back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Në bibliotekën e Vangjel Koçës – nga Odrieja

Gazeta

Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)

Në bibliotekën e Vangjel Koçës

nga Odrieja

Do ta kini parë pa dyshim atë amvisen e re, e cila posa e ka hapur shtëpinë dhe që po e shton dita ditës mallin e shtëpisë, në mënyrë që ta pajosë këtë me të gjitha të mirat. Si kjo amvise punëtore vepronte edhe Vangjel Koça, “Alfieri” ynë në fushën e librave. Ky, duke filluar nga tefterët e shkollës fillore, me vullnetin e pashoq, me dashurinë e pamasë ndaj librit mundi të krijojë një bibliotekë të pasur, mundi të ngrihet lart dhe të dëftohet me gisht në botën intelektuale. Në një shtëpi të voçkël të Varoshit lindi Vangjeli i paharuar; studime të rregullta s’pati fatin të kryente. Ai studjoi vetë, vetë u përpoq, i ranë sytë, u mundua vetë, kërkoi vetë, vetë u përpoq, vetë u bë i mirë. Pa patur mësues pranë arriti të ç’quhet në botën mendore të Shqipërisë, dhe pa qenë nxënës i rregullt ariti të bëhet mësues i vlefshëm, mësues për hir të vullnetit të tij alferian. Vangjel Koça, djali shpirtka vetëm i Dhimitër Koçës, studjoi me të keq, studjoi me të rema. I ati tij, një rrobaqepës i thjeshtë, të cilit i binin sytë duke punuar për dhè me gjëlpërë shkurtoi nga goja, dhe Vangjelin nuk e la pa këndime. Duke kursyer at e bir, ky i fundit arriti të hapte shtëpinë e të lartësohej mendërisht dhe ta pajisi vehten me një bibliotekë të rrallë, të zgjedhur, të plotë. Atë që s’e bënë dot djemtë e pasanikëve duke shkuar universitet më universitet, atë që s’e kryen dot shumë nxënës të përshtatshëm duke bredhur kabare – më – kabare, me dëshirë të madhe e me vullnet të jashtëzakonshëm e bëri Vangjeli i papërtuar, në qytetin e Gjinokastrës, qytet pa bibliotekë e pa jetë mendore, qytet larg librës e larg diturisë. Atë që s’e kryen dot shqiptarët në zemërn e kulturës, e realizoi Vangjeli në greminën e Gjinokastrës. Vangjeli e pajisi vehten, e pajisi dhe Gjinokastrën dhe nderoi jetën mendore shqiptare. Me studimet e tij, shumë studiuan në Francë, Itali e gjetkë, shumë vijuan mësime filozofike, por ai që i hyri në shpirt Descartes-it ishte Vangjeli, Vangjeli e përktheu, ay vetëm ia paraqiti botës shqiptare atë kryevepër mendimi. Punoi si sekretar prefekture e njëkohësisht redaktor gazete, punoi si sekretar në tregtoren e Ciut e një kohësisht bashkëpuntor revistash, punoi si sekretar i Odës Tregtare e një kohësisht redaktor i Demokracisë, shërbeu si mësues e penën nuk e la kurrë, studimit nuk ju nda për asnjë çast, punoi si noter e njëkohësisht u dëftua punëtor i zgjedhur i revistave më të zgjedhura të vendit t’onë. Punonte natën, punonte ditin, e s’kishte të shuar. Ndërsa gjithë bota kishin rënë në gjumë, aty anës së prroit në shtëpinë e Reuf Fico-s në Gjinokastër, n’odën e vet,Vangjeli punonte, Vangjeli ishte zgjuar. Rrinte duke shkruar ky studiues i pashoq, ky shkrimtar kritik i rrallë. I mbytur në mes librash e revistash, broshurash e gazetash ay ndjente gëzim duke punuar, kënaqesh duke shkruar. Kështu punonte autodidakti Vangjel Koça në bibliotekën e vet… Gjinokastra e çmonte shumë dhe si shembëll djemtë e saj që shitën edhe drrasat e shtëpisë dhe një diplomë me…. s’mundën ta hidhnin kurrë në dorë. E gjinokastritët që e nderonin u thoshin me plot gojën djemve të tyre: “Shihni Vangjelin se ku arriti, ky pa harxhuar prindër e pa shkuar qytet-më qytet ariti të çquhet, ju là në llucë Vangjeli, merrni shembëll!”
.
Vangjel Koça në Instituti i Studimeve Shqiptare
Vangjel Koça në Instituti i Studimeve Shqiptare

.

Dhe me të vërtetë prej tij duhesh të frymëzohesh shqiptari i ri. Dhe Dhimitër Koça ishte kryelartë që kishte një djalë të tillë, me vullnet e me zgjuarsi. Librat e tij që shtoheshin dita-me-ditë, biblioteka e tij e zgjedhur dhe me të gjitha të mirat na tërhiqte të gjithëve, na tërhiqte përherë. Donim një teks një gazetë të vjetër, një shënim? Vraponim te Vangjeli, dhe ky me buzë në gas, e shpejt e shpejt, na udhëhiqte, na jipte ç’kërkonim. Fjalë-ëmbël e i papërtuar, me dëshirë e me gas na kënaqte, na duhëzonte. Largoheshim prej odës së tij mirnjohësa. Aty n’odë linim një studioz të pashoq, i cili u largua para kohe nga bota shqiptare varfëroi për shumë kohë jetën t’onë.
M’u desh edhe tani shpejt të kërkoja diçka rreth viteve1920-1924, një ligjëratë e Nolit më duhesh, po ku të drejtohesha?! Vangjelin s’e kisha më. Atë që s’e gjeta në Ministrinë e Jashtëme, e as në Bibliotekë Kombëtare ma tregoi biblioteka e tij.
M’u desh të shkoja përsëri te banesa e Vangjel Koçës te biblioteka e Vangjelit. I afrohem banesës, e më çilet dera. Libra më të katër anët, libra në koridor e në të hyrë të odave. Zonja dhe motra e tij po rregullonin vëllimet e shumtë. Kudo libra, kudo gazeta, kudo shënime, kudo revista dhe aty afër pashë Gjençin e vogël 8 vjeçar, i biri Vangjelit, që u rrinte librave pranë. I shkonte nëpër duar, ato që i ati i tij i kishte shkuar një nga një nëpër sy e nëpër mend. Kur të rritet ay do të njohi babanë e do të ndjehet krenar për këtë pasuri librash. Një djalë i vogël në mes të një biblioteke që kërkonte të zotin…
Zonja Milla, arsimtare e kuptuar, që shkruan edhe vetë – më kujtohen konferencat e saj për gruan shqiptare në Gjinokastër më priti më së miri. Motra e të shkretit Vangjel gjithashtu.
Kur u largova nga pragu i portës, e ndjeva se diçka mungonte: Vangjeli që më përcillte nuk ishte më. Tani ishte pas meje vetëm biblioteka e tij.Tetë muaj më parë i zoti i saj kthehej në tryezën e punës. Sot i zoti i saj mungonte.
U largova nga shtëpia, e Vangjeli s’ishte më te dera. Ai ish zhdukur para kohe, varfëroi familjen, pikëlloi ditët e fundit të një mëme, shkretoi një shoqëri të tërë:
Republikën e letrave tona.

Marrë nga “Bashkimi i Kombit” mars 1944

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.