back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Në Babelin e leximit – nga Dr. Brikena Smajli

Gazeta

Dine Dine - Mbi Varkën e Karontit - Roman
Dine Dine – Mbi Varkën e Karontit – Roman

Në Babelin e leximit

nga Dr. Brikena Smajli*

 
“…letërsia më e mirë shqipe
në më të bukurën e saj,
ka shkruar të vërtetën…” brikena smajli
 
…mbi të vërtetën e shkrimit romani i parë i Dine Dines,
“Mbi varkën e Karontit” në narrativën e tij të krijon përshtypjen
e një romani tipik viktorian, këtë e përforcon
edhe përkorja e vetë personazhit,
madje edhe qasja autobiografike,
vetërrëfimi i pashpërndërruar në një tjetër rrëfyes,
megjithatë ndërsa ndërlikon raportin:
të vërtetë dhe letërsi/literaritet…
.
Dine dine  - ne promovimin e vepres se tij...
Dine Dine – ne promovimin e vepres se tij…
If you can keep your head when all about you
Are losing theirs and blaming it on you,
If you can trust yourself when all men doubt you,
But make allowance for their doubting too;
If you can wait and not be tired by waiting,
Or being lied about, don’t deal in lies,
Or being hated, don’t give way to hating,
And yet don’t look too good, nor talk too wise:…
(Rudyard Kipling, If)

.

Përballja e autorit me shkrimin e tij ka qenë dhe do të jetë gjithnjë një proces i vështirë, për të cilin shkrimtarit/ shkruesit i duhet në radhë të parë forcë, si edhe ai hap i madh mënjanimi fizik e mendor kundrimi, në të cilin gjithçka përballet me domosdonë e një formësimi… Krijimi
Në këtë qasje shkrimtari e teoricieni ndahen, sepse nëse përballjen me shkrimin dhe vetë produktin e tij shkrimtari do ta quante njëmend të vërtetë, teoricieni do ta quante: transpozim, fiction, (trillim) pra edhe Letërsi. Njëmend shkrimtarët, ata që frymojnë me shkrimin, e dinë se lipset të gjallërojnë këtë të vërtetë, si e vërteta e çastit të shkrimit (edhe pse kjo s’është e Vërteta absolute) e cila duhet të gjallojë si e tillë deri në fjalën e fundit. Teoricieni na sjell pra tek deduksioni shpërfillës se të shkruash të vërtetën apo për të vërtetën nuk është edhe një ndërmarrje që ka të bëjë me letërsinë dhe ajo vetë letërsia, literariteti filloka aty ku autori shkrues diç ka lënë mënjanë në të vërtetën e ditëpërditshme, për të hyrë në një botë të shpërndërrimit që e quajmë Letërsi… Po një shkrimtar si Stendali ka zgjedhur maskën për të thënë të vërtetën në shkrim. I kish ngritur vetes kurthe të tilla, që të kuturiste të thoshte gjithnjë të vërtetën, të paktën të vërtetën që burbullonte në kokën e Henry Beyle-it (emri i vërtetë i Stendalit). Dostojevski kish zgjedhur të vërtetën e përjetimit të vet, dhe ne lexojmë sot projeksionin e kësaj të vërtete dostojevskiane në personazhet e formësuar të tij. Të tjerë gjithaq shpërndërruan diç të ngjashme, duke ndërtuar karaktere universalë të cilët veprojnë e nëpërduken si mozaikë shumëngjyrësh të të vërtetave të kohës të mishëruar në to. Se sado të na duket trillim i pastër udhëtimi i Stephen Dedalus, nën maskën e një Uliksi të mendjes, udhëtimi i tij ngjan prap të jetë i vërtetë. Vetë letërsia më e mirë shqipe në më të bukurën e saj, ka shkruar të vërtetën.
Në këtë këndvështrim mbi të vërtetën e shkrimit romani i parë i Dine Dines, “Mbi varkën e Karontit” në narrativën e tij të krijon përshtypjen e një romani tipik viktorian, këtë e përforcon edhe përkorja e vetë personazhit, madje edhe qasja autobiografike, vetërrëfimi i pashpërndërruar në një tjetër rrëfyes, megjithatë ndërsa ndërlikon raportin: të vërtetë dhe letërsi/literaritet, me një theks me tepër tek e vërteta, përforcon dhe drejtpeshohet me maturi drejt një ligjërimi me detaje funksionalë e dinamikë të cilët nuk mund të mbeten thjesht rrëfim e vetërrëfim, për shkak të maturisë në këtë të çdo detaji të dhënë dhe forcës përgjithësuese që fiton nga ky shkak përmasë në vetë rrëfimin. Jehona e vargjeve të sipërcituara të një tjetër viktoriani si Rudyard Kipling mund të lexohet në nëntekstin ripërjetues përgjithësues të çdo faqeje.
Edhe një ditë në ndërtim kaloi pa arrestime!… – shkruan autori në faqen e parë dhe kjo na zhyt menjëherë në kohën e përjetimit, pa hyrje, bash sikur Kamy tek I huaji: Nëna vdiq, varrimi nesër. Ngushëllime të përzemërta… ky është rrëfim i njëmendtë i autorit, i cili na e mbivendos konceptin mbi të vërtetën dhe letërsinë, sepse tek ka vendosur të mos ua shpërndërrojë emrat e vërtetë personazheve, subjekte të romanit, e di se do të përballet jo pa andrralla me të vërtetën dhe kujtesën, dhe në këtë mes, e vërteta nuk mund të cilësohet thjesht si e vërteta e përjetimit, siç mund, tek e fundit, të përkojë e t’u rrijë mirë rrëfimeve artistike të njëllojta të një brezi të tretë përjetuesish, atyre “të burgosurve të lirë”.
.
Autori Dine Dine
Autori Dine Dine
“…tani që i shkruaj këto kujtime, – shkruan ai më tej, – kanë kaluar mbi shtatëmbëdhjetë vjet, dhe të them të drejtën, kam harruar shumëçka, por ajo që m’u ngulit në mendje ashtu e shkruar me gozhdë… Ishte emri i një të pandehuri që kish gdhendur se qe dënuar 22 vjet pa asnjë fakt…” Ndërkallje të tilla ku narratori dhe autori ndahen, për t’u pikëvështruar nga kohë të ndryshme sikur sjellin në vete lexuesin e sotëm jo dëshmitar të ngjarjeve – dëshmi të romanit, që mundet fare lehtë për shkak të maturisë pa teprime e ngulitjes së rrëfimit, të pandehë se po lexon deri diku një sivëlla të Dostojevskit, në thellësinë e tij të përjetimit apo një Sollzhenjicin, një hero tipik stendalian si Zhyljen Soreli në maturinë domethënëse të oratorit dhe të mendimtarit tek dialogjet-monologje në hetuesi dhe në gjyq; një Jozef K. disi më të ashpër a më të gjallë apo edhe më tronditës tek ndërmendjet e njëmendëta ekzistencialiste prej nga… vetë realiteti i ditëpërditshëm shqiptar shfaqet më fantastik se vetë letërsia apo transpozimi fictional i saj dhe porta prej nga hyhet në letërsi dhe në një dokumentim vetëm sa merr përmasë nga vëmendja që mund t’i kushtojmë. Për këtë romani fiton një tjetër rëndësi, për historinë e shkrimit/ të shkruarit dhe të shkruarit kësisoj, ndërsa ndesh në historinë e letërsisë botërore Dostojevskin apo edhe Stendalin, Jozef K. të Kafkës apo Mersoin e Kamysë në mozaikun e ndërlikuar të leximeve për teknikën e formësimit të personazhit, apo ndërmendimet e tyre ekzistenciale prap u shmanget këtyre të fundit, sepse ka ballafaquar rrezikshëm llojin e rrëfimit me të vërtetën e ditëpërditshme të kujtesës dhe rëndom qasje të tilla shkrimore që janë të ngulitura aq fort në të vërtetën, janë më fort një letërsi e rastësishme se sa letërsi si qëllim. Literariteti në kuptimin qëllimor nuk është funksional pa u organizuar dhe pa frymuar si i tillë edhe në vetë lexuesit, të cilët më së pari përimitohen në pranimin e një realiteti të vërtetë narrativ e metanarrativ… Të sjellim ndër mend këtu Ditarin e Ana Frankut, apo historitë narrative të apostujve të fesë, që sollën si pa qëllim mirëfilli letrar rrëfimet e interpretimet e veta, me theks të theksuar në të vërtetën dhe dëshmimin, leximi i sotëm si letërsi reformëson, ato vetëm nëpërmjet leximit dhe pranimit të së vërtetës.
Në këtë pikë romani është me të vërtetë roman i dëshmimit dhe i të vërtetës, që trupëzohet faqe pas faqeje në një të vërtetë të zërave që e përbëjnë, nën syrin e një narratori si një dokument, për t’u projektuar në të tashmen tonë të leximit dhe një e vërtetë e gjallë e dëshmimit si edhe një e vërtetë e përjetimit tonë në lexim dhe në rilexim.

.

Marrë nga Mapo, 4 Nëntor 2017
*Lektore, UET

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.