back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Nga Berati ne Tomorr – Eqerem Bej Vlora

Gazeta

Berati - fillimi i '900
Berati – fillimi i ‘900

Nga Berati ne Tomorr

Eqerem Bej Vlora

Në 1906,
Eqrem bej Vlora ishte nëpunës i lartë
në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Stambollit.
Dëshira e tij e pashuar për të udhëtuar e solli në tetor të 1906-s
në një udhëtim nga Myzeqeja në Berat e deri në Tomor.
Rrugës për në majë të malit pati përshkuar pikërisht një pjesë të krahinës,
ku ne shkuam 104 vjet më pas.
Më poshtë janë disa pasazhe nga ditari
që ai mbajti gjatë këtij udhëtimi.

Eqerem Bej Vlora - Ditar nga Berati ne Tomorr
Eqerem Bej Vlora – Ditar nga Berati ne Tomorr

Rrugës për në Tomor

“…Më lart dhe në jug vërehen edhe parcela me drurë të lartë, kryesisht gjethorë. Arsyeja që ata kanë shpëtuar shpjegohet me popullimin e rrallë të zonës dhe mungesën e bagëtisë. Gjithnjë në ngjitje, lemë pas në të majtë fshatin e vogël të Hoxhajt dhe i drejtohemi Gradishtës. Përmbi atë grup të mbledhur shtëpish shihen ende rrënojat e një kështjelle të vjetër me të njëjtin emër, që ka një vend në legjendat dhe besëtytnitë popullore. As dhjetë minuta udhë më poshtë Gradishtës, në një vendbanim të vogël me emrin e bujshëm Çiflig, bëmë një pushim të shkurtër për të çlodhur kafshët. Ishte fjala për një tufë kasollesh që kishin vënë në mes një shtëpi guri punuar trashë. Çifligu është pronë e Shefik bej Kapinovës dhe, sipas matjes sime, ndodhet 300 metra mbi nivelin e detit.
Kur u nisëm përsëri, fill pas fshatit Vërtop, i vetmi në atë zonë me popullsi të krishterë dhe me një kishë, dhe pas përroit të Bargulasit, menduam ta shkurtojmë rrugën duke ia mbajtur nga kodrat e vogla sipër Çifligut. Por meqenëse shtegu rrihej shumë rrallë dhe vetëm prej këmbësorëve, e për pasojë ishte i mbuluar me ferra, na doli krejt e kundërta e asaj që menduam: kur pas ndonjë ore të mundimshme arritëm buzë përroit, kafshët tona, të cilave ne kishim dashur t’ua kursenim rrugën e gjatë nëpër Bargulas, kishin kohë që na prisnin. Por rruga e mëtejshme na e shpërbleu me tepri. Sa më tepër i afroheshim Kapinovës, aq më e mahnitshme bëhej visorja. Bri nesh përroi zhaurinte gëzueshëm në shtratin e tij të ngushtë, duke nxituar të bashkohej sa më parë me lumin e Beratit që, atje thellë mes brigjeve të hirta të kodrave gjelbëroshe, shpaloste shiritin e tij blu…”.

Pamje e Beratit dhe Tomorrit - Edward Lear
Pamje e Beratit dhe Tomorrit – Edward Lear

Në Kapinovë

“…Pas kësaj ngjitjeje alpinistike arritëm pllajën e vogël të Kapinovës dhe çerek ore më vonë kalojmë pragun e shtëpisë së Shefik beut, që e zgjodhëm për të kaluar atë natë. Ishte ora 6 e mbrëmjes. Për një largësi pra, që në vijë ajrore nuk i kalonte 25 kilometrat, na ishin dashur plot 6 orë të mira… Shefik beu, njeri mjaft i pasur, na priti si s’ka më mirë. Shtëpia e tij ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj, të palatuar, ku drita hynte vetëm nëpërmjet ca dritaresh të ngushta të tipit të frëngjisë. Brenda ajo nuk ndryshonte nga shtëpitë e tjera. Kati përdhes me truall dheu përdoret si haur, një shkallë druri e lëvizshme të çon në katin e dytë që ka disa kthina gjysmë të errëta. Oda ku na futën ishte shtruar me postiqe dhe qilima shtëpie. Ne hoqëm armët dhe ia dorëzuam të zotit të shtëpisë. Sipas zakonit të mikpritjes, ky dorëzim armësh ka kuptimin që tani, për sa kohë ndodheshim aty, mund ta quanim veten anëtarë të familjes… Kapinova sot ka nja 60 shtëpi dhe afër 800 banorë. Dikur ajo ka qenë seli e një mydiri, gjë që ta kujton edhe sot emërtimi Nahija e Kapinovës. Bekimi i fshatit është padyshim përroi ujargjendtë që rrjedh përpara shtëpisë së mikpritësit tonë dhe nën hijen e pemëve të lashta, i vetmi burim uji për vaditjen e arave të dobëta të fshatit. Këto janë krijuar me dhé të hedhur nëpër tarraca të ndërtuara me një durim të admirueshëm… Me gjithë këto kushte varfërie, njerëzit këtu, nga pamja, janë për t’u pasur zili. Si rrjedhojë e vetëveçimit, njerëzit e këtushëm vijnë shumë pak në kontakt me elementët e huaj dhe i kanë ruajtur kështu të paprekura vetitë e tyre fillestare fizike dhe morale. Shefik beu dhe shtëpiakët e tij janë gjedhe të përkryera të kësaj kategorie. Rreth 1.80 metra të lartë, flokë dhe mjekërverdhë e me sy të çelët, ata edhe në moshë të thyer e ruajnë pamjen e shëndetshme dhe një zhdërvjelltësi të çuditshme…”.

Eqerem bej Vlora
Eqerem bej Vlora

Në Tomorr

“…U futëm në të me ndjenja të përziera, duke qenë se në zonën rreth e përqark ajo nderohet nga të gjitha besimet. Bëhet fjalë për një mur rrethor, ndërtuar me gurë të mëdhenj të latuar dhe pa llaç, me një derë të ngushtë në anën juglindore dhe që quhet mekam e në arabisht ka kuptimin vend, apo në mënyrë të veçantë, vend pelegrinazhi. Në formën e sotme ndërtimi është i vitit 1880. Brenda peribolit nuk sheh gjë tjetër përveç një kamareje të punuar trashë në murin me gurë të mëdhenj, ku janë vënë dy qirinjmbajtës dhe një çini teneqeje. Ajo ka disa monedha, para flijimi, sepse mekami mbahet për vend i shenjtë si nga myslimanët, ashtu edhe nga të krishterët dhe askush nuk guxon ta profanizojë duke vjedhur paratë e pelegrinëve. Këtë profanues Tomori do ta ndëshkonte me rrufe. Më 15 gusht, ditën e Shën Mërisë, ky vend i humbur e larg botës gjallërohet. Më të shumtën janë dervishët bektashinj që vijnë këtu për t’u lutur, për të flijuar dhe për të mbledhur lëmosha. Midis shoqëruesve të mi ishin edhe disa bektashinj që guxuan dhe iu afruan murit gjunjazi. Sipas besimit të tyre, gjatë betejës midis imam Hysenit, djalit të kalifit të katërt, Aliut, dhe Jezitit, djalit të Muavijes, një vëlla për baba i të parit, i quajtur Abas Ali (Bir i Aliut me një grua tjetër) mundi të largohej nga kasaphana e Qerbelasë dhe pas peripecish të gjata të arrijë në majën e Tomorit, të cilën vendosi ta zgjedhë për prehjen e tij të fundit. Historia nuk thotë asgjë për një njeri të tillë. Të krishterët lusin këtu Shëmrinë, virgjëreshën. Në të gjithë vendin, te njerëzit e të dy besimeve është e përhapur beja ‘për Baba Tomor’. Siç është i përhapur edhe mendimi se këtu ka qenë vend kulti që nga lashtësia. Poeti ynë i madh, Naim bej Frashëri, në një poezi që trajton historinë e vendit, i ka dhënë një formulim poetik këtij mendimi…”.
Marrë nga faqja e Thoma K. Jance – ‎Berat-Club
2 gusht 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.