back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 17 Nëntor, 2025

Në Frasnitë te Shtëpia dhe Biblioteka e At Bellushit – reportazh nga Shqipe Bytyqi

Gazeta

Në Frasnitë të Monumenti i At Antonio Belushit
Në Frasnitë të Monumenti i At Antonio Belushit
Në Frasnitë te Shtëpia dhe Biblioteka e At Bellushit
reportazh nga Shqipe Bytyqi

PJESA I

Ishte një pasdite shtatori, ndër më të bukurat që do të mbaj mend. Të tjerët ende pushonin, ose nuk kishin ardhur ende, ndërsa unë, bashkë me Sadeten, vendosëm të dilnim për një shëtitje nëpër fshat. Ajri i ngrohtë mbante ende gjurmët e verës, rrugët pothuaj bosh, vetëm ndonjë zë i largët që humbiste mes shtëpive prej guri.
Frasnita shtrihej si nje gji i vogël mes kodrave të buta, ku ullinjtë e lashtë rreshtoheshin me hijeshi. Gjethet e tyre argjendoheshin nga dielli, ndërsa mbi to, larg, ngrihej bjeshka, e heshtur dhe madhështore, si nje mur i gjallë që ruante kujtimet e shekujve. Në atë qetësi të thellë, çdo hap sikur kumbonte më fort.
Ecëm të ngazëllyera nga mbishkrimet në shqip e arbërisht, duke bërë fotografi e duke hamendësuar, cilën rrugë të ndiqnim. Papritmas, përballë nesh u shfaq një burrë rreth të shtatëdhjetave. Iu drejtova në shqip. Ai, me një gjuhë të thyer mes arbërishtes dhe italishtes, na dëgjoi me durim. Pastaj, duke parë se nuk e kuptonim plotësisht, buzëqeshi dhe tha:
Ja po vi t’ju tregoj.
Tonin e quanin, plak energjik, me buzëqeshje karakteristike dhe një gatishmëri të sinqertë për të ndihmuar. Kur vini ju, mërgimtarët, na gjallëroni, shtoi.
Kështu nisi dita e parë në këtë fshat të bukur, në Frasnitë. Një qetësi e thellë mbështillte gjithçka. M’u duk sikur kisha qenë aty në një jetë tjetër, sikur kisha ndarë dhimbjen e arbnorëve që dikur, të ikur nga terrori osman, gjetën strehë mes këtyre maleve. Shtëpitë e braktisura, por me arkitekturën tipike arbëreshe, rrinin si kujtime të ngrira që donin të flisnin.
Një grua, edhe ajo rreth të shtatëdhjetave, me fytyrë të brishtë e fisnike, na ftoi në kafe. Shtëpia e Vinçencinës, një muze i gjallë i traditës. Shija e mikpritjes arbërore na mbushi jo vetëm zemrën me gëzim po edhe sytë me lotë. M’u bë sikur ndjeva, atë mikpritjen e lashtë 550 vjeçare.
Pasi u përshëndetem me Vinçençinen, befas dëgjova dikë të thërriste emrin tim. Ishte Maria Antonietta, arbëreshja që udhëhiqte shoqatën artistike dhe kujdesej që Kalabria të kishte një frymë kulturore. Më përqafoi fort, me krahë prej motreje, dhe na ftoi në shtëpinë e saj. Një oborr i madh me ulëse të rehatuara nën hije na priti, dhe nuk vonoi kafeja, as biseda e ngrohtë për përgatitjet e ngritjes së shtatores së At Belushit.
Më pas erdhi takimi me Ornelen, gruan që kishte vënë gjithë jetën në krah të At Belushit dhe drejton Qendrën albanologjike “A. Bellusci” në Frasnitë. Një grua aq e fuqishme sa edhe e ndjeshme, e palodhur në përpjekjen për të ruajtur gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Fjalët e saj, të thjeshta por të mbushura me përkushtim, kishin një peshë të veçantë. Sikur nga shpirti i saj kalonte një urë që lidhte kohën e Rilindësve me ditët tona. Në çdo gjest të saj ndjehej jehona e sakrificave të atyre që, shekuj më parë, u shkëputën nga trojet shqiptare për të shpëtuar gjuhën e besën. Ornela, me përkushtimin e saj, e kishte bërë këtë kujtesë një mision personal, një lloj amaneti që At Belushi ia kishte lënë. Ornela mishëronte qëndrueshmërinë e një trungu që nuk thyhet, edhe pse rritet larg trungut mëmë. Në sytë e saj shihje të ardhmen e arbëreshëve, jo thjesht një ruajtje formale te traditës, por një rilindje të brendshme, nje besim se kultura nuk vdes kurrë nëse dikush e do dhe e mbron.
Kështu Frasnitëa, me qetësinë e saj, me kujtimet dhe me njerëzit e saj, na priti si një atdhe i vogël i harruar, por që rron gjallë në shpirt.
Në darkë erdhën edhe të tjerët: Sokoli me Azbijen, Musa me Gjejen dhe dy aktivistët e rinj nga Shoqata “Nëna Terezë” në Luzern, Mentori dhe Bashkimi, Dani me Fatimen, Avniu, Milazimi me të shoqen dhe të tjerë na u bashkuan. Mërgimtarë nga e gjithë Europa ishin derdhur në Frasnitë, si të kishin ndjekur një thirrje të brendshme që i kthente te rrënjët.
Pritej ardhja e më meritorit për këtë urë lidhëse mes nesh dhe arbëreshëve, bacit Rexhë, me familjen e tij të mrekullueshme. Emri i tij nuk përmendej si një vizitor i zakonshëm, por si i një misionari të heshtur që prej dekadash sillte frymë të re ndër këto male. Ai kishte ardhur jo vetëm me dashuri, por me projekte konkrete, me libra, me ide, me mund për të ringjallur lidhjen e hershme te gjakut dhe shpirtit që nuk shuhej dot as nga largësia, as nga shekujt.
Kësaj radhe, ai dhe LKSHM (Lidhja e Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës) kishin bërë të mundur një akt madhështor, vendosjen e shtatores së At Belushit, rilindasit të fundit arbëresh, i cili vetëm një vit më parë ishte shuar në amshim. Ishte si të kthehej edhe një herë mes nesh, i ngritur në bronz, për të kujtuar se rrënjët nuk vyshken kurrë.
Kur përmendej emri i bacit Rexhë, në fytyrat e arbëreshëve shfaqej një lloj lehtësimi, si kur të kujtohej se nuk janë harruar nga motrat e vëllezërit e tyre përtej detit. Ai nuk vinte kurrë vetëm. Ai me vete sillte besimin se një popull mund të mbijetojë vetëm duke u bashkuar. Dhe atë mbrëmje, në Frasnitë, në mes të ullinjve e nën hijen e bjeshkës, ky bashkim merrte trajtë të gjallë, si një festë e shpirtit arbëresho-shqiptar.
Eli ishte befasia e mbrëmjes, gruaja që aq shumë kishte shkruar për arbëreshët dhe që tani e kishim kënaqësinë ta shihnim për herë te parë nga afër. Grua energjike dhe me shumë humor, na fitoi zemrat që në çastin e parë.
Vonë, shumë vonë, u shpërndamë nëpër hotelet dhe bujtinat tona, të mbushur me ndjesinë se kishim hyrë në një kohë tjetër, aty ku mali, ullinjtë dhe njerëzit ruanin një pjesë të shpirtit arbnor.

Në Frasnitë të Monumenti i At Antonio Belushit
Në Frasnitë të Monumenti i At Antonio Belushit

PJESA II

Shtëpia e lindjes
Në ditën e dytë të qëndrimit tonë në Frasnitë, shtegu na çoi drejt shtëpisë ku lindi At Antonio Belushi. Një shtëpi arbëreshe, dykatëshe, me mure guri që mbajnë ende aromën e kohrave të kaluara, me shkallë që zbrisnin ngadalë drejt rrugicës se ngushtë. Në përdhesë, kuzhina e vogël, dhoma e gjumit dhe dhoma e ditës ruanin heshtjen e përditshme të një njeriu me shpirt të madh. Librat, mobiljet e vjetra, çdo gjë dëftonte një histori, një kujtim. Në katin e epërm, ku shpjenin shkallët e ngushta spirale, sigurisht të ndërtuara më vonë, ishte një dhomë e vogël, e shenjtë, ishte vend pune dhe meditimi. Librat, fotografitë e vjetra, diplomat, artefaktet dhe çdo objekt rrëfente për një jetë kushtuar dijes dhe kulturës. Mendova me vete: kjo shtëpi nuk guxon të humbasë, duhet të kthehet në muze, që fryma e saj të jetojë përjetë.

Pritja te Motra Rina
Më pas, në bibliotekë, na priti motra e tij, zonja Rina. Na çoi në një dhomë të përdhesës private, me mobilje druri që mbajnë aromën e kujtimeve, një tryezë të madhe dhe një derë që hapej në oborr. Vajza që përkujdesej për të na shërbeu kafe në filxhanë të kuq, me shqiponjën e zezë, një rit i thjeshtë, por me peshë shpirtërore. Aty pranë ishte dhoma ku Ati kishte dhënë shpirt dhe heshtja e saj ishte e rëndë, por e ngrohtë, sikur të thoshte: “Këtu gjithçka është e kujtesës!” Së bashku me Motër Rinën, kënduam këngë arbëreshe. Dhimbja dhe gëzimi u përzien në ajër, kujtesa mori zë, dhe zemrat tona u lidhën me jetën e tij. Sokoli, mjeshtri nga Parisi i dhuroi Rinës një kryq ikone filigrani, punuar me dorën e tij, një shenjë respekti dhe ngushëllimi që flet më shumë se gjitha fjalët.

Biblioteka
Shkallët e gurta na çuan lart, në bibliotekën që ndihej si një tempull i dijes. Çdo mur ishte mbuluar me libra deri në tavan, çdo hapësirë mbushej me frymë dhe kujtesë. Një kthinë pishtë bibliotekës ruante incizime audio e video, dëshmi që fjala e Atit nuk ishte vetëm e shkruar, por e gjallë, njė punë që priste duart e arta të Dr. Ornelës për ruajtje dhe arkivim.
Shoh që Biblioteka “Antonio Belushi” nuk është vetëm një hapësirë leximi, por një hapësirë sakrale e kujtesës, ku arkitektura e thjeshtë tradicionale bëhet sfond për identitetin dhe trashëgiminë arbëreshe.
Arkitektura jashtë ruante tiparet e një shtëpie arbëreshe: dritare të vogla, ballkon hekuri me flamujt e Shqipërisë, Italisë, Kosovës e arbëreshëve që valonin në erë. Çdo dhomë, poshtë, por edhe Biblioteka përmes një rampe hekuri kishte dalje në oborrin e brendshëm, që lidhej me një kopsht të gjatë, shumë të gjatë. Kopsht ku At Belushi meditonte ose telefononte me orë të tëra me Ornelën, gjersa propozonte ose zgjidhte probleme nga më tė ndryshmet lidhur me botën arbëreshe.
Shtegu kalonte buzë kreshtores që të kujtonte malet e Krujës dhe çonte te parku i shtatores së At Belushit. Ajo, e mbështjellë me pëlhurë të kuqe, dukej si në gjumë, duke pritur ditën e nesërme kur do të zbulohej. Skulptori duarartë, Gëzimi kishte bërë një vepër madhështore.

Trashëgimia e gjallë
Atje ku libri takohet me shpirtin, kuptuam se At Belushi nuk la pas vetëm libra. Ai la njerëz që mbanin gjallë rrugën e tij. Vëllai Tomasi, me heshtjen e qetë dhe qëndresën e butë, ruante çdo kujtim. Dhe krahun e djathtë të Atit, Dr. Ornela Radovicka, që punonte pa u lodhur që trashëgimia të mos shuhej, duke lidhur të kaluarën me të ardhmen. Ata ishin ura mes kohërave, mbajtës të zërit të Atit dhe të dritës së tij që do të ndriçojë brezat e rinj. Në krahët e tyre ndiheshin ende gjurmët e dorës së At Belushit, një trashëgimi që gjallëron.

Miqtë
Kur u kthyem, mbërritën edhe miqtë. Baci Rexhë me familjen, skulptori Gëzimi, Ibrahimi dhe Eminia nga Danimarka dhe Michele, arbëreshi nga Gjeneva. Një vendim i tij më ka ngrohur zemrën prej kur e njoha. Ai kishte lidhur kurorë me një mjeke nga Kosova. A nuk është kjo mrekullia më e madhe? Gjak arbëreshi dhe shqiptar bashkë, në një përqafim të heshtur por të fuqishëm.
Biblioteka atë ditë nuk ishte më thjesht një shtëpi librash. Ishte një shtëpi e gjallë, e mbushur me miqësi, dashuri dhe histori. Dhe unë kujtoj, me një dridhje në shpirt, se vetëm pak javë para ikjes së tij, ai na kishte thënë: “S’do ik para se të vini ju, poetët dhe krijuesit e mërgatës. Kam folur me atë lart, do t’ju pres…” Dhe na priti me zemër të hapur: na foli, na këshilloi, ndau mirënjohje për shumë prej nesh dhe madje drekoj me ne, edhe pse kishin kaluar muaj e muaj që nuk ngrihej nga shtrati. Javë më pas, u ngrit në qiell.
At Belushi ishte ende aty, jo vetëm si kujtesë, por si frymë dhe premtim i pavdekshëm.
Sh.B. shtator 2025

Në Frasnitë të Monumenti i At Antonio Belushit
Në Frasnitë në Kujtim te At Antonio Belushit

PJESA III – Mbrëmja e dytë në Kalabri

Përurim libri dhe festë përkujtimore për At Anton Belushin
Mbrëmja e dytë e qëndrimit në Kalabri u shndërrua në një festë të vërtetë. Nikoqirët arbëreshë dhe shqiptarë të ardhur nga mërgata e nga viset shqiptare, të gëzuar e solemnë në veshje, u drejtuan kah shkolla “Ernesto Koliqi” në Frasnitë/Frascineto. Salla e madhe e mbushur përplot, gumëzhinte nga hareja dhe emocionet.
Komuna e Frasnitës, me kryetarin e saj Angelo Catapano, nën kujdesin e prof. Caterina Adducci, drejtoreshë e kulturës, kishte organizuar përurimin e librit të lënë në dorëshkrim nga At Anton Belushi, “Epopea e Arbërisë”.
Në mesin e të ftuarve ishin autoritete të larta, përfaqësues te ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të institucioneve më të larta të botës arbëreshe, studiues, hulumtues e njohës të mirë të trashëgimisë arbëreshe si: Damiano Guagliardi, prof. Francesco Marchianò, Maria Antonietta Rimoli, Perri De Cicco, prof. Agostino Giordano, Michele Greco e shumë të tjerë, si dhe përfaqësues të kishës, z. Gabriele, z. Carlomagno si dhe qytetarë të Frasnitës dhe shqiptarë të shumtë të mërgatës.
Eventin e hapi prof. Caterina Adducci, përgjegjëse për kulturën pranë Bashkisë së Frasnitës dhe moderatore e aktivitetit. Ajo përshëndeti të pranishmit dhe foli për librin që At Anton Belushi kishte lënë në dorëshkrim. Nën përkujdesjen e Komunës së Frasnitës, ajo kishte bërë redaktimin dhe ishte kujdesur për botimin e tij. Libri përmbledh shkrime e kujtime të At Anton Belushit me mbi 400 autorë, miq, shokë dhe njohës të tij gjatë jetës. Një vepër me domethënie të veçantë, pasi është edhe libri i fundit i tij.
Kryetari i komunës, Angelo Catapano, falënderoi Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës (LKSHM) për idenë dhe realizimin e projektit të vendosjes së shtatores së At Anton Belushit, dhuratë e madhe për Frasnitën dhe gjithë botën arbëreshe. Ai e cilësoi At Anton Belushin si një personalitet të madh, që e bëri të njohur Frasnitën përtej kufijve. Sipas tij, asnjë tjetër arbëresh nuk kishte arritur këtë. Belushi nuk mbeti vetëm prift dhe studiues i Frasnitës, por u bë figurë e Kosovës, e Shqipërisë dhe e komuniteteve arbëreshe të Italisë e Greqisë.
Më pas përshëndeti përfaqësuesja e Ambasadës së Kosovës në Itali, këshilltarja Rudina Bukoshi, si edhe Giuseppe Graziano, këshilltar i Rajonit të Kalabrisë, i cili foli për jetën e At Anton Belushit si prift dhe njeri i penës, duke përmendur edhe ligjin 432/99 qe mbron gjuhën arbëreshe, por ende nuk është futur në kurrikulat shkollore.
Të ftuar ishin edhe dy priftërinj: Carlomagno dhe Gabriele Otvos, të cilët theksuan rolin e kishës dhe kontributin e At Anton Belushit në liturgjinë arbëreshe.
Në një moment prekës foli edhe Tommaso Belushi, vëllai i At Anton Belushit, i cili në arbërisht i dha sallës emocion të veçantë.
Fjalën e morën studiues si prof. dr. Isak Shema, i cili evokoi kujtime nga bashkëpunimi shumëvjeçar me At Anton Belushin, që nga seminarët e hershëm në Prishtinë. Po ashtu, kryetari i LKSHM, Musa Jupolli ose figura intelektuale e shoqatës dhe sekretari i saj, motori organizativ Mentor Thaqi folën për rolin e tij si figurë që lidhi botën arbëreshe me atë shqiptare.
Poetesha dhe aktivistja Shqipe Bytyqi, përveç tjerash, theksoi mesazhin se mërgata e re duhet të mësojë shumë nga arbëreshët, sidomos dashurinë për gjuhën amtare.
Drejtoresha e Qendrës Albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, znj. Ornela Radovicka, një emër i përkushtuar, modeste në fjalë, por e madhe në punë, dha një fjalë rasti. Një grua dhe profesioniste e rrallë, e cila qëndroi tridhjetë e pesë vjet në krah të Belushit me studime, shkrime dhe vizita arbëreshëve gjithandej.
Momente të veçanta ishin edhe ndarja e mirënjohjes për gazetarin Rexhep Rifati nga kryetari Catapano. Një mirënjohje për njeriun që mbolli në zemrat, jo vetëm të mërgatës shqiptare aq shumë dashuri për arbëreshët dhe me shumë zell, dekada të tëra u angazhua në projekte të ndryshme për ta. Komuna e Frasnitës ndau mirënjohje edhe për LKSHM si ideatore dhe realizuese e ngritjes së shtatores së At Anton Belushit, si dhe për artistin duarartë Gëzim Muriqi, autor i shtatores.
Nga ana tjetër, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë nderoi me çmim mirënjohjeje: Komunën e Frasnitës, Dr. Caterina Adducci, gazetarin Rexhep Rifati dhe Dr. Ornela Radovicka.
Salla e madhe, e mbushur me shqiptarë dhe arbëreshë, vëllezër të një gjaku u bë një vatër e përbashkët dashurie dhe nderimi për një njeri të madh: priftin, shkrimtarin, studiuesin dhe veprimtarin me përmasa rilindëse.
Pusho në paqen e pasosur, At Belushi!
shtator 2025

Të mësosh nga arbëreshët
Në javën e përurimit te shtatores së At Anton Belushit dhe me rastin e promovimit të librit te tij të lënë në dorëshkrim “Epopea e Arbërisë”, organizuar nga Komuna e Frasnitës me kryetarin e saj z. Angelo Catapano dhe nën kujdesin e prof. Caterina Adducci, në praninë e autoriteteve të larta, përfaqësuesve të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, institucioneve me te rëndësishme të botës arbëreshe, Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës-LKSHM, studiuesve, artistëve e njohësve të trashëgimisë arbëreshe e shqiptare, mesazhi im ishte i vetëm dhe i qartë:
Arbëreshët ia kanë dalë qe për afro gjashtë shekuj, pra për 20 deri në 30 gjenerata, (varësisht nga mënyra e llogaritjes) të ruajnë gjuhën, kujtesën dhe kulturën e tyre arbëreshe. Ata kanë ditur të bartin me përkushtim gjuhën e të parëve në çdo brez, si urë mes së kaluarës dhe së tashmes, në shenjë identiteti dhe krenarie.
Ne, mërgata e re, që për vetëm dy a tri gjenerata kemi filluar të ngatërrojmë gjuhën, duhet të mësojmë shumë prej tyre. Nga ta duhet të mësojmë se gjuha është mjet komunikimi, kujtesë, trashëgimi dhe atdhe shpirtëror.
Le të jetë ky shembull frymëzim për të gjithë ne që jetojmë larg atdheut.
-Mos e harroni gjuhën e nënës, sepse me të harroni rrënjët tuaja.
-Mos e lini kulturën të shuhet, sepse ashtu shuhet kujtesa e kombit.
-Ruajeni dhe përcilleni trashëgiminë, që edhe pas 30 gjeneratash të mund të themi me krenari “Ne jemi shqiptarë.”
shtator 2025

Në Frasnitë të Monumenti i At Antonio Belushit
Në Frasnitë të Monumenti i At Antonio Belushit

PJESA IV – Një kolos në bronz

At Anton Belushi, udhërrëfyesi arbëresh
Më 14 shtator, në Frasnitë të Kalabrisë, në një tokë që ruan kujtesën e Arbërisë së largët, u ngrit në bronz figura e një njeriu që nuk i përket vetëm kohës së tij, por përjetësisë së një misioni, At Anton Belushi.
Në këtë vend, ku fjala arbëreshë për t’i rezistuar shekujve u bë këngë, tashmë qëndron si dëshmitar i përjetshëm një kolos i kulturës, një mësues i fjalës dhe një misionar i dashurisë për gjuhën, historinë dhe identitetin arbëresh dhe atë shqiptar.
Shtatorja, vepër monumentale e skulptorit prishtinas Gëzim Muriqi, u realizua falë përkushtimit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë – LKSHM, e cila përjetësoi kujtimin e një personaliteti që ndërtoi ura midis botëve, brezave dhe brigjeve të Arbërisë.
Një ceremoni me tri himne
Nën tingujt e tri himneve, atij të Italisë, të Shqipërisë dhe të Kosovës, ceremonia e inaugurimit nisi me nje ndjenjë solemne që përshkoi gjithë Frasnitën. Zbulimi i shtatores, e mbuluar me saten të kuq, u shoqërua nga zëri i motrës së At Belushit, Katerina Belushi, që këndoi këngën arbëreshe “T’japim dorën o vëllëzër”. Ishte një çast i thellë uniteti, ku zërat dhe emocionet u bashkuan në një frymë të vetme.

Fjalë për një burrë
Kryetari i Bashkisë së Frasnitës, Angelo Catapano, theksoi rëndësinë e monumentit si simbol i lidhjeve të pathyeshme mes komunitetit arbëresh dhe trungut të tij amtar.
Nënkryetari i LKSHM-së, Musa Jupolli, kujtoi misionin e At Belushit për të ruajtur gjuhën, për të ndriçuar historinë dhe për t’u dhënë brezave krenarinë e origjinës. Skulptori Gëzim Muriqi ndau me të pranishmit rrugëtimin artistik të kësaj vepre, që nuk është thjesht një figurë në metal, por një shpirt i derdhur në bronz.
Në ceremoni morën pjesë edhe motra Katerina dhe vëllai Tomasso Belushi, si dhe bashkëpunëtorja më e afërt e Belushit, Ornela Radovicka, të cilët ndanë kujtimet dhe emocionet e tyre për një njeri që jetoi për idealin dhe kulturën.

Jehonë e dijes dhe kujtesës
Akademikë, studiues dhe personalitete te kulturës arbëreshe nderuan figurën e At Anton Belushit: Prof. Nikola Skeri, Damiano Guagliardi, Maria Antonietta Rimoli, Franco Calima, Mikele Greco dhe Prof. Isak Shema të cilët dëshmuan ndikimin e tij të pakrahasueshëm në ruajtjen e identitetit.
Përfaqësuesit dhe koordinuesit e LKSHM-së: Musa Jupolli, Rexhep Rifati, Mentor Thaqi, Hazir Mehmeti, Shqipe Bytyqi dhe Bashkim Halilaj, me angazhimin dhe përkushtimin e tyre bënë të mundur realizimin e këtij projekti monumental.
Mbështetje logjistike, organizative dhe morale dhanë gjithashtu Sokol Ahmetaj, Teuta Rifati-Kerhani, Milazim Ukëhaxhaj, Dan Morina, Akile Morina, Sadete Zhitia, Elona Sulaj, Dan Istrefaj, Ibrahim dhe Emine Xhemajli, Saliha Kodra – Rama, Avni Neziri, Jakup Reka, Martin Musaj, Lec Rexhepi dhe të tjerë.
Zonjat e fisme dhe të kujdesshme: Hamide Rexhepi, Haxhere Jupolli, Nexhmije Mehmeti, Vjollca Ukëhaxhaj dhe Fatime Istrefaj me prezencën e tyre i dhanë ceremonisë nje atmosferë elegance dhe dinjiteti.

Fjala, kënga dhe përjetësia
Pas aktit zyrtar, mbrëmja mori trajtën e një homazhi artistik. Poezia, muzika dhe fjala u ndërthurën në një orë letrare ku çdo varg ishte një përkulje ndaj jetës dhe misionit të At Belushit.
Kënga kushtuar atij nga Mentor Thaqi, shoqëruar me kitarë nga Ilir Papazi, tingëlloi si një lutje e brendshme. Poezitë e interpretuara nga Shqipe Bytyqi, Ramadan Morina, Ornela Radovicka, Hazir Mehmeti, Saliha Kodra – Rama e Maria Antonietta Rimoli si dhe performanca e grupit “Fluturo shqipe” nga Kastrovillari, krijuan një atmosferë të thellë shpirtërore.

Një prani që s’e shuan harresa
Katër ditët e qëndrimit ne Frasnitë nuk ishin thjesht një ngjarje, por një rit i kujtesës.
Në bronzin e kësaj shtatoreje tashmë rreh një zemër që nuk pushon, zemra e mësuesit, misionarit dhe atdhetarit që i mësoi brezave të duan gjuhën e tyre, të respektojnë rrënjët e tyre dhe të ecin drejt së ardhmes me dinjitet.
At Anton Belushi është tani aty, në Frasnitë, me plisin në dorë dhe librin ne dorën tjetër, për të udhëhequr të rinjtë drejt dritës dhe dashurisë për Arbërinë.
Koha mund të ndryshojë gjithçka, por jo kujtimin e tij, sepse bronzi ruan trupin, ndërsa fjala dhe vepra e tij ruajnë shpirtin e arbëreshëve.
Shqipe Bytyqi, shtator 2025

PJESA E V – Përmbyllja e vizitës në Kalabri

Dita e fundit e qëndrimit tonë filloi me një mëngjes të qetë. Në sallën e mëngjesit takova Sadeten dhe profesor Isak Shemën, një urtak me buzëqeshjen e tij karakteristike, mendje të mprehtë dhe shpirt të gjallë, trup të mbajtur përkundër moshës. Një vlerë e rrallë kombëtare.
Sadetja, veprimtare fisnike, kishte ardhur për përurimin e shtatores së At Belushit, ndërkohë që në fshatin e saj të lindjes përfundoheshin përgatitjet për ngritjen e shtatores së vëllait të saj, heroit kombëtar Afrim Zhitia, aktivist i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe dëshmor i rënë për lirinë e Kosovës. Pas 36 vitesh nga vrasja e tij në Llugë të Podujevës, po ngrihej një monument kujtues. Sa sakrifica dha ky popull, dhe sa ende sfidohet nga armiqtë, mendova ndërsa prisnim të tjerët.

Homazhe
Në varrezat “Shën Pjetri”, qetësia mbretëronte mbi bardhësinë e varrezave dhe lulet mbi to. Varreza familjare, si shtëpiza të vogla për 12–16 varre, të ndillnin respekt. Një monument madhështor, si dy krah engjëlli, djathtas në hyrje një statujë gruaje që simbolizonte vuajtjet e të gjitha nënave shqiptare, përfshirë ato të Kosovës. Në pllakë, në shqip dhe italisht, ishte skalitur poezia “Vajtimi arbëresh” nga Jul Variboba. Monument i ngritur me iniciativën e vetë At Belushit, ku tani preheshin eshtrat e tij.

Vizitë shtëpisë së Jeronim De Radës
Rruga na çoi drejt një tjetër arbëreshi të madh: shtëpia dhe fshati i De Radës, katundi Maqi (Macchia Albanese). Kodrat e ulëta, të mbuluara me ullishte argjendi, shtriheshin si një tapet natyror. Maqi, fshat antik, vetëm pak kilometra larg Shën Dhimitrit, qendra e kulturës arbëreshe, ruante historinë e tij në çdo mur dhe çati.
Shtëpia shekullore e De Radëve qëndronte e zbrazët, e pambrojtur, e rrezikuar nga koha. Mure guri, çati e pjerrët, ndërtim tipik arbëresh i shekullit XIX. Dhembja që De Rada, themelues i letërsisë së re shqiptare, pararendës i Rilindjes Kombëtare, mbylli sytë në varfëri, ndërsa shtëpia e tij i nënshtrohej dhimbjes së kohës, ishte e pashmangshme. Vetëm një rrotë mulliri, pranë shkallëve që çonin në katin e dytë, me mbishkrim nga viti 1659, dëshmonte për trungun e hershëm të familjes së tij.
Poeti De Rada prehet brenda kishës në qendër të fshatit. Homazhet tona vazhduan në njërin nga muret e brendshme të kishës, ku një pllakë përkujtimore dëshmonte vend-prerjen e tij.
Imazhi i tij i përvuajtur dhe fundi i pamerituar digjte më shumë se vapa e shtatorit. Ngadalë dhe me elegancën e saj, Teuta më pyeti nëse dëshiroja ujë. Kjo zonjë e mrekullueshme, ndërmarrëse në Zvicër, e rrethuar nga një grup ferizajasish që vizitonin, ndihmonin dhe dhuronin dashuri trojeve arbëreshe, gjithandej.
Musa, kryetari i LKSHM, shkrimtar, poet dhe intelektual i njohur, kishte udhëtuar herët, me një gur në zemër që kësaj radhe nuk mundi të vizitonte shtëpinë dhe varrin e De Radës. Baca Rexhë, Ornela dhe Mentori, treshja që mbajti peshën kryesore të organizimit, dukeshin më të relaksuar. Mentori kishte bërë një punë të shkëlqyer.

Vizitë kolegjit të Shën Adrianit
Nga Maqi, vizituam Kolegjin e Shën Adrianit, në shpatinën e kodrës së Montesantos, 530 metra mbi nivelin e detit. Panoramat e tij ishin të mrekullueshme.
Kolegji, ku Jeronim De Rada punoi si profesor dhe mbajti leksione mbi gjuhën shqipe dhe arbëreshe si dhe përgatiti mbi 100 intelektualë shqiptarë gjatë viteve 1898-1919, personalitete të nderuara të historisë shqiptare. Kolegji ishte themeluar më 1732 nga Papa Klementi XII, si qendër edukative për të rinjtë arbëreshë, kryesisht për përgatitjen e klerikëve të ritit ortodoks-grek. Stili arkitekturor harmonizonte thjeshtësinë e traditës arbëreshe me elegancën e barokut dhe neoklasikës, duke e bërë atë simbol kulturor të komunitetit. Ndërtesa që ne vizituam ishte kryesisht e shekullit XVIII, ndonëse themelet e saj lidhen me një abaci mesjetare shumë më të hershme. Biblioteka ruante Fondin e Vjetër manuskripte shekull XVIII-XIX dhe Fondin Modern, libra të botuar në shekullin XIX dhe XX. Konvikti i studjuesve dhe mysafirëve ishte intakt dhe sikur priste fryma të reja.
Shkrimtari dhe studjuesi Hazir Mehmeti u ndal me interes para rafteve plot libra të vjetër. Ibrahim Xhemajli dhe Emineja, dy veprimtarë të hershëm, dokumentonin që nga dita e parë çdo gjë me kujdes. Mendova: një herë veprimtar – gjithmonë veprimtar. Piktori Milazim Ukëhaxhaj përthithte me sy dhe mbase inspirohej për ndonjë vepër arti.

Darka
Në mbrëmje, Ristorante L’Antico Ulivo në Civita di Bagnoregio na mirëpriti për darkën e fundit. Ndërtesa historike dhe ambienti krijuan një përmbyllje magjike të këtij udhëtimi. Një natë më parë aty kishim kaluar një mbrëmje të paharruar: arbëresh dhe shqiptarë nën tingujt e muzikës live arbëreshe, festuam ditëlindjen e At Belushit. Ambienti, shoqëria shqiptaro-arbëreshe, ushqimi i shëndetshëm kalabrez kombinuar me atë arbëresh, zërat e bukur të këngëtarëve Marco Moccia, Maria Antonietta Rimoli dhe Ilir Papazi i dhanë vulën magjisë së asaj nate. Më tutje grupi nga Gjeneva, të rinj dhe plot energji. Ndër ta Aina, Durrësini, Iliri, Gjoni, Fahredini transmetues të energjisë pozitive. Ndërsa Familja Rifati, familja e mrekullueshme e Bacit Rexhë: shoqja Hamidja, djali Avniu, vajzat Teuta, Dita, Merita një familje model i suksesit dhe dashurisë për atdheun, freski dhe nder jo vetëm i këtij eventi. Pastaj Fatimja dhe Nexhi ruajtën humorin e tyre, edhe në natën e fundit. Eli, dora e djathtë e Ornelës, vajza që erdhi nga Tirana, ajo që me dashuri promovon çdo arritje arbëreshe, ishte dhe mbeti e ëmbla e grupit! Gjersa Tomassio Belushi me sharmin dhe arbërishten e tij karakteristike na bënte të ndjehemi si në shtëpi. Më mbeti merak që nuk erdhi inxhinieri Tomassi Ferrari, me të cilin biseda kishte thellësi dhe sens. Një natë më parë, ai dhe zonja e tij fisnike më ftuan që vizitën e ardhshme të jem mysafire në shtëpinë e tyre. Jo të shkosh në bujtinë, eja te ne, më thanë. Sytë m’u mbushën me lot, ndjeva mikpritjen autentike arbërore, gjashtëqind vjet e vjetër.
Krejt në fund, Bashkim Halilaj, “bleta” e LKSHM, njeriu që punon shumë në heshtje, pa u ekspozuar, na përkujtoi se nesër, në pesë të mëngjesit, duhet të jemi gati për nisje drejt aeroportit.
Përshëndetje, përqafime dhe zotime për takime dhe aktivitete të reja, mbushën qiellin e kthjelltë të asaj nate. Arbëreshët dhurojnë shumë dashuri! Posa të përshëndetesh, ke mall të shkosh përsëri. Dhe mu këtë do bëjmë ne.
Shqipe Bytyqi, shtator 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.