back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 10 Maj, 2026

Nga historiku i veprave letrare në kohën e Realizmit Socialist: – Romani “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit,1966

Gazeta

Romani "Tuneli" - Dhimitë Xhuvani
Romani “Tuneli” – Dhimitër Xhuvani

Nga historiku i veprave letrare në kohën e Realizmit Socialist:
Romani “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit,1966 – 

60 vjet nga botimi – Redaktor: Razi Brahimi
Nga numri 6/1991, numri i fundit i revistës “Nëntori“, kemi sjellë: 
Rubrika: Shkrimtarë, vepra, dosje:

Një refleksion mbi kohën, autorin dhe librin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit

Romani “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit u botua në një kohë të vështirë letrare. Diku, nga mesi i viteve ’60, kur po zhvillohej një betejë e ashpër midis shkrimtarëve të dalë nga Lufta, dhe shkrimtarëve të rinj që kishin qenë fëmijë në kohën e Luftës. E kjo nuk ishte një betejë e lehtë, mbasi dorën e fundit ia dha diktatori.
Romani “Tuneli” është prodhim i kësaj periudhe. Ai nuk pati një qarkullim normal edhe jehona e së keqes që ai la në opinion qe afatgjatë, sa edhe sot e kësaj dite kjo vepër zgjon ndër konotacionet më negative të impakti të një libri të shkruar në kohën e realsocit me lexuesit e thjeshtë të saj, të cilët nuk patën as kohë dhe as mundësi ta tresin si duhet këtë ngjarje dramatike, që e futi përjetësisht “Tunelin” në indeksin e veprave të përjashtuara njëherë e përgjithmonë, nga letërsia e varfër shqipe. Ajo pati pasoja edhe për autorin e saj, po edhe me fushatën në fjalë që do të vazhdonte me përjashtime veprash dhe autorësh: (Dushi, Resuli, Xhaferri) po edhe me ngjitjet e shpejta në hierarkitë letrare si: (Kadare, Agolli, Arapi).
Sjellja e këtij materiali mbas 60 vitesh bëhet vetëm për të patur një ide se si ka funksionuar letërsia nën realizmin socialist; çfarë ishte një shkrimtar që thyente skemat dhe tabutë; dhe të mos harrojmë se në këto kohra janë keqtrajtuar vepra dhe shkrimtarë të tjerë siç fjala vjen Kapllan Resuli, Bilal Xhaferri apo Kin Dushi, veprat e të cilëve u nxorën nga qarkullimi, ata u ndrynë burgjeve dhe arrative dhe s’e patën fatin e rikthehen me dinjitet në letrat shqipe.
Këtë fat do ta pasonte edhe Dhimitër Xhuvani, por jo përjetësisht, sepse mekanizmat e marrjes në mbrojtje të tij nuk kishin qenë edhe aq të dobëta, sa ato të një çami si Bilal Xhaferri; një ulqinaku si Kapllan Resuli, apo një shkodrani si Kin Dushi. Përmes këtij rikthimi historik letrar, kuptojmë çfarë mekanizmash të përbindshëm po krijonte letërsia shqipe për ta nxitur në mënyrë sistematike nënshtrimin e artit ndaj pushtetin dhe shërbimin e verbër që merrte përsipër artisti ndaj diktaturës.
Shpesh herë, ngjarjet të rëndësishme të kësaj letërsie përcillen sot sikur n’ato kohë s’ka pasur njerëzit që me ndërgjegje e thonin të vërtetën, ose letërsia s’kishte asnjë mundësi t’i shërbente së vërtetës!!
Veprën “Tuneli” të Xhuvanit s’e kam lexuar sepse, kur e fshiku qarkullimi isha ende fëmijë… veçse e kam ndjekur si histori gjithë llumin që u hodh mbi librin dhe autorin… Mundem të shtoj se romani i mëpasëm i Xhuvanit: “Përsëri në këmbë” ku Din Hyka, personazhi kryesor (i mbështetur mbi një të vërtetë të jetuar) i cili i mbetur i pa këmbë, lufton të ngrihet në këmbë i t’i shërbejë kohës u bë mjaft i njohur më pas… Pikërisht këtë personazh e kam përdorur në një hartim me temë të lirë, për të dëshmuar njeriun e paepur përballë fatit, duke hequr një paralele me Din Hykën, mendoja veten time, në atë realitet ku shteti më kishte gjykuar e gjymtuar si armik qysh në lindje, dhe më duhej të bëja një përpjekje titanike për të mbijetuar e për të dëshmuar vlera jo vetëm si njeri po edhe ca më përtej. Domethënë, jam përpjekur ta nxis veten të bëja gjithçka për të mbijetuar në kushtet e terrorizuese të të qenit i përjashtuar, pa u ndotur nga llumi i kohës së realsocit.
Ps. Falenderoj Petro Mejdin që e kish sjellë këtë material të asaj kohe në faqen e tij të FB.
jozef radi, 11 prill 2026

-Bashkëbisedim në redaksi e Dhimitër Xhuvanit me kryeredaktorin Kiço Blushi-

Në këtë shkrim:
1.Një konspekt integral nga bashkëbisedimi, për ata që nuk kanë durim ta lexojnë të plotë.
2.Bashkëbisedimi i plotë i skanuar.
3.Shkrime kritike dhe mendime të lexuesve të kohës për romanin “Tuneli” botuar në revistën “Nëntori”, në gazetat “Drita” dhe “Zeri i Rinisë” të vitit 1966.
Siç ngjau dhe më vonë me romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, gazeta “Zëri i Rinisë” ishte më e zellëshme në atë fushatë.
I kemi sjellë të plota, por për përmbajtjen dhe ashpërsinë e tyre mund të kuptohet diçka dhe nga titujt shkrimeve.

-Dhimitër Xhuvani dhe romani i tij realist “Tuneli”, i cili i solli aq shumë mundime shkrimtarit-
-Mehmet Shehu kinezëve: Ashtu si ju dërguat Go Mo Zhonë në komunë, ne sollëm një nga shkrimtarët më të mirë midis minatorëve.-
-Një vështrim i përgjthëshëm mbi veprën letrare dhe teksti integral i intervistës që Xhuvani i ka dhënë Kiço Blushit, në numrin e fundit të revistës “Nëntori”, Qershor 1991-
Dhimitër Xhuvani erdhi në letërsi nga mjeksia. Vitet e para të jetës i kaloi në Pogradec ku edhe lindi. Kujtojmë novelën e bukur për fëmijë “Mëngjese lufte”. Vëllimi i parë në prozë “Kambana e fundit” përmban tregime dhe novela me temë dhe nga profesioni i ndihmës mjekut. Xhuvani mund të konsiderohet si prozatori i klasës punëtore në dy epoka, në atë të Luftës; “Zgjimi i Nebi Surelit” dhe një cikël romanesh ku përshkruhet shenjat e para të ekonomisë kapitaliste në Shqipëri dhe lindjen dhe formimit të klasës punëtore të kohës. Kjo temë merr përmasa të mëdha në punën dhe jetën e klasës punëtore pas Çlirimit dhe rolit të saj pararojë në jetën e vendit, siç thuhej në atë kohë. Xhuvani ishte ndër shkrimtarët e parë që përmendej për rrahjen e kësaj teme në tregime, novela, romane dhe drama. Përmëndim:
-Kambanat e fundit (1958)
-Midis dy netëve (1962)
-Tuneli (1966)
-Përsëri në këmbë (1970)
-Fan Smajli (1971)
-Zgjimi i Nebi Surrelit (1976)
-Do të jetojmë ndryshe (1979)
-Vdekja e zotit Kaloti (1981)
-Bota ime (1984)
Pas dy vjetësh (dramë me elemente autobiografikë) e tj.
Vepra e tij e parë në prozën e gjatë, romani “Tuneli” ishte i sukseshëm si realizim artistik, por i papranueshëm brënda suazës së letërsisë së realizmit socialist. E pëlqeu lexuesi, bile dhe ai që vinte nga rradhët e klasës punëtore, për të cilët dhe fliste, por nuk u pëlqye në zyrat e censurës.
Në vitin e largët 1966, romani pati një jehonë shumë të madhe në shtypin e kohës. Me dhjetra shkrime që nga kritikët e njohur të kohës e gjer tek lexues të zellshëm ndaj pastërtisë së letërsisë u botuan në shtypin e përditshëm, Zëri i popullit, Zëri i Rinisë, në organet e njohura letrare dhe deri në revistën “Rruga e Partisë”. Bile, shkrimet në grup të punëtorëve kryesisht , kishin më shumë peshë propagandistike, pasi ata konsideroheshin masa e cila mbron letërsinë, pastërtinë e saj ideore.
Romani u përpi nga lexuesit. Pas kritikave denigruese, ai qarkulloi dorë më dorë. U botua në një kohë, ku termometri politik ishte i lartë për shkak të divergjencave ideologjike me sovjetikët dhe ndërprerja përfundimtare e marrdhënieve me ta. Mu në atë kohë, kur veç të tjerash nga partia u kërkua një vigjilencë më e madhe e dhe ndaj ndikimeve revizioniste në letërsi, vjen ky roman, i vogël në vëllim, por i ngjeshur në ide dhe material jetësor. Ngjarjet e tij zhvillohen në kohën e ndërtimit të hidrocentalit mbi lumin e Bistricës. Shkrimit të këtij romani i paraprinë një sërë reportazhesh, tregimi “Magnetofoni” dhe skenari i filmit dokumentar “Bistricë ‘63 “ i regjisorit Viktor Gjika.

Kiço Blushi: Ç’pasoja pate pas kritikës dhe dënimit?
Xhuvani: E gjitha nisi me një tingëllim të ziles së telefonit në redaksinë e gazetës “Drita”. Sa njoha zërin e kryemimistrit, ia zgjata dorezën e telefonit Andon Kuqalit, i cili mori porosinë nga Mehmet Shehu që unë duhej të shkoja në hidrocentralin “J. V. Stalin” dhe të shikoja me sytë e mi gabimet e mia, të punoja e të jetoja në Bistricë. Shevqet Musaraj më ndihmoi duke shkruar kështu në librezën e punës për arsyet që largohem nga redaksia: Nashti si t’ia bëjmë, si ta shkruaj këtu largimin tënd nga Lidhja e Shkrimtarëve? -Si të keni marrë urdhër, i them unë i trishtuar. -E di si është puna, do ta shkruajmë në atë mënyrë që të mos të të shohin shtëmbër kudo që të vesh. Ja, për shëmbull, largohet me dëshirën e tij, mirë? Të pasnesërmen, “vullnetarisht” shkova në Bistricë. Ngushëllim ishte shprehja popullore “Ka e dhe më keq!” Po, kishte dhe burg. U largova duke lënë në shtëpi dy prindër të sëmurë, motrën studente dhe dy fëmijë të vegjël. Dhe 6 vetë do të rronin me një rrogë të vogël te sime shoqeje, mësuese filloreje. Punova si elekticist. Kisha mbaruar Institutin e Letërsisë “Gorki” të Moskës dhe nuk më caktuan as mësues. Nuk mund të kthehesha në Tiranë. Vëllanë e hoqën nga lista për shtëpi.

Dhimitër Xhuvani (1934-2009)
Dhimitër Xhuvani (1934-2009)

Kiço Blushi: A e kanë pësuar, veç teje, redaktorët, botuesi apo dhe njërëz prototipë të heronjve tuaj?
Xhuvani: I pari redaktori, Vandush Vinçani. E dhimbëshme është se e pësoi dhe një prototip i romanit, infermjerja e vetme e kantjerit të Muzinës, e quajtur në roman me emrin Vahide. Ajo ishte e martuar me Kasemin, por krijoi një idil dashurie me inxhnierin, Gjin Kulprin. Burokracia e kohës pas dënimit të romanit iu vërsul infermieres së vërtetë të kantierit dhe dërguan të punonte me lopatë. Një ditë krejt rastësisht u takuam me të në një karroceri makine dhe ajo gjithë zëmërim më tha: -Ti je shkrimtari, Dhimitri? -Po, i thashë -Mirë ta paskan bërë dhe ty. Mua në lopatë, ti në ngarkim – shkarkim. Nuk po më njeh, ë? Jam Vaideja tënde, shtoi ajo me përbuzje. Unë u mundova t’i shpjegoj teorinë e krijimit të personazheve, ndërsa ajo gjithë zëmërim më tha: Hajt, e mbushe gropën. Hip në makinë e mbaj hekura e dërrasa.

Blushi: Nga ç’drejtime vinin kritikat?
Xhuvani: Po ju them këtë. Një delegacion i madh kinez i cili shoqërohej nga Mehmet Shehu, qëndroi një ditë përpara tunelit të Bistricës. Disa ditë më parë agjensitë botërore të lajmeve kishin dhënë një lajm sensacional: Go Mo Zho, politikani që merrej me politikën partiake për letërsinë kishte përfunduar në orizoret e Kinës. Mehmet Shehu, duke i treguar kryetarit të delegacionit tunelin e hapur me forcat e veta i thotë: Ashtu si ju dërguat Go Mo Zhonë në komunë, ne kemi sjellë midis minatorëve një nga shkrimtarët më të mirë.

Blushi: A pati për romanin jehonë në botë?
Xhuvani: Sigurisht, zhurma që u bë në Shqipëri ndaj romanit u pasqyrua dhe në shumë gazeta të Evropës e Amerikës. Bile dhe në gjuhën esperanto dhe agjencitë e lajmeve. Titujt ishin bombastikë: ”Një shkrimtar komunist persekutohet nga qeveria e tij”; “Një shkrimtar në galerat e Bistricës“; Bullgarët njoftuan se së shpejti do të botohen Ivo Andriç dhe Dhimitër Xhuvani. Romani “Tuneli“ u përkthye nga Marina Marinova dhe u pengua në shtypshkronjë.
E kam lexuar disa herë këtë roman pas vitit 1992. Është një vepër realiste. Ai pasqyron punën, sakrificat, heroizmin, kundërshtitë, nuk ka në të entuziazëm socialist. Ka kushte të vështira dhe mungesa të mëdha. Ka një idil të gjatë dashurie midis infermieres, e cila, ka për burrë një njeri harbut, dhe inxhinierit Gjin Kulpri. Po ky Gjin kryen dhe heroizëm duke rrezikuar jetën për të shpëtuar makineritë nga një shpërthim i papritur uji. Aty është xha Kosta, minoritari bufetier, që një e dy, rrëfen histori nga kazinotë e Athinës dhe qeni i zgjebosur i klubit, që ta shpif me ata sytë e tij, që gjithmonë lotojnë. Është ky një fakt që autori e përmend shpesh në roman për të krijuar një klimë të rëndë.
-Romani “Tuneli”, si shumica e veprave te mia letrare, mund te them se lindi nga mbresat dhe përshtypjet e forta që pata mbledhur si gazetar. Mbaj mend se hidrocentrali i Bistricës, që u quajt “J.V. Stalin”, ishte në faqet e para të gazetave e revistave, si dhe të kronikave filmike e të radios. Ishte një ushqim shpirtëror i përditshëm i mbushur me shpërthimet e minave ne tunel, me heroizmin e klasës punëtore, me vetëmohimin e inxhinierëve të rini, me cicërimat e bilbilave të Muzinës etj. Të gjitha këto i shpreha në mënyrë të kursyer në reportazhe, tregimin “Magnetofoni”, si dhe në skenarin e filmit dokumentar “Bistrice ‘63” të Viktor Gjikës, që u mirëprit dhe u nderua me çmim Republike.
Sigurisht, edhe unë që pashë me sytë e mi, njoha e ndieva nga afër sakrificat sublime, s’mund te isha gjakftohtë e larg ndikimeve të rrethanave shoqërore e politike të viteve ‘60, kur po vendoseshin e po bëheshin norma të jetës sonë mbeshtëtja në forcat e veta deri në vetëmohim. S’mund të them se isha i ndërgjegjshëm për prognozën e pasojat e kësaj teorie që na çuan dhe ne izolim nga bota. Si shkrimtar intuitiv dhe realist shkrova atëhere një të vërtetë të hidhur.

Blushi – Ç’kujtime keni sot, pas kaq vitesh nga nga kritika e ashpër që iu bë për “tunelin” Ekziston kjo kritikë në koleksionet e gazetave dhe revistave. Kishte dhe një kritikë tjetër “të pagabuar” të opinioneve shoqërore?
Xhuvani – Edhe pse me veten time dhe në raste te rralla, kur ka rëne fjala për romanin “Tuneli”, kam thënë të shkuara të harruara, kujtimet e hidhura në çdo jetë njeriu, mbeten të hidhura. Fushata e kritikave të shumta zgjati qamet, mbi disa muaj, që nga gazetat e përditshme, si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, nga gazetat periodike “Zëri i Rinisë”, “Drita” dhe nga revistat mujore “Nëntori”, “Rruga e Partisë” etj. Shumë kritikë, amatorë dhe kolektiva puntorësh e inxhinierësh shkruan kundër “Tunelit”, duke mos e ndarë veprën nga autori. Dhe unë vetë shkrova auto-kritikë kundër vetes. Ishte e pamundur që t’i bëje ballë asaj stuhie. Ma do mendja se ashtu siç më detyruan mua të shkruaj kundër vetvetes u kanë kërkuar edhe të tjerëve të shkruajnë kundër “Tunelit”. Sigurisht pati edhe të zellshëm edhe të bindur.
Të ishin shkrime pluraliste dhe pa pasoja për mua, s’do të më vinte dhe aq keq. Pluralizmi qe i heshtur, pëshpëritej në vesh, madje me frikë, se fatkeqësisht, pati dhe dy raste që romani “Tuneli” shërbeu si dëshmi për agjitacion e propagandë në dosjet e një letrareje të re e të një shkrimtari të ri.
Me kalimin e kohës ra furia e stuhisë. Mbetën të dukshme e të fshehura njëkohësisht dy qëndrime: njëri zyrtar e i ftohtë qëe më ndoqi pas për një kohë shumë të gjatë, edhe pas periudhës së kryerjes së dënimit me punë krahu, edhe pse kisha botuar dramën “Pas dy vjetësh” dhe romanin “Përsëri në këmbë” dhe tjetri dashamirës e mëshirues, miratues i veprës, e cila lexohej në mënyrë klandestine.

Blushi – Ç’pasoja pate pas kritikës dhe dënimit?
Xhuvani – Sapo filloi kritika nisën dhe pasojat. Nisi me një tingëllim të ziles së telefonit në redaksinë e gazetës “Drita”. Sa njoha zërin e kryeministrit, ia zgjata dorezën e telefonit shokut të zyrës, Andon Kuqalit, i cili mori porosinë që unë duhej të shkoja me hidrocentralin “J. V. Stalin”, dhe le ta shikoja me sytë e mi gabimet e mia, të punoja e të jetoja…
Po atë ditë apo të nesërmen më thërret në zyrë Shevgqet Musaraj, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai mbante në dorë librezën time të punës dhe pa sqaruar asgjë si e qysh, më thotë:
“Nashti, si t’ja bëjmë, si ta shkruaj këtu largimin tënd nga Lidhja e Shkrimtarëve?”
“Si të keni marrë urdhër,” – i them tepër i trishtuar dhe i habitur që s’do të punoj më në Lidhjen e Shkrimtarëve, që s’do të jem më shkrimtar, që s’do të kem më as të drejtën e botimit me afat të pacaktuar, fjalë; të cilat i kisha dëgjuar korridoreve të Lidhjes.
“E di si është puna? Ta shkruajmë në mënyrë të atillë, që mos të të shohin shtrembër kudo që të vesh. Ja, për, shëmbull, largohet me dëshirën e tij, mirë?”
Të pasnesërmen u bë një mbledhje e madhe në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, po unë s’vajta. U nisa me autobusin e linjës për në hidrocentralin “J. V. Stalin”, “vullnetarisht”, “me dëshirën time”, duke lënë në shtëpi babanë dhe nënën e sëmurë, motrën studente, dy fëmijët e vegjël dhe gruan. S’kam udhëtuar kurrë në jetën time aq i trishtuar. Gjashtë vetë me një rroge të vogel mesueseje filloreje. Ngushëllimin e gjeja vetëm të shprehja e popullit “ka edhe me keq”. Ka dhe burg, ashtu siç u burgosën shumë krijues në ato vite. Unë isha “i lirë” veçse shumë larg, në ekstremin më jugor të vendit.
Në pikat e kontrollit të policisë, si te ura e Rrogozhinës, në Sevaster, në Tepelenë, në të hyrë të Gjirokastrës, në Qafë të Muzinës, policët qëndronin gjatë para pasaportës, sime e fytyrës sime. Vështrimet e tyre tepër të vëmendshme sikur paralajmëronin një prognozë të hidhur, që fatkeqësisht u vërtetua më vonë. Sa më shumë që kalonin muaj e vite e unë do të zhvendosesha e vërtitesha në kantiere, si në Sarandë, Durrës, Elbasan e Tiranë, gjithnjë si punëtor krahu vështërohesha nga sekretarët e instruktorët e komiteteve të Partisë, nga sekretarët e komiteteve ekzekutive, nga shefat e kuadrove si një njeri i dyshimtë, i rrezikshëm. Krejt i kundërt me ketë pozicion ishte qëndrimi i punëtoreve, brigadierëve, inxhinierëve, kuzhinierëve, bufetierëve, shoferëve të kantiereve. Të, gjithë këta më trajtonin si një “mik të rrallë, të vjetër e të sëmurë”, që kisha nevojë për miqësi, dashamirëësi dhe ushqim. Si prototipa për të ilustruar këtë fakt “sipas tipikes realizmit socialist” dhe në pamundësi për të përmendur të gjithë, kujtoj me mirënjohje të thellë ing. Sokrat Kolivopullin, Bardhyl Balzën, tekniket Fiqiri Veizi, Sami Karapici e shume të tjere si dhe të birin e kryeinxhinierit, Ladin, që asokohe bënte praktikë në kantier. Përzemërsia e tij, respekti e shoqëria me të, ishte për mua diçka e habitshme. Atë e bir, njëri kundër e tjetri pro, jo vetëm ndaj romanit tim, por ndaj meje, njëlloj siç ishin kundër e pro dy qëndrime të dy sferave të gjera: zyrtarëve dhe njerëzve thjeshtë.
-Për gjithkënd që dënohej, me ligj ose pa ligj, rëndë apo lehtë, siç qe rasti im, përnjëherësh vinte e binte hija e dënimit dhe mbi familjen. Çdo sferë nëpunësish tregonin devotshmëri e besnikëri ndaj fushatës së madhe “Anti-Tunel”. Disa burokratë parimorë iu sulën shtëpisë sime në rrugën e Durrësit, një apartament i zakonshëm prej dy dhomash e një kuzhine, ku jetonin pa mua, tri kurora; ata të seksionit të arsimit iu sulën gruas sime për ta nisur në fshat, vëllait tim të vogël në Elbasan që sapo ish kthyer nga ushtria jo vetëm ia morën apartamentin, por për një kohë të gjatë nuk i dhanë strehim, ndonëse ishte i martuar e me një fëmijë të vogël.
Prindërit e sëmurë (mbase aq e kishin të shkruar), vdiqën njëri pas tjetrit brenda gjashtë muajve. S’do ta kujtoja vdekjen e prindërve, sepse para vdekjes jemi të pafuqishëm dhe se me të njeriu s’duhet të abuzojë, por unë s’besoj të kem rast tjetër për t’i kërkuar ndjesë nënës, të cilën, kur po mbyllte sytë e po jepte shpirt, e gënjeva, i thashë se dinimi im mori fund, se unë u ktheva në shtëpi, gjë që u realizua shumë vonë, dhe me shumë peripeci sa qesharake aq dhe tragjike për fatin e njeriut të shkretë, jeta e të cilit çuditërisht është lodër fjalësh në gojën e zyrtarëve.
Kisha filluar të botoja tregime në gazetën “Drita”, drama “Dasma e madhe e dritave” ishte vënë në skenë nga trupa amatore e Kombinatit të tekstileve “Stalin” dhe kishte fituar flamurin e kuq të asaj gare festive të Nëntorit, apo çmimin e parë, megjithëse i bënë shumë luftë nga ministria e nga një delegacion i ardhur posaçërisht nga Elbasani e megjithatë unë akoma s’kisha të drejtë të jetoja pranë familjes sime në Tiranë, qoftë edhe si punëtor, tani me kategori të tretë, si elektricist, të dytën si hekurkthyes e të gjashtën (të pestën e re) si saldator. E ç’rëndësi kishte e ç’dëm i sillte djersa ime ndërtimit të socializmit, tashmë krejtësisht me forcat tona (se parrulla kishte avancuar) që, unë të punoja në rrethin e Tiranës, ku kisha dhe kam pashaportizimin dhe jo në rrethet larg saj? Diplomat e mia si ndihmës-mjek i shkollës së parë të mesme mjeksore, si mësues i gjuhës, letërsisë e historisë i universitetit të Tiranës, si shkrimtar që kisha studiuar në “Institutin e Letërsisë Gorki”, u kthyen: në të zezën time. Jo vetëm që keto diploma s’pinin ujë, por ishin ato që s’më lejonin të hyja përsëri në Tiranë. Si e qysh ndodhi, do të përgjigjem në pyetjen se si e sa ndihmon e interesohet organizata jonë e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve” për ne anëtarët e saj.

Blushi – A e kanë pësuar, veç teje, redaktorët, botuesit apo edhe prototipët tuaj?
Xhuvani – Po. Sidomos Vandush Vinçani, po më e dhimbshme është që e pësoi edhe një prototipe e romanit, ish infermierja e kantierit të Muzinës. Meqë në realitet ishte një infermiere e vetme në ambulancën e kantierit, gjë që përkonte dhe në roman, të quajtur nga unë me emrin Vaide e të krijuar si personazh letrar me një biografi letrare të fantazuar, e cila ndonëse e martuar me Kasëmin (po personazh letrar) bën dashuri me inxhinierin e kantierit Gjin Kulprin (po personazh), u ngatërrua, u njesua dhe më saktë të themi iu atribuan asaj peripecitë e heroinës së romanit.
Nga personazhi real, infermierja e kantierit, ajo që e kisha njohur në kohën kur grumbulloja material, kisha futur te Vaideja, personazhe e fantazisë, cilësitë e saj të rralla si infermiere, dashurinë për punën e për njerëzit, devotshmërinë e saj, po jo korrektësinë e ndershmërinë e saj si qytetare. Vaideja përfaqëson një kategori të grave shqiptare që jeton në kushte shumë të vështira të një kantieri të izoluar, që sakrifikon në mënyre sublime e të heshtur, që ëndërron marrëdhenie të reja e të lira, që është e predispozuar të mbushë boshllëkun shpirtëror pa ditur se si. Është një flutur që shkon drejt dritës, pa e ditur se i digjen krahët delikatë. Kritika e atëherëshme mbajti qëndrim ndaj Vaidesë dhe burokracia atë gjë bëri. Meqë u shkurtua vendi i punës së infermieres së kantierit të Muzinës, e dërguan në prodhim, i dhanë një lopatë që të mbushte gropat e rrugëve të kantierit, pavaresisht se ajo ishte një infermiere e mirë dhe një grua e respektuar.
Sapo kisha vajtur në kantierin e Bistrices. Bashkë me dy punëtorë të ngarkim-shkarkimi grumbullonim trarë, dërrasa e hekura të mbetura e i transportonim nga kantieri në qendër me një makinë “Zis”. Duhej të bënim pesë rrugë në ditë që të nxirrnin pagën minimale. Makina qëndroi. Para nesh një grua, që kish mbuluar fytyrën me një shami të bardhë si mandilet e dropulliteve, mundohej të mbushte me lopatë një gropë në mes të rrugës. Ajo po na vononte. Si me i riu që isha, zbres nga makina, ia marr lopatën nga dora dhe nisa të mbush gropën. Nuk e njoha fare dhe nuk i fola, i bindur se do të më thosh faleminderit që po a ndihmoja.
Ishte e djegur nga dielli dhe e rrudhur. Dhe në moshë m’u duk e madhe. S’di pse vështrimet tona kryqëzoheshin. Sytë po më dukeshin si të parë. Ata se si qeshën, sikur fshihnin një
kënaqësi. Dhe buzët lëvizën. Nuk buzëqeshën.
“Ti je ai shkrimtari, Dhimitri?” – foli ajo.
Nuk u befasova, sepse e dija që në kantier ishte bërë një mbledhje e madhe ku qe diskredituar “Tuneli” dhe ishte shkruar një letër kolektive.
“Po,” – i thashë, duke mos duruar atë nënqeshje të hidhur që shprehte dhe një kënaqësi.
“Mirë ta paskan bërë dhe ty. Mua në lopatë, ty në ngarkim-shkarkim. Nuk po më njeh, ë? Jam Vaideja tënde,” shtoi ajo me përbuzje.
“O Zot!” – thashë me veten time dhe u mundova ti shpjegoj teorinë e letërsisë, tipizimin, gërshetimin e spuntos reale me fantazinë, por qe e kote. Ajo humbi durimin dhe më përcolli.
“Hajt, e mbushe gropën. Hip në makinë e mbaj hekura e dërrasa.”
Hipa në makinë. Më dhëmbi zemra. Dhe nuk di pse ajo grua në udhë, me lopatë në dorë, e përcëlluar nga dielli, më dukej se ishte gruaja ime, tamam si ajo që kish mbetur në Tiranë e lidhur pas pleqve të mi, pas fëmijëve të mi. Për të dyja fajtor isha unë. Unë i kisha dënuar. E përse? Për kënaqësinë egoiste të krijimit, sepse me fantazinë time kisha krijuar, pjellur (jo pa dhimbje) një personazh letrar, një Vaide të brishtë, të pakënaqur nga jeta, që, protestën e saj e shprehu si ato fluturat mendjelehta që kanë etje për pak dritë.

Blushi – Si mendon ti, kritikat e bëra vinin nga një kritike “zyrtare”, domethënë e diktuar nga lart, apo vetë kritika, kritikët dhe opinioni shoqëror nuk ishin aq te emancipuar sa të mirëprisnin një vepër realiste si “Tuneli”? Pra, ky roman ishte i parakohshëm, apo reagimi erdhi sepse kjo veper cënoi “moralin zyrtar”?
Xhuvani – Ai telefon nga lart që ra atë ditë në redaksi e që sugjeroi të shkoja në hidrocentralin e Bistricës, autokritika që u kërkua me aq ngulm e që u shkrua në disa variante nga unë e nga shoku im Dalan Shapllo, më i mërzitur se unë nga ç’po ndodhte e që përfundimisht u kërkua jo e daktilografuar, po e shkruar thjesht nga dora ime, dhe ai shënim diplomatik në librezën time u konkretizuan e u zbuluan se gjithçka ishte menduar nga maja e piramidës. Një delegacion i madh i rëndësishëm qeveritar kinez (duhet të ketë qenë i madh derisa shoqërohej nga kryeministri), qëndron një ditë para tunelit të Bistricës. Disa ditë më parë agjencitë telegrafike të botës jepnin një lajm shumë sensacional; Go Mo Zhoja, një nga personalitetet e mëdha të Kinës së madhe, një politikan e letrar, kishte deklaruar dhe ishte nisur për në Komunë e atje do të hante bar e baltë. Këtë gjë e dinin anëtarët e delegacionit kinez, e dinte edhe udhëheqja shqiptare. Kryeministri duke zgjatur dorën e duke treguar se ky ishte tuneli më i madh, tri kilometra e tri metra i çarë me forcat tona, tha dhe këto fjalë: “Ashtu si ju dërguat në Komunë Go Mo Zhonë, dhe ne kemi futur në atë thellësi, mes minatorëve, një nga shkrimtarët tanë më të mirë.”
Asnjëherë nuk është e parakohshme të thuash të vërtetën.
E vërteta dhe vetëm e vërteta është misioni i shkrimtarit aq sa ka mundësi, aq sa i lejohet në kohëra diktature, sepse të thuash më shumë s’të le as çensura. Më mirë të thuash aq, qoftë dhe pak të vërtetë, sesa të bësh të kundërtën, të këndosh hosana. Kritika zyrtare burokratike është tjetër gjë dhe opinioni shoqëror tjetër. Dhe në opinionin shoqëror të manipuluar shkrimtari gjen një shtresë të gjerë të një opinioni të vërtetë, realist, që diferencon e mirëpret veprën realiste.

Blushi – Sa është interesuar Lidhja e Shkrimtarëve si organizatë shoqërore (funksioni i së cilës, siç dihet, është të mbrojë shkrimtarët) për fatin tënd, ose më saktë, për kohën kur ti ishe në prodhim? A e ke ndjerë dashurinë e kolegëve shkrimtarë, përkrahjen e tyre, solidaritetin e domosdoshëm të intelektualit për intelektualin që bie në vështirësi?
Xhuvani – Pozicioni im pas “Tunelit” është shumë i komplikuar, interesant dhe i pazbërthyeshëm. Fati i jetës sime varej diku, po se ku jo vetëm që unë nuk e gjeja dot, po as dhe nëpunësit e lartë, aq më tepër as vetë Lidhja e Shkrimtarëve, e cila, siç dukej, i kishte prerë marrëdhëniet diplomatike me mua që kur më dha librezën e punës në dorë.
Vdekja e prindërve, sëmundja e djalit, veështirësitë ekonomike, pamundësia për të ndihmuar familjen me rrogën time të vogël si punëtor, me detyruan që të ëndërroj e ta quaj veten të lumtur nëse do të më lejohej të punoja diku në periferi të Tiranës, që rrogën time ta fusja në shtëpi, ta merrja dhe unë bukën të mbledhur me gazetë nën sqetull si gjithë punëtorët.
Po i hyja një loje të guximshme, e cila do të më deziluziononte. Po i kundërvihesha një urdhëri zyrtar, që dhe vetë zyrtarët s’dinin se nga vinte e s’dinin si të vepronin ndaj një njeriu që do të jetojë në shtëpinë e tij, pranë gruas së tij, pranë fëmijës së sëmurë, pa kërkuar punë sipas diplomave përkatëse, përkundrazi pranonte çfarëdolloj pune.
J. Tole dhe H. Çobani, i pari drejtor dhe i dyti kryeagronom i fermës “Gjergj Dimitrov”, japin miratimin e tyre. Shefi i kuadrit kërkoi fletën e punës, të cilën e jep zyra e punës e komitetit ekzekutiv të lagjes. Ai, shefi i zyrës së punës, mblodhi supet e tha se pa urdhrin e kryetarit të komitetit ekzekutiv s’e bënte dot atë punë. Dhe kryetari i komitetit mblodhi supet e tha se nuk ishte aq budalla sa të më jepte mua fletën e punës.
Këto fjalë i tha, pasi lexoi të gjithë librezën.
“Ti qenke shkrimtar, qenke ndihmës mjek, mësues, gazetar paske mbaruar edhe shkollën e lartë për këtë punë?”
Nuk po e duroja dot ironinë e tij dhe iu përgjigja shkurt.
“Jo.”
“Si jo?”
“Lexoni më poshtë, aty shkruan se jam hekurkthyes, saldator dhe elektricist. Unë s’jam më ai që kam qenë. Jam një punëtor i thjeshtë që. kërkoj një punë të thjeshtë, të cilën e kam gjetur. Jam qytetar i Tiranës me pashaportizim të rregullt, jam banor i lagjes që drejtoni ju, jam…
“Je mor djalë, je, por s’je për mua, ti je shkrimtar, për ty u qanë gazetat dhe revistat dhe axhanset e huaja.”
“S’jam më shkrimtar. As kam qejf të shkruaj më. Jam saldator.”
“A janë dakord ata të Lidhjes së Shkrimtarëve që ti të punosh si punëtor?
“Sigurisht. Ata më nisën nëpër kantiere.”
“Epo, meqë të nisën ata, ata e kanë në dorë të të kthejnë, jo unë! Pse të përgjigjem unë për ty?”
“Për veten time unë përgjigjem vetë,” i thashë i nxehur.
“Jo, mor bir! (nga mosha ai kish të drejtë të më quante bir). Ti nuk e ke në dorë vetveten. Ti varesh nga Lidhja. Derisa të nisën kantiereve, ata diçka dinë!”
“Domethënë, po ta sjell unë një copë letër si kjo e J. Toles, dhe H. Çobanit, nga ata të Lidhjes, ju ma jepni fletën e punës?”
Ai u mendua gjate dhe nuk di sesi tha me gjysmë goje “po”.
Vetë në Lidhje e riprodhoj me radhë gjithë dialogun dhe u zgjas dorën për atë copë letër, po ata nuk ma dhanë. Më premtuan se do të flisnin gojarisht me kryetarin. Dhe vërtetë folën.
Të pasnesërmen vetë te kryetari. Ai më pret me buzë në gaz.
“S’kam ç’të bëj, derisa s’ta dhanë me shkrim!”
Nuk e kam ndjerë veten aq të poshtëruar e të fyer nga ajo buzëqeshje burokratike, triumfatore dhe keqardhëse.
Nuk ishte fjala për, një copë letër, siç ngulja unë këmbë. Kush e kishte në dorë fatin tim? Megjithatë, hyra në fermën “Gjergi Dimitrov”, por ilegalisht. Dekonspirimi i këtij sekreti u bë shumë vonë, kur unë shkrova dramën “Pas dy vjetësh”, që bënte fjalë për jetën e traktoristëve dhe të mekanizatorëve të fermës. Dramën e vuri në skenë Kujtim Spahivogli, i cili e pësoi më keq se unë. Unë jam gjallë, m’u dha e drejta e botimit, kurse ai vdiq duke mbajtur në shpirt e në shpinë peshën shkatërruese të mosrehabilitimit.

Blushi – Veç jehonës së “kritikës zyrtare”, e cila është e njohur dhe e botuar, pjesë ti së cilave ne po i botojmë në revistë, “pati romani jehonë jashtë vendit?
Xhuvani –Sigurisht pati jehonë. Ishte e pamundur që stuhiza e brendshme të kalonte pa zhurmë e sensacion në faqet e para të shumë gazetave. te Evropës e Amerikës, zërave të radiove të ndryshme, madje edhe në gjuhën esperanto, si dhe të agjencive telegrafike. Dhe titujt ishin bombastikë: “Një shkrimtar komunist persekutohet nga qeveria e tij”. “Një shkrimtar në galerat e Bistricës”. Agjencia bullgare e lajmeve njoftonte se së shpejti do të botoheshin nga letërsia ballkanike Ivo Andriçi e Dhimitër Xhuvani. Romani “Tuneli” përkthehet nga Marina Marinova, dërgohet në shtyp dhe pas disa ditësh tërhiqet nga shtypshkronja.
Këto ishin të paktat informacione që unë munda të marr vesh atëherë.

Blushi – Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, shkrimtari ishtë më i lirë të shprehet, të kritikojë, të opozicionojë, të thotë të vërtetën. Për shkrimtarët shgiptarë, të mësuar prej shumë vitesh me tutelën ose, në mënyrë të figurshme, nën thundrën një partiake, liria e demokracise, e botimit, e mundësive për t’iu afruar së vërtetës, do të sjellë vepra të reja, cilësore, më jetëgjata e më të dobishme për shoqërinë, apo këtë mision mund ta luajnë brezat e rinj të shkrimtarëve që s’i kanë provuar “fushat me mina” të botimit? A mund të ambientohen, pra, shkrimtarët me përvojë, që kanë krijuar e botuar prej shumë vitesh nën censurën e një ideologjie, me këtë klimë të re demokratike e pluraliste?
Xhuvani – Shkrimtarët që kanë punuar në “fushat me mina” të botimit, që u ka plasur dhe ndonjë minë, që kanë patur pasoja më të rënda, kanë qënë nëpër kampe e burgje, kanë kënde vështrimi e krahasime shumë më interesante e origjinale. Shkrimtarët e rinj, që s’e patën e s’do ta kenë këtë fat, do të kenë këndvështrimet e tyre, gjithashtu interesante. Unë jam i bindur që këta shkrimtareë të rinj do ta trajtojnë periudhën e “minave” dhe shpresoj e dëshiroj që ta trajtojnë me mirë. A mund të ambientohen shkrimtarët me përvojë që kanë krijuar e botuar prej shumë vitesh në censurën njëpartiake me klimën e re?
Klima e re demokratike është mjekimi më efikas.

Blushi – Prej shumë kohësh ka ekzistuar jo vetëm në teori, por edhe në praktike, parimi që shkrimtarët duhet të zbresin në bazë; të jetojnë poshtë, të njohin jetën, pra të vuajnë edhe fizikisht, edhe materialisht “njëlloj si populli”. Shumë e shumë herë janë dërguar poshtë në kantiere e kooperativa kontingjente shkrimtarësh e artistësh. Me sa di unë, nga këto “njohje jete”, nga këto largime masive, nuk kanë dalë vepra që mund t’i shpëtojnë kohës. Veç punës në Bistricë ju jeni nga ata shkrimtarë që edhe pas punës në prodhim keni qenë vazhdimisht në listat e Lidhjes për zbritjen në bazë. Pas një eksperiencë kaq të gjatë në “njohjen” e jetës, si duhet kuptuar për shkrimtarin “njohja” e jetës? Mos vallë shkrimtari duhet të vuajë si “zbatharakët kinezë” që t’i afrohet së vërtetës dhe realizmit? Sepse, edhe në traditën tonë, edhe në atë botërore, shumica e shkrimtarive s’kanë. Jetuar “zbatharakë” e, megjithatë, ata kanë bërë vepra realiste, të vërteta dhe me peshë kombëtare… Ata janë bërë ndërgjegja e kombit! Cili është mendimi yt për këtë çeshtje që ka zotëruar aq tepër konceptet teorike të estetikës sonë, të kritikës dhe të opinionit shoqëror?
Xhuvani – Kam qenë, jam e do të jem i mendimit se njohja e jetës është domosdoshmëri jetike për shkrimtarin, ndryshe nuk di se si mund të shkruhet pa njohje. Mënyra se si e njeh shkrimtari jetën është individuale dhe specifike. Njohja e jetës nuk bëhet e organizuar, ose më ekipe, dhe nuk është e thënë që shkrimtari duhet vuajë e të provojë gjithçka që të shkruajë. Ç’duhet të bëjë një shkrimtar që përshkruan vetëvrasjen? Të vrasë veten? Lereni shkrimtarin të lirë! Zemra e tij e ndjeshme është emërues i përbashkët i dhimbjes, mundimit, e gëzimit njerëzor.

Dhimitër Xhuvani (Tuneli dhe diskutimet e ashpra te Lidhjes)
Dhimitër Xhuvani (Tuneli dhe diskutimet e ashpra te Lidhjes)

Nga shtypi kohës rreth “Tunelit”
Lexuesit e pritën me interesim daljen e ketij romani. Dhe kjo është e kuptueshme: ata kanë kohë, që presin një vepër, ku të pasqyrohet me tërë madhështinë e vet heroizmi dhe vrulli revolucionar, që ka treguar dhe po tregon në uzina dhe kombinate klasa jonë punëtore.
Ç’është e vërteta, në roman ka disa skena, ku paraqiten vështirësitë dhe privacionet e kolektivit për t’i kapërcyer ato dhe për të përmbushur detyrat e planit.
Po këto episode të veçanta nuk e shpëtojnë, veprën, e cila për nga nxirosja e jetës së kantierit, përçudnimi i figurave të punëtorëve dhe në përgjithësi nga fryma pesimiste dhe e zymtë që mbizotëron në të është një karikaturë e shëmtuar e realitetit tonë, një kuadër shumë i deformuar dhe tallës i jetës dhe i përpjekjeve heroike të masave tona punonjëse në frontet ndryshme të ndërtimit socialist.
Përderisa i vuri si qëllim vetes të shkruajë mbi Bistricën, autori duhej të përfshinte në veprën e vet pamjen e gjerë dhe madhështore të ndeërtimit të hidrocentralit, të jepte hovin dhe entuziazmin e lartë me të cilin rronin dhe punonin të gjithë ata që morën pjesë në këtë aksion; punëtorët, teknikët dhe inxhinierët, të rikrijonte faktet dhe skenat e heroizmit masiv, të shpjegonte drejt nga pikëpamja marksiste burimet dhe motivet e sjelljes të veprave të njerëzve. Punën në këtë kantier lexuesi e përfytyron si një fragment të ndërtimit socialist në të gjithë vendin dhe prandaj, me të drejtë, priste, që në roman, bashkë me ngritjen e objektit, të tregohej dhe rritja shpirtërore e kolektivit punonjës në procesin e punës, shfaqja e formimi në karakterin e njerëzve të cilësive të reja pozitive. Të tregohej si një pjesë e punopnjësve gjetën vendin e tyre në radhët e ndërtuesve të ndërgjegjshëm të socializmit – sepse objektet e ndryshme të ndërtimit socialist në vendin tonë kanë zënë dhe janë edhe shkolla për edukimin e zhvillimin e aftësive krijuese të masës.
Autori duhej të na paraqiste cilësitë e larta shpirtërore dhe veçorite tipike pozitive të ndërtuesve të hidrocentralit. Por, në romanin ”Tuneli” nuk ka heronë që nё karakterin e tyre të mishëronin tiparet themelore të masave tona punonjëse, protagonistëve kryesore të ndërtimit socialist në Shqipëri, heronj që ta bënin për vetë lexuesin me ndjenjat e tyre të larta dhe t’i shërbenin rinisë si shëmbull për t’u bërë luftëtarë të paepur në ndrëtimin e shoqërisë socialiste në Shqipëri. Përkundrazi, ka personazhe që të indinjojnë dhe të pështirën…
Si njerëz me horizonte të ngushtë, që s’kanë pjekuri politike, e si pasojë nuk arrijnë ti shikojnë çeshtjet nga pozita shtetërore, që veprojnë më të shumtën e rasteve nga qëllime të vogla vetjake, janë vizatuar shumica e punëtorëve të tjerë.
Shpesh në roman ata janë nxjerrë në punë e sipër, por, në përgjithësi, puna që bëjnë është e zhveshur nga çdo kënaqësi dhe gëzim; ata punojnë pa pasionin dhe entuziazmin që karakterizon veprimtarinë e masave punonjëse të vendit tonë.
Herë-herë në roman puna del si diçka e detyruar, si barrë që u është rënduar tepër njerëzve e jo si veprimtari për të mirën e shoqërisë e që jep kënaqësi e gëzim. Dihet se socializmi e çliron njeriun nga vargonjtë e pabarazisë klasore dhe punën nga karakteri i detyruar që kanë shoqërinë me klasa, e kthen në një çeshtje nderi e lavdie. Kjo ka bërë që të ndryshojë rrënjësisht qëndrimi ndaj punës, i cili nuk është më negativ dhe perbuzes, si më parë. E metë e rëndë e autorit është se duke vënë në qendër të romanit të vet një kantier të madh, nuk na tregoi punën e lirë dhe krijuese në kushtet e shoqërise së re, të shoqërisë socialiste, bukurinë dhe Gëzimin e punës në dobi të shoqërisë. Skenat ku minatorët paraqiten duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri nuk të bindin, sepse punën autori s’e ka lidhur me cilësitë moralo-shoqërore të atyre që e kryejnë atë. Lexuesi nuk ka si mos të habitet kur sheh se puna prej tyre shihet si diçka e pakënaqshme ose burim për të fituar sa më shumë, qoftë edhe në kurriz të shoqërisë.
Pak simpatikë punëtorët janë nxjerrë edhe në jetëne tyre vetjake. Në roman del sikur puna u ka varfëruar atyre shpirtin, botën e tyre të ndjenjave. Kohën e lirë e kalojnë në klub, duke pirë konjak dhe raki. Ose duke u marrë me thashetheme banale. Ndjenjën e dashurisë dhe e miqësisë së vërtetë, të lindur nga puna e përbashkët dhe qëllimet e njëjta ata s’e njohin fare. Me neveri lexohen reshtat ku tregohet me ç’zemërligësi ndjekin e përgojojnë lidhjet e Vaidesë me inxhinjerin dhe me çfarë cinizmi dhe gëzim të papërmbajtur marrin dhe e përhapin gojë më gojë, çdo gjë të ulët që kanë parë o dëgjuar. Si përfundim, mund të themi se figurat e punëtorëve, janë primitivizuar kaq tepër sa lexuesi bën pyetjen: Për në Shqipëri flitet këtu, apo për ndonjë vend tjetër kapitalist apo kolonialist. Kaq e zymtë, e trishtuar, dërrmonjëse del pamja e këtij aksioni. Njerëzit aty rrojnë në një atmosferë mosbesimi. dhe dyshimi me njëri-tjetrin, sillen ashpër dhe me ligësi. Figurat e minatorëve në roman janë dhënë me ngjyra naturaliste, të vrazhdëta dhe të neveritëshme.
Shkrimtari orvatet. Por pa sukses ta nxjerrë atë (Gjinin) si pjesëmarrës aktiv e të vetëdijshëm në ndërtimin e hidrocentralit. Megjithëse si përgjegjës i tunelit, gjendet shpesh në krye të detyrës ai qëndron mënjanë nga jeta. Qysh në kapituj e parë të romanit inxhinjeri na shfaet si njer që jeton fill i vetëm në këtë botë, i vetëm me mendimet, dyshimet dhe ndjesitë e veta të paqarta, nëpër faqet e romanit ai lëviz me një shqetësim dhe pakënaqësi të pakuptueshme në kraharor.
Është pikërisht kjo natyra e tij prej individualisti mikroborgjez shkaku që entuziazmi me të cilin ai kishte ardhur nga Tirana u shua kaq shpejt. Puna e tij duket si një sakrificë e rëndë, fort e rëndë, sepse të vije në një kantier të humbur larg qejfeve dhe qyteteve, do të thoshte për të një humbje fare, atij i duket fatkeqësi e madhe që i ra shorti të punojë në mes të kolektivit të punëtorëve që nuk i ngjisnin fare njerëzve në qytete, që kish njohur gjer atëhere, jeta e të cilëve sipas tij përmblidhesh me dy fjalë: punë dhe gjumë. Minatorët i duken si qenie të përçudshme ose si thotë vetë “një enigmë” që e mundon shumë ndaj këtyre njerëzve që rropaten për të plotësuar detyrat e planit duke punuar me vetmohim inxhinieri mban qëndrim prej një aristokrati të krimbur.
Ja pra cili ishte inxhinier Gjini, njeriu me shpirt të vogël, me mendime dhe aspirata që s’kanë asgjë të përbashkët me mendimet dhe synimet e shumicës dërrmojëse të teknikëve dhe inxhinierëve tanë që rriti dhe edukoi partia dhe pushteti popullor të armatës së specialistëve të lartë që punojnë me devotshmëri dhe entuziazëm në fronte të ndryshme të ndërtimit socialist në Shqipëri. Autori në qendër të veprës së vet vuri një tip të tillë të parëndësishëm, ndërsa heronjtë e vërtetë të luftës për socializëm i la mënjanë, por e keqja më e madhe është se inxhinieri në mënyrë të njëanshme dhe të gabuar arsyeton mbi jetën tonë, mbi edhe shkrimtari i cili në asnjë formë nuk e ka ndarë veten nga heroi i vet, ky është edhe një cen i madh që ka përcaktuar idenë e dëmshme të romanit. Romani “Tuneli” nuk ka vetëm gabime të rënda në pikëpamje të idesë, por dhe të meta parimore të jetës dhe karaktereve të njerëzve, autori ka ndjekur metodën natyraliste duke injoruar rolin e rrethanave shoqërore në formimin e tyre e duke nxjerrë në pah tek ata instinktet dhe pasionet e ulëta, duke e pasqyruar jetën në frymën e një objektivizmi të dyshimtë, këto dëshmojnë se autori në këtë vepër është larguar nga parimet e realizmit socialist që është e vetmja metodë që siguron pasqyrimin besnik të drejtë dhe shkencor të proceseve dhe fenomeneve të ndërlikuara të jetës nuk ka zbatuar parimin e partikshmërisë komuniste në ndriçimin dhe vlerësimin e ngjarjeve dhe të konflikteve të realitetit socialist.
Në romanin “Tuneli” vihet re shkelje e palejueshme të parimit të partishmërisë komuniste, kjo kërkon që shkrimtari në vlerësimin e asaj ose kësaj ngjarje të marrë me doemos anën e një grupi të përcaktuar shoqëror, parimi i partishmërisë kërkon që të studiohen si anët pozitive ashtu edhe ato negative të njeriut, por jo të mjaftohet me kaq, duhet vlerësuar në tërësi roli i heroit në jetën shoqërore.
Kur të kemi studiuar anët e ndryshme të sjelljes së heroit, edhe pozitivet, edhe negativet, ne duhet të përcaktojmë vlerën e heroit në bazën e rolit të tij, në ndërtimin e shoqërisë socialiste, në roman, është shkelur ky parim. Figura morale shoqërore e inxhinier Gjinit nuk është vlerësuar në bazë të qëndrimit të tij, ndaj ndërtimit socialist, por në bazë të disa kritereve të gabuara subjektive të autorit. Kjo shpjegon edhe simpatitë me të cilat është vizatuar ky personazh nga shkrimtari. Sipas të dhënave konkrete, kjo figurë është negative dhe si e tillë ajo duhej dhe të ishte trajtuar. Së fundmi, si shkak të dështimit të autorit në këtë vepër, duhet sjellë qëndrimi jo kritik ndaj parullave, demagogjike të letrarëve dhe publicistëve revizionistë e borgjezë, një nga tezat më të preferuara të shtypit letrar revizionist është ajo e realizmit të gjerë të zgjerimit të caqeve të jetës në letërsi të zhdukjes së zonave të ndaluara pa dyshim që kjo është një demagogji e tërë që ka për qëllim denigrimin e realizmit socialist dhe përkrahjen e frymës antisocialiste në art. Realizmi socialist nuk është për një pasqyrim të njëanshëm të jetës, letërsia do të merret me stigmatizimin e elementeve dhe shfaqjeve negative të realitetit socialist, kudo që ato të vihen re, po sfera e interesave të letërsisë është e tërë jeta e marrë në kompleks të gjitha problemet e ndërtimit socialist, por duke mos mbyllur sytë para fakteve negative shkrimtarët tanë duhet të theksojnë fenomenet pozitive ato janë karakteristike, zënë vendin kryesor në rendin socialist, kjo është e vërteta.
Për botimin e romanit “Tuneli” kanë përgjegjësi të madhe Shtëpia Botuese, redaktori Razi Brahimi, si dhe organet “Nëntori” dhe “Drita” që e botuan fragmentet, e para se të dilte libri.
Drita, 19 qershor 1966

Një vepër pa partishmëri 
Së pari, dua të them se tek ne nuk dërgojnë asnjë njeri me zor të punojë atje ku nuk i pëlqen. I zymtë sterr është heroi kryesor i veprës inxhinier Gjini! Gjini është një intelektual i mërzitur që nuk gjen gëzim nga puna që jeta e ka hedhur në atë skaj të humbur si për ta dënuar të vuajë.
Në përgjithësi, në roman, nuk del dora e fuqishme e drejtonjëse e Partisë. Që të mos nxjerrësh në pah punën drejtonjëse të Partisë, dhe punën e saj në edukimin me njerëzit, është një gabim i madh. Romani nuk përshkrohet nga pathosi revolucionar që karakterizonte punonjësit e veprës madhështore të Bistricës. Ai përshkohet nga një frymë e huaj dhe i mungon fryma e klasës sonë punëtore.
“zëri i rinisë”, 11 qershor 1966

Përfytyrim i shëmtuar i punës
Kur mbarova së lexuari në romanin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit, unë pa dashur i bëra vetes pyetjen: pse autori ka nënvizuar aq shumë dhe aq shpesh vështirësitë lodhëse, ankthin, gojën e “zezë” të tunelit, barakat e zeza dhe aspektet e tjera të kësaj natyre që të krijojnë përshtypjen e zymtësisë së pafund dhe të ndjellin trishtim. A ishte një realitet i punës dhe i qendrave tona të punës?!
Unë jam i bindur se çdo qytetar i vendit tonë do ta hidhte poshtë me zemërim një parafytyrim të tillë të punës në kantiere. Romani “Tuneli” ishte mbushur me trillime dhe shpifje të pafalshme kundër së vërtetës së jetës dhe njerëzve tanë.
“zëri i rinisë”, 11 qershor 1966

Zërat në rremë në pllakën e romanit “Tuneli”. 
Ne kemi nevojë të madhe të shkruhen e të botohen romane, por romane të mirë, të frymëzuar, jo mënxyra të tilla si “Tuneli” i neveritshëm i Dhimitër Xhuvanit, pjellë e një fantazie obskurantiste. Unë mendoj, se “Tuneli” nuk ka gabime dhe shtrëmbërime të pjesshme të realitetit, se nuk i ngjet një reflektimi të deformuar që i bën një pasqyrë e cilësisë së dobët një objekti të caktuar, së fundi, me gjithë deformimet e pjesshme prap pasqyrimi i shëmbëllën objektit të dhënë, ndërsa në roman na ngjet shumë më keq, realiteti i Bistricës na është pasqyruar në roman përmes gjyslyqeve të zeza të botëkuptimit të një borgjezi, autori nuk e ka parë zemrën revolucionare të punëtorëve dhe inxhinierëve tanë, virtytet dhe idealet e tyre fisnike, por ka gjurmuar nëpër qoshet e errëta dhe kurrë s’ka gjetur në atë masë që i duheshin, fantazia e tij ka krijuar ambiente dhe intriga të tilla që i nevojiteshin për të ndërtuar një roman. Kur mbaron së lexuari romanin, vetvetiu të del pyetja: cili është heroi pozitiv i këtij romani, që i jep lexuesit si shembull imitimi dhe edukimi, ku mishërohen e tipizohen karakteristikat më të mira, të ndërtuesit të objektit, dhe përgjithësisht të klasës sonë punëtore dhe inteligjencës sonë revolucionare?! S’ka se si të jetë e realizmit socialist dhe të qëndrojë në këmbë një vepër që pretendon të mishërojë në art veprën e një kolektivi punëtorësh që kryejnë heroizma, pa heroin pozitiv, qoftë ky i mishëruar në një ose disa personazhe si dhe përmes heroit kolektiv të mishëruar në rastin konkret prej masës së minatorëve dhe inxhinjerëve. Romani mban një heshtje varri ndaj kësaj pyetje dhe kërkesës së domosdoshme, që të jemi më të saktë, romani na servir një hero pozitiv, një personazh që s’ka asgjë të përbashkët me idealet e klasës punëtore, pra një personazh negativ.
Le të shikojmë pra ç’monstra na ka dhënë Dhimitër Xhuvani përmes këtyre personazheve, ç’sallatë ka gatuar për të njollosur një realitet madhështor.
Personazhi kryesor Gjini, na rekomandohet si njeriu më tipik i kohës sonë, si heroi kryesor i ndërtonjësve, dhe që nga kreu deri në fund të romanit gëzon simpatinë më të madhe të autorit. Pra, ky na jepet si përfaqësuesi më pozitiv i ndërtonjësve dhe si shembulli për të riun tonë inteligjencën tonë, i moralit dhe i botëkuptimit tonë. Qëndroni, mjaft më shoku autor! Ai që ju na rekomandoni si heroin pozitiv, ai nuk i shëmbëllën as në majë të gishtit ndërtonjësit tonë, ai s’ka asgjë të përbashkët me intelektualin tonë të ri…
Ç’mendon autori? Mos vallë inxhinieri gaboi për këtë vendim? Ndoshta i mashtruar nga një zbukurim i realitetit dhe ekzaltimi i heroizmit të bërë nga shtypi? Të paktën një gjë e tillë lihet të nënkuptohet, por sa e neveritshme ishte kjo përpjekje hileqare në roman, s’ka nevojë për koment.
“…Ai u habit sa s’bëhet kur e caktuan inxhinjer tuneli, se kaq shumë s’kish guxuar të ëndërronte që në fillim të karrierës së tij kurrë, dhe kjo na e paska bërë të zymtë, nevrastenik pesimist, të demoralizuar dhe mizantrop heroin tonë!! Çfarë logjike! Një të ri entuziast revolucionar, një besim i tillë jo vetëm që nuk ia demoralizonte, por do të gjallëronte dhe më tepër e do ta rriste, do t’i rriste energjitë dhe do ta bënte shpuzë në punë. Një Gjin i i tillë është i trilluar, sepse autori ka turbullirë në botëkuptimin e tij dhe përmes personazhit të tij, ka dashur të na japë një filozofi borgjeze dhe boshe për jetën.
Kjo copë botë e heroike e Bistricës sonë i marrka frymën individualistit Gjin. Ai do një botë të madhe, do hapësirë, hapësirë, femra, njerëz “të kulturuar”, e jo ambiente me njerëz të thjeshtë dhe xhupa.
Heroi i Dhimitër Xhuvanit është thjesht një specialist për jo një specialist revolucionar, dhe heroizmat e tij në lidhjen e kabllos dhe shpëtimin e tunelit nga përmbytja janë thjesht të një tekniku korrekt që e ndjen përgjegjësinë profesionale dhe administrative. Po këto janë motivet e heroizmit masiv tek ne, si thoni shoku autor?! Ja ku janë idealet në emër të të cilave kryhen heroizma tek ne. Heroi juaj është një hero tipik borgjez, që nuk e kupton dhe nuk e do realitetin tonë, njeri pa mendim, pa zemër revolucionare, por një kundërrevolucionar në botëkuptimin e tij, njeri i shkëputur nga klasa punëtore dhe egoist.
“zëri i rinisë”, 11 qershor, 1966

I mungon roli udhëheqës i Partisë 
Unë mendoj se një nga dobësitë themelore të romanit “Tuneli”, prej të cilit burojnë pastaj të meta dhe dobësi të tjera, qëndron në mosparaqitjen me vërtetësi të rolit udhëheqës të partisë në jetën e punën e ndërtonjësve të hidrocentralit. E vërteta e jetës sonë na mëson se Partia është frymëzuesja udhëheqësja dhe organizatorja e tërë aspekteve të jetës dhe të injorosh ose ta zbehësh këtë faktor objektiv do të thotë të mos e pasqyrosh me vërtetësi kohën tonë. Roli i partisë paraqitet në roman i zbehtë dhe artificial. Marrim vesh se ka një organizatë partie vetëm kur provokohet një mbledhje. Kjo është e gjitha, mbi rolin udhëheqës të partisë. Kështu i është vënë kufizim ideve të partisë, frymës revolucionare të partisë, mësimeve të partisë, ideve të cilët po të depërtonin në vepër me siguri do ta kishin shpërndarë pesimizmin, panikun, trishtimin, grindjet, ashpërsinë e do t’i kishin prerë rrugën shkarjes morale dhe depresionit të inxhinjierit. Partia do të kishte krijuar një atmosferë të pastër të vrullshme të gëzuar, një atmosferë pune të ndërgjegjshme dhe miqësie të sinqertë dhe të fortë. Duke injoruar rolin e organizatës së Partisë mendoj se autori e dënoi veprën e tij me të meta të mëdha ideore.
“zëri i rinisë”, 11 qershor 1966

Roman që shtrëmbëron të vërtetën
Romani bën fjalë për një vend konkret, me personazhe të ditëve tona, të cilët duhet të jenë bartës të mendimeve dhe ndjenjave tona, duhet të pasqyrojnë realitetin tonë, po sa ia arrijnë këtij qëllimi personazhet e krijuara nga autori? Cilët janë ata dhe gjithë veprimtaria e tyre në ngjarjet e romanit? Pikërisht këtu qëndron e gjithë e keqja e tyre. Ata mund ta them që në fillim, nuk janë heronjtë e kohës sonë, pavarësisht nga veshja, që është munduar t’u japë autori. Ata nuk kanë as mendimet, as ndjenjat e njerëzve tanë.
Njeriu ynë ndërtuesi i socializmit mendon gjithnjë për çështje tepër të vështira, mendon për zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura, dhe jo ngaqë i duhet të merret edhe me një çështje tepër të vështira, për të harruar atë “diçkanë e ligë” dhe “të ftohtë” që ndjen në shpirt. Autori nuk ka mundur të na japë gjithashtu edhe rolin e madh udhëheqës të partisë, në të gjitha anët e jetës sonë.
Në roman, në të gjitha ngjarjet, nuk shohim dhe bile as e ndjejmë fare rolin e Partisë. Sekretari i partisë, dhe kur shfaqet, s’është në gjendje të na bindë për detyrat që ka, dhe na del një figurë e krijuar artificialisht. Këtu kemi hijen e një sekretari të partisë konsekuent, revolucionar, i cili të përfaqësonte në roman qëndrimin e prerë dhe shumë të qartë të Partisë tonë ndaj problemeve ideologjike.
“zëri i rinisë”, 11 qershor 1966

Marrë nga Muri i FB Petro Mejdi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.