
Në vend të një nekrologjie për inxhinierin dhe artistin Zef Naçaj
“Portret i paautorizuar” nga Gjon Fierza
Në kuadër 100 vjetorit Shërbimit Pyjor Shqiptar, kisha përgatitur këtë shkrim për inxhinierin Zef Naçaj, për ta bërë atë të njohur te brezi më i ri i specialistëve, po edhe për ta sjellë në kujtesë për kolegët… brenda e jashtë vendit.
Në rrethet artistike, z. Naçaj njihet si piktor, ndërsa ne inxhinierët e pyjeve e kemi koleg. Për Zef Naçajn të flasin gjatë, me respekt e konsideratë të veçante, si student, si specialist edhe si drejtor i Ndërmarrjes Pyjore, Shkodër. Zef Naçaj i përket asaj gjenerate që ka kontribute të lavdëruara në pylltarine shqiptare. Ai pjesën më të bukur të jetës (rininë) e lidhi me pyjet. Mbaroi Shkollën e Mesme Pyjore në Shkodër, me rezultate të larta me 1972, dhe po atë vit nisi studimet në Fakultetin e Pyjeve. Në vitin 1977, u diplomua inxhinier dhe nisi punë në N. Pyjore, Shkodër.
Në veprimtarinë e tij rreth 12 vjeçare si specialist, vlen të përmendet niveli i lartë profesional komunikimi korrekt e bashkëpunues, çka do të bënte që vetë kolektivi ta zgjidhte drejtor në vitet 1989 deri më 1992. Ndërmarrja Pyjore e Shkodrës, me veprimtari shumë të madhe, do të kishte si drejtor të tretë të saj (pas Loro Beltojës e Vehbi Cufit) inxhinjerin Zef Naçaj.
Ata që kanë punuar në atë ndërmarrje ato vite, apo në ministri, sjellin ne kujtesë cilësitë e veçanta dhe risitë në drejtim, që solli inxh. Naçaj. Ai, me shpirt krijues e talent artisti, spikati në atë periudhe të vështirë, duke mundësuar e përshtatur dhe pylltarinë me situatën e krijuar të funksionimit të elementeve të ekonomisë se tregut. Më pas, Zefi punoi specialist në DSHP Malësi e Madhe dhe në vitet 1998-2002, konsulent lokal ne Projektin Shqiptar të Pyjeve, financuar nga Banka Botërore. Edhe aty spikati puna cilësore e Zefit. Ai monitoronte punimet dhe vendosi bashkëpunim të mirë me pushtetin vendor e komunitetet lokale. Punimet që zbatoheshin në terren, ai i bënte prezent me foto e shkrime. Fotot artistike të Zefit, zbukuronin për disa vite mjediset e zyrave të Projektit të Pyjeve, etj. Në vitin 2003, në plotësim të një ëndrre të lindur ndoshta bashkë me të, në kërkim të një jete më të mirë, ndoshta edhe sfidë vetjake.
Zef Naçaj do ta gjente veten në një mjedis shoqëror te ndryshëm nga shqiptar, ku njeriu vlerësohet për sa di dhe sa realizon; emigroi në SHBA, ku jeton e punon edhe sot. Zefi është ndër më aktivët dhe thuajse i përditshem, me foto, komente e publikime. Ai ndjek nga afër veprimtarinë në shoqërinë shqiptare dhe veçmas problematikën e pylltarisë sonë. Po në këto vite çfarë ka arritur Zefi në SHBA? Ai është modest dhe flet pak për vete, por arrijmë të mësojmë se ka mbrojtur gjuhën angleze dhe përkthyer diplomën e inxhinierit të pyjeve me pikët e nevojshme për “Bahchelor degree”. Ka mbaruar online për dy vjet shkollimin si specialist për dekorime të brendshme. Punon në profesionin e dizenjos dhe realizimin e aplikimeve të ndryshme arti
Si inxhinier pyjesh, duket se “ushtron zanatin” ndoshta duke shijuar vetëm parqet pyjore dhe gjelbërimin e pafund atje ku jeton. Një dhunti që e bën disi të veçantë inxh. Zefin, është se ai ka realizuar vepra të arrira në pikturë, ndonëse siç thotë ai “si amator”. Janë me dhjetëra piktura të Zef Naçajt, të ekspozuara midis piktorëve të njohur shkodranë në disa ekspozita vendore po edhe kombëtare. Zefi është njohur edhe si arkitekt; sot në zonën e Koplikut apo edhe në periferi të Shkodrës, ka disa vila të projektuara prej tij. Vendlindja, Vermoshi, profesioni i inxhinierit të pyjeve, talenti dhe vullneti kanë qenë ato, që e kanë bërë Zef Naçajn artist të vërtetë dhe për këtë anë të jetës së tij, mund te shkruhen faqe të tëra.
Tashme profesioni i pylltarit për Zefin është disi një e shkuar, por gjithsesi ai mbetet i lidhur me kolegët, me shqetësimet dhe problematikën që kanë pyjet në Shqipëri. Zefi ndjek edhe së largu çfarë ndodh me to. Ai nuk nguron të shkruajë e të shqetësohet nga përkeqësimi i gjendjes së pyjeve.
Përgatiti Gjon Fierza, 27 janar 2023