back to top
24.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj, 2026

Neomalësorja… që te çeshtja e gjuhës, ban si patriote!! – nga Astrit Cani

Gazeta

Astrit Cani
Astrit Cani
Neomalësorja… që te çeshtja e gjuhës, ban si patriote!!
nga Astrit Cani

Deputetja debutante me emrin kitsch Neomalësore, u gjind së mbrami në synin e ciklonit, ose ciklopit, ngase nuk flet neoshqipen. Madje ajo u qortue randshëm (por jo dhe bindshëm), se nuk na flitka as dialektin e gjyshave të saj të Dukagjinit. Porse për “me shitë pordhë” na përdorka të folmen e gropës së Shkodrës, që në fakt asht gegnishtja letrare.
E gjitha kjo duket krejt e ngatërrueme, por asht fare e thjeshtë. Gegnishtja asht shqipja origjinale, pra, si thonte Gjon Shllaku, jo vetëm nuk asht dialekt, por asht gjuha ma e vjetër e kontinentit. Njiherit asht edhe gjuha ma e vjetër e kontinentit të letërsisë shqipe. Dhe n’asnji doracak historik të letërsisë shqipe, shkrimtarët e veriut, nuk quhen shkrimtarë dialektorë.
Ktë pretendim retroaktiv nuk e pati as banda militante e Kongresit të drejtshkrimit, e cila, kurr nuk pretendoi t’i impononte folësit neoshqipen e vet, përderisa u vetëmbiquejt “e drejtshkrimit”dhe jo “e drejtshqiptimit”, pra vendosi disa rregulla drejtshkrimore, që thjesht e komplikuen punën. Por ma shum e ndërlikuen mediat komerciale që dolën nga putschi i ‘97s, që e vazhduen luftën gjuhësore si luftë klasash e aplikueme kundër qytetarisë së vjetër. Dhe lanë jashtë tregut gjuhësor shumicën e shqiptarisë, që shkon prej Elbasanit deri në Bosnje. Rezultati: rinia kosovare me komplekse neokoloniale, në pamundësi me folë shqipen standarte – të cilën nuk e flet askush përveç inteligjencës artificiale!, – parapërdor anglishten e globalizmit, si gjethu fiku, me mbulue dekontestualizimin e vetë energjisë burimore të tabanit ku gjallon.
Edhe fjalori i gjuhës së sotme shqipe, që gjoja u përditësue online, e vazhdon ktë luftë klasash, dhe deri diku ia mrrin qëllimit që intelektualëve të “klasës” së përmbysun, t’iu rrotullohen eshtnat në vorr.
Neomalësorja mbasi i bashkohet luftës së klasave tek pranon të tufëzohet me PS-në, kujtohet për luftën e individit, dhe nuk pranon të etiketohet si neomaloke, te nji media komerciale që i atashohet shtabit kundërkulturor me qendër në Tiranë. Dhe kta që janë kundërkulturor, kur vjen te gjuha bajnë si patriot!! Ato media që ma shum se asgja mundësuen shkatërrimin e çdo përkatësie identitetare dhe etike të shqiptarëve anembanë planetit, po ato pretendojnë se po i mësojnë shqip shqiptarëve.
Dhe asht shum kundërzbulues fakti, se pikërisht n’epokën e inkluzivitetit ndodh mobilizimi total mediatik për me lanë jashtë çdo përfaqësim të origjinalit, çka tregon edhe njiherë funksionin përjetësisht defiçitar dhe debilizues të pushtetit!
Nji model konstruktiv i kundërvendos luftës së klasave (e cila referon veç te pushteti i djeshëm dhe i sotëm), luftën e individit! Dhe jo luftën e individit kundër individit, por luftën e individit kundër pushtetit! Dhe kjo asht forma ma e shenjtë e çdo lufte – ajo që len shenj.
Shumica e shqiptarve i thonë njishit nji, dhe pamvarësisht se në shkolla na bajnë me shkrue një, ne prap do ta shqiptojmë, nji, pra njih!
Marrë nga Muri i FB Astrit Cani, 12 prill 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.