
Në thelb, s’jemi ndarë kurrë…
Richard Burton para vdekjes i shkruan Liz Taylor
Kjo letër u shkrua dhe u dërgua nga Richard Burton për Liz Taylor, tetë muaj mbasi ai u martua me gruan e tij të fundit, Sally Hay, dhe vetëm një javë para vdekjes së tij në moshën 59-vjeçare. Gjatë atij viti të fundit, ata nuk u panë më kurrë. Liz Taylor e gjeti letrën në shtëpinë e saj në Kaliforni, kur u kthye nga varrimi i Burton-it në Zvicër.
“Dua të di si je, o urrejtja ime, o fytyra dhe kryqi im, o hija dhe drita ime, o pëllumbi dhe korbi im.
Asgjë s’ka ndryshuar këtu: liqeni ende i errët, shiu vazhdon të bjerë dhe në dritaren e verbër akoma shkëlqen agata e kujtimit të syve të tu vjollcë.
Është pasdite e së dielës. Po pi… Lërmë të të them se jam i trishtuar si një qen plak, e vetmia ime është një shtëpi e madhe, bosh dhe e kotë, si kjo. Macja ime e verdhë mjaullin… Do të kisha dashur ta kaloja këtë çast nën hijen tënde, pranë siluetës sate hyjnore e të lashtë. Edhe ajo ndien mungesën tënde, edhe merimanga ka marrë formën e mungesës sate. Sikur t’i kishe lënë sytë e tu këtu, që të mos mund të të harroja kurrë.
Sikur të mund t’më përgjigjeshe, sikur të mos ishte tepër vonë për këtë marinar të dehur që endet pas portit të tij… E ngjesh zemrën pas dritares… e përsëris emrin tënd dhe timin. Ti je si shiu dhe kujtimi, drita dhe errësira, arma dhe plaga, e rreme dhe e bukur, përvëluese dhe e ftohtë…
Çuditshëm mendoj se ti je ende këtu, se koha nuk ka kaluar, se kjo s’është një letër e një të dehuri, por një poezi e humbur. M’i kthe ato çaste kur jetonim si mysafirë të triumfit, me shtratin tonë të humbur në vorbullat e Tiberit, me përkëdheljet e xhelozisë dhe kafshimet e dëshirës, me mashtrimet e tradhtisë dhe puthjet e fajit. Nuk ka jetë pa ty. Ti je kocka dhe gjaku im, trazimi dhe qartësia ime, muri dhe dredhka, bari që do të puthë gurin tim të varrit. Ti je jeta.
E ëndërroj veten brenda teje.
Dhe do ta mbyll siç e nisa: asgjë e re këtu. Liqeni ende i errët, era ulërin, është pasdite e së dielës… Jo, është natë dhe po pi. Po bie shi mbi këtë shtëpi të rrënuar, pa çati, me dysheme të zbrazët nga mungesa. Po bie shi mbi mua dhe mbi këto fjalë të mjegullta, që të thërrasin ty një mijë herë.
Në thelb, s’jemi ndarë kurrë. Dhe besoj se kurrë nuk do të ndahemi…!”
Përktheu Miranda Kabashi