back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Në vend të hyrjes… – nga Sadik Bejko – libri i Emmy Krosit “Buzët lyej me ngjyrën e muzgut”

Gazeta

Emrije Krosi - Buzët lyej me ngjyrën e muzgut
Emmy Krosi – Buzët lyej me ngjyrën e muzgut

Në vend të hyrjes…

nga Sadik Bejko

libri i Emmy Krosit “Buzët lyej me ngjyrën e muzgut”

“Ne që kemi shpirt vdesim më shpesh”
Emily Dickinson

Nga Këlni ishim nisur në orën tetë/më tre në Hagen, patëm sosur, 
“Gjermania një përrallë dimri”, H. Hajne

Shkrimtari Sadik Bejko
Shkrimtari Sadik Bejko

***
Emi Krosin e kam njohur në sallat e leksioneve të Filologjikut të Universiteti të Tiranës. Ishte një studente e zellshme dhe sistematike. Kanë ndërruar kohët. Emi Krosi tani merret me studime letrare. Studimet e saj sidomos ato mbi poezinë, më kanë befasuar me pasurinë e mendimit, referencat nga literatura më e fundit dhe më e zgjedhur. Një punë tjetër e saj janë poezitë, të cilat i kam ndjekur në takimet poetike dhe lexuar nga postimet nëpër rrjetet sociale. Meqë ajo ka vendosur që t’i botojë në një libër, po bëj një paraqitje të shpejtë të këtj libri.  
Nga një lexim i vëmendshëm mund të vëresh përmasat që e karakterizojnë këtë poezi të shkruar në një periudhë kohore disavjeçare. Më pëlqen të ndalem te poezia e shkurtër. Gjuha poetike është e thjeshtë. Imazhet të gjalla si të vizatuara përpara syve. Struktura e gdhendur, pa asgjë të tepërt. Poezi e tipit të Ungaretit. Përparësi këtu merr imazhi, i dhënë në një gjuhë të zhveshur pak barok. Ashtu si në hajkun kinez, gjithçka ndodh këtu, në këtë çast. Uni poetik është ai që ndjehet tani, në tejdukshmërinë e lotit, të çastit. Nuk ka kohë tjetër, veç asaj që shtrihet në diafragmën e kamerës që fikson gjendjen. Një çast, një ndjenjë, një përkatësi absolute, ekskluzive e vetes që ndien, e asaj që ajo shpreh, e asaj që ajo thotë.  Kështu poezia është liri. Liri e hedhur në letër me shpejtësinë dhe vërtetësinë e akuareleve të freskëta. Akuareli veç i kthjellët i tejdukshëm, veç kështu mund të jetë. Por përbrendësia e këtyre poezive mund të jetë e ngrysët, pavarësisht kësaj veshjeje formale që ngjan e shkrifët në dendësinë e saj. Autoria e ka arritur me shumë punë këtë shprehësi e gjuhë poetike që rrjedh. Pra, nën këtë endje poetike të përkorë vijnë gjendjet e dhembjes, të mungesës, të zhgënjimit, të dëshirës për realizim, për më shumë dashuri, për hapësirë shpirtërore. Endemi në ëndrrën e lumturisë së munguar, në pafundësinë e dhembjes në raport me dëshirën, do të thoshim, një dëshirë titanike për jetë, për përkryerje, për njëmendësim me më të mirën e mundshme. Sfondi është urban. Mjedise të zymta të një qyteti që shpirtërisht gati lëngon. Nata, mbrëmja, rruga, kafeneja, grimëherat në një eros përçart, shpejtia beh muzgun, shiu, shtrëngata e netëve të çarë nga vetëtimat, pastaj bunaca e mbrëmjeve të humbura që ua lënë vendin mëngjeseve të pashpresa. Prap është një poezi e fortë, e një uni poetik të rrahur me jetën e paudhësitë e saj. Poezitë me temë shoqërore… të ngjan se nuk janë kaq universale sa gjendjet ekzistenciale të unit, por kjo nuk është e vërtetë. Situatat mund të jenë të përkohëshme, thelbet e veseve dhe të sëmundjeve shoqërore të përhershme. E rëndësishme është kapja, qasja poetike ndaj kësaj teme. Te poezitë me tematike shoqërore të Emi Krosit vërejmë një vrojtuese të përpiktë, një atakim ndaj tyre deri në nivelin e satirës dhe me një gjuhë që nuk e fsheh vrazhdësinë e saj. Poezitë për Kosovën, Dajanën, Terezën e Kalkutës e të tjera të këtij lloji, janë poezi që e shtresëzojnë tërësinë e kësaj poezie në kohë e në hapësirë. Me një rreptësi të përmbajtur, me një fjalë të kursyer, me elegancë kur duhet dhe me ashpërsi në anën tjetër, kjo poezi të fon të mbash anë, të urresh e të duash. Të jesh shpirtërisht i shëndetshëm…
Korrik, 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.