back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 11 Nëntor, 2025

Nga udha e poezisë botërore – nga Rei F. Hodo

Gazeta

Kolana "55 Poezi" Bukowski, De Moraes, Prevert, Gibran, Ungaretti (Përkthyes Jozef Radi)
Kolana “55 Poezi” Bukowski, De Moraes, Prevert, Gibran, Ungaretti (Përkthyes Jozef Radi)

Në vitin 2022, nisa kolanën e përkthime poetike “55 Poezi”, e cila këtë vjeshtë mbrriti numrin e 5 personaliteteve të poetikës botërore, përfaqësuar prej kësaj kolane!
Sigurisht, mjaft dashuri, përkushtim dhe sakrificë po edhe një kënaqësi e pakufi kur i shoh të ardhur në shqip De Moraes, Bukowski, Prevert, Gibran dhe Ungaretti…
Poetët e radhës do të jenë: Montale, Baudelaire, Raboni.
Udhëtim të mbarë ndër lexues kolana “55 Poezi”
jozef radi, vjeshtë 2025

Vinicius de Moraes - 55 Poezi në shqip nga Jozef Radi
Vinicius de Moraes – 55 Poezi në shqip nga Jozef Radi

Nga udha e poezisë botërore
nga Rei F. Hodo

Qasjen intelektuale por edhe atë njohëse, pranuese apo akoma më tej përthitëse poezia e kërkon të përkorë, të qartë, të shëndetshme. Pa teka, pa teori të stërholluara por me ndjenjë, me shpirt artistik dhe me një botëkuptim bohemian. Si e tillë, poezia vendos një standard të ri si për letërsinë, si për lexuesin. Për këtë ndoshta në ndihmë na qaset Elioti, për të cilin botëkuptimi poetik lidhet me kujtesën kulturore dhe mënyrën se si poeti përfshin të kaluarën në përjetimin e të tashmes kur thotë se “poezia është shprehje e përvojës personale që bëhet universale përmes gjuhës dhe traditës.”
Prej disa kohësh tashmë, lexuesit (që gjithmonë e më shumë po mban rekorde minorance) po i ofrohet një kolanë prej poetëve të njohur, ardhur në një shqipe dialektore prej shkrimtarit, shqipëruesit (përkthyesit) e studiuesit Jozef Radi. “55 poezi prej…” emërtohet ky korpus i cili mban mbi supe emrat e poetëve si Bukowski, De Moraes, Prévert, Gibran, Prévert dhe së fundi hermetiku italian G. Ungaretti. Ndër të tjera, përpara se të realizojmë nga një sqarim për secilën përfaqësi të këtij korpusi poetik, gjej me vend të përmend qasjen e W. Benjamin lidhur me shqipërimin (përkthimin) e poezisë. Ndër diskutime me vetë përkthyesin kam vënë re qasjen e tij për t’i ofruar materialit me të cilin po punon, shpirtin dhe frymën e vet artistike. Ndërkaq, sipas W. Benjamin, “çdo përkthim është një mënyrë për t’i dhënë origjinalit një jetë të re.” Në këtë trajtë mendimi, shqipërimi (përkthimi) nuk duhet ta ndjekë në mënyrë të verbër tekstin, por duhet të arrijë të ruajë frymën dhe shpirtin e tij ndonëse në formë të re.
Në dorën e lexuesit kanë mbërritur së pari Charles Bukowski, mandej Vinicius De Moraes, mandej Jacques Prévert, Khalil Gibran e në fund e Giuseppe Ungaretti.
Charles Bukowski vijon të konsiderohet ndër poetët me peshë të shekullit XX-të dhe ndër përfaqësuesit më të zellshëm të asaj që mund të përmblidhet si brutalizmi real i shoqërisë amerikane. Në tërësinë e tij poetike nuk është e vështirë të shohësh apo ndiesh se si pasqyrohen fenomenet anti-romantike. Pra, një bashkëjetesë midis dashurisë, degradimit apo dhe vetmisë. Për këtë, poetesha dhe kritikja Linda King shprehet se “Bukowski nuk shkruan poezi për të bukurën, por për të vërtetën. Dhe ndonjëherë, e vërteta është e pistë.” Nëpërmjet atij vëllimi të sjellë në shqip prej J. Radit, del në dukje çlirimi që vetë autori i bën poezisë së tij, duke e përcjellë atë me një realizëm të rrënuar, por të sinqertë. Pra, e çliron poezinë nga elita drejt pijes, rrugës apo të përditshmes. Autori pasqyron botën moderne, të copëtuar e të dhimbshme. Në poezinë e tij mungon cilido maskim letrar. Ndër të tjera, Bukowski në tërësi shihet si një nga demokratizuesit e poezisë. Ai i veshi asaj zërin e jetës së rrugës, ndjesinë e humbjes, revoltën dhe humorin e hidhur. Për asnjë çast nuk harroi të ruajë dhembshurinë njerëzore.
Vinicius De Moraes është autori i dytë i kësaj kolane. I lindur në Brazil në vitin 1913, ai do të shndërrohej në një ndër poetët më në zë të shekullit të XX-të për kulturën braziliane. Lëvroi veç poezisë edhe tekstin e këngës, dramaturgjinë dhe shërbeu si diplomat. De Moraes gjerësisht nga kritika konsiderohet si poet i ndjeshmërisë moderne duke përbashkuar lirikën tradicionale me fjalën e zakonshme. Ndërthuri bukur poezinë e shkruar dhe atë të kënduar. Nga studiuesit, ai do të shihej si shembulli më i përkorë i bashkimit të artit elitar me shpirtin e popullit. Ferreira Gullar, bashkëkohës, poet dhe kritik do të shprehej se “De Moraes ishte ai që mësoi se poezia mund të ecë dorë për dore me këngën, pa e humbur dinjitetin.” Ndërkaq, një tjetër poet dhe bashkëkohës i tij, Carlos Drummond de Andrade do të shprehej se “Vinicius shkruante me shpirtin e një njeriu që dinte të dashuronte, jo me ambicien e një poeti që donte të admirohej.” Për poetin, poezia nuk shërbente vetëm si një formë arti por edhe si një mënyrë e të qenit. Kjo për sa kohë çdo moment, çdo ndjesi, çdo takim mund të përkthehej në varg. De Moraesi është parë si një poet që arrin të harmonizojë më së miri pasionin dhe arsyen. João Cabral de Melo Neto, poet dhe diplomat, mendon se “në poezinë e tij, ndjenja ka logjikën e saj dhe muzika ka arsyen e saj.”
Jacques Prévert vjen si poeti i tretë në radhë. Ai do të ishte përfaqësuesi më në zë i rrymës surrealiste në Francën e shekullit të XX-të. Gjuha e thjeshtë dhe fenomeni i shfaqjes së vetë poezisë e karakterizojnë atë. Sipas kritikës, nëpërmjet gjuhës së thjeshtë, Prévert arrin të shprehje thellësinë emocionale dhe intelektuale. Nëpërmjet poezisë, autori gjithashtu rreket të reflektojë dëshirën e protestës dhe nevojën për reflektim. Sipas një prej liderëve të rrymës surrealiste, André Breton shprehet se “poeti shprehet me zemër të hapur.” Emri tjetër i madh i poezisë frënge, Paul Eluard do ta vlerësonte gjithashtu bashkëkohësin e tij për përdorimin e paanshëm të imazheve dhe figurave poetike. Kritikët letrarë gjithashtu kanë vënë në dukje se poezia e Prevert është një kritikë për jetën qytetare dhe institucionet e shoqërisë moderne, por gjithashtu pasqyron një dëshirë për liri dhe utopi.
Khalil Gibran është poeti i katërt në radhë në kolanën e sipër-përmendur. Edhe pse “Profeti” konsiderohet si puna më e njohur e këtij shkrimtari të lindur në Libanin e Perandorisë Osmane, gjatë studimeve të tij në Bejrut apo Paris, do të formohej edhe si piktor dhe poet me frymë universale. Sipas kritikës së veprës së tij, Gibrani shihet si poeti i shpirtit njerëzor. Në veprën e tij gjen vend përpjekja për bashkimin midis Zotit dhe Njeriut. Studiuesi i veprës së tij Mikhai Naimy do të shprehej në veprën “Gibran: His life and his work” (1934) se “në çdo fjalë të Gibranit ndien një shpirt që kërkon përjetësinë. Poezia e tij është një urë mes njeriut dhe amëshimit.” Po ashtu, krijimtaria e tij është parë edhe si ajo e një mistiku modern, tek i cili dallon mundësia e bashkimit të filozofisë moderne perëndimore me atë lindore. Në veprën “This men from Lebanon”, biografja e tij, Barbara Young thotë se: “Gibrani nuk shkroi për fenë por për shpirtin përtej feve. Ai është profeti i dashurisë universale.” Një tipar dallues i veprës së këtij poeti është edhe forma. Jo rrallë herë kritikët dhe studiuesit e kanë cilësuar si poetin e prozës poetike, me një metrikë që arrin më pranë formës biblike se sa poezisë klasike. Vërehet se poezia e tij është në tërësi një lutje. Nuk përjetohet nëpërmjet rimës, por falë një muzikaliteti të veçantë që i jep asaj frymë. Po ashtu, vlen të përmendet se në një artikull me rastin e përvjetorit të lindjes The New York Times do ta konsideronte Gibranin si “…poeti më i lexuar i shekullit të XX-të, sepse flet me zërin e brendshëm që çdo njeri dëshiron të dëgjojë.”
Giuseppe Ungaretti edhe pse i lindur në Aleksandrinë e Egjiptit në vitin 1888, do të shndërrohej në një prej emblemave të poezisë dhe hermetizmit letrar italian. Mes një mjedisi me ndikime arabe, franceze dhe italiane, transferimi në Paris do ta njihte me rrymat e kohës si simbolizmi apo futurizmi. Do të ishte pjesëmarrës në Luftën e Parë Botërore ç’ka do ta shënjonte shumë poezinë e tij. Mario Luzi do të shprehej se “në hendekun e luftës, Ungaretti gjeti heshtjen e Zotit dhe e ktheu në fjalë.” Ai ringjall shpirtin përmes poezisë duke e shndërruar poezinë e tij në një dëshmi të luftës dhe vetë nevojës për shpëtim. Sikurse u përmend edhe më lart, Ungaretti konsiderohet si themeluesi i poezisë moderne italiane. Debenedetti, një prej kritikëve më të njohur të letërsisë do të shkruante se “Ungaretti e zhveshi poezinë nga çdo zbukurim dhe e ktheu në një akt të pastër të shpirtit. Ai e bëri fjalën të ndiejë peshën e heshtjes.” Madje kjo do të kthehej edhe në tipar tjetër të veprës së tij. Ekonomizimi i fjalës por edhe intensiteti i ndienjës bënë që poezia e tij të ishte një akt i qartë besimi tek fuqia e gjuhës. Vetë Salvadore Quasimodo do të konsideronte se “pa Ungarettin ne nuk do të kishim mësuar të dëgjojmë shpirtin e fjalës.” Vlerësime për veprën e tij do të kishte edhe “The New York Review of Books” (1969) ku shkruhej se “Ungaretti i mësoi shekullit të XX-të se si të flasë për dhembjen pa britma, me qetësinë e një lutje.”
Nëpërmjet pasqyrimit të gjithë këtij korpusi poetik, kuptojmë edhe një herë se poezia nuk është thjesht dhe vetëm një pasqyrim i realitetit, por ajo është mënyrë për të kuptuar dhe interpretuar botën përmes ndjenjës dhe imagjinatës. Ajo është mundësia për të shprehur botën e brendshme dhe dëshira për liri. Poezia nuk është vetëm një fenomen, ajo është akt shpirtëror. Ashtu si shprehej edhe Schiller, “poezia lind aty ku njeriu i tejkalon kufijtë e botës së ndjeshme dhe hyn në mbretërinë e shpirtit të lirë.”
Punë të tilla si kjo e shqipëruesit e shkrimtarit Jozef Radi janë për t’u përshëndetur, së pari për njohjen që arrijnë të bëjnë me praktikat më të mira të poezisë botërore, por edhe për pasurimin e lëmisë së letërsisë së shqipëruar. Lexuesit i lind detyrimi për ta përthithur këtë univers poetik dhe të marrë prej tij tharmin, atë më të vlefshmin dhe ta shndërrojë në një mburojë ndaj gjendjes keqaardhëse të një shoqërie që e shqelmon artin dhe kulturën si të qe vobektësi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.