
Në kujtim të kinoregjizorit të persekutuar, Viktor Stratobërda
nga Luan Myftiu
Ishte koha kur po dënohej kulti i individit të Stalinit dhe P.P.Sh.-ja, e hutuar, nuk po gjente dot qëndrimin që i duhej të mbante haptas. Shumë intelektualë po kërkonin të futej dhe në Shqipëri ajo frymë liberalizimi, që kishte përfshirë lindjen komuniste. Natyrisht, nuk mund të ishin indiferentë artistët e vërtetë, që kishin përjetuar censurën dhe autocensurën më vrastare të enverizmit. Në përfundim, shumica e tyre u dënua prej tiranisë komuniste me akuza false, të montuara, me thashetheme, apo me hamendje fantazish të llahtarshme, të sajuara nga tmerri i krimeve që xhelatët kishin kryer. Ndërkohë Shqipëria ishte gjithë sy e veshë të mësonte ç’po ndodhte. Ajo ndiqte me kërshërí fatin e atyre, që po ngrinin zërin si liberalë. Inteligjenca shqiptare po vihej në gijotinë. Ishte në luftë e mira me të keqen, virtyti me vesin, urrejtja me dashurinë. Populli pa zë solidarizohej me sakrificat e martirëve të fjalës së lirë. Nuk kishte shqiptar që të mos njihte një viktimë. Heshtja ishte një nga format e protestës kundër diktaturës, që nuk po bënte asnjë lëshim. Në mjerim, të gjithë të vuajturit shihnin me admirim mbrojtësit e tyre. Po le të sjellim disa kujtime për njërin nga këta “avokatë” të lirisë, të artit dhe të humanizmit. Të munduarit dinë të çmojnë fort gjithë ata që therrorizohen për një ideal shoqëror. Ndoshta prandaj asokohe ishte një fat të njihje dhe kinoregjisorin e shquar, prodhuesin e filmit “Skënderbeu”, Viktor Stratobërdën. Dhe ky s’ishte një fat vetëm për artdashësit, por dhe për çdo njeri të thjeshtë. Sepse Viktor Stratobërda, para se të ishte artist, ishte një njeri i vërtetë. Ai qe dhe mbeti mishërim i madhështisë së shqiptarit të thjeshtë; një bujar i pakursyer i mirësisë, simbol i pasionit për punën, etalon i dashurisë njerëzore, shembull virtyti dhe karakteri të paepur. Ky personalitet i artit nuk e njohu kurrë mburrjen. I urryer pa të drejtë, nuk urreu; i përbuzur ligësisht, nuk përbuzi; i mohuar barbarisht, nuk mohoi. Viktor Stratobërda mbeti kështu një “ikonë” urtësie dhe mirëkuptimi, një lloj “apostulli” paqësor, apo një piketë referimi për tolerancë. Tërë jetën ky artist i lindur mbeti i njëjti Viktor: dashamirës, buzagaz e i respektueshëm me të gjithë. Madjé, dhe me vuajtjen e tij ai nxiti vetëm ndjenja respekti edhe tek ndonjë prej atyre, që, të molepsur nga ideologjia kriminale, e kishin paragjykuar si njeri të keq.

Krejt i zakonshëm në dukje, Viktori ndrynte brenda vetes një të tillë force vullneti, sa cilidó që e njohu mbeti gojëhapur përballë etjes së tij për të mbushur me përkujdesje çdo minutë të jetës së tij pa gëzime. Ai merrej me njerëz të braktisur, a me zhvillim të vonë, si ta kishte këtë një detyrë, të caktuar që në lindjen e vet.
Viktor Stratobërda ishte një artist i vërtetë; një intelektual i formuar, një atdhetar i devotshëm dhe një demokrat i madh idealist. Ishte një ata punëtorët këmbëngulës, që nuk rreshtin së kontribuari për të përkryer shijet estetike të bashkëkombasve. Pjesëmarrës aktiv në Luftën e Dytë Botërore kundër okupatorit, ai kurrë nuk lakmoi as karrierë, as privilegje. I lauruar në Moskë për kinoregjizurë, asnjëherë nuk u konformua me ideologjinë e urrejtjes dhe mbeti model i njeriut që kërkoi vetëm mundësi zhvillimi për të gjithë. Mbeti një adhurues i pasionuar i çdo vlere. Me intuitën e tij artistike gati gjeniale, me pasionin e furishëm për artin e kinemasë, ai kurrë nuk ra pré e atij tundimi, që cyt natyrshëm tek çdo artist dëshira e krijimit dhe asnjëherë s’i bëri lëshime atij pushteti që synonte përdhosjen e lirisë së ndjenjës e të mendimit. Tërë jetën Viktori u angazhua për humanizimin e artit, edhe pse iu desh që këtë ta paguante shtrenjtë. Ai luftoi për të kultivuar kudo shije të holla estetike edhe në kushtet e banalitetit më të zymtë të socrealizmit. Gjithmonë viktimë e sinqeritetit, ai përballoi me stoicizëm goditjet më mizore të atij realiteti çnjerëzor. Dhe i trajtoi privacionet e veta si pjesë të një fataliteti, ku lëngonin shumica e shqiptarëve. Ndaj mbeti i veçantë, sidomos për qetësinë, me të cilën duroi vuajtje, që do të kishin egërsuar ndoshta edhe shpirtin e një misionari të fésë. Dhe, pikërisht pse mbeti një personalitet i nderuar nga të gjithë, ai e tërboi fort diktaturën. Sepse, me pasurinë e lirisë që kishte në shpirt, ai mallkoi tërë varfërinë e diktaturës për gjithë barbaritë e raprezaljeve të saj, sidomos ndaj artit. Ndoshta prandaj u flak vazhdimisht në rrugë të madhe dhe u mbyll në burgjet e saj më të errët. Se zemra e Viktor Stratobërdës nuk rreshti kurrë së mohuari qëndrimin e padrejtë të luftës së klasave.
I dënuar si armik nga Konferenca e Tiranës, ai u përjashtua nga kinostudioja dhe u internua në qytetin e Beratit, nga ku u largua vetëm me hekura në duar për në burgun e Ballshit e të Qafëbarit. Se diktatura, që shpesh nuk dinte ç’të bënte me të, u përpoq të “justifikohej”, duke u treguar nganjëherë ndaj tij si gjoja tolerante. Dhe luajti kështu kukafshehtas me jetën e këtij artdashësi të madh, duke ia shtrydhur e shfrytëzuar deri në palcë talentin. Ndoshta prandaj e caktoi të punonte edhe si regjisor estrade, “kurth” ky, të cilin Viktori e kapërceu me dinjitetin e një qytetari misionar. Se asnjëherë ai nuk punoi sa për të justifikuar një copë rrogë. Përkundrazi! Kudo gjeti brenda vetes forca të përballonte, madjé dhe fyerjet. Kudo që u flak të punonte, në çdo sektor të jetës ku u syrgjynos, ai shfaqi një të tillë force karakteri, me të cilin vetëm frymëzoi admirim, madjé, ndoshta, dhe tek ata, që ishin ngarkuar ta merrnin nëpër këmbë. Se Viktor Stratobërda, edhe i survejuar në çdo hap, arriti të prodhonte të tilla shfaqje dinjitoze estradeje, me të cilat bëri të krenohej çdo beratas i qytetëruar. Kurse xhahílët e diktaturës, që s’i duronin vlerat e artit të tij, nuk lanë mjet pa përdorur për t’ia nxirë jetën. Megjithatë, Viktori mbeti në kujtesën e qytetit si një “kometë” drite, e cila ndriçoi në errësirën e një epoke, ku mbretëronte zymtia e një jete pa kuptim. Dhe në mes të atij trishtimi, ai nxorri nga shpirti i tij vetëm “ylbere” drite dhe gëzími; prodhoi në skenë të qeshura të një humori të shëndetshëm. Edhe këtu, ky kineast i braktisur, e tregoi veten një titan, sepse me vezullimin optimist të artit të tij njerëzor, mposhti shumë nga klishetë degraduese të teatrit depersonalizues të kohës. Kurse, me therorinë e tij, Viktori diti të tregonte se Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë burrat, të cilët kanë guxuar të prodhojnë shpresë edhe në ditët më të pikëlluara. Ndoshta prandaj dukej e pabesueshme që askush nuk dëgjoi prej tij as mërmërimën më të vogël të një pakënaqësie. Sepse ai e realizoi veten nëpërmjet harésë, që u shkatonte të dëshpëruarve. Sidomos ndaj atyre që nuk e kuptonin shkakun e pikëllimit të vet. Ndoshta prandaj, me të tillë artistë është e natyrshme që Shqipëria të lartësohet sot në demokraci. Prandaj ndoshta me të drejtë kjo Nënoke nuk mund të harrojë të vendosë në altarin e figurave të saj të shquara portretet e bijve të saj të martirizuar. Sepse Viktori, ky “Promete” i artit gëzimplot, nuk u pajtua kurrë me strategjinë e asgjësimit të shijeve të vërteta estetike të bashkëkombasve të vet.
Kurse vetë kalvari i tij i tejzgjatur ka për të shkëlqyer, jo vetëm për ata që e njohën nga afër. Sepse, gjithkush që mundi t’ia shohë nga afër vuajtjen pa faj këtij martiri, krijoi vetiu për veten e vet një ngushëllim. Kurse tek të nëpërkëmburit e diktaturës me siguri që ka ndikuar të ngjallej besimi se do të vinte një ditë, kur drejtësia do t’i ndëshkonte katilët. Dhe kjo nuk ishte e pakët asokohe. Nuk ishte e pakët të ngjallje shpresë tek të pashpresët; të rrezatoje dritë tek ata që lëngonin në errësirë. Nuk ishte e pakët të frymëzoje dinjitet tek të rrëzuarit; apo të mbillje shkëndi gëzimi tek ata që nuk u qeshte buza. Prandaj nuk mund të mos çmohet sot përpjekja e tij për të lartësuar shijen estetike në atë trullosje ndjenjash, që shkaktonte presioni i asaj propagande arrogante. Prandaj çmohet dhe lypset të çmohet edhe më lart sakrifikimi i këtyre jetëve, që u vetëflijuan për të mbajtur gjallë dashurinë për jetën. Ndoshta prandaj diktatura e dënoi me aq mizori e vazhdimisht Viktor Stratobërdën, tek shihte që arti i tij i bënte të dhimbshur edhe njerëzit, që ajo i donte pa ndjenja të vërteta njerëzore. Prandaj inteligjenca shqiptare nuk e harroi kurrë Viktorin edhe atje, në Berat. Ndoshta dhe ngaqë, ashtu si Selman Riza, etje, mbijetesa e tyre u shndërrua në një shembull të madh morali njerëzor e mirësie.
Është e padyshimtë që shumë beratasve t’u kujtohet sot se si Viktor Stratobërdës, këtij kinoregjisori të mohuar, i janë marrë nëpër këmbë edhe të drejtat më elementare. Atë s’e lejuan të ushtronte as profesionin e muratorit, edhe pse për këtë kishte fituar me konkurs kategorinë e shtatë. E caktonin të ngarkonte gurë në makinën, që krijonte prej tyre çakëll. Dhe Viktori, pa u alarmuar, punonte si të kishte lindur për punë të tilla. Se edhe pas asaj pune rrozbitëse, vazhdonte t’i krijonte vetes të tjera punë të rënda. Kjo ishte jo vetëm një sfidë ndaj përbuzjes së padrejtë që i bënte diktatura. Kurse punëtorët (natyrisht fshehurazi!) e ndihmonin të çlodhej e të merrte pak frymë. Ndërkohë diktatura tërbohej edhe më shumë kundër tij. Dhe vazhdimisht ndihej e poshtëruar për shpifjet, intrigat dhe torturat pa faj që i shkaktonte. Kurse Viktor Stratobërda vazhdonte të entusiazmohej me krijimet e artistëve të tjerë, të shquar shqiptarë, sa herë që këta realizonin vlera të vërteta në atë xhunglën e artit që të zinte frymën. Ndërsa për veten asnjëherë s’u pa të mburrej, madjé, as kur në festivale fitonte çmime të spikatura. Aftësítë e tij profesionale ia patën çmuar sidomos aktorët që punuan me të. Sepse tërë kohën ai gëzoi mes tyre respektin më të lartë, edhe pse me modesti të tepëruar bënte çmos të mos binte në sy për talentin e tij prej udhëheqësi artistik. Thjeshtësia e tij prekëse ka për të mbetur model për brezat e artistëve, që po lindin sot çdo ditë në këtë klimë të lirisë. Dhe sa herë që fitonte çmime në festivale, i vinin nga Tirana fletët, me të cilat i shtoheshin vazhdimisht e pa fund vitet e internimit.

Po, kalvari i Viktor Stratobërdës është i pafund.
Por kjo do të përbënte një temë të gjatë për t’u trajtuar veçmas. Gjithkush do të donte sot ta kishte pranë e të bisedonte me të. Por, fatkeqësisht, Viktor Stratobërda nuk jeton më, që të shohë realizimin e aspiratave të tij. Nuk jeton më ai që e deshi aq fort jetën, artin, të bukurën, Shqipërinë! Por që xhelatët s’e lanë të shijonte një ditë të bardhë.
Viktor Stratobërda është larguar vetëm fizikisht nga kjo jetë. Megjithatë, duket sikur ai i dëgjon vlerësimet e artdashësve për talentin, veprën dhe personalitetin e tij artistik. Si të gjithë, edhe ai ka qenë i sigurt që bota e artistëve shqiptarë nuk i mohon kurrë detyrimet ndaj atyre që ushqyen shpirtërisht me ndjenja të mira njerëzit e etur për të bukurën. Ndërsa të gjithë ata, që e kanë njohur nga afër, kanë shumë gjëra për t’i kujtuar. Se le të përmendim këtu ndonjë rast nga jeta e tij e kohëve të fundit. Le të kujtojmë se sí, kur në Tiranë u përmbys monumenti i diktatorit dhe në votime fituan ríshtas “socialistët”, Viktori, i dëshpëruar, u largua si emigrant, në Greqi. Ata që iu ndodhën pranë në “kampet” e refugjatëve, nuk mund të mos kujtojnë se si, kur grekët i luteshin të pranonte se ishte vorio-epirot, Viktori u përgjigjej prerazi se, jo vetëm ishte shqiptar, por dhe se krenohej që ishte martuar me një myslimane. Megjithatë, edhe atjé, ai përsëri fitoi simpatinë e çdo administrate, ngaqë punonte thuajse çdo ditë e pa pagesë për ndërtimin e mureve rrethues. Druhej mos rrëzohej ndonjë nga fëmijët e shqiptarëve të shpërngulur. Kështu dhe atje, në Greqi, ai lartësoi imazhin e shqiptarit, pa synuar të tërhiqe mbi vete vëmendjen, a të përfitonte ndonjë favor. Ai u jepte të pinin ujë refugjatëve klandestinë, të tharë nga etja, kur i shihte që ndiqeshin si kafshë të egra nga policia kufitare greke. Dhe, kur e thërrisnin në komandë për të dhënë llogari, përgjigjej pa drojë: “Po ju, komandant, si do të vepronit në vendin tim !?” Bilé atje, në Greqi, ai përsëri nuk guxoi të fliste për intelektin e tij. As për shkollën e lartë që kishte kryer, nuk u fliste pronarëve grekë, kur këta pranonin ta merrnin si usta në punë. Se, kur këta intelektualë, qëllonin demokratë të vërtetë, ndiheshin të fyer të fusnin në punë të rëndomta një artist, që kishte mbaruar shkëlqyeshëm për regjizurë në Moskë. Dhe habiteshin me qetësínë, me të cilën Viktori fliste për vuajtjet e tij aq të rënda në diktaturë.
Viktor Stratobërda e vazhdoi emigrimin e tij deri në Kanadá, ku dhe mbylli sytë përgjithmonë. Po dhe atje, ai nuk pushoi së menduari për fatin e mëmëdheut. Nga letrat dhe kartolinat që dërgonte, kuptohej sa fort rrihte zemra e tij për fatin e Shqipërisë. Dhe që andej, përtej oqeanit, ai kurrë nuk rreshti së lavdëruari arritjet e artistëve të vërtetë shqiptarë, i merakosur se mos humbisnin vlerat dhe prodhimet e tyre. Porosia e tij ishte që ato të ruhen në një arkiv, si një thesar i vyer për edukimin estetík të të rinjve. Se zemra e tij, që nuk e njihte smirën, rrahu deri në fund me dashuri për gjeninë krijuese të bashkëkombasve të vet, që kanë ditur të prodhojnë “margaritarë” të papërsëritshëm vlerash estetíke. Ndoshta prandaj Viktor Stratobërda ka për të mbetur dhe si një avokat i palodhur i artit të vërtetë, punëtor i edukimit estetik të njerëzve të thjeshtë. Ndaj Shqipëria nuk ka për ta harruar kurrë këtë luftëtar, që u pengua aq egërsisht të realizonte, siç desh, veten dhe aspiratat e tij prej artisti të shqua…!
Kurse të gjithë të afërmit, shokët e miqtë, kanë për ta kujtuar me dhembshuri Viktor Stratobërdën, ashtu, të qeshur e të respektueshëm deri në mallëngjim. Dhe do ta përfytyrojnë atë duke vrapuar nga gurorja, apo gropa e gëlqeres drejt shtëpisë, ku priste të dëgjonte me pasion nga një gramafon i vjetër, dramën engjëllore të Anton Çehovit “Tri motrat”, luajtur nga aktoret botërorë më në zë të kohës…!
Tiranë, më 18.6.2010