back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Nga ditari i një mësueseje… nga Lejla Kylheku

Gazeta

Lejla Kylheku
Lejla Kylheku

Nga ditari i një mësueseje…

nga Lejla Kylheku

Na ishin njëherë e në një kohë vizitat e të Dielës – pasdarke… Nuk po flas për vizitat që shkëmbenin me miqtë e me farefisi pasdarkeve, kur dhoma e miqve (e pritjes) mbushej plot… dhe ku bisedonin, luanin me letra, tombulla, 31-sh, tregonin ngjarje, barcaleta dhe argëtoheshin pafund. Këto m’i kanë treguar, se unë nuk i kam jetuar…
Unë kujtoj mirë, vetëm kur mblidheshim pasdarke me familjen e xhaxhait, dhe jo rrallë na nderonin edhe miq po edhe komshinj të vjetër si: B. Zh. me nënën e tij, një grua e fortë e hokatare. Ata sillnin mjaft gjallëri në familjen tonë. Donin të na gjendeshin pranë, të na e lehtësonin sadopak pasojat e persekutimit… dhe ashtu natyrshëm, veç kur ja merrnin një kënge vlonjate… dhe këndoja edhe unë bashkë me ta… dhe mbrëmja kalonte ashtu këndshëm netëve të dimrit, kur ngroheshim rreth një mangalli me qymyr. Ishim të detyruar të jetonim dy familje, në dy dhoma!! Në pjesën tjetër të shtëpisë sonë, qenë strehuar 4 familje të ardhura nga “mali”. Megjithatë, pushteti na ndihmoi mjaft, duke na i konfiskuar gjithë mobiljet dhe orenditë e shtëpisë, që ato të viheshin në shërbim të popullit. Dhe ja ashtu, një dhomë ishte më se e mjaftueshme për ndenjie, për ngrënie dhe për fjetje… Po librat, fatmirësisht nuk iu duheshin konfiskuesve, kështu që ata shpëtuan edhe ky qe një fat jo i pakët e i rrallë për ne…
Rreth mangallit nuk kishte vend për të gjithë. Tushi tërhiqej në “cakun” e saj, mbulonte këmbët me batanije dhe korrigjonte detyrat, diktimet, hartimet e nxënësve, përgatitej për të nesërmen. Atje, te këmbët e krevatit të saj, mbuloja edhe unë këmbët me batanije dhe zbavitesha me hartimet, frazat e shprehjet më të bukura, që Tushi më nxiste t’i lexoja. Nuk do të kalonte shumë kohë, kur emrin e njërit prej këtyre nxënësve, atë të Sh. Tiganit, do ta lexoja edhe në vitrinat e librarive. Ndieja të njejtën kënaqësi, ose edhe më shumë, kur Tushi më jepte fletoret e diktimeve dhe një laps plumbi, me të cilin duhej të shënoja lehtë gabimet ortografike. Ajo i kalonte me lapsin e kuq në dorë dhe unë lumturohesha kur më përgëzonte për saktësinë. Ishin hapat e parë, që do të zgjonin brenda meje, pasionin për letërsinë e veçanërisht për gjuhësinë…
Nuk guxoja të ëndërroja për të studiuar në degën e filologjisë… por, kaluan mjaft vite derisa edhe nëpër disa rrethe u hapën filialet e arsimit të lartë.
Nënë me dy fëmijë, mësuese fshati, qeshë ndër të parat që u regjistrova në fakultetin Gjuhë-Letërsi. Një ëndërr që më flinte në sirtar. Me gjithë presionet që më bënte drejtoresha e Drashovicës, duke mos më dhënë leje në sezonin e provimeve, mbas 5 vitesh, u diplomova: Mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe me mesataren 9.7, ndonëse, mos u çudisni, unë kurrë nuk u bëra mësuese gjuhe dhe letërsie!!! Sepse “shoqja” Shefe e Kuadrit, me mllef do të më thoshte:
-S’ka nevojë ta sjellësh diplomën, nuk ka për të t’u dashur ndonjëherë! Kështu unë, nuk do të quhesha – presore – dhe do të paguhesha me një kategori më të ulët. Por falë vullnetit dhe përkushtimit, kam patur nderin dhe kënaqësinë e të qenit: Mësuese!
.
Lejla Kylheku (djathtas)shkolla e Drashovices 1979
Lejla Kylheku (djathtas) shkolla e Drashovices 1979

Një tufë manushaqe për Mësuesen e Fshatit… 7 mars 2015…

E ndaj gëzimin e kësaj feste me ish-nxënësit e mi në fshatrat Treblovë, Armen, Drashovicë, ku punova për 25 vjet. Që në orët e para të mëngjesit, duke mbledhur me duart e vogla e të ftohta manushaqet gjithë vesë, në garë, kush të bënte tufën më të bukur. Sapo hyja në oborrin e shkollës rrethohesha nga vocërrakët. Sa dashuri në vështrimet e tyre; edhe tek ai më i ndrojturi, sepse tufa e tij ishte e vogël. Nuk arrinte të kuptonte që gëzimi i mësueses ishte njësoj, i madh edhe pse tufa ishte e vogël. Vlerësimi më i madh, më i sinqertë, i vetmi që kam marrë në 32 vite punë si mësuese; respekti dhe dashuria e ish nxënësve të mi, “inspektorët” e përditshëm, që dilnin nga shkolla të kënaqur. Kush tjetër si ata e vlerësonte punën me pasion të mësueses? Ah, po, edhe prindërit e tyre, që me grupe, më shoqëronin te rruga, për të mos më lënë vetëm në errësirën e pasditeve të shkurtra të dimrit, derisa, të ndalonte ndonjë kamion, që mësuesja të kthehej në qytet pranë familjes, për të ardhur përsëri të nesërmen… e kështu për vite e vite me rradhë…
Dhe jeta ime prej mësueseje… me gjithë zhgënjimet, mbetet aq e bukur brenda meje…
.
Lejla Kylheku me mandolinën e saj
Lejla Kylheku me mandolinën e saj

Pak fjalë për nënën time, Lejlanë

 nga Laura Kylheku

 Në vitet e para të mbas rënies së diktaturës  më së fundi u kthye si mësuese në Vlorë, më pas kreu edhe detyrën e drejtoreshës së shkollës për nxënësit me prapambetje të lehtë mendore, ku bën një punë të lavdërueshme. Në vitin ’98, sërish e heqin pa asnjë motivacion, ndërkohë humbet të shoqin nga një sëmundje e pashërueshme dhe së bashku me të vjehrrën, 77 vjeçe, merr rrugën e mërgimit, për t’iu gjendur pranë dhe për të ndihmuar fëmijët e vet emigrantë në Itali… por, çdo vit vazhdon të kthehet ne vendin e saj për t’u çmallur me detin e Vlorës, me të cilin ka një lidhje të veçantë shpirtërore, për t’u çmallur me të dashurit e saj që tashmë gjenden në varrezat e qytetit… i shoqi – Agroni, i ati – Shyqyri Kripa, i vellai – Dashamiri…
Në familjet e hershme qytetare të zengjinëve shqiptarë, ka pasë qenë zakon që vashave përveç shkrim e lexon u mësohej edhe arti i qepjes dhe qendisjes, po edhe ndonjë vegël muzikore gjithashtu…
Vasha sillte me vete, përveç pajës edhe mandolinën apo fizarmonikën dhe makinën qepëse. Kjo kishte “përsetë” dhe arsyet e veta. Prej një familjeje të tillë, doli edhe nëna e sime mëje… dhe tradita vazhdoi. Leilaja iu rikthye pasionit të dikurshëm të rinisë, mandolinës, vetem në vitet e moshës së thyer… Më parë ishte e pamendueshme dhe e pamundur… ajo nuk harroi kurrë mësuesin e saj në pedagogjiken e Vlorës, Avni Gunbardhi – një burrë i rrallë, nga një familje e shquar vlonjate, që me aq zell e pasion u mësonte mandolinën vajzave të pedagogjikes… Më vonë kjo traditë e bukur që ekzistonte nëpër shkolla, humbi si shume gjëra të tjera…
Kështu që mami i bie shumë bukur mandolinës. Sa herë ndodh të mblidhemi në Romë, ku ajo jeton, ajo ia merr ndonjë këngë shqiptare që jo vetëm e këndon po edhe e shoqëron me mandolinë…
Ndër këngët e saj të preferuara janë: “Lulebore”, “Kur jemi bashkë ne të dy”, “Je sot e para mes lulesh t’bukra”, “Të kam dashtë”… etj…
Kështu ajo sot zbavitet duke i rënë mandolinës në gëzime familjare për fëmijët dhe nipat e saj, për miqtë dhe për grupin e pensionistëve në qytetin e Romës, pranë të cilit ajo aktivizohet në argëtime,  me këngë shqiptare, italiane dhe melodi të ndryshme të njohura sa here mblidhen në festa apo në eskursione të ndryshme kulturore që ata organizojnë…
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.