back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Një biografi e re dhe origjinale kushtuar Shën Palit nga Prof. Dr. Klara Kodra

Gazeta

Prof. Klara Kodra
Prof. Klara Kodra

Një biografi e re dhe origjinale kushtuar Shën Palit

nga Prof. Dr. Klara Kodra

(Vlerësime për veprën “Shën Pali Punoi dhe në Brigjet e Adriatikut” të Thanas L. Gjikës)

Studiuesi i letërsisë dhe i publicistikës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika, i cili që nga viti 1996 jeton në ShBA, para tetë vjetësh i befasoi lexuesit me studimin monografik “Kur dhe ku u shkrua Dhjata  e Re?” Medaur, Tiranë 2007, 505 fq., ku u shquan shumë hipoteza të guximshme për jetën e autorëve të Dhiatës së Re, pastaj me përmbledhjen “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit”, DDS Durrës 2011, 305 fq. dhe me monografinë integrale “Mihal Grameno – Jeta dhe Vepra”, DDS Durrës, 2012, 503 fq.

Thanas L. Gjika - Shen Pali punoi dhe ne brigjet e Adriatikut
Thanas L. Gjika – Shen Pali punoi dhe ne brigjet e Adriatikut

Tani me veprën “Shën Pali punoi dhe në Brigjet e Adriatikut”, Omsca-1 Tiranë 2014, 503 fq, ky studiues hedh hapa të rinj përpara lidhur me sqarimin e jetës dhe veprës së Shën Palit (Pavlit), këtij përhapësi të madh të krishtërimit, për të cilin kishte dhënë shumë shpjegime dhe hipoteza të reja në studimin e vitit 2007.
Mund të themi që në fillim se kjo biografi shkencore me të dhëna të shumta të nxjerra nga letrat e Shën Palit, nga libri Veprat e Apostujve të Shën Lukës, të disa historianëve, si italiani D. Farlati, francezi M. Lequin, amerikani E. Jacques, shqiptarët M. Barleti e K. Frashëri, dhe nga të dhëna gjeografike, etnografike, gjuhësore, letrare, etj. e pasuroi jetën dhe veprimtarinë misionare të Shën Palit duke krijuar tashmë tezën e tij për predikimet e këtij apostulli në trojet ilire, punë të cilën e pranonin shumë studiues para studiuesit Gjika, por që e shprehnin vetëm me pak fjalë e me disa harta jo bindëse, pa arritur ta provonin shkencërisht.
Për të arritur tek rezultatet e tij, ky studiues është mbështetur mbi një metodë të re, e cila shquhet për plotësi, mbi metodën kombinatore që ndërthur elementët e disa disiplinave. Dihet se këto dy shekujt e fundit, të gjitha shkencat, pasi arritën një shkallë të lartë specializimi, iu drejtuan një bashkëpunimi të frytshëm midis tyre, duke u dhënë kështu jetë studimeve të vlefshme ndërdisiplinore. Zhvillimet e veçanta të filologjisë në dhjetëvjeçarët e fundit u kanë shërbyer si historisë së letërsisë dhe shkencave historike.
Vepra e Thanas Gjikës “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”, është pikërisht një punim ndërdisiplinor. Para së gjithash ajo është një biografi e re për jetën dhe veprën e apostullit Pal, që u shtohet me sukses biografive të panumërta që i kushtohen atij, por që duke u bazuar në një interpretim të ri arrin të thotë fjalën e vet të re, për të cilën profesori amerikan R. Dean Davis, shef katedre i Teologjisë në AUC të SHBA, thotë se duhet lexuar prej gjithë studentëve seriozë të Biblës. Njëkohësisht duhet të shtojmë, si ka vërejtur dhe akademiku shqiptar Jorgo Bulo në parathënien e kësaj vepre, se kjo biografi e re për Shën Palin përmban dhe biografitë paralele të shoqëruesve të këtij apostulli.
Vepra në fjalë është një studim që i përket historisë së përhapjes së krishtërimit, por edhe historisë së mirëfilltë si disiplinë më vete. Ajo pret të botohet në gjuhë të huaja në mënyrë që specialistët e fushës të verifikojnë dhe të përvehtësojnë këto arritje për të realizuar një botim i ri të Dhiatës së Re, si dhe të krejt Biblës shoqëruar me shënime dhe harta të reja lidhur me udhëtiimin e tretë dhe të katër të Shën Palit, ku të tregohet vajtja e këtij apostulli nëpër trojet ilire, si e ka përvijuar Gjika në hartat e veta botuar në studim.
Kjo vepër mbështetet fuqishëm në analizat filologjike, gjuhësore, stilistike dhe logjike të letrave paliane për të zbuluar tipologjinë e tyre. Jo vetëm kaq, por në dritën e përfundimeve të arritura synohet të përcaktohet forma fillestare, si dhe koha dhe vendi i hartimit të letrave të Palit. Në punim shfrytëzohen me sukses të dhëna nga folklori, etnografia, gjeografia e Shqipërisë si dhe parimet e logjikës formale dhe arrihet të hidhet dritë mbi të vërtetën historike, duke provuar se disa kontradikta logjike që vihen re në disa letra të Shën Palit, janë në fakt kontradikta jo reale, mbasi ato janë krijuar nga humbja e disa pjesëve të tekstit origjinal të letrave dhe bashkimit mekanik të pjesëve të ruajtura.
Studiuesi ka shfrytëzuar një literaturë të gjerë në shumë gjuhë, sidomos në anglisht dhe shquhet për karakterin polemik. Ai debaton me guxim me shumë studiues të mëparshëm, parashtron mendimet dhe zgjidhjet e veta, shumica e të cilave pranohen pa hezitim. Sipas studiuesit Gjika, apostulli Pal gjatë udhëtimit të tretë misionar, pikërisht në vitin 56 e.r. pati kaluar prej Thesalonikut në zonat malore të Tiranës, në Mirditë, në Zadrimën e Sipërme, në qytetet Lissus (Lezhë), Dyrrah (Durrës), Buthrotum (Butrint), Nikopolis (Nikopol, sot gërmadha pranë Prevezës në Greqi) e pastaj kaloi në Korint, ku punoi gjatë tre muajve të dimrit 56-57 e.r. Në Dyrrah në qershor-korrik 56, Pali krijoi kishën (bashkësinë) e parë me të krishterë, ku la si mëkëmbës nxënësit e tij Apollon, Cezarin dhe Sosthenin. Aty ai hartoi letrën e tij kryesore drejtuar të krishterëve të panjohur të Romës, Letrën Romakëve (kap. 1-15), kurse kap. 16 i letrës Romakëve është pjesë e një letre të dytë drejtuar si letër rekomandimi të krishterëve të njohur të Romës, të cilën Pali e shkroi në mars 57 e.r. gjatë ndalesës në Kenkrea të Korintit para largimit për në Jeruzalem.

Shen Pali dhe Shen Pjetri
Shen Pali dhe Shen Pjetri

Gjatë burgimit të parë në Romë në vitet 60-62 e.r., sipas Gjikës, apostulli krijoi lidhje me kishën e Dyrrahut, të Thesalonikut, Filipisë e Trojës. Kurse udhëtimin e katër misionar Shën Pali e kreu nga marsi i vitit 62 deri në qershor të vitit 63 e.r. Gjatë këtij udhëtimi ai kaloi nga Roma në Brindasium (Brindis), në Dyrrah, Nikopol, Kretë, Cezarea të Judesë, në Milet të Azisë së Vogël, në Nikopol ku dimëroi dhe pasi bëri një vizitë të shkurtër në Korint u kthye sërisht në Nikopol e prej aty kaloi në Dyrrah e më tej u hodh në Brindassium e prej aty shkoi në Romë, ku e arrestuan për të dytën herë. Gjatë ndalesës në Dyrrah në pranverë të vitit 62, Shën Pali, sipas Gjikës shkroi një letër kurajuese për kishën e Jeruzalemit, një pjesë e së cilës ruhet në dy kapitujt e fundit të letrës kanonike Hebrenjve. Kurse mbasi dimëroi në Nikopol të Epirit, gjatë marsit 63 e.r., Shën Pali shkroi letrën e fundit për kishën e Korintit, një letër kritike për ata që e kishin akuzuar se ai ecte sipas mishit e jo sipas shpirtit. Prej kësaj letre ruhen vetëm tre kapituj, të cilat janë bashkuar si pjesë e fundit e letrës kanonike 2 Korintasve.
Nuk ka dyshim se pasioni i patriotit nuk ia ka errësuar studiuesit objektivitetin e shkencëtarit. Ai argumenton me kujdes hap pas hapi hipotezat e veta, të cilat, sipas të gjitha gjasave, janë me të vërtet zbulime.
Bindës është argumentimi i përpjekjes së apostullit Pal për të shkuar në Jeruzalem mbas daljes nga burgimi i parë i Romës, sepse atje ishte vrarë Shën Jakobi, drejtuesi i kishës mëmë. Kështu rrëzohen hamëndësimet pa baza të vajtjes së Palit në Spanjë mbas daljes nga burgimi i parë i Romës, si dhe harta e sajuar për udhëtimin e tij të katër misionar.
Mbas analizash të kujdesëshme të trashëgimisë së shkruar paliane, studiuesi argumenton se të gjitha letrat kanonike të Dhiatës së Re që janë quajtur prej etërve të kishës së krishtere si letra të apostullit Pal, janë vërtet të hartuara prej tij. Ai hedh poshtë hamëndësimet e studiuesve se disa letra si 1, 2, Timoteut, Hebrenjve e ndonjë tjetër nuk janë letra të hartuara prej vetë Palit, por prej nxënësve të tij.
Me interes është dhe ideja se disa letra të shkruara prej Shën Palit kanë ndikuar Shën Pjetrin, Shën Jakobin e Shën Judën që të hartonin dhe ata letrat e tyre. Kjo ide argumentohet me të dhëna nga analiza krahasimtare e ideve dhe e mësimeve që trajtojnë këto letra, ku ndjehet përsëritja e ideve të Shën Palit te letrat e këtyre kolegëve të tij.
Tërheqëse është dhe polemika e studiuesit me studiues pararendës lidhur me martirizimin e Shën Palit e të Shën Pjetrit.
Sipas Gjikës kisha e hershme e krishtere kishte të drejtë kur e quajti 29 qershorin e vitit 64 e.r. si ditë të martirizimit të këtyre dy shenjtorëve, kurse studiuesit e mëvonshëm e ndanë pa të drejtë martirizimin e tyre në dy data të ndryshme, madje në vite të ndryshme. Risi tjetër është dhe përcaktimi i Shën Lukës, autorit të Ungjillit të tretë dhe i librit Veprat e Apostujve, si një nga të shtatëdhjetë nxënësit e parë të Jezu Krishtit, i cili përmendet në shkrimet e shenjta herë me emrin Luka e herë me emërin Luci nga Kirena, ose thjesht Luci. Shën Luka, sipas Gjikës ka qenë bir i një familjeje të përzierë greko-hebraike, gjë që shpiegon njohuritë e thella të tij në kulturën hebraike dhe atë greke, si dhe zotërimin perfekt të dy gjuhëve përkatëse.
Vlen të theksojmë se kjo biografi shquhet për stilin e rrjedhshëm e të qartë, për saktësinë shkencore dhe kuptueshmëri jo vetëm prej një elite shkencëtarësh, por edhe prej lexuesve të shumtë.
Si përfundim the për gjallërinë e debateve, etj. është një vepër që hedh dritë të re në disa aspekte të rëndësishme të jetës e veprimtarisë së apostullit më të talentuar të krishtërimit e të shoqëruesve të tij, të lëna deri sot në errësirë. Aty spikat përdorimi i disa çelsave për të depërtuar në probleme të mbetura enigmë deri sot dhe nxit për studime të mëtejshme. Me këtë vepër themi se vepra e re e Gjikës dallohet për guximin në parashtrimin e ideve, hipotezave e tezave të veta me forcë logjike e argumentim bindës, për gërshetimin e goditur të arritjeve nga disiplina të ndryshme, për përzgjedhjen e metodës së përshtatëshme të studimit, nga Gjika renditet në plan botëror midis biografëve më të spikatur të apostullit Pal, themeluesit të literaturës së krishterë.
Kjo vepër me vlera të shumta, për rëndësinë e problemeve që trajton, si dhe për përmasat e figurës së Shën Palit që ka zgjedhur për objekt, nuk duhet të mbetet e mbyllur në caqet e studimeve shqiptare. Ajo lypset të përkthehet në gjuhë të huaja sa më parë për zbulimet që sjell. Vetëm duke u botuar në gjuhë të huaja kjo vepër do të ndikojë në ecurinë e studimeve paliane dhe do të bëjë të mundur korrigjimin e shumë shënimeve në Bibël si dhe të hartave të udhëtimit të tretë e të katër misionar të apostullit Pal duke treguar kalimin e tij në trojet ilire, sot shqiptare.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.