
Një doktoresh e re – Xhanfise M. Frashëri
Mbrojti Doktoraturën në vitin 1936
Përparimet e femrës shqiptare
Seksi i bukur, edhe në vendin tonë po përpiqet të ngrihet nalt e më nalt, dhe të zaptojë pozitat më të dukshme në shkallën e kulturës dhe të aktiviteteve të njeriut, dhe duhet ta pohojmë me krenari se femra shqiptare edhe ndër ne ka mundur të zaptojë me plot merita disa nga ato pozita.
Në arsim, në administratë, në gazetari, në letrat, në shkencat, në tregti, kudo, gruaja shqiptare ka eksponentët e saj.
Tashti së fundi, femra shqiptare i dha trupit mjekësor dhe një shërbëtore të re të Askipiojit. Zonjushën doktoreshë, Xhafise M. Frashëri të “The Woman’s Medical College of Pennsylvania” të Filadelfisë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zonjusha doktoreshë Frashëri, pasi mbaroi shkollën e Dako-s, ku vazhdoi që më 1923 deri në 1928, me ndërmjetësinë e Miss Sims, e cila në zonjushën Frashëri konstatoi një vlerë, u dërgua si bursiste në Amerikë, ku u regjistrua në Wesley College, afër Bostonit. Më 1932, ajo mbaroi studimet e saj të kolegjit dhe u inskriptua në Universitetin që përmendëm më nalt, prej nga mori dhe doktoraturën në Mjekësi, në vitin 1936.
Ishte nga të parat edhe midis 35 graduatëve doli nw një nga katër të parët, të cilët kishin të drejtë të vazhdonin edhe një vit kurs, si stazherë në spitalin e shkollës. Spitali i shkollës është një nga më të famshmit e Amerikës dhe çertifikata e tij, në disa shtete të Amerikës, ka po atë vlerë sa edhe diploma e universitetit.
Këtë çertifikatë e ka fituar me sukses zonjusha Frashëri.
Në studimet dhe në përgatitjen shkencore përgjithësisht është shquar dhe ka tërhequr admirimin e profesoreshave të saj, një nga të cilat në shenjë nderimi i dhuroi edhe tibenin akademik të doktorit, me të cilin është veshur zonjusha Frashëri në fotografinë që botojmë më sipër.
Marrë nga Muri i FB, Ferdinand Nikajt, 21 prill 2026