back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Një drek’e paharrueshme… – tregim nga Julia Gjika

Gazeta

Julia Gjika
Julia Gjika

Një drek’e paharrueshme

tregim nga Julia Gjika

Kanë kaluar më shumë se njëzet e pesë vjet nga dita kur e pashë për herë të parë një mik të largët dhe më ndodhi një ngjajre që nuk e harroj dot. Ishte një ditë e veçantë për të gjithë ne të shtëpisë. Në apartamentin tonë, do të drekonin katër të huaj. Tre profesorë (S. F., A. V. e S. M.) ishin nga pjesa jonë që kishte mbetur jashtë kufijve padrejtësisht dhe ne akoma vijonim t’i quanim “të huaj” në atdheun e tyre. Kurse i katërti (Dr. R. E.) ishe albanolog kanadez që jetonte në Gjermani. Ky kishte mësuar dhe fliste shqip më mirë se ne.
Im shoq, si zakonisht kur takonte miq të rrallë, më telefonoi dy orë pasi ish larguar për në punë. Nuk ishte hera e parë që e bënte këtë, por kësaj radhe miqtë ishin të një rëndësie të veçantë, kështu që u mërzita ca dhe i thashë:
-Po tani më lajmëron, kur do t’i bëj gjith’ ato që duhen? Ai ma preu shkurt: Sajo me ato që ke në frigorifer, dhe e mbylli telefonin. Regjimi kish ndryshuar dhe nuk ishim si në kohën e tallonave, por prap rrogat ishin rrogëza në krahasim me çmimet që rriteshin me shpejtësi, ndaj rronim me kursim të madh.
Më duhej të vrisja veten, kisha vetëm tri-katër orë në dispozicion. E para të tundja e të shkundja atë apartament me një dhomë e kuzhinë, e dyta të fshija e të laja deri në fund shkallët, ku do të vinin këmbët miqtë dhe e treta, të pastroja oborrin para shtëpisë, se komshinjtë tani në demokraci kishin krijuar një rregull të ri: hidhnin plehrat, kocka mishi, letra, qese, lëkurë frutash etj. Ne të katit të dytë dhe atyre të katit të parë na binte radha më shumë për të pastruar, sepse ata të kateve të sipërm kishin hequr dorë nga pastrimet. Kish ardhur kohë tjetër, nuk dilnin më si më parë për punë vullnetare. Sidomos ish-komunistët, më parë na detyronin të delnim për pastrim vullnetar, tani nuk kurseheshin të hidhnin plehrat në oborrin e përbashkët. Deshin të thoshin: Deshët demokraci, na gëzojeni me gjithë plehra!
Fëmijët kishin shkuar në shkollë, ime vjehërr shfletonte një libër me ilustrime nga jeta e Krishtit, që na kishte ardhur ato ditë. Të paktën kjo ri urtë dhe nuk më bezdis – thashë dhe ia fillova betejës.
I zbrita e i ngjita shkallët pa numërim, kushedi sa herë, krojta dhe pastrova shkallët dhe shtëpinë qoshe më qoshe, pastaj vura dushin me vajguri, bëra banjë dhe iu futa gatimit. Kur gatuaj dua te jem e larë nga flokët deri te thonjtë e këmbëve. Shtrova tavolinën me gjithë takëmet. Ime vjehërr herëpashere ngrinte kokën. Për të më dhënë kurajë, duke më parë drejt në sy, më tha nja dy herë:
-Lum ti që mban derën hapur, sidomos për të huajt, se dhe fjala e Zotit thotë, ata që presin të huaj janë të bekuar. Zoti ta bën mbarë me të gjitha.
Ndoshta ajo donte që të rija me të për t’u çlodhur e të më tregonte diçka nga ato figurat, por ora fluturonte dhe miqtë më dukej sikur ishin prapa derës. I dhashë një banane, nga ato që i ruanim vetëm për të dhe dy fëmijët tanë të vegjël. Plaku është si fëmija… E lashë në kënaqesinë e asaj frute të ëmbël e të butë që e kafshonte me lezet.
Në atë kohë, kur të vinte njeri për drekë, gratë shqiptare trembeshin, sepse ishte ende kohë skamjeje. Amvisat donin të nderoheshin kur prisnin miq, por në ato kushte, ato e dinin ç’hiqnin.
Si të mësuar që ishim me varfërinë, i prisnim miqtë, si thoshte fjala popullore, me bukë e kripë e zemër, duke shtrënguar barkun për mikun. Mbanim për miqtë dhe jatakun me jorgan çarçafë, jastëkë, peshqirë për ta, që ta kishim syrin hapur në çdo kohë. Kështu na kishin mësuar, kështu i bënim ballë çdo të papriture që mund të na vinte.
Kur ra zilja e derës, dola të uroja mirëseardhjen. I pari u shfaq im shoq me një shikim disi pyetës, por kur i ra era e gjellës dhe lakrorit, qeshi. Pas tij hynë miqtë, të cilët m’i prezantoi. Kanadezi ishte i fundit, i qeshur. Hynë në kuzhinën tonë, që e kishim përshtatur në dhomë ngrënie gjatë ditës dhe dhomë gjumi gjatë natës për dy vogëlushët dhe gjyshen e tyre, e cila flinte në aneksin e vogël. Kurse kuzhinë gatimi kishim bërë ballkonin që e kishim mbyllur me xhama. Pa e zgjatur, im shoq pasi ua prezantoi miqve nënën dhe fëmijët, i ftoi këta të uleshin rreth tryezës së shtruar me mbulesën e bardhë e takëmet e servirjes. U hodha supën, pas saj gjellën dhe lakrorin. Miku i largët tha:
-Të gjitha që kishit në shtëpi i paska nxjerrë në tavolinë Zonja e shtëpisë. Mua m’u bë qejfi që atij i ra në sy kjo gjë dhe fillova të sillesha si fugë sa në ballkon, sa para miqve, për t’i kënaqur sa më mirë, mbasi ishin miq që vinin për herë të parë.
Bisedën e mbante im shoq dhe Prof. A. V. nganjëhere ndërhynte dhe ime vjehrrë. Në një moment unë, thashë shpejt e shpejt:
-Gjërat sikur u bënë vetë sot. Miqtë e kanë këmbën e mbarë.
Të gjithë e përcollën thënien time me të qeshura të gëzuara. Sipas zakonit u ngritën gotat dhe u bënë urimet e rastit. U ngrit dhe një dolli për Gjuhën e Përbashkët Letrare Shqipe. Për të mbrojtur këtë pasuri kombëtare kishin ardhur profesorët nga Kosova, sepse disa intelektualë po kërkonin zëvendësimin e saj me një gjuhë të re të përbashkët letrare me bazë gegërishten…
Ime vjehërr herë pas here u afronte sepetkën me bukë duke thënë:
-Merrni bukë, buka forcon zemrën.
Unë i bëja me shenjë duke i treguar pjatancën me byrek me spinaq, po ajo s’donte të dinte për këtë. Buka është bukë, floriri i fushës, më kishte thënë shpesh herë me këmbëngulje, po kësaj radhe nuk e tha me zë.
R. E. ishte në fund të tavolinës, dëgjonte dhe aprovonte ato që thuheshin me një buzëqeshje karakteristike të një njeriu të kulturuar.
Me ç’pashë dreka u shijoi këtë e tregonin pjatat e boshatisura. Fillova t’i mbledh me kujdes, për t’i hapur vend ëmbëlsirës dhe frutave.
M’u shqyen sytë kur në anë të pjatës së R. E. pashë një qime të shkurtër, që më dha një dridhje në tërë trupin. Sa nuk me ra pika, si i thonë fjalës. M’u prenë krahët, m’u prenë këmbët, m’u kyç goja. Të gjitha që kisha bërë, u zhvlerësuan para meje. E ndjeva që u skuqa, isha gati të këputesha e të bija në këmbët e miqve. “Hapu dhè të futem!”, thashë me vehte. Po djersija nga sikleti, e mora me të shpejt atë pjatë, e bashkova me të tjerat dhe hyra në ballkon, sikur të gjeja shpëtim, të merrja pak frymë…
Miqtë filluan të shijonin ëmbëlsirën, frutat. Qeshnin, tregonin historira, kurse unë s’isha më midis tyre. Më kishin bombarduar njëqind pyetje që më godisnin si çekan në kokë. Si? Pse? Ku u gjet në pjatën e tij? E ka parë? S’e ka parë? E ka hequr mënjanë pa e bërë vehten, që të mos më vinte në pozitë, apo të më tregojë, ja e gjeta, ta kam lënë ta shikosh edhe ti atë që e pashë unë. Ishte nga koka ime, s’ishte nga koka ime, ndoshta ishte nga koka e tij. Ai ishe pak tullac qimja ishte e shkurtër, unë i kisha flokët e gjatë. Qindra pyetje torturuese.
Kur mbaruan, të kënaqur më falenderuan shumë herë, uruan me gjithë zemër krejt familjen tonë për mikpritjen. Kur u ngritën për të dalë, më dhamë dorën me ngrohtësi dhe më falenderuan personalisht me respekt të dallueshëm qartë.
Unë nuk isha ndërmend dhe nuk reagova, hetoja fytyrat e tyre, nëse e kishin parë qimen e shkurtër apo jo. Asnjëri nuk dha ndonjë shenjë. Pas largimit të miqve e bashkëshortit mbeta me time vjehrrë. Im shoq do t’i shoqëronte gjithë mbasditen. Kështu gjeta kohë të plasesha në divan, enët i lashë t’i laja më vonë, kur të vinte uji. Ime vjehrrë m’u afrua:
-U lodhe moj nuse, po ama u nderove, ata lëpinë gishtat.
-Jo, – i thashë, – kam frikë se nuk u nderova.
Ajo shqeu sytë.
-Ç’thua, i ke mentë? – ma priti.
-Në pjatën e atij të huajit, gjeta nje qime… dhe lotët më ranë pa i kontrolluar.
-E ke nga lodhja moj bijë, ai e fshiu pjatën më shumë nga shokët! – ma preu ajo shpejt, – As që e ka parë, po edhe në e ka vënë re, bravo i qoftë që s’e bëri vehten, qenka njeri i lartë. Po nuk besoj se e ka parë, sepse po ta kishte parë do ta kishte hequr me lezet e nuk do të kishte lënë aty.
Qysh nga ajo drekë, në apartamentin tonë të vogël me një dhomë sa një furrik, e një kuzhinë, janë shtruar disa gostira për mysafirë nga brenda e jashtë vendit. Por, sa here mblidhja pjatat e boshatisura, ajo qime më dilte para syve e me pyeste: imja, jotja?
Edhe sot, pas 25 vjetësh, nuk e kam të qartë e më mundon nëse qimja, ishte e imja apo e mikut?
Sa shumë do doja të kem një përgjigje, po miku ynë u largua nga jeta dy muaj më parë…
.
Nëntor 2017
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.