; por që fama e ndihmoi që t’i parakalonte shumë të tjerët, për arsye ekstraletrare. Se kush ishin këto arsye, nuk di ta them me siguri. Ishte fakti se vinte nga lagjia Palorto e Gjirokastrës, ishte mardhënia specifike me diktatorin apo diktaturën; apo ishte guximi i tij dhe aftësia për të luajtur fort, sa herë që parandjente rrezikun? Nuk kam një përgjigje të prerë, pasi ndoshta jemi akoma herët dhe historia nuk i ka nxjerrë akoma të gjitha të vërtetat e saj. Por një gjë është e sigurt: Për një arsye apo një tjetër, fama që ai mori apo që ia dhanë, e ka tejkaluar disa herë letërsinë e tij.
Ndoshta kështu ndodh gjithnjë, edhe kudo tjetër në botë. Ndoshta është edhe çeshtje fati, çeshtje temash që trajton në letërsi, apo rrethanash specifike me të cilat lidhet shkrimtari, me dashjen ose pa dashjen e tij. Kujtoj këtu Kunderën, Nabukovin, Bukovskin etj. etj. Dhe e gjitha kjo ndodh për një arsye: Shumica e njerëzve, nuk janë mediokër, por janë injorantë në fushën e letrave. (Kujtoj me mendjen time, njerëz që thonë: “Fishta i madh”, por që e gjithë njohja e tyre për të, precipiton në disa fraza të shpërndara në rrjete sociale, shumica e të cilave të pavërteta, apo minimalisht të deformuara.)
Ja ku po e pranoj edhe këtë fakt: Po, edhe Fishta ishte i mbivlersuar në raport me kolegët e brezit të vet, për arsye se ua gjeti telat shqiptarëve me “Lahutën e Malcis”; e cila, për mua, nuk është vepra e tij më e mirë…
Dhe tani mund të themi:”Zaret u hodhën. Çezari e kaloi Rubikonin.”
Alket Bushi
Çeshtja e parë asht që nuk ekziston asnjë raport as i drejte e as i zhdrejtë midis vlerës dhe famës, kështu ka qenë përherë, pasi këto të dyja varen nga ligjësi krejt të ndryshme, çka gjithsesi nuk e përjashton as përputhjen midis tyne. Së dyti, mundet që nuk asht Kadare i mbivlerësuem, por janë të nanvlerësuem do të tjerë që nuk janë letrarisht aq distante me Kadarenë sa perceptohet. Mbi të gjitha, për mue, së paku “Pallati i ëndrrave” asht një roman që e meriton njohjen dhe vlerësimin në nivel botëror. Së treti, vlerësimi mbi ma të madhen në çfarëdolloj fushe ka një paradoks të madh: duhet të jeshë mbi diçka që e vlerëson për me pasë të drejtë me vlerësu, pra kush thotë kjo gja asht ma e madhja, pa ose me dashjen e tij asht duke e vendosë veten mbi gjanë që vlerëson apo së paku në të njajtin rrafsh (duhet së paku të përdorë “simbas meje” kur shprehet). Balzaku asht shpreh se “me kuptu, don me thanë me arritë, me barazu”. Së katërti, vetëm ata që kanë bana lexime shumë të gjana ndër autorët e një kulturë (se krejt asht praktikisht e pamundun) munden me pasë njëfarë përligjjeje me dhanë “verdikte”. Kur lexon disa qe e nisin me “Letërsia shqiptare asht kështu e ashtu” ke të drejtën me mendu që këta abuzojnë, por asht dhe prirje e natyrshme me besu se e ke rrokë të tanën, me u ndje fragmentar në njohje ndjen një lloj dëshpërimi dhe pafuqie…