
Ne nuk e merituam Konstandin Gjordenin
in memoriam nga Agron Tufa
Me vdekjen këto ditë, mes mjerimit dhe shpërfilljes së plotë, të Konstandin Gjordenit (24.4.1957 – 16*.1.2025), plotësohet simbolikisht tabloja e pikëlluar dhe lënduese e fatit të të gjithë ish-të burgosurve politikë të diktaturës komuniste. Ikja e Kostës kësisoj, pa lajm, pa asnjë përmendje në media (përpos platformës virtuale kujto.al), pa asnjë ceremoni zyrtare, flet mjaftueshëm për nivelin cinik të shtetit, qeverisë dhe shoqërisë. Kjo shpërfillje edhe për vdekjen e tij, është vazhdimësi e shpërfilljes dhe braktisjes që i bënë Konstandin Gjordenit dhe një pjesë shumë të madhe të kësaj shtresë të masakruar gjatë regjimit komunist dhe braktisjes e shpërfilljes pas daljes nga burgjet dhe kamp-burgjet naziskine të gulagëve komunistë.
Konstandin Gjordeni ishte një hero i mbijetuar i Revoltës së të burgosurve politikë të kamp-burgut të Qafë-Barit (22 maj 1984), ku mori dhe një plumb në shpatull gjatë asaj masakre të drejtuar nga komandanti sadist i policisë së kampit, Edmond Caja. Kështu pra, mbarojnë këto histori çmeritëse, akulluese, turpëruese e poshtëruese, edhe pas rënies së komunizmit: liga solidare e pushtërve, xhelatëve dhe sadistëve të djeshëm nuk njeh kufi karriere e pushteti, ndërsa viktimat, martirët e djeshëm si Kosta Gjordeni me shokë, do të shuhen të pavënëre mes mizerjes, shpërfilljes dhe harrimit të plotë. Si mund të ishte, ndryshe kur drejtësia qoftë e vjetër, qoftë e “reformuar”, mbushet me bastardët e po asaj drejtësie të regjimit të Enver Hoxhës? Kur ende shpatën e drejtësisë e luajnë Krajat, Sheshajt, Dvoranët e pafund?
Kosta Gjordeni jo vetëm nuk u njoh si një hero i mbijetuar i masakrës komuniste të Qafë-Barit, me dëshminë e gjallë të plumbit në shpatull për 25 vjet, por për turpin e parrëfyeshëm, për absurditetin e reformave në Drejtësi të pas viteve 1990, ai mbeti dhe pa shpërblim, pa paratë e kompensimit, ndonëse qe dënuar dhe ridënuar me mbi 23 vjet burg politik.

Për plumbin e marrë në masakrën e Edmond Cajës, në Qafë-Bari, ku mbet i vdekur në tortura Sandër Sokoli, dhe u pushkatuan Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, Kosta i plagosur me plumb në shpatull u ridënua bashkë me shokët e vet, edhe me 15 vjet të tjera në bazë të neneve 50/1 në kombinim me nenin 13 dhe 31/a, b të Kodit Penal, pra të “terrorizmit në bashkëpunim”. Pra Revolta antikomuniste e Qafë-Barit u gjykua nga drejtësia si “terrorizëm”. Kjo është në koceptin dhe logjikën enveriste, nuk çuditemi.
Po si ka mundësi, rri e vras mendjen për vite e vite, si ka mundësi që përgjat 35 vjetëve drejtësia e një shteti që i thotë vetes demokratik, të lërë në fuqi për Kostandin Gjordenin dhe qindra të tjerë që patën të njëjtin fat, akuzën enveriste për “terrorizëm”?! Si ka mundësi që nuk e ndryshuan? Po çfarë kafshësh, çfarë vemjesh, çfarë qeniesh të pështira paskan qenë! Dhe çfarë fyerje për të gjithë…! Mjafton kaq, që të rëndojë turpi e përbuzja e përjetshme për gjithë degjenerimin e vullnetit politik e juridik të Shqipërisë postkomuniste. Nga e gjithë kjo mosdashje për t’i fshirë ligjet e drejtësisë enveriste (edhe personazhet e kësaj drejtësie, natyrisht), e pësuan heronjtë, martirët dhe viktimat si Kosta, që nuk përfituan dot as dëmshpërblimin, se – dëgjoni – paskan qenë “terroristë” dhe, për më tepër, vazhdojnë të jenë. Përjetësisht! E padëgjuar. E pabesueshme. Por, mjerisht, mbetet fakt.
Si mund të përfytyrohej ndryshe nga ç’qe, fati i Kostës dhe sivëllezërve të tij?
…Eh, Kosta, Kosta! Ti ishe një hero dhe një shembull edukimi në çdo shoqëri tjetër të qytetëruar. Ne nuk të merituam! Nuk ishim të denjë! Ndërkohë që ti, për njëzet e pesë vjet mbaje në shpatull plumbin e Edmond Cajës në masakrën e Qafë-Barit, sivëllezërit kainianë të Cajës bënë karrierë marramendëse. Ti e di mirë, Kosta, njëri sosh i SPAK-ut, që e drejtoi në mandatin e parë, Arben Kraja, të parin akt që bëri në detyrën e Partisë, qe pushimi i kallëzimit penal që kisha bërë ndaj sivëllaut të tij, Edmond Cajës. Nuk mund të prisnim ndryshe, Kosta. I kemi kuvenduar këto gjëra bashkë më ty, Bedri Blloshmin, Ahmet Tufën, Kastriot Dervishin e të tjerë, kur më dorëzove plumbin e Edmond Cajës, të nxjerë nga shpatulla jote në vitin 2010, për ta ruajtur në ISKK. Këtë plumb e shpërfillën, Kosta, ndërmjet të tjerësh, sidomos ata, që një teto e ligë na i imponoi si heronjtë e fëmijëve tanë.
Shko me Zotin, Kosta… Shko përdore me Zotin në parajsat e Tij të Pafundme ngushëlluese. Të paktën, besoj se Atje, në Parajsat e Zotit tonë, do të gjesh prehjen dhe ngushëllimin e munguar. Ne nuk të merituam Kosta… Asnjëherë! Për më tepër e përdhosëm çdo ditë kujtimin e sakrificës tënde dhe të shokëve të tu…
U prehsh në paqe Kosta!
***
P.S: Data e shuarjes së Kostandin Gjordenit, 16 janari, është ajo që gjeta në një portal. Data e saktë mendohet të jetë me hershme, rreth një muaj më parë. Edhe kjo është tregues i shpërfilljes dhe brakstisjes.
https://kujto.al/kostandin-gjordeni-25-vjet-me-plumbin-e…/.
Skënder Tufa
Data e vdekjes nuk është 16janari, kur u publikua largimi i tij nga kjo jetë pasi ai është larguar një muaj më parë.
Kushdo që merr përsiper të analizojë gjendjen, rrethanat, kushtet dhe aktualitetin e të burgosurve politikë, së pari duhet të hedhë një vështrim mbi vetveten dhe kontributin nën flamuj partish, për interes të të cilave mundet të ketë pështyrë mbi Kostat dhe plagët e tyre duke bëre tam-tame politike për pseudodemokratë, ekstremisht komunista që vodhën idealet e Kostave dhe i ripersekutuan ata.
Kushdo që për një karrige, ka heshtur kur ngriheshin ata.
Kushdo që ka përkrahur për një karrike persekutorët e bojatisur.
Kushdo që ka qenë ingranazh politik në duar kameleon-persekutorësh, së pari duhet t’ju kërkojë ndjesë Kostave të mbijetuar që zvarriten sot e 34 vite nga pusht-etet e post- demokracisë.
Agron Tufa
Për datën e saktë, është një sqarim në fund dhe fakti që, ka datë të mëhershme të ndarjes nga kjo jetë, tregon edhe njëherë shpërfilljen, i dashur Skënder.
Në fakt, përveç kujto.al. nuk ka shkruar kush për Kostën. Nëse ju e leni të nënkuptuar këtë për mua, me frazën “duhet të hedhi një vështrim mbi vetveten dhe kontributin nën flamuj partish…”, atëherë kur të doni, e sqarojmë dhe këtë. Unë mendoj se kam një të drejtë e një moral kristal e vetëtitës, së paku në përpjekjet dhe dëshirën e mirë, deri ku shtrihen mundësitë e mia, sipas botëkuptimin tim. Pra, kam të drejtë, desha të them, të flas për Kostën e për këdo ndjej dhimbje. Ndjesë paraprake për çdo keqkuptim.