back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 10 Tetor, 2024

Nevoja urgjente e shpëtimit të gegnishtes

Gazeta

Elbasani - Pjesa e kalasë
Elbasani – Pjesa e kalasë

Nevoja urgjente e shpëtimit të gegnishtes

Studiuesit dhe gjuhëtarët vunë theksin te nevoja urgjente e shpëtimit të gegnishtes dhe mbrojtjes së saj si kryedialekt i shqipes, si dhe sugjeruan edhe futjen graduale të elementeve të gegnishtes në shkollat e sistemit parauniversitar.

Dega elbasanase e Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe zhvilloi ditën e shtunë në një prej sallave të bibliotekës së Elbasanit Konferencën e Dytë Mbarëkombëtare me temën “Gegnishtja sot dhe elbasanishtja”. Morën pjesë studiues, filologë, pedagogë, njerëz të letërsisë dhe gjuhësisë, mësues dhe studentë, dashamirës të gjuhës e letërsisë shqipe, si dhe specialistë të disiplinave sociolinguistike, të cilët dhanë kontribut me kumtesa dhe diskutime, raporton Mapo. Kjo konferencë u zhvillua në vijim të një debati të gjatë në mediat shqiptare rreth problemit të trajtimit të gjuhës si një trashëgimi specifike e etnosit shqiptar, e cila, në kushtet e reja të gjeopolitikës ballkanike të pas viteve ’90, kërkon ridimensionim dhe hapësira të reja zhvillimi. Kumtuesit në këtë konferencë janë aktorë aktivë të debatit mbarëshqiptar lidhur me gjuhën dhe propozues të një sërë modifikimeve që duhen zbatuar për ta ringjallur shqipen në kushtet e riunifikimit kulturor të Shqipërisë me Kosovën, si dhe të sfidës së impaktit me gjuhët e mëdha europiane në prag të integrimit të shqiptarëve në BE. Nuk munguan kritikat për politikat e ngushta gjuhësore të së kaluarës dhe për praktikat e ndrojtura ndaj vetë parimeve të Kongresit të Drejtshkrimit 1972.
Nga të gjithë kumtuesit pothuajse u theksua me të madhe nevoja për një prani më të gjerë dhe pa paragjykime të gegërishtes në shestimet e reja dhe përmirësimet e standardit. Por theksi kryesor u vendos mbi nevojat urgjente të “shpëtimit” të gegnishtes, të mirëmbajtjes dhe të mbrojtjes së saj si kryedialekt konstitutiv i shqipes, që mbart një letërsi të pandërprerë prej rreth 500-600 vjetësh e që deri në ditët e sotme jep një produkt serioz me vlera të spikatura.
Një pjesë e madhe e debatit të ndezur kohët e fundit lidhet me faktin se disa gjuhëtarë të shkollës gjuhësore preskriptiviste të Tiranës e kanë kuptuar se standardi nuk mund të zhvillohet në asnjë drejtim tjetër përveçse atij të gegërishtes, me format e saj të reduktuara sociolinguistikisht ekonomike si dhe me morinë e nuancave që i mungojnë, toskërishtes. Ky fakt e bën të domosdoshëm vijimin e debatit dhe përfshirjen në të të sa më shumë specialistëve, jo vetëm nga fusha e gjuhësisë, por dhe ajo e sociolinguistikës, psikologjisë, filozofisë, antropologjisë, jurisprudencës, moralistikës, fesë dhe shumë nga ajo e forcave krijuese letrare. Konferenca tërhoqi dukshëm vëmendjen që institucionet, të cilat merren me gjuhën dhe gjuhën e letërsisë duhet të trajtojnë më me kujdes ekuilibrat e brendshëm të gjuhës që kanë të bëjnë me shprehësinë, me ruajtjen e traditës, me imunitetin ndaj agresionit të barbarizmave, si dhe me promovimin e sa më shumë stileve të ligjërimit letrar dhe jo vetëm. Në fund Konferenca doli me përfundimet e saj në formën e një rezolute që u drejtohet instancave gjuhësore dhe shtetërore për të mbështetur praninë e përbërëses gege brenda standardit të përmirësuar dhe të pasuruar të shqipes.

Rezolutë:
Dega e qytetit të Elbasanit e Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhë Shqipe (IPVGjSh), në konferencën e saj mbarëkombëtare të mbajtur në këtë qytet në datën 14.06.2014, pasi shqyrtoi një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë që kanë të bëjnë me nevojat imediate të rilançimit të gjuhës shqipe në kushtet e zmadhimit të arealit ndërkomunikues shqiptar, si dhe me perspektivën njëkalimshe që ka bota shqiptare për t’u integruar në familjen e madhe europiane, gjë e cila do ta rrisë impaktin gjuhësor të saj me gjuhët e mëdha të kulturës dhe shprehësisë, shprehu shqetësimin për fatin e papërcaktuar të gegërishtes si pjesë e madhe konstitutive e gjuhës shqipe, që flitet prej rreth katër milionë shqiptarësh dhe shkruhet prej një grupi përherë në rritje letrarësh cilësorë. Specialistë, njohës dhe përdorues të vetëdijshëm të gjuhës u shprehën kritikë me praktikat e Kongresit të Drejtshkrimit, i cili, megjithë përshkrimin e ekuilibruar të marrëdhënieve mes dialekteve në shestimin e profilit të standardit, në realitet nuk arriti t’i kapërcejë me sukses zotimet e veta fillimore për një gërshetim dialektor. Qoftë për shkak të parimit fonetik të toskërishtes që u vu në bazë të standardit, qoftë për zhvillim të paparashikueshëm të një prirjeje autotelike të vetëmjaftueshmërisë, gegërishtja e famshme e boshtit vertikal dhe horizontal të kulturës mbarëshqiptare, e të folurit dhe e shkrimit letrar u “dëbua” faktikisht nga gostia gjuhësore e shqiptarëve. Për arsye që gjenden në instinktet e së shkuarës moniste, gegnishtja u rrëzua në prestigj dhe ajo iu lëshua një fati të papërcaktuar. Kjo vlerë e madhe e qytetërimit shqiptar u zhgërrye e u përqesh, u difamua dhe u la pas dore, thua se në të nuk ishte shkruar një letërsi e mbushur me parësi, që nga agu i Rilindjes europiane ku duhet të zgjoheshim edhe ne, e deri tek modernistët shqiptarë të fundshekullit XX. Kërkesave të përsëritura nga ana e jonë për një përgjigje të përgjegjshme se, po të humbiste gegërishtja, çfarë do të bëhej me letërsinë e madhe gege, me monumentet e shpallura si të tillë të gjuhës shqipe, me «Eposin e Kreshnikëve», me «Përrallat Kombëtare» dhe me «Kanunin e Lekë Dukagjinit», qendrat e mëdha të studimit e të prestigjit shkencor nuk i kanë dhënë ende asnjë përgjigje. Kjo na detyron të mendojmë se ata nuk merakosen për humbjen e gegërishtes dhe pasojat e kësaj humbjeje. Një pjesë e madhe e debatit të ndezur kohët e fundit lidhet me faktin se disa gjuhëtarë të shkollës gjuhësore preskriptiviste të Tiranës e kanë kuptuar se standardi nuk mund të zhvillohet në asnjë drejtim tjetër përveç se atij të gegërishtes, me format e saj të reduktuara sociolinguistikisht ekonomike si dhe me morinë e nuancave që i mungojnë motrës së tij të vogël, toskërishtes. Ky fakt e bën të domosdoshëm vijimin e debatit dhe përfshirjen në të të sa më shumë specialistëve, jo vetëm nga fusha e gjuhësisë, por ajo e sociolinguistikës, psikologjisë, filozofisë, antropologjisë, jurisprudencës, moralistikës, fesë dhe shumë nga ajo e forcave krijuese letrare. Duke peshuar sesa rëndësi jetësore ka për ruajtjen e kulturës kombëtare si dhe për afirmimin e pertinencave specifike identitare gjuha, kultura e gjuhës dhe gjuha e kulturës, të cilën ne e kemi për fat të mirë ende, kërkojmë të sensibilizohet jo vetëm shoqëria që e ndien, por s’e identifikon dot si pengesë, por edhe qendrat e kërkimit gjuhësor e letrar, katedrat e gjuhës e letërsisë në universitetet tona të dy kryeqyteteve e kryeqendrave tona brenda dhe jashtë shtetit amë, qendrat e studimit specifik gjuhësor dhe Akademia e sotme e Shkencave, e Tiranës dhe e Prishtinës, QSA-ja, Ministria e Arsimit e Sporteve që harton kurrikula, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, si dhe Ministria e Kulturës, ajo e Prishtinës dhe, sidomos, ajo e Tiranës që ka marrë përsipër të ruajë trashëgiminë jomateriale dhe të rijetëzojë gjuhën.

Kanuni i Lek Dukagjinit
Kanuni i Lek Dukagjinit

Kërkojmë:
*shteti shqiptar që, me vetëdije dhe përkushtim, po i afrohet BE për t’u bërë pjesë e establishmentit të tij, të respektojë marrëveshjet e ratifikuara prej tij dhe të respektojë parimet e mrekullueshme të shpirtit unitar europian mbi ruajtjen dhe zhvillimin e diversitetit kulturor
*të përgatiten shkallë-shkallë kushtet për një normëzim modern e praktik të gegërishtes e cila, që në krye të herës, është shfaqur e gatshme për të “shkarkuar” elementet joqenësore të fjalës
*katedrat e gjuhës shqipe pranë fakulteteve të fokusohen në studimin e veçantive të këtij kryedialekti dhe të bëjnë shkallë-shkallë propozime për afrime drejtshkrimore të standardit me format e reduktuara gege që kanë 100 vjet që e kanë fituar qytetarinë në shqipen
*të bëhen studime, sipas udhëzimeve shumë serioze të Çabejt, për studimin e gegërishtes me perspektivën e përafrimit të dy kryedialekteve tona në një shtrat të përbashkët jopreskriptiv, por evolutiv
*të adoptohen nga institucionet tona të monitorimit gjuhësor metodat eksperimentale dhe teknologjia e matjeve gjuhësore për përcaktimin e prirjes zhvillimore të gjuhës
*për dëmtimet dhe humbjet e saj gjatë këtyre 70 viteve të fundit gegërishtja të planifikohet që të vihet në mbrojtje me statusin e vlerës jomateriale që “Mbrohet nga Shteti”
*t’i hiqet gegërishtes çdo pengesë formale dhe joformale për t’u shkruar, botuar dhe promovuar
*të rilançohet gegërishtja si një idiomë e gjuhës amtare që ka derdhur e derdh kontribute të mrekullueshme në llogarinë e letërsisë mbarëkombëtare me cilësi artistike dhe me spikamë estetike
*elementë të gegërishtes të futen pa vonesë e gradualisht nëpër shkollat e sistemit unik parauniversitar dhe të mundësohet përthithja pa firo e letërsisë historike dhe të sotme gege.
*të promovohen vepra dhe krijime në gegërisht. Madje do të ishte e udhës që shteti duhet të marrë përsipër të subvencionojë gegërishtshkruesit, të cilët, për hir të së vërtetës, janë të sakrifikuar qysh në çastin kur ata mendojnë se i drejtohen një auditori më të kufizuar.
*në të gjitha mbledhjet, tubimet, konferencat e takimet vendimmarrëse të botës shkencore gjuhësore shqiptare gegërishtja të konstituohet si PALË dhe të përfaqësohet prej studiuesish që kanë dhënë prova se nuk kanë qenë kurrë për përjashtimin e gegërishtes nga gignesthe-ja gjuhësore e letrare e kulturës shqiptare. Konferenca II e IPVGjSh-së
Elbasan, qershor 2014
Marrë nga http://zeri.info/ 16.06.2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.