back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 17 Shkurt, 2026

Në përkujtim të Dott. Elio Rossi “Humanist pa kufij” & “Qytetar Nderi i Shkodrës” – nga Filip Guraziu

Gazeta

Filip Guraziu
Filip Guraziu
Në përkujtim të Dott. Elio Rossi
“Humanist pa kufij” & “Qytetar Nderi i Shkodrës”
nga Filip Guraziu

Me rastin e përvjetorit të parë të ndamjes prej kësaj jete të dott. Elio Rossi, Shoqata e Miqësisë Itali-Shqipni (Firence-Shkodër) organizoi, me 10 janar 2026, nji veprimtari përkujtimore pranë sallës së kishës Santa Maria Ausiliatrice – Novoli, Firenze.
Mbas shfaqjes së nji video të realizueme prej z. Filip Guraziu, ku pasqyrohej jeta familjare dhe vepra e çmueshme e dott. Elio Rossi në shërbim të shtresave në nevojë, u mbajtën kumtesa dhe dëshmi mbi jetën dhe veprimtarinë humanitare të këtij njeriu të thjeshtë, por me zemër të madhe, dott. Elio Rossi, nga z. Filip Guraziu, z. Giovanni Pallanti, z. Marcello Masotti, znj. Francesca Innamorati, z. Giuseppe Gori dhe z. Daniele Crescioli. Pjesëmarrësit vlerësuen dhe falënderuen për bashkëpunimin në mbështetje të Shoqatës së Miqësise në misionin e saj ‘Pro Shqipnisë’ institucionet italiane (Comune di Firenze, Regione Toskana, ATAF, Comune di Venezia, ACTV, Comune di Prato, CAP-Prato, Marina Militare Italiana etj.)

Elio Rossi & Filip Guraziu
Elio Rossi & Filip Guraziu

Po kush ishte dott. Elio Rossi?
Me 8 janar 2025, në moshën 94-vjeçare, u nda nga jeta në Firence dott. Elio Rossi, qytetar shembullor, humanist i përkushtuem dhe mik i madh i Shqipnisë, veçanërisht i qytetit të Shkodrës.
I lindun në Romë, në nji familje ekonomikisht të mirë dhe i rritun me nji edukatë të fortë të krishterë, Elio Rossi e ndërtoi tanë jetën e vet mbi parime morale, ndershmëni dhe shërbim ndaj të shtresave në nevojë. Bashkë me bashkëshorten Antonietta themeloi nji familje të denjë e të bashkueme, të begatueme me vajzën Gabriella, dashuninë e jetës së tyne.
Mbas emnimit si Drejtor i sektorit të trafikut me rrezik të naltë pranë Autostradave Italiane të Firences, Elio u vendos përfundimisht në kët qytet, ku falë korrektesës profesionale dhe ndjeshmënisë së thellë njerëzore, fitoi respektin dhe vlerësimin e nji rrethi të gjanë shoqnor. Në ditët e vështira të përmbytjes së Firenzes prej lumit Arno, ai ishte në vijën e parë, me çizme e lopatë në dorë, përkrah qytetarëve të thjeshtë.
Demokrat i bindun dhe kundërshtar i palëkundun i çdo forme diktature, Elio Rossi ishte gjithmonë i gatshëm me i ardhë në ndihmë popujve që vuejshin. Në fund të viteve ‘80, me nismën e vet, organizoi ndihma humanitare për popullin polak mbas rrëzimit të regjimit komunist, si edhe për popullin kroat gjatë viteve të luftës. Për të, solidariteti s’ishte fjalë, por veprim konkret.
Në janar të vitit 1993, në Firence, lindi lidhja e tij e veçantë me Shqipninë dhe me qytetin e Shkodrës. I shtyem prej nji ndjenje të thellë humanitare dhe prej njohjes së drejtpërdrejtë të realitetit të vështirë të vendit mbas diktaturës, Elio Rossi themeloi Shoqatën e Miqësisë Itali-Shqipni (Firence-Shkodër), e cila zhvilloi nji veprimtari të jashtëzakonshme në planin humanitar, institucional dhe kulturor.
Nëpërmjet kësaj shoqate, qytetit të Shkodrës iu dhuruen 93 mjete transporti (autobusë, kamionë, furgona, mjete për pastrimin urban, mjete lundruese liqenore), të gjitha të mbushuna me ndihma ushqimore, veshmbathje dhe materiale për spitalet. U realizuen gjithashtu ndërhyrje mbështetëse për refugjatët kosovarë në vitin 1999, ndihma për shkollat dhe administratën vendore, si edhe projekte të shumta kulturore, botime, kualifikime, ekspozita, koncerte dhe iniciativa artistike në disa qytete të Italisë.
Elio Rossi nuk ishte vetëm nji prind shembullor dhe nji qytetar i ndershëm fiorentin. Ai ishte nji qytetar i vërtetë i botës, i ndjeshëm ndaj vuejtjes së qenieve njerëzore kudo që ndodheshin. Me urtinë dhe thjeshtësinë e tij, ai la edhe nji trashëgimi të çmueshme morale: faljen, mirëkuptimin dhe dashuninë për të afërmin. Nji këshillë e thjeshtë, por nji mësim i madh, nji filozofi e vërtetë jete, të cilën e kam mbajtë gjithmonë me veten time
Kujtimi i Dott. Elio Rossi do të mbetet i gjallë si shembull i nji njeriu që jetoi për të tjerët, me zemër të madhe dhe dinjitet të thellë njerëzor.
Për kontributin e jashtëzakonshëm dhe dashuninë e sinqertë të tregueme ndaj Shkodrës dhe popullit të saj, Bashkia e qytetit i akordoi titullin e naltë “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
Dott. Elio Rossi ishte nji bir i denjë i Italisë dhe nji vëlla i dashun i Shqipnisë.
E konsideroj veten me fat që e njofta dhe që pata privilegjin me e thirrë mik e vëlla.
I paharruem qoftë kujtimi i tij.
I dashtuni Elio, Pushoftë në paqe.
Filip Guraziu – President i Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipni (Firence-Shkodër), për palën shqiptare.
Firenze, 10.01.2026.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.