
Nisi…
nga Adriatik Riza Dosti
Ajo që prej kohësh përflitej, duket se tashmë ka nisur realisht të bëhet realitet. Rama dhe banda e tij kriminale në pushtet, prej kohësh të padëshiruar nga amerikanët, tashmë duket se janë shndërruar në prioritet të politikës së tyre. Ka mjaftuar kjo javë, me bërjen publike të platformës “Reforma të thelluara në Ballkanin Perëndimor”, ku Shqipëria qëndron në krye të listës, për t’u kuptuar qartë se sa seriozisht e kanë këtë herë me Shqipërinë dhe me Ramën këta të administratës Trump.
Veprimet dhe qëndrimet e fundit të zyrtarëve të lartë amerikanë që vizituan Tiranën, deklaratat e të ngarkuarës me punë të Ambasadës së SHBA në Shqipëri, prononcimet publike të disa kongresmenëve amerikanë, shkrimet e mediave amerikane lidhur me pushtetin kriminal të Ramës, intervista e kreut të FBI-së për mbylljen e afërt të dosjes McGonigal, mungesa e amerikanëve në drekat, darkat dhe tryezat festive të Ramës, si dhe afrimi pranë SPAK-ut i disa amerikanëve jo fort të zakonshëm – janë sinjale të forta dhe të qarta se SHBA-të kanë vendosur ta largojnë nga pushteti kryeministrin arrogant dhe të rrezikshëm të një vendi anëtar të NATO-s, partner dhe aleat strategjik të tyre, siç është Shqipëria: Edi Ramën.
Duke nisur nga janari 2026 e deri në mars, në kuadër të reformës së thellë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbrojtje të interesave të tyre kombëtare, si dhe të moscenimit të sigurisë kombëtare të SHBA-ve, pritet që prezenca e specializuar amerikane në Tiranë të shtohet ndjeshëm.
Amerikanët pritet të mbikëqyrin tashmë:
AKSH-në, biznesin e ndërtimit, kontrabandën dhe aktivitetin e karteleve shqiptare të drogës – të shpallura nga Trump grupe terroriste – Policinë e Shtetit, sistemin e drejtësisë, sektorin ekonomik dhe financiar, investimet në bujqësi, verifikimin e pasurive personale të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe qeveritarë, infrastrukturën, fushën e mbrojtjes, energjetikën, reformat në administratën shqiptare, si dhe luftën kundër korrupsionit, veçanërisht aty ku dominojnë zyrtarë të lartë të shtetit dhe qeverisë.
Këtu nuk bëhet fjalë për cenim të sovranitetit të Shqipërisë, as për invazion amerikan, as për imponim apo ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi të lirë, sovran e të pavarur, e aq më pak për shndërrimin e Shqipërisë në një “shtet të 51-të” amerikan.
Bëhet fjalë për një dorë të fortë për të sjellë në binarë një shtet, një qeveri dhe një udhëheqës që kanë dalë totalisht jashtë kontrollit, duke cenuar drejtpërdrejt edhe sigurinë kombëtare të SHBA-ve.
Nuk është aspak çudi që, pas Ballukut – e cila tashmë duket se e ka prerë biletën vetëm “one way” – shumë shpejt të dalin në skenë edhe emra të tjerë që prej vitesh kanë bashkëqeverisur dhe bashkëvjedhur me Ramën.
Po aq pak e çuditshme është që, nga janari 2026 e për 90 ditë me radhë, vetë Rama të ngryset e të gdhihet në bunkerin e tij në Surrel, me makthin e frikshëm të një rrembimi nga marinsat amerikanë, brenda shtëpisë së vet.
Siç thonë vetë amerikanët: Enough is enough – mjaft është mjaft.
Për tre muajt e parë të vitit 2026, zhvillimet politike në Tiranë pritet t’u ngjajnë tërmeteve tipike amerikane, njëri më i fortë se tjetri.
Paç fat, Shqipëri,
dhe e marrtë viti 2026 për mirë.
Marrë nga Muri i FB A.R.D, 28 dhjetor 2025