back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Në gjurmët e Hemingueit – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Avis Gjyshja në Tagish Lake - Skagway 2017
Avis Gjyshja në Tagish Lake – Skagway 2017
Në gjurmët e Hemingueit
nga Avis Gjyshja

Fund vjeshtën e shkuar, dikush nga ne duhej të shkonte në Petaski (Petoskey) për një problem të vogël biznesi dhe unë që nuk dua të humb rast kur vjen fjala për veriun, thashë se do të shkoja vetë. Dhe pa humbur kohë telefonova një hotel, hodha në makinë edhe veglat e peshkimit dhe të nesërmen pa gdhirë mora rrugën drejt veriut.
Fund vjeshta e Petaskit është si gjithë fund vjeshtat e veriut. Ditët shkurtohen, gjethet humbin ngjyrat dhe fillojnë e bien, ujrat e lumejve dhe të përrenjve duken si të lodhura e të përgjumura, rrugët zbrazen dhe qyteti fillon e përgatitet për sezonin e gjatë të dimrit. Kjo është dhe periudha kur mua fillon e më mbyt trishtimi dhe më duket sikur po fillon një sezon i gjatë e i dhimbshëm lamtumire.
Ne të gjithë i duam viset e veriut dhe të gjithë duam që të shkojmë atje, por këtë radhë, përveç punës unë kishja dhe një hall të vogël që më shtynte më shumë se të tjerët. Kisha biseduar dhe shpresoja të më vinte ca ditë për vizitë një bashkëpatrioti im shkrimtar dhe për ta kënaqur pata menduar që të organizoja një eskursion në ndjekje të gjurmëve të Hemingueit i cili kish harxhuar në rrethinat e Petaskit të gjitha verat e fëmijërisë e të rinisë dhe që ta qartësoja se si e qysh do ta bëja kisha nevojë dhe për një verifikim në atë zonë. Ernesti në fakt kishte lindur në Çikago dhe kishte jetuar dhe në shumë vende të tjera të Amerikës dhe botës, por kjo nuk kishte penguar që zona e Petaskit, kryesisht Walloon Lake dhe Horton Bay, ta kujtonin dhe nderonin veprën e historinë e tij, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Në këto territore gjen sot me dhjetra objekte muzeale, pllaka përkujtimore, statuja, parqe si dhe emra vendesh e rrugësh që lidhen me jetën e veprën e tij. Por gjëja që paraqiste më shumë interes se çdo gjë tjetër, qe shtëpia e tij, në breg të liqenit Walloon pranë Petaskit, një Objekt Historik Kombëtar e cila për fat të keq kishte qenë gjithmonë e mbyllur për publikun. Dikush më kish thënë se shtëpia e Ernest Hemingueit qe hapur dhe unë që nuk e besoja thashë që të shkoja e ta verifikoja në vend.
Në fakt historia ime me Petaskin kishte filluar njëzet e ca vite më parë, pak kohë pasi ne ishim vendosur në Shtetet e Bashkuara dhe kur jo vetëm që nuk dinim gjë për lidhjet e Hemingueit me shtetin ku na çoi fati, por as dinim e as kishim dëgjuar ndonjëherë për atë qytet e atë gji ku ai ndodhej. Thjesht, në një kthim nga njëra prej arratisjeve tona të asokohshme në veri të Miçiganit, unë që ngisja makinën, pashë në hartë një rrugë që merrte drejt perëndimit e ju thashë gruas e fëmijëve që ta ndiqnim. Dhe as që e mendonim se ai devijim nga rruga kryesore, do të zbulonte para nesh një vend mahnitës nga i cili nuk do shkëputeshim më.

Walloon Lake - Michigan
Walloon Lake – Michigan

Ai qe një gji liqeni, perlë e bukur që e kishte emrin Little Traverse dhe që shkëlqente nga bukuritë mahnitëse të natyrës e të pasurisë. Emri qe një përkthim i frëgjishtes “La Petit Traverse” që udhëtarët francezë të shekullit të 18-të, e përdorën për ta dalluar nga Grand Traverse Bay, një tjetër gji i bukur e më i madh, në jug të tij. Brenda Little Traverse qenë tre qytete të bukur e të pastër si qytete përrallash, respektivisht Harbër Springs në veri, Petaski në jug lindje dhe Bei Harbër në jug perëndim.
Atë ditë nuk kishim kohë të mjaftueshme por shpejt do riktheheshim e do habiteshim me atmosferën idilike, do mallëngjeheshim me perëndimet milion dollarëshe të diellit e ujrat blu vezulluese të liqenit, do shijonim qetësinë e kulturën, do njihnim historitë e së shkuarës, komunitetin e indigjenëve Odawa, resortet e pushimeve të skive, fushat e golfit, – e të tjera gjëra këto që të gjitha së bashku kishin forcën robëruese të këngës së sirenave të mitologjisë që po t’i dëgjoje s’të lëshonin më.
Vendalijtë e hershëm të atij vendi qenë indigjenët Odawa pasardhësit e të cilëve vazhdojnë të jetojnë edhe sot në rezervatin e njohur federalisht, “The Little Traverse Bay Bands of Odawa”, anëtar i të cilit ishte dhe i ndjeri Hiawatha, shoku im indigjen që u mbyt e nuk u gjet më në Manistee River. Ndërsa të bardhët e parë që kishin shkelur aty kishin qenë francezë që kishin ardhur nga veriu. Për hatër të një pishe të madhe e të shtrëmbër që ata e panë të dilte mbi gjithë drurët e tjerë të pyllit, vendin ku sot gjendet Harbor Springs, francezët e quajtën L’Arbre Croche, emër që në gjuhën e tyre ka kuptimin “Pema e Shtrembër”. Dhe vetëm vonë, pasi anglezët do të përzinin francezët, emri i vendit do të ndërronte nga L’Arbre Croche në Harbor Springs siç njihet edhe sot e që në shqip përkthehet si Gjiri i Burimeve.
Pak kilometra më në jug-lindje të Harbor Springs gjendet Petaski, qyteti i bukur me të cilin shpesh identifikohet i gjithë gjiri, fillimet e të cilit datojnë në vitin 1852. Atëhere aty kishte vetëm kodra me pyje të dendura panjash e mështeknash dhe një lumë i vogël që ekziston akoma e të cilin indigjenët e quanin Lumi i Arinjëve. Bukuritë e zonës tërhoqën menjëherë vëmendjen e të bardhëve të cilët filluan të vendoseshin aty dhe pak vite më vonë po aty do të mbërrinte dhe hekurudha që niste që nga shteti i Indianës. Kjo ishte dhe koha kur qyteti që kishte adaptuar emrin e lumit që kalonte për mes tij, filloi të rritej dhe në respekt të një udhëheqësi indigjen Odawa të quajtur emër Pet-O-Sega, emër që në gjuhën indigjene kishte kuptimin e “Rrezes së Diellit që Lind”, ndryshoi emrin nga Lumi i Arinjëve, në Petaski, një formë kjo e anglikanizuar e emrit të udhëheqësit Odawa.
Petaski njëlloj si dhe dy qytetet e tjera të gjirit, Harbor Spring dhe Bay Harbor nuk u bënë kurrë qytete të mëdha e me industri por u zhvilluan e u ruajtën si qytete turistike të një bukurie të rrallë me ndërtesa luksoze të stileve viktorian e modern. Ndërtesa më e vjetër e Petaskit të sotëm është Misioni i Shën Françeskut Solanus, i ndërtuar që më 1859 dhe pas tij vjen Stafford’s Perry Hotel, i vetmi hotel origjinal që funksionon akoma dhe në të cilin unë do të rrija dhe natën që po vinte. I asaj kohe është dhe restoranti Stafford’s Pier buzë liqenit në Harbër Spring, i cili ka qenë dhe ngelet më i pëlqyeri i gjithë zonës për mua e familjen time.
Ernesti, lindi në Çikago më 1899, por veriu i Miçiganit, gjithmonë i pafajshëm, i pastër, i bukur e i paprekur dhe mbi të gjitha i vërtetë siç është ende edhe sot e kësaj dite, u bë Edeni i parë që hyri në emocionet e tij. Më 1988, të tërhequr nga bukuria e zonës, Heminguejt kishin blerë një copë toke, në brigjet e pyllëzuara të liqenit Wallon pranë Petaskit, ku dhe po atë vit ndërtuan një vilë pushimesh që nuk di për çfarë arsyeje e quajtën “Windemere” një emër liqeni ky shumë larg prej aty, me të cilin njihet edhe sot. Kjo vilë dhe zona rreth saj është vëndi ku Ernest Heminguei, përveç vitit 1918 kur do ishte në Itali për të shërbyer si shofer ambulance me Kryqin e Kuq Amerikan gjatë Luftës së Parë Botërore, kaloi të gjitha verat e fëmijërisë e të rinisë deri më 1921, vit kur dhe u martua në Kishën Metodiste të Horton Bay, me gruan e tij të parë Hadley Richardson.
Po këtu, në anën jugore të liqenit Walloon, atje ku sot gjendet një bankinë e vogël që përdoret për lëshimin e varkave, Heminguejtë, në vitin 1905, blenë si kopësht për fruta e perime dhe një parcelë tjetër toke prej rreth 20 hektarësh të quajtur Longfield Farm. Më 1919, i ati i Hemingueit, për të shpëtuar nënën e Ernestit, muzikante dhe piktore, nga përditshmërija e potereve të tufës prej gjashtë kalamajsh të zhurmshëm dhe për t’i dhënë pak më shumë privatësi për të lexuar e lozur piano, ndërtoi një vilë tjetër në Longfield Farm, të cilën e quajtën Grace Cottage, e cila sot e rinovuar e shumë e bukur, është po atje, por që prej kohësh është shitur e nuk është më në pronësi të familjes Heminguei.
Ky ishte dhe kopështi ku ndonjëherë Ernesti merrej dhe me ndonjë punë bujqësie. Dhe unë, që edhe vetë kam punuar në bujqësi gjatë pushim-shkollave të fëmijërisë e rinisë time, sa herë që më bje rasti të kaloj pranë asaj ferme të dikurshme të Heminguejve, e imagjinoj Ernestin djalosh si vehten time dikur, zbathur e pantallona përveshur duke prashitur speca e domate në Longfield Farm.
Sot thuhet se ishte magjia e pyjeve dhe ujërave të këtij vëndi, ku Ernesti mësoi të gjuante, peshkonte, shkruante dhe bile dhe të dashuronte, ajo që e formoi Heminguein si njeri të natyrës dhe si shkrimtar. Nuk e di se në ç’mase është e vërtetë kjo, por kur lexoj “The Nick Adams Stories”, “The Doctor and the Doctor’s Wife”, “Ten Indians”, “The Indians Moved Away”, “The Last Good Country”, “Big Two- Hearted River”, “Wedding Day” etj unë që e njoh këtë vend, gjej në to Miçiganin në formën e asaj që studiuesit e quajnë “roman a clef”, një term francez ky, që nënkupton histori të vërteta të shkruara duke i parë përmes një lenteje imagjinare.
Pas vdekjes së nënës së tij, vila kaloi në pronësi të Ernestit, i cili e mbajti atë deri kur vdiq, në vitin 1961. Pas vdekjes së tij, e veja e Hemingueit, ia kaloi pronësinë e vilës motrës së tij më të vogël Madelaine, e cila e përdori atë deri në fund të jetës së saj. Më vonë vila i kaloi nipit të Hemingueit, Ernie Mainland, të cilin unë kisha pasur fatin ta njihja nga larg nga që ai punonte si agjent privat sigurimesh në Petaski, punë kjo që e bënte të kishte dhe pika kontakti me biznesin e kompanisë time. Ernie vdiq nga covidi në janar të vitit 2021, por mua më ka ngelur në mendje ngjashmëria e tij e madhe fizike me dajon e tij të famshëm. Ai përflitej si njeri i vrazhdë e i egër, nam ky që i kishte bërë kureshtarët e fansat e Hemingueit, përfshi dhe mua, të mos guxonin t’i afroheshin shtëpisë ku dikur kishte jetuar shkrimtari i madh. Nga vdekja e Ernie e këtej, vila që vazhdon të qëndrojë e mbyllur për publikun, ka kaluar në pronësi të gruas së tij Judy dhe djalit të tyre Ken Mainland.
…Puna që kishja në Petaski, mori më pak se gjysëm ore dhe kur kishin ngelur edhe disa orë ditë, mora rrugën për të parë se ç’bëhej nga shtëpia e Hemingueit. Ajo gjendet në rrugën Lake Grove, Petaski dhe më të afërtat pika për ta parë janë kjo rrugë kur shkon nga toka dhe liqeni kur i afrohesh me varkë. Ndërsa rruga më e shkurtër, për të shkuar atje kur vjen nga Petaski është që të marrësh Charlevoix Ave dhe mbi portin e jahteve në Bay Harbor të kthesh drejt jugut në rrugën Resort Pike. Por unë, që doja të shihja dhe ca gjëra të tjera zgjodha të marr Horton Bay, një rrugë një milje më në perëndim të Resort Pike, e cila të çonte dhe në “Nick Adams Natyre Preserve” një park natyror veçanërisht i dashur për mua, i cili ka marrë emrin e Nick Adams, heroit të tregimeve të Hemingueit. Përveç parkut kjo rrugë kalonte ngjitur dhe me “Horton Bay General Store” një lloj dyqani si ata që ne në Shqipëri i quanim “të artikujve të përzier”, i cili vazhdon të jetë aty që nga viti 1876 dhe është përshkruar nga Heminguei në tregimet “Up in Michigan” dhe “The Last Good Country”. Parku me pyje panjash, mështeknash dhe qershishë të egra që rriten në të dyja anët e brigjeve të Horton Creek, ujrat e të cilit rrjedhin pa zhurmë e gjithë trishtim drejt Wallon Lake, është një vend ku dhe unë vetë kishja ecur, peshkuar e ëndërruar ndoshta njëlloj si Nick Adams, a me gjasë vetë Heminguei në rininë e tij.
Edhe këtu dukej që afrimi i dimrit i kish përzënë njerëzit. Vilat po mbylleshin dhe gjatë rrugës pashë vetëm një grua që vraponte e ca drerë që u shqetësuan e filluan të tundnin bishtat.
…Dhe nuk qe larg e pas ca kthesave u shfaq shtëpia e Hemingueit. Dhe ngjitur me numrin e adresës u duk dhe tabela e madhe “No trespassing! Private Property” (Mos u fut! Pronë Private!)
I dëshpëruar parkova larg dhe nga ana e kundërt e rrugës. Verifikimi qe kryer dhe “Windemere” nuk ishte e hapur për publikun.
Ishja vetëm 30 metra larg dhe nuk mund t’i afrohesha më shumë se kaq. Nga të njohur që e kishin pasur fatin të futeshin brenda saj kisha dëgjuar se muret e brendëshme të vilës ishin një lloj ekspozite e mahnitshme e historisë familjare të Heminguejve. Kishte piktura vaji origjinale të punuara nga nëna e Hemingueit, viza lapsi në mure ku fëmijët shënonin gjatësitë e tyre trupore vit pas viti e ku ishin dhe ato të Ernestit, kishte kujtime të tjera, rafte me libra dhe broshura që ruheshin akoma e që Ernesti i ri i lexonte ditëve kur moti merrte keq dhe ai nuk mund të dilte për gjueti apo peshkim.
Nuk kisha tjetër të bëja veç të kthehesha. Ndoqa Lake Grove, e cila shpejt ndryshoi emrin në Resort Pike e qw edhe dhe rruga që do më kthente në Petaski. Në kthim u kryqëzova me ca rrugë emrat e të cilave si “Indian Garden”, “Hunters Ridge” etj m’u dukën si të dala nga veprat e Hemingueit.
Gjithë ditën pothuaj nuk kisha zbritur fare nga makina dhe në kthim drejt Petaskit u ndjeva i dyzuar nëse duhej të rrija atë natë në hotelin që kisha zënë apo të nisesha direkt drejt shtëpisë.
Dielli qe ulur, qielli mbi gji qe bërë i kuq si gjak dhe njëlloj gjak e gjuhë zjarri dukeshin sikur digjeshin e flakërinin dhe mbi ujrat e errta përballë. Gati instiktivisht ktheva makinën drejt një katarakti i cili gjendej pothuaj në mes të Petaskit, pak metra mbi urën ku rruga East Lake kalonte mbi Lumin e Arinjëve dhe ku kisha peshkuar disa herë vjeshtave të shkuara. Në të dyja anët e kataraktit dukeshin njerëz që peshkonin, por mua më kish ikur dëshira për peshkim.
Në gjoks ndjeja dhimbjen e vjetër të mallit e të nostalgjisë për kohët e shkuara. Kujtova prindërit e vdekur, të cilët kishin qenë bashkë me ne pikërisht edhe në atë vend ku kisha qëndruar unë në atë moment, fëmijët që tani kanë krijuar familjet e tyre e nuk para vijnë më me ne, mendova dhe për “Windemeren” që nuk u hap kurrë, moshën që po ikën dhe u ndjeva si Boka i “Djemve të rrugës Pal” kur roja sllovak i fushës së druve i tha se fusha ku luanin e që ishte vendi i ëndërrave të jetës së tyre do të prishej dhe një shtëpi e re do fillonte të ndërtohej aty…
Kisha nevojë për një pije të fortë dhe u nisa drejt barit të hotelit.
………..
Nuk jam i sigurt nëse kjo është një histori që ja vlen për ta treguar, por unë kujtoj që një herë Umberto Ecco tha se një ëndërr është një shkrim dhe një shkrim mund të jetë një ëndërr dhe thashë ta shkruaja.
Avis Gjyshja, 2 qershor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.