New Critics & Baroku i ri, koha Trebeshina – nga Vrethee Lnika

Gazeta

Kasem Trebeshina (8 gusht 1926-6 nentor 2017) - 100 vjetori i Lindjes
Kasem Trebeshina (8 gusht 1926-6 nentor 2017) – 100 vjetori i Lindjes
New Critics & Baroku i ri, koha Trebeshina
nga Vrethee Lnika
Në 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Vepra dhe personaliteti i shkrimtarit nuk mund të ndahen: “Saint Boeve”.
Pa u kuptuar në Shqipëri, ka marrë zhvillim një rrymë e re letrare që s’është aspak (siç besojnë shumë provincialë që të gjithë shkruajnë për çudi) postmoderniste, sepse këtu nuk ka pasur kurrë modernizëm, hiq eksperimentimin e Pashkut, Dërvishit e B. Musliut, në Kosovë.
Merret vesh fort mirë që ku e ka bazën klasike në realizmin ëndërrimtar romantik të tejkaluar bindshëm por me këtë dhimbje të vogël “Baroku i Ri”.
Edhe Trebeshina së bashku me të rinjtë e viteve ‘90, po e luan këtë valle ndoshta të inicuar 50 vjet të shkuara me “Odin Mondvalsen” që në fakt është një novelë disi më serioze se Baroku i Ri i sotëm që karakterizohet nga entuziazmi infantil dhe më pak tragjik sesa Kirkegaardi dhe ditari i tij i pafuqishëm që e linte veten në krahët e Providencës dhe të Shelbimit, sentimental dhe i flashkët siç qe ndaj rendjes për famë. Filozofia e tij – e Kirkegaardit – shihte tek shfaqja e personalitetit dy rrugë: atë të përshpirtjes në raport me Zotin e shoqërinë dhe rrugën e famës intelektuale. Kirkegaardi preferoi rrugën e parë – gjë që e përqafoi dhe Trebeshina në jetë dhe në pjesën më emblematike të veprës së tij duke themeluar rrymën e ekzistencializmit shqiptar në prozë me romanin “Odin Mondvalsen”.
Ky shkrimtar u përfshi pa u ndalur edhe në rrymat e ndryshme të modernizmit dhe vështirë të gjendet një definicion përfundimtar për shkollën e tij letrare.
Baroku i Ri, të kall energjish, të bën të qeshësh, por sarkastika indekson përpunimin e stilit, e shëndetshme nga mirësia. Baroku i Ri nuk ka personazhe, ata (aktantët) qesëndisin e qesëndisen, vriten e vrasin si në “soup opera” me pistoleta uji brenda një kompartamenti, pa i bërë keq kërkujt. Flurudha e dramës së tyre nuk ka kanone ata ia lëshojnë veten Providencës. Viktima e Barokut është gjithçka që mund të japë sot gaz të shëndetshëm nga literatura e romantizmit socialist dhe jeta e saj.
Por e kemi fjalën tek zanafilla e Barokut të Ri. Kjo rrymë është vërejtur edhe në Rusinë e sotme letrare sipas kritikës në perëndim, por së tepërmi në ojnizimin e gjuhës dhe parodizimin e temës politike dhe sociale. Është koha e çmitizimit të shkrimtarit Car si Tolstoi, të përmasës së shkrimtarit në shoqëri, është koha e vetëzvogëlimit të personalitetit ose iluzionit të krijuar për shkrimtarin si “Dichter”. E këto përsiatje të shkrimtarëve të sotëm në lindje Trebeshina i jetëshkroi për 40 vjet nën hijen e përmasës iluzive të shkrimtarëve të angazhuar të të gjithë Lindjes pa kushtet e një Sollzhenicini.
Vepra e Kasëm Trebeshinës (ajo që është e botuar, pa bërë përjashtim edhe romani epope “Kënga Shqiptare”) vështirë të kuptohet pa personalitetin e tij gjë e vërejtur më së miri nga kritika, por edhe e komentuar jo në shtratin e përshtatshëm estetik ose të filozofisë artistike që përshkohet nga vepra Trebeshiniane. Mendimi që kemi nënvizuar në nëntitull i kritikut të madh frëng Sen Bëv, ende nuk ka humbur aktualitetin.
Duke diskutuar me Trebeshinën ai duke parë drejtimin e keq të ndjekjes biografike që ka marrë të hapët tek ne, në publiçistikë, nuk do të ishte dakort me analizën kësisoji, të paktën në përgjithësi. Porse vëllimi me tregime “Ku bie Iliria” qysh mund të analizohet ndryshe? Mësa mund të shmanget Suifti nga aktualiteti politik e Shkrimtari bashkëkohor i tij Draiden tek esetë e librit, “Përralla e Fuçisë”.
Vepra Trebeshiniane do të merrej më autentike ndoshta nën vështrimin e kritikës amerikane “New critics”, pasi do të shmangeshin keqkuptimet “senbëviane” të tejkaluara në një aspekt (kohor), por të rithirrura prej nesh kur nuk mund të shpikim përditë teori, e për çdo shkrimtar. “Kritika e re” do të linte m’anash biografitë e shkrimtarëve (tërësisht?) e do të zhyteshim me një frymëzim të kishës anglikane në leximin e interpretimin vetëm e vetëm të tekstit si një Ungjill-institucion-Kishë dhe Ringjallje prandaj edhe Apokalips, tekst dhe jetë artistike e kurrgjë tjetër nga jeta fizike e madje jashtë diskutimit letrar e kritikës në pritje të përmbytjes dhe të përzgjedhjes nga Ai.
Përndjekjet e autorëve u përkasin historisë! – Jo vetëm asaj!

Trebeshina dhe Borhesi
Në librin e tij “Ku bie Iliria? “, në tregimin hyrës të librit; “Lashtëri moderne” – “Një rrëfenjë Odërrase” përvijohet një tendencë drejt tregimit ku personazhe bëhen shkrimtarë të njohur bashkëkohës të Trebeshinës me të cilët ai shfaq me një stil barok, aktantët realë, vepruesit si personazhe realë dhe irealë apo aktantë të krijuar nga personazhet shkrimtarë që Trebeshina i ka futur në një thes satirik.
Dëshmitë konkrete për disa shkrimtarë persekutorë janë prehur tani në penën artistike të tregimit “Lashtëri Moderne”, në një formë kësisoj, ndërsa më parë të artikuluara si akuza të drejtpërdrejta e publikisht.
Tregimi shfaq, dy shkrimtarë të “Lidhjes së Shkronjëtarëve” Asmut Rrakashkruesi-n, -in, të dy si të kërkimtarë të një piramide, porositur nga mbreti Hu Lëngu për hir të ish Mbretit të Madh ‘Loloni’. Për një projekt të tillë rravgojnë mes peripecish për ta marrë aksh piramidë (simbolike, guxojmë të themi një kuptim çfarëdo si p. sh. një hierarki letrare=me histori, afirmim pozitiv, vijimësi e strukturës kriminale, dhe amshim) në Egjiptin simbolik.
Rrugën herojve tanë (të Trebeshinës) ua pengon xhindi i Afrikës dhe ua lehtëson ai i Lindjes. Xhindi Afrikan u jep një pije që i zvogëlon trupin shkrimtarëve që kthehen pa e kuptuar në Gjishto. Stili i ‘rrëfenjës’ parodizon angazhimin politik të shkrimtarëve në ideimin e realizimin e ‘piramidës së re Mbretërore’.
Përralla i paraprin narrativave mbi ngjarjet politike tranzitive deri në vitet ‘90, dhe të polemikave kundër kultit letrar dhe idhujtarisë antropomorfike lider-shkrimtar, të vlerësuara si difekt skandaloz arketipor i turmës me instikte ende të tilla, por në zbehje.
Satira e stilit Suiftian, e kapërcen kundër-Panegjerizmin e Suiftit ndaj Draidënit të shekullit 18-të, kur librat ndaheshin në kapituj fals, për të shumëfishuar dedikatat ndaj politikanëve, dhe tutorëve të artistëve, për t’u emëruar sidomos për këtë kujdes ‘Laureatë’.
Duke thënë ‘të vërtetën e tij’ më se një herë dhe në disa forma (Eseja “Nata e apokalipsit” 1999), autori ndjek filozofinë e Niçes, që opinionit i duhen dhënë ‘dy këmbë’ që të ecë nëpër kohë. Kjo e thënë ndoshta është mbivlersuar ndaj fabulimit dhe procedimit të vetë rrëfimit që, duke u marrë me piramidofonët politikë, e këput fillin e Arianës, për të dalë nga labirinti i argumentit polemizues që vërehet edhe tek tregimi “Hani i Bregomirës”.
Tregimi “Lashtëri moderne” është vetëm një fragment nga romani “Tregtari i skeleteve” që besojmë ta kemi plotësisht në një botim tjetër. (Prishtinë, 2006)
Kjo përvojë e njohur tek Suifti në esetë sarkastike-politike: “Përralla e fuçisë”, do të jetë e njohur për shkrimtarin që metaforën e tij e ndërton mbi ironinë, themi metaforë në një kuptim Prustian të mjeteve artistike që procedojnë në vepër. Ironia ndërton tek Trebeshina sistemin e vet filozofik që vjen nga një ndjenjë e thellë morale apo siç është thënë, si morali më i lartë.
Vetëironia trebeshiniane, të ishte botuar në kohë, do të vinte në punë mendjet e trullosura të vetëmburrjes shqiptare ardhur nga stadi pagan i mosnjohjes të të vërtetës së madhe.
Këtë aspekt ironik mbivlerësonte Kirkegaardi në një ese të tij, si edhe Tomas Eliot duke arritur të quante poezi vetëm ironinë, në esetë e tij të frymëzimit të “kritikës së re”. Nuk është e para herë që dëshmi të tilla kur merren nga të ndodhurat jetësore dhe bëhen letërsi e përmendin personazhe realë e publikë sjellin trubullirë dhe komente mbi moralin më tepër se për të arriturën artistike të veprës.
Trebeshina me këtë vepër ka dëshmuar ‘Barokun e realizmit socialist’ njëzet vjet para Barokut të sotëm rus, pasi duke përdorur dokumentin historik dhe alegorizmin e Rabëlesë, Suiftit, Oruellit por edhe Borghesit, e teatrit të absurdit ai pas ‘fiction-it’ (viti 1978) përcjell moralizëm romantik si opinione te gjalla të shkrimtarit ndaj personazheve konkretë që janë shkrimtarë të njohur dhe të përmendur përmes anagramave të mirëkuptueshme dhe të pakrëndësishme për estetikën që është ndarë nga filozofia dhe disi nga morali për arsyet e saj impersonale.

Nga historitë e qytetërimit
Në dy tregimet e bukura “Ngatërresa në Apoloni” dhe “Kambanat e Shën Ilisë” përvijon në teknikat e tij të njohura të ‘Njëkohshmërisë universale’, si dhe përbërësve të saj, heroj, sisteme, doke; duke përfillur teknikat e njohura të magjisë e hipnozës si dhe sfondi mistik i një fondali romantik (gjithsesi) që përftohen përmes gjumit, pijes a melhelmeve dhe shërbejnë si elementë të ndërtimit narrativ, të njohura në veprat e tjera të Trebeshinës si “Mekami’, “Hijet e Shekujve”, “Odin Mondvalsen”.
Portat e historisë Trebeshina i hap si Minosi rrathët e ferrit ku mblidheshin gjithë hijet e së shkuarës, me një parapëlqim të Limbit parakristian në vëllimin me tregime “Ku bie Iliria? “.
Ky libër është në vijim të konceptimit të “Mekamit” e të pikësuar në librin me novela “Hijet e Shekujve”. Ai u jep dimension Jungian e Borhesian hijeve (aktantët e veprës që formësojnë syzheun dhe dramaturgjinë) duke i shtruar së bashku me të gjallët në gostinë e Postmodernizmit me një gjuhë bardi, jashtë koinesë standarte për të dhënë një efekt jo standart, me një ekonomi gjuhësore prej dramturgu.
“Ku bie Iliria? “ mund të titullohej edhe “Kënga e Nibelungëve” ose “Nibelungenlied”; një ode që autori e ka vendosur në vend të parafjalës si sagë e romatikut vetmitar:” Për Rrakataken mos e vrisni mendjen!\ Dhe qëni s’e dëgjon në Iliri! …”\ Atje veç thonë se ujrat e Viroit\ Kan’ mbushur gjithë lumenjt’ në Gjermani!…”
Leka Ndoja*

Gjatë kumtesës në Sallën” Sotir Kolea” të BKSH
Gjatë kumtesës në Sallën” Sotir Kolea” të BKSH

Ps. Foto gjatë kumtesës në Sallën” Sotir Kolea” të BKSH, në aktivitetin Tryezë shkencore, për 100 vjetorin e Kasem Trebeshinës 15, korrik 2026.
Duke hedhë nji vështrim në faqet kulturore – predominon veështrimi biografik i shkrimtarit – pra vështrimi i jashtëm i tekstit të veprës, kjo ndodh për dy arsye 1. Nuk kanë receptu asnji vepër 2. Nuk lexojnë asnji vepër letrare…!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit