
Ndërtimet dhe struktura e shtëpive të Gjormit
nga Bardhosh Glluçaj
Në fëmijërinë tonë kur dilnim për festa na krijohej mundësia të shikonim të gjitha shëpitë në Gjorm, ku guri nuk ish i kursyer edhe pse mjaft shtëpi ishin pa themel dhe të mbështetura në masive të sheshta shtufi.
Na binte në sy një karakoll 4 katësh në përmasa 4×4 që kish shërbyer si vend roje e Spahiut (administratorit) në kohën e Turqisë.
Ky objekt me mure guri ndodhej në Breg të Xhake te shtëpitë e Glluçajve, bashkë me kazerma të atyre që ishin të punësuar.
Në Gjorm ishin dy shtëpi 3-katëshe në krye të fshatit, pronë e Dalan Bejo Alliaj dhe e Dalip Habib Halilaj.
Në 1962, në fshatin tonë ishin 72 shtëpi dykatëshe të ndërtuara me gurë të bardhë mermeri që ndahej si djath nga çekani i ustallarëve që vinin nga Opari e Panariti i Korçës.
Në grumbujt e ndërtesave që ishin sipas fiseve futeshe në rrugët e shtruara me kalldrëm që emërtoheshin si Rimi i Glluçajve, Gode, Kaje, Ungjeshe, Elezajve etj.
Rrugët ruanin përmasat që të kalonte kafsha e ngarkuar me shkarpa apo me bar, më e gjerë se makina.

Deri atëhere veç shkollës që ishte në një objekt të Komandës italiane të 1920-ës e dislokuar në fshatin tonë, u ndërtua shkolla 7 vjeçare, zyra të kooperativës, magazina, kovaçana, njësi tregëtie dhe baxho të punimit të bulmetit.
Në fshat ishin edhe 79 shtëpi njëkatëshe ose mbërdhese si e përdornim atëhere.
Nga këto 15 shtëpi një e dy katëshe ishin në tokat që kishin gjormjotët si shtëpi të dyta në territorin e fshatit.
Mbas 1962-shit pati shumë ndërtime banesash, rreth 132 të tilla.
Me shtimin e numurit të banorëve u shtua edhe mulliri me korent, furra e bukës, elektrosharra, ambulanca e materniteti, kopështi e çerdhja, pallati i kulturës dhe shkolla e mesme.
Për vet pozicionin me rrugën mes fshatit kishte shumë lehtësira për ndërtim, por peshën e madhe e mbanin kafshët e ngarkesës deri edhe me pendët me qe i kanë afruar parmakët e dyerve apo dritareve.
Ndërtimet dukeshin se bëheshin në garë midis njëri-tjetrit dhe fshati shëmbëllente si qytet.
Përulje e respekt prindërve tanë që e fillonin që nga djegia e kaminave për gëlqeren, thyerja e transporti i gurëve apo rërës e zhavorrit e nxjerrja e trarëve në mal e dërrasave të gurit për të mbuluar çatinë.
Përulje e respekt nënave tona që edhe pse punonin qilizëm me bel e lopatë në kooperativë, u duhej të ngarkoheshin me tërkuzë për ndërtimin e banesës.
Sapo të martohej çifti i ri do fillonte nga ndërtimi i shtëpisë.
Në Gjorm gati çdo shtëpi bënte murin rrethues dhe portën e skalitur në formëharku me mermer.
Të ndërtuara para 1990-ës janë rreth 73 porta, ku disa janë shumë afër njëra tjetrës.
Marrë nga Muri i FB Bardhosh Glluçaj, 25 korrik 2024