
Ngado shkojmë, nën këmbë kemi dhèun e vendlindjes!
nga Emrije Krosi
Vendlindja ime, është një fshat i vogël, në rrëzë të malit të Belit, nga ka marrë dhe emrin Bel (një lloj lopate e vogël që punon tokën). Një fshat që nuk ka ndryshur shumë. Është braktisur, sepse akoma nuk ka as rrugë, as ujë. Pak shtëpi janë rrënuar, të tjerat janë marrë nga të afërmit, sepse fshati ka qenë i varfër, gjithëherët, si në kohën e monizmit dhe sot.
Fshati im i vogël i veshur me gjelbrim. Me lisa e shkoza. Një fshat, ku gjithë bota ime e fëmijërisë, ishte vetëm aty, në atë copë qiell me yje e hënë, ku mbulon si çarçaf nata ëndrrat e mia vajzërore, për t’u bërë mësuese (me tre diploma), por kurrë shkrimtare apo kritike. Tutje, në kufijtë e përtejmaleve deri te maja e Dejës, fshatra të vogla rrëzë malesh, të strukura si murgjër të vegjël. Aty ishte bota ime. Më dukej, se nuk kishte botë më përtej. Yjet, dielli, hëna apo mali dhe shkrepat, kur ngjitesha shkëmbinjëve të butë dhe të egër, si bareshë me dhi e dele (ata hanin kripë tek rrasa me gropa) ku është akoma dhe sot aty, tek gjurmës e rrugës së vjetër të kooperativës, Qafa e Shullanit, Rrasa e Madhe, stallat, magazinat, furra e bukës, zyrat e këshillit, kopshti dhe çerdhja apo arrat tek stallat, ku bëheshin mbledhjet e frontit dhe kryesia e kooperativës.

Fshati im quhet Bel.
Kurrë nuk është pushtuar, as ka përjetuar ndonjë ngjarje të veçantë, veçse lindje e vdekje të zakonshme dhe jeta ka rrjedhur e qetë, me pak tokë me shtëpi e kulla, dhe me tufa bagëtish me dele e dhi. Fshati ka dy lagje të mëdha. Krosajt dhe Kacelët. Krosat e poshtëm dhe të epërm. Përroj i Rracës, na ndan me Kacelët. Ata ndahen me Kacelët e poshtëm, apo Qafa e Shullanit, me simbolikë Rrapi i Shullanit. Janë dhe Gunallarët, Alstafajt por dhe Zalli me Karajet. Fshati dikur ka qenë mbi xhaminë. Që ishte dikur shkollë (kam qenë në klasën e katërt aty). Ajo u shemb krejt. Ka vetëm rrënojat dhe bota e heshtur e varrezave. Rrapi shekullor, tashmë me një zgavër ku fshiheshim kur luanin fëmijët, akoma ka mbetur si rrapi i Xhamisë. Por, të parit e mi janë të ardhur nga Mali i Zi, në mesjetë. Unë di vetëm historinë e deri në brezin e katër paraardhës, që themeluan këtë fshat. Familja ime fisnike, kishte vulën e sulltanit të Stambollit për të drejtën e dingjeve të barutit, diku në Dars, që punohej nga Reçët, (por kurrë nuk u përmend Krosi i Madh si administrator i drejpëdrejtë, duke devijuar historinë), por kjo do jetë shkrim në vete. Rruga për tek Kroi i ri (deri në Shumri ku ishin arat “dylymshat” që na kishte dhënë kooperativa dhe ca kopshte të vogla) mbushnim ujë tek kroi i Hurlopës ose Kroi i Belit, që është aty akoma. Quhej i tillë, sepse pini ujë bagëtia dhe lopët e fshatit. Akoma s’ka ujë të pijshëm Beli. Kroi i tij vazhdon t’u japë ujë udhëtarëve.

Jeta rridhte e qetë. Për mua, një rebele e pandreqshme, si vajzë fshati, që shkoja me bagëti (çobaneshë me torbën e zezë plot me libra) që lexoja dhe recitoja gur më gur e shkrep më shkrep, në Luxhe, në Kalamen, në Rrasën e Madhe, në Faqen e Vogël dhe të Madhe (në Rranxë sipër manit të zi të Gani Kacelit) apo deri në majën e malit ku shihej Xibri apo gjithë lugina e Matit, qyteti i vogël i Klosit, pllaja e Burrelit dhe gjithë hapsira si në pëllëmbë të dorës, kur gurët më rrokulliseshin dhe unë kërceja si ketri, duke vrarë gjunjë e gërvishtur nga gurët me thepa dhe të ashpër. Dashuria ime për librat, për praplliqet e vajzërisë, duke rendur të kapja lepuj, gjinkalla, breshka, zhapika, gjarpërinjtë, xhabave u çaja barkun (kur më çonin t’i jepja ujë kalit, i hipja pa shalë kundër urdhit të babait), por si fëmijë naiv mendoja se nuk më shihte kush, i hipja kalit, që ishte djeritur dhe babi më “dënonte”. Unë prap të nesërmen i hipja kalit dhe sa herë më ka hedhur, por kisha frikë të tregoja… por, as prapësitë e mia që nuk kishin të numëruar, që më dukej se vetëm fshati im ekzistonte dhe vetëm një diell kishte, aty ku kishte vetëm rrugë për kafshë dhe në këmbë e plot me baltë, u shkollova në Qafë Kalameni, në Unjate, dhe kur dilja në pazarin e Urës së Telit (pazari i Klosit) ruaja cjapin me gjyshin, shihja plot njerëz që shisni mallra të ndryshëm me veshje të zonës dhe gra me brekushe (çitjane dhe shamija/ napa ose namasbeze të zhdukura tani), ku herë-herë më blinte gjyshi simite ose gurabije apo dhe akullore, kuptoja se përtej fshatit tim ishte dhe bota tjetër e panjohur për mua, derisa u largova për në Tiranën e kohës, në kryeqendrën e gjithë shqiptarisë.
Pazari i Klosit ishte i famshëm.
Madje dhe matanë Shqipërisë. Unë njihja vetëm Darsin përkarshi, (lagjet me emrat e fiseve), me urën prej druri dhe mullinjtë e ujit, ose Mullini i Bebes, apo Ura e Gurit një urë e vjetër në formë harku, Ura e Halilit, Fullqetin ose Stambolli i Vogël. Në këmbë të tij, lumi Mat vërshon drejt Adriatikut. Njëra degë Sheu i Darsit vjen nga Malësia e Xibrit, kurse dega tjetër vjen nga Martaneshi, që bashkohet pikërisht tek Ura e Pazarit. Kështu bota ime e vogël e fshatit, me mullarë bari, me misra, me lëmenj gruri, me aromë plehu, me bahçe lulekumbullash pranverore, rrugë gjithë baltë, me gjethe me thupra, me bukë misri nga furra, që i gëzoheshim bukës së gruri (që e hanim gjysmën rrugës me kushërinjtë kur shkonim në shtëpi) dhe pse nuk e kuptonin se çfarë ishte regjimi/ diktatura/ varfëria/ rendi socialist, dhe pse nuk kishim radio, TV, frigorifer apo komoditet, ishim të lumtur në atë mjedis fshati, me netët verore plot xixëllonja, duke lozur symbyllasi tek Oborri i Ijes, duke lexuar libra apo mbushur enët ne ujë në krua me bidona me kalë. Ujë, kishte vetëm për vaditje nga vija që shkonte në Zall, tutje Lagja e Ftoit, në kufi me Gurtërën e Madhe. Vija me ujë (për tokat nënujnat), që vinte nga Xhabza, (tana e vijës ndante ujërat e Darsit/ Fullqetit/ Belit/ Zallit është akoma dhe sot), një vend mahnitës… por pa rrugë.
Verës laheshim në vijë, me gjithë rroba, se lumin e kishim larg (djemtë shkonin). Pra, fshati im i vogël dhe pas demokracisë mbeti i tillë. I vetëm mes malesh. Tashmë gjysëm i braktisur edhe nga njerëzit. Por kulla ime dhe kali janë akoma (por tani nuk i hip dot e as ngjitem më në mal). Por, bijtë e fshatit kanë emigruar nëpër botë. Ca janë shkolluar. As kryeqytet e vjetra apo të reja të Europës dhe botës, as udhëtimet e gjata me tramvaje, trame, trena ekspres, metro dhe avionë të mëdhenj supersonikë, në distancat e largëta oqeanike nëpër metropole dhe qytete me shkëlqime marramendëse, nuk ma shuan mallin apo të ma zëvendësojnë, fshatin tim të vogël, të varfër pa ujë e pa rrugë, por më i bukuri dhe më i dashuri në botë, Beli im.
Shënim: (në kujtim të gjithë belsave/ zallursave/ unjatejsave si “qytetarë bote” por bij të këtyre viseve).
©Copyright Emi Krosi.