Ndërron jetë gazetari i njohur Artur Zheji – dhe një shkrim i tij për Shkodrën

Gazeta

Gazetari Artur Zheji
Gazetari Artur Zheji
Ndërron jetë gazetari i njohur Artur Zheji

Gazetari dhe analisti i njohur Artur Zheji ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare, pas një arresti kardiak. Figura e njohur e medias shqiptare, Zheji ka kontribuar për dekada në gazetari, analizë politike dhe publicistikë.
Ai ishte duke drekuar me bashkëshorten dhe djalin në një restorant në rrugën “Butrinti”, kur dyshohet se ka pësuar një arrest kardiak.
Zheji u transportua me urgjencë me autoambulancë drejt spitalit “Petro Nako” në Sarandë, por fatkeqësisht mbërriti atje i pa jetë.
Artur Zheji, i lindur më 29 gusht 1961, ishte një nga figurat më të njohura të gazetarisë dhe publicistikës në Shqipëri, me një karrierë disa dekadëshe. Ai ka qenë autor dhe drejtues emisionesh televizive, analist politik dhe autor editorialesh që shpesh ngjallnin debat e reflektim publik.
Zheji ishte djali i eruditit të shquar shqiptar Petro Zheji dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imami, duke u rritur në një familje me traditë të thella kulturore e intelektuale.

Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 16:10 ambulanca e Spitalit Rajonal Sarandë ka marr në afërsi të Restaurant Layos, në rrugën Butrinti, shtetasin Artur Petro Zheji, i datëlindjes 26.09.1961, banues në Tiranë, i cili kishte probleme shendetesore. Ky shtetas ka ndërruar jetë gjatë transportit me Ambulancë.
Marrë nga Gazeta “Koha Jonë”, 23 gusht 2025

Drini, Shkodra e parë nga Kalaja
Drini, Shkodra e parë nga Kalaja
“Përralla e Shkodrës”
nga Artur Zheji

Këtë vit të Ri e kalova në Shkodër, ku edhe rizbulova pasionin e madh të shkodranëve, për gëzimin e Jetës. Shkodra e kulturës së thellë dhe të vjetër. Shkodra pak veneciane dhe pak fiorentine. Shkodra e shijes së hollë dhe pasionit të teshave të shtrenjta dhe të hijshme. Shkodra e humorit dhe Shkodra e trimave! Shkodra bujare dhe zemërgjerë! Shkodra, qyteti më i shtypur, më i përvëluar dhe më i shkeluri i diktaturës, mbetet një qytet i pashuar në zjarrin e vet të brendshëm.
Duke dashur t’u tregoj fëmijëve se sa e bukur mund të bëhej Shkodra, u tregova rrugës së kthimit për në Tiranë, një Përrallë, që përrallë nuk është.
U fola për Liqenin e Lashtë dhe për luftën e madhe të shkodranëve dhe të malcorëve shkodranë, për të mbrojtur Liqenin e tyre nga venecianët, nga turqit apo nga sllavët. Dhe se si sllavët, na e rrëmbyen që na e rrëmbyen gjysmën.
Legjendën e Rozafës e njihnin, kështu që e kapërceva, por u nënvizova se kështjella e fundit që pushtuan turqit në Shqipëri, 20-30 vjet mbas rënies së Krujës së Gjergj Kastriotit, ishte Shkodra.
Në vazhdim të Përrallës, që përrallë mund të mos mbetet, u fola për Lumin e bukur dhe të lundrueshëm Buna. Që nëse shqiptarët duan dhe munden, ai Lumë mund të thellohet dhe të pajiset me një shëtitore të mrekullueshme buzë tij. Dhe të ndërtohen në Liqen të Shkodrës dhe nëpër Bunë, skela dhe porte të vegjel anijesh, e të lundrohet Buna e Liqeni, si Lumi Senna në Paris, si bëjnë “Bateaux Mouches” në kryeqytetin më të bukur të Botës.
Dhe u thashë e u rrëfeva në Përrallën time të Shkodrës, se Liqeni dhe Lumi është krejt i pashfrytëzuar për turizmin e brendshëm dhe dhjetra e mijëra shqiptarë, marrin rrugën e kalojnë kufirin në Mal të Zi, për t’u argëtuar e për të lënë miliona euro të çmueshme, në Splendid apo Majestic-un e Budvës, fare kot në thelb!
Sepse Shkodra dhe krejt qarku mund të bëhet një perlë turistike e Ballkanit. Sepse ka det blu, sepse ka Shëngjin, Shirokë e Velipojë, Liqen magjik dhe Lumë të lundrueshëm.
Por në vend që të përmbytet nga turistët dhe vizitorët, përmbytet nga ujrat e tepërta dhe të padisiplinuara, sepse qeverisjet shqiptare, ua vjedhin fondet dhe kanë qenë dhe mbeten pa Vizion dhe pa Dritë, për ringritjen e Shkodrës “loce”.
U thashë se si Shkodra, kjo Shqipëri-themeluese e Madhe, ka mbetur pa asnjë investim në vepra kulturore, të kujtesës dhe të Panteonit të saj!
Krahina e madhe, që përfshirë me Dukagjinin, Hotin e Grudën, Bushatin, Ulqinin e Lezhën, ishte toka e bekuar e 300 Katedraleve të dikurshme Mesjetare dhe streha e Kulturës dhe Poezisë së pavdekshme shqiptare.
Shkodra e harruar nga qeveritë, por e patradhëtuar nga shkodranët, ndonëse edhe ata të rraskapitur, nga Tradhëtia e Madhe, që këto 70 vjet rresht i bëhet kësaj Krye Zoje!
Por në harenë e pritjes së ndrrimit të viteve, në gjallërinë dhe gëzimin e Shkodranëve, kishte shpresë. Shpresë për Shkodrën, dashurinë tonë të madhe, që mundet të Rilindë nga bijtë dhe bijat e veta, që ia dystojnë çdo ditë nga një rrudhë dhe ja mjekojnë plagët me dhimsuri…

Më këtë ripostim sjellim një nga përjetimet e Zhejit në Shkodër, duke i shprehur kështu ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij për humbjen e parakohshme.
Marrë nga Progegnishtes, 24 gusht 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit