back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 10 Nëntor, 2025

Në gjurmët e traditës “Lundërtari dhe deti” i Uran Kostrecit – nga Anton Çefa

Gazeta

Uran Kostreci - (foto Qerim Vrioni)
Uran Kostreci – (foto Qerim Vrioni)
Në gjurmët e traditës “Lundërtari dhe deti” i Uran Kostrecit
nga Anton Çefa

Duket sikur poezia shqipe, mbas rrebeshit përmbysës të realizmit socialist, po rifillon të zhvillohet e lirë dhe e shëndetshme në dy hulli kryesore: në hullinë e traditës dhe në atë të poezisë moderne.
Uran Kostreci prezentohet me vëllimin me sonete “Lundërtari dhe deti” si një poet që po i lidh mjeshtërisht fijet e poezisë sonë të sotme me atë të traditës, me një profil të përcaktuar poetik e një mesazh shumë të qartë filozofik e, mbi të gjitha, larg çdo hermetizmi, që fatkeqësisht po abuzon sot mbi artin e vërtetë poetik shqiptar.
Tradicionalisht si në zgjedhjen e motiveve, ashtu edhe në trajtimin e tyre, në mjeshtërinë artistike e në elementet poetike, në përgjithësi, ai gjithashtu e ushqen poezinë tonë edhe me motive të reja apo me nuanca të reja motivesh origjinale.
Kur mendon se poeti, i arrestuar në moshën 23 vjeçare, ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, e natyrisht më të bukurën, në burgje e internime (afër 30 vjet) të rrënqethet shtati, duke hamendësuar se gjatë leximit do të përjetosh përplasjen e rëndë të prangave apo kërcitjen e shkopinjve të gomës mbi gjymtyrët e mpira të të burgosurve ose do të hasësh në imazhet e errëta, të lagështa e të ftohta të qelive. E kundërta ndodh, poeti rrallëherë kujton zinxhirët, torturat, burgjet e internimet. Ato ia rëndojnë frymëzimet, si dikur jetën, dhe ai pothuajse i braktis, duke i lënë në periferi të këngës.
Poezia e tij do ajër, hapësirë, dritë, qiell e det, erë e furtunë:
Tharroj un’ dua shpellën me beton
Ku më përgjonte llampa e sporteli…
Frëngjin’ prej ku e shihja pas kangjeli
Coptuar qiellin nga i ziu hon!
“Mjaft më”, fq. 4)
Me dashuri të madhe ndaj Atdheut, me një pathos të vërtetë demokratik e më një moral të lartë qytetar, poeti nuk kërkon shpagim “për plagët që më shpoi me gjemba teli”.
Sot në shtypin shqiptar, në mbledhje e biseda, shpesh me një nevralgji të shfrenuar e mllef shtrohet problemi i dënimit të shkaktarëve kryesorë, që me krimet e tyre i sollën Atdheut aq vuajtje e mjerim. Dhe objektiviteti i së vërtetës historike kërkon që të ballafaqohen me fajin ata, fajtorët e vetëdijshëm, komunistët. Por poeti është gjithnjë poet, gjithnjë fisnik. Dhe kjo në emër të humanizmit dhe të dashurisë së madhe për Atdheun, sepse Atdheu na lutet deri në përgjërim dhe na kërkon: “T’mos jemi ne, Kaini dhe Abeli” (Idem, fq. 14)
Një kredo patriotike të vërtetë përbëjnë poezitë “Mendohu shqiptar!”, “Mjaft më” dhe “Përkushtim”. Mbasi i gëzohet lirisë së fituar dhe demokracisë që po vendoset, poeti zotohet me solemnitet:
“Të qaj për gjithë ata që ranë theror
E të këndoj për diell-demokracinë.”

Uran Kostreci - në Bar Firence - Tiranë 2016
Uran Kostreci – në Bar Firence – Tiranë 2015

Motivet mbizotëruese në vëllim i përbëjnë lirikat, me një kuptim të thellë filozofik e që parashtrojnë një mesazh të qartë e të shëndoshë për kuptimin e jetës dhe qëllimin e saj, dashurinë si ndjenja më njerëzore, bukuritë e natyrës dhe vlerën e bukurisë, në përgjithësi, si koncept jo vetëm artistik, po edhe moral e shoqëror, etj. Këto, përgjithësisht janë më të realizuarat artistikisht se të parat. Kemi të bëjmë me një poezi filozofike të ndjerë, larg logjikës së ftohtë arsyetuese, një poezi të frymëzuar, që kultivohet në një mjedis të gjallë, lëvizës, dinamik, me tone optimiste.
“Shpesh mendjen vras a ka kuptim kjo botë?” shqetësohet poeti në poezinë “Kulari i jetës” (fq. 28). Si tërhiqet nga dilema e dy poleve të kundërta, hiçi i mbytur në pije dhe ideali i lartë për t’i shërbyer njerëzimit, poeti kalon tek fataliteti i njeriut që dërmohet në punë si kafshë dhe përfundon:
“Oh varrin kur mendoj e vdekje shkretën,
Ngre sytë nga qielli…
dua të shoh dritë…” (“Kulari i jetës” fq. 28)
Dritë e kërkuar nga Zoti për të kuptuar qëllimin e njeriut në jetë. Po për poetin është mëse i qartë misioni jetësor i njeriut dhe misioni i tij si poet. Është kuptimplotë fakti që poeti ka parapëlqyer titullin “Lundërtari dhe deti”, titulli i poezisë së parë të vëllimit, që sendërton frymën e krejt vëllimit.
Tradita e poezisë sonë e ka të gdhendur figurën stoike të detarit, që triumfon mbi tallazet e detit, në përlën poetike të Serembes “Dejtënori” dhe në poezitë e Lasgushit. Edhe tek kjo poezi, lundërtari lufton me vdekjen me vendosmëri dhe optimizëm të plotë.
Poeti jetoi në një kohë shumë të vështirë për popullin tonë dhe sidomos shumë të vështirë e të rrezikshme për poetët, në kohën kur mungonte liria e fjalës. Merita e Kostrecit është se ai i ruajti thellë në veten e tij frymëzimet dhe tani ia kushton rinisë sonë, të freskëta, të gjalla, plot jetë e dritë. Kur shëmtimi i jetës dhe përdhosja e idealeve fisnike lavroheshin nga diktatura, ai u dashurua pas së bukurës në të gjitha shfaqjet e saj konkrete, po edhe si koncept universal i botës, i jetës, i njeriut, i artit. Ja dy vargje lapidare që dëshmojnë:
“Lart u ngjit shpirti n’qiellin tramundanë
I etur për të bukurën sublime.”
(“Kënga e mjelmës”, fq. 36)
Erotika zë pjesën më të madhe të vëllimit. Po është një erotikë në gjurmët më tepër të Naimit e më pak të Lasgushit, përsa i takon kahjes së vet filozofike. Koncepti për dashurinë është koncepti për vetë qëllimin e jetës. Vetëm një dashuri reciproke është burimi i një lumturie të vërtetë. Dashuria trajtohet si një ndjenjë e lartë, sublime e natyrshme, njerëzore dhe, në të shumtën e rasteve, ajo përsiatet si një ndjenjë e universalizuar. Nëpërmjet të saj, himnizohet gëzimi i jetës, vetë jeta.
Poeti i drejtohet vashës:
“Pa ty kuptim s’ka jeta as lezet;
Pushtet e pasuri janë fjalë kote,
Veç ti je lumturi e kësaj bote.”
(Bukuria, fq. 37)
Bukuria e vashës më shpesh jepet në një mënyrë të tërthortë, pa detaje konkrete në portretin e saj fizik. Përpara bukurisë femërorë vriten dhe stepen të gjitha bukuritë e madhështitë, jo vetëm ato të natyrës së planetit tonë, po edhe ato kozmiket.
Naimi si panteist ka njëjtësuar dashurinë me bukurinë dhe këtë të fundit me Perëndinë. Kështu përligjet adhurimi i tij ndaj vashës deri në nënshtrim. Por çuditërisht, ja që del sot një poet që i bën Perënditë të falen para bukurisë femërore. Ndoshta sepse trillit poetik i lejohet çdo gjë. Ndoshta për një arsye tjetër. Dhe kjo ka të bëjë me periudhën që kaluam, kur nuk mund t’i këndoje lirshëm vashës dhe dashurisë.
Motivi i nënshtrimit ndaj vashës arrin skajin final: “I lumtur vdes ta di se ma shkel varrë.” (Lëngimi i ëmbël”, fq. 42)
Sigurisht këtu kemi të bëjmë me ndikime nga poezia jonë e traditës, kryesisht nga Naimi e Poradeci. Reminishencat në shtjellimin dhe teknikën e lirikës erotike shkojnë deri tek poezia e dikurshme persiane dhe letërsia klasike italiane, të cilën Kostreci e shijon aq mirë në origjinal.. (Kujto simbolikën erotike të Saadiut dhe sonetet e Petrarkës për Laurën).
Tablo lirike shumë të bukura, të vizatuara me ngjyra të gjalla e shije të hollë, përbëjnë poezitë për natyrën, të denja për t’u renditur në antologji lirike dhe në librat shkollorë, si p. sh. , “Mbas furtunës”, “Deti”, “Hëna”, “Trishtim vjeshte”, etj.
Të njëjtit nivel artistik i përkasin edhe disa motive të tjera të trajtuara rrallë ose të patrajtuara në letërsinë tonë, në disa raste me vlera të theksuara edukative e didaskalike. Të tilla janë: poezia me nota elegjiake “Prindërve të mi”, një himn i vërtetë për dashurinë ndaj prindërve, ku një syrgjyn vajton sepse u ka vrarë prindërve ëndrrën e thurur për ardhmërinë e tij, ose “Soditje”, ku vazhdimësia e jetës së prindërve tek fëmijët e zhduk vrazhdësinë e vdekjes, e mohon atë, duke i dhënë jetës njerëzore përmasat e amëshimit. Me interes dhe të bukura janë poezitë: “Veneracion”, ku përgjithësohet denjësisht, si në folklor, figura e vajzës shqiptare, dhe “Dy mbesave”.
Elemente novacioni në fushën e gjetjes dhe të shtjellimit të motiveve na përcjellin edhe poezitë: “Lumi i shqetësuar”, “Kur ndizen dritat”, “Vetëvrasja e Narçizit”, etj. Në këtë të fundit ngjizet një ridimensionim i kësaj figure mitologjike. Narçizi që “në shterp idil meskin u përvëlua” vetëvritet, kur bindet se ai nuk mishëron bukurinë fizike njerëzore në superlativ.
Sonetet janë shkruar me një teknikë të saktë dhe më një figuracion të pasur e të zhdërvjelltë. Mbizotërojnë krahasimet, antitezat e më pak epiteti. Kadenca ritmike, gjithnjë e përdorur me mjeshtëri, në bashkëveprim me shkallëzimet dhe aliteracionet e pasura e të zgjedhura me kujdes krijojnë një muzikalitet sugjestionues dhe harmonik. Me këto elemente dhe me gjuhën e pasur popullore, ku nuk mungon edhe ndonjë fjalë e huaj, poeti ka krijuar lirika të bukura, që e pasurojnë poezinë tonë. Në fushën e figuracionit, të sintaksës dhe të fjalorit poetik ndihet qartë ndikesa dhe vazhdimësia e artit nolian dhe lasgushian.
Në njërën prej poezive tingëllon angazhimi i poetit. Është “Kënga e mjellmës” (fq. 36). Jo e asaj mjellme që sipas legjendës këndon vetëm një herë pas vdekjes, por si kënga e një krushku që niset për dasmë:
“Përpjetë në parnasin e thepisur,
E t’mjellmës këngë, tash, në mugëtirë…
Me qejf ia merr…
si krushk për dasmë nisur.”
Lexuesit do ta vlerësojnë poetin e do t’i urojnë shëndet e jetë që të vazhdojë ta pasurojë e begatojë me realizime të reja dhe më të bukura sofrën e letërsisë sonë.
Botuar në “Dielli”, Nëntor-Dhjetor 1993

Uran Kostreci - Disa nga veprat e tij
Uran Kostreci – Disa nga veprat e tij
Sonete nga “Lundërtari dhe deti” – Uran Kostreci

Prindërve të mi

Sot penda gjak pikonte… sapo nisa
T’u bëj dy vargje prindve përkushtim
Që vdekur, s’di ku dergjen ndenë plisa
E dheu nuk i tret… në amëshim…
!

Se ëndrrën si dantellë, plot prarim
Me rreze dielli endur, ua grisa…
U vrava ëndrrën, që me aq mundim
Për mua, ata
e thurë i braktisa!

Oh, ç’etje pata ahere, un’ për jetë!
Sa shpresa…
kur u nisa për syrgjyn!
Por fati, si mallkim shkoi…
tatëpjetë…!

Tani ra muzgu… asgjë në sy s’më hyn
Vetmia më kujton dy pleqtë e shkretë
E zemra përpëlitet si
në dryn…!

Dy mbesave

Si trëndafilat nur janë, ermirë
E perla pikëlojn’ djersit nga vesa
Ju shkëlqen fytyra e balli, o mbesa,
Sedef larzuar…
me gur xhevahirë!

Si dallëndyshe duke cicërirë
Her’ me gugatje, herë me dënesa
Ju tok me tinguj t’hareshëm plot shpresa
Përhapni aromë qingjash…
njomështirë.

Ç’gas, mbesa, kur në shkoll’ jeni të para!
Lëmoshë i jepni fukarajt në duar
E, në tryezë hani duarlara.

Ç’lezet kur janë duke biseduar!
Ju, simbas radhe, flisni, jo përpara
E fjala mjaltë, e vyer, e vonuar…

Lëngim i ëmbël

Prej teje i brengosur, duke ofsharë…
Un’ dergjem, vash’, lëngoj pa qen’ sëmurë!
M’e ëmbla vash’ që shoqen s’ta pash’ kurrë
Plot hir e gas e vrull si një ujvarë!

Çudi sa shum’ durova pa të parë!
M’u shfaqe sot e zemra u ndez furrë,
Vetëm për ty, në botë, bëhem urë…
I lumtur vdes ta di se ma shkel varrë.

Kur jam me ty nuk kam guxim të flas,
Të iki teje s’më bëjnë këmbët mua,
Imazhi yt, kudo më ndjek, pothua!

Nga brenga, vash’, veten sa nuk vras…
Ti vdekjen po më sjell, por t’fundmin ças
Përher’ ma shtyn se të shoh prap
dua!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.