back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Ndjehemi të kërcënuar, sepse po kërcënohet Valbona.. nga Dr. Islam Lauka

Gazeta

Në mbrojtje të Valbonës
Në mbrojtje të Valbonës

Ndjehemi të kërcënuar,

sepse po kërcënohet Valbona…

nga Dr. Islam Lauka – diplomat, analist

Fjala e mbajtur të dielën, 8 maj 2016, (në “Urën e t’Shtrejtit”)

në Tubimin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Valbonës.

Solidaritet ne Mbrojtje të Natyrës shqiptare - Valbona
Solidaritet ne Mbrojtje të Natyrës shqiptare – Valbona

Ne jemi sot këtu, sepse ndjehemi të kërcënuar.
Ndjehemi të kërcënuar, sepse po kërcënohet Valbona,
që është pjesë e pandarë e identitetit tonë.
E dimë dhe e njohim autorin e kërcënimit.
Sepse ai ka dalë hapur, pa maska, ditën për diell.
Është shteti ynë, ai që e ka për detyrë ta mbrojë si Park Kombëtar,
që vetë e ka shpallur, para 20 vjetësh.
Me vendimet e Qeverisë për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Valbonës,
duke shkelur rëndë të drejten mjedisore, kombëtare dhe ndërkombëtare,
shteti ynë ështe futur në konflikt të dyfishtë – me natyrën dhe me njeriun.
Por ne, si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm, nuk do të lejojmë
që të prangoset liria e Valbonës me zinxhirin e hidrocentraleve.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë shurdhin ndaj kësaj masakre mjedisore,
ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi t’i dëgjojmë
thirrjet e natyrës dhe të njerëzve për ndihmë.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë qorrin,
ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqermi të shohim sa më qartë
krimin që po i kanoset Valbonës dhe njerëzve të saj.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë memecin,
ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi
që thirrjeve për ndihmë të natyrës dhe të njerëzve
t’u japim zë nga zëri ynë.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të jetë i pandjeshëm dhe i pashpirt
ndaj këtyre thirrjeve, ne refuzojmë të sillemi si ai
dhe përpiqemi të kuptojmë me mendje e të ndjejmë me zemër
lutjet e natyrës dhe njerëzve për ndihmë.

Mbrojmë Parkun Kombtar të Valbonës
Mbrojmë Parkun Kombtar të Valbonës

“Ndihmë”, thërrasin bimët dhe kafshët endemike të Luginës së Valbonës.
“Ju lutemi, mos na pakësoni ujin dhe oksigjenin,
sepse edhe kështu jemi në rrezik kritik për jetën.”
“Ndihmë, – thërret Gryka e Dragobisë –
– Ju lutem, mos ma copëtoni shtatin e Valbonës,
sepse ma hiqni freskinë e gjelbërimin dhe ma sillni shkretimin.”
“Ndihmë, – thërrasin njerëzit që e kanë lidhur jetën e dekën me Luginën e Valbonës!”
“Ndihmë, -thërrasin zanat, heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, mitet e legjendat.  
Ju lutemi, mos na e prekni vendlindjen tonë, sepse nuk kemi ku shkojmë.”
Ne jemi sot këtu, në përgjigje të këtyre thirrjeve,
të gatshëm për të ndihmuar dhe për të sakrifikuar.
E dimë që e kemi shumë të vështire, sepse përballë kemi shtetin.
Por frikë nuk kemi.
Nga kjo urë, ne i kërkojmë shtetit:

Bashkë në mbrojtje të Valbonës
Bashkë në mbrojtje të Valbonës

Së pari, transparencë të plotë për vendimet e Këshillit të Ministrave,
sa hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen të Valbonë
dhe sa leje mjedisore janë dhënë.
Së dyti, të pezullohet menjëherë realizimi i projektit për ndërtimin e hidrocentraleve.
Së treti, të organizohet një referendum lokal në Tropojë,
lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve
dhe, në rast se populli me vullnetin e tij të lirë shprehet kundër ndërtimit të tyre,
atëherë të shfuqizohen menjëherë vendimet e qeverisë për këtë projekt.
Nga lartësitë e kësaj ure,
ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mbarë trojeve shqiptare,
grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe, sidomos, rinisë:
bashkohuni me ne, në një bllok unik,
në mbrojtje të margaritarit të kurorës së Bjeshkëve te Bekueme
– Valbonës sonë të bukur dhe të lirë!
Valbonë, 8 maj 2016

Lumi i Valbones
Lumi i Valbones

 Mos guxoni ta prekni Valbonën tonë!

Letër Ramës dhe Berishës: 18 prill, 2016

nga Dr. Islam Lauka*

Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama,

Ish – Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha,

Rama,
Ka dy muaj që Tropoja po zien për shkak të njoftimeve se në Luginën e Valbonës do të fillojë ndërtimi i 11 hidrocentraleve, të cilët, do të shfrytëzojnë ujin e Valbonës, si dhe të përrenjve e të përroskave, që derdhen në të, duke dëmtuar rëndë aortën, venat dhe kapilarët e kësaj lugine të mrekullueshme.
Shqetësimi për rrezikun që paraqet kjo masakër mjedisore ka çuar në organizimin e protestave në Bajram Curr, Tiranë dhe në New York (dhe nga emigrantët tanë atje), si dhe në dërgimin, në adresën tuaj, të disa letrave nga ata që preken drejtpërsëdrejti nga kjo masakër–banorët e saj dhe shoqëritë turistike vendore dhe të huaja.
Megjithatë, deri tani, nuk ka patur asnjë reagim zyrtar, nga ana juaj, nga Ministria e Mjedisit, apo nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe as nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila e ka në tagrin e saj ruajtjen dhe kthimin në identitet të këtyre zonave.Në të vërtetë, ky vendim nuk i prek vetëm banoret e Luginës së Valbonës apo shoqatat turistike. Ai më prek edhe mua, si tropojan, por edhe fëmijët e mi që janë rritur me dashurinë për Valbonën, e cila çdo vit, na pret e na përcjell, siç di vetëm ajo. Ai vendim, në të vërtetë ju prek edhe ju z. Kryeministër dhe çdo shqiptar, sepse Lugina e Valbonës është pjesë e së mires sonë të përbashkët, siç është ajri dhe dielli.
Pas shpalljes së saj si “Park Kombëtar”, në vitin 1996, u mendua se shteti do të ndërhynte me politika zhvillimore dhe vendime që do të ishin në përshtatje me natyrën e Alpeve dhe interesat e njerëzve që banojnë aty, si për shembull investime për projekte infrastrukturore e turistike; miratimi, nga KKRRT dhe zbatimi rigoroz i një plani urbanistik për fshatin Valbonë; disiplinimi i gjuetisë dhe mbrojtja e shtimi i pyjeve, pra politika që do të mundësonin mbrojtjen dhe zhvillimin e luginës. Kanë kaluar 20 vjet, por politika dhe vendime të kësaj natyre nuk u panë. Përkundrazi, sot ne po ballafaqohemi me një vendim, i cili, duket se është krejtësisht i gabuar dhe i dëmshëm.
Së pari, ai nuk respekton legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar për ruajtjen e specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër, nuk mbron biodiversitetin dhe ekosistemin, pra natyrën; nuk merr në konsideratë, përkundrazi, nëpërkëmb vlerat historike, kulturore e shpirtërore të njerëzve që jetojnë aty.
Së dyti, nuk merr në konsideratë, përkundrazi e injoron të drejtën e sanksionuar nga ligjet e brendshme, nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të grupeve të interesit dhe të popullsisë vendore për të marrë pjesë në vendimmarrjen mjedisore.
Së treti, nuk merr në konsideratë potencialet turistike të zonës, por as interesin, mundësitë dhe përvojat e deritanishme të banorëve të saj për zhvillimin e turizmit.
Së fundi, qeveritë e përgjegjshme në vendet e civilizuara, kur bëhet fjalë për vendimmarrje mjedisore, respektojnë një parim që njihet si parimi i barazisë midis brezave. Brezi ynë nuk e ka të drejtën e tjetërsimit të Luginës së Valbonës, për të cilën, të parët tanë, për ta mbrotjur nga fqinjët lakmitarë, e kanë larë atë me gjak. Ashtu siç nuk kemi të drejtë që brezave të ardhshem t’ua lëmë Valbonën të pranguar me 11 palë pranga.

Dueti kryeministror Rama-Berisha
Dueti kryeministror Rama-Berisha

Berisha,
Sipas njoftimeve të shtypit, rezulton se për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve në Luginën e Valbonës ekziston një VKM, me numër 680, datë 16.08.2013, i firmosur nga ju. Si ish-Kryeministër, por edhe si intelektual dhe si tropojan që e njeh mire dhe e dashuron Valbonën, mendoj se është në nderin dhe dinjitetin tuaj që, ta pranoni se keni gabuar, duke e miratuar atë vendim. Gjithashtu, mendoj se pikërisht ju duhet të merrni guximin e t’i kërkoni kësaj qeverie të shfuqizojë vendimin tuaj. Nuk është turp të pranosh gabimin e të kërkosh korrigjimin e tij. Turp është të mbyllësh sytë para kësaj masakre mjedisore, për të cilën jeni përgjegjës edhe ju.

Rama,
Për të dalë nga kjo situatë e rëndë, mendoj se ka dy rrugë: të shfuqizohet VKM-ja nr. 680 për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, që do të ishte rruga më e drejtë dhe më e shkurtër. Ose, para se të fillojë zbatimi i tij, të merret medoemos parasysh vullneti i popullit, i shprehur nëpërmjet një referendum lokal në Komunën e Tropojës. Besoj që ideja e referendumit nuk është e huaj për ju, aq më tepër që, kohët e fundit, e keni shfrytëzuar atë edhe për një “kauzë” personale. Ndërkohë që Valbona përbën një kauzë kombëtare.

Valbona - Perla e Alpeve
Valbona – Perla e Alpeve

Si politikan që nuk ju mungon përvoja, shpresoj se e dini që problemet e mjedisit, nëse nuk menaxhohen mirë, çojnë në konflikte shoqërore, shpesh, me pasoja të paparashikuara. Kjo është arsyeja që e drejta e brendshme dhe ajo ndërkombëtare i kushtojnë rëndësi të veçantë marrëveshjes e mirëkuptimit me komunitetet e interesuara. Historikisht, ishin vojvodët serbë e malazezë që, në kundërshtim me vullnetin e popullit, donin ta bënin të tyren Luginën e Valbonës. Shumë prej tyre i lanë këtu rrashtat e tyre, pa ia arritur qëllimit.
Nëse shteti ynë ka vendosur të sillet si cub me shtetasit e vet, atëherë ne na lind e drejta që ta mbrojmë Valbonën tonë nga cubat dhe vojvodët shqipfolës.
Besoj se ju z. Kryeministër e dini që Lugina e Valbonës nuk është Parku Artificial i Tiranës, i krijuar nga dora e njeriut, midis rrafshit. Ajo është dhuratë e Zotit apo natyrës, midis Bjeshkëve të Bekuara. Ajo fillon me “të shtrenjtit” (ngushticën) e Valbonës në Shoshan dhe vazhdon me “të shtrenjtit” e saj deri në Qafën e Valbonës. Kush guxon e futet në të pa marrëveshje me të zotët e saj, ngushtë do ta ketë e shtrenjtë do ta paguajë. Mos guxoni ta prekni Valbonën tonë se prekni të zezën tuaj.

Dr. Islam Lauka
Dr. Islam Lauka

Dr. Islam Lauka, i lindur në Tropojë;
diplomat i njohur kariere, studiues, pedagog;
ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë;
i shpallur “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit (2010)
dhe i bashkisë së qytetit Bajramcurri (2015),
president i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike,
drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve
Politike, autor i disa veprave shkencore, etj.
Marrë nga  http://gazetadielli.com/leter-rames-dhe-berishes-mos-guxoni-ta-prekni-valbonen-tone

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.