
Ndahet nga jeta At Nikolla Marku,
prifti i Kishës Ortodokse “Shën Mëria” në Elbasan
Mbrëmjen e së shtunës, më 19 korrik, në orën 22:00, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare At Nikolla Marku, prifti i vetëshpallur i Kishës Ortodokse “Shën Maria” në Elbasan.
Figura e tij është e njohur për përkushtimin disa dekadësh në shërbim të besimit dhe komunitetit, duke e kthyer kishën në lagjen Kala të Elbasanit në një qendër shpirtërore të gjallë dhe të hapur për çdo besimtar.
At Nikolla Marku mbajti një qëndrim të palëkundur në mbrojtje të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Ai konsiderohej një zë i pavarësisë fetare dhe i dinjitetit kombëtar, shpeshherë i vetmuar në qëndrimet e tij, por gjithmonë i vendosur në mbrojtje të trashëgimisë ortodokse shqiptare.
Pritja për ngushëllime po bëhet në Kishën “Shën Maria” në Elbasan, aty ku shërbeu për gjithë jetën, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot në orën 17:00, me pjesëmarrjen e besimtarëve, qytetarëve dhe atyre që ndanë me të vlerat e besimit dhe të identitetit.
At Nikolla Marku do të kujtohet si një figurë e rrallë, që nuk heshti përballë padrejtësive dhe që i shërbeu Zotit dhe kombit me përkushtim deri në fund. (shqiptarja.com)
Besnik idealit deri në frymën e fundit – nga Rajmonda Malecka
Na la një njeri i rrallë.
At Nikoll Marku nuk ishte vetëm një klerik, por një zë i ndërgjegjes shqiptare – një burrë i urtisë, i besimit të palëkundur dhe i dashurisë për kombin.
E kam njohur personalisht dhe çdo takim me të linte gjurmë: me fjalën e butë, por të prerë, me shpirtin e përkushtuar dhe me qëndrimin e palodhur për të ruajtur dinjitetin e shqiptarëve dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Ai nuk kërkonte lavdi, por të vërtetën. Nuk kërkonte pushtet, por drejtësi.
I mbeti besnik idealit deri në frymën e fundit – një misionar i qetësisë, i identitetit dhe i dashurisë së ndershme për atdheun.
Për ne që patëm fatin ta njohim, humbja është e madhe, por trashëgimia e tij është më e madhe: fjalët që la pas, qëndrimi që mbajti, guximi që tregoi.
Prehu në paqe, At Nikollë.
Zëri yt do të vazhdojë të kumbojë në zemrat e atyre që e duan të vërtetën, lirinë dhe Shqipërinë.

Heroizmi i At Nikollës, ky Fan Nol i shekullit të njëzet e një – nga Rezart Palluqi
Heroizmi në kohët tona i ngjan kafshëve që rrezikojnë të zhduken. Por kjo nuk vleu për At Nikollë Markun. E kam takuar për herë të parë diku nga viti 2013. Me të më solli në kontakt, i ndjeri Vangjel Kapidani. Ai banonte përballe kishës së Shën Marisë.
Nikolla më foli gjatë për problemet ekonomike dhe presioneve që ai haste me mafien e kishës greke në Shqipëri.
-Po bën çmos Janullatosi që ta fusë nën kontroll këtë Kishë. Por unë nuk do të dorëzohem. Do të luftoj sa të jem gjallë që kjo kishë të mos gllabërohet prej mafies politike ortodokse greke. “Feja e shqiptarit është Shqiptaria!” – tha ndër te tjera.
Më tregoi çdo pëllëmbë të Kishës. Fliste me zë të lartë kumbues, plot emocione ku përziehej zemërimi, dëshpërimi po edhe shpresa për rrugëdalje. Atë ditë mbaj mend t’i kem dhuruar ca të holla për Kishën.
-Do të blej ca llampa për ndriçimin e oborrit të Kishës – më tha sa i turpëruar aq edhe pikëlluar.
Kjo ishte hera e fundit që e takova.
Në shkurt të këtij viti kisha dëshirë ta takoja. Shkova me tim bir në lagjen Kala, ku edhe ndodhet kisha. Kam kujtime të hidhura për këtë kishë. Shkolla ku kreva tetëvjeçaren ndodhej aty, në lagjen Kala. Atëhere feja ndalohej e megjithatë gjatë pushimit të shkollës sorrollatesha nëpër rruget e lagjes. Sa herë që kaloja përbri saj, ajo ishte e zhytur në një heshtje të frikshme.
Po aq e zymtë, misterioze m’u duk edhe këtë vit. Atë Nikollën nuk e gjeta aty. Në një prej mureve të jashtëm lexova: “Hyrja nga ana tjetër”. E thirra disa herë në emër, por askush nuk u përgjigj. Vazhdova shetitjen me tim bir që ka lindur jashtë. Menjëhere na ra në sy një kishë trupmadhe, e ndërtuar përballë kishës së Shën Marisë. Sapo i kthen kurrizin rruges se fundit te lagjes Kala dalluam dy tabela në anë të rrugës me emrin e kishës rivale. Ndeshem edhe tablelën e shtëpisë së Dhimitër Shuteriqit… por askund emrin e Lef Nosit. Mesazhi ishte i qartë. Kisha e Shën Marisë nuk ekzistonte më. Pushteti vendor ishte përkujdesur që ajo të kalonte në harresë. Dhe me ikjen e dhimbshme nga kjo jetë të Atë Nikollë Markut, druhem se kjo Kishë do të harrohet plotësisht. Gjithsesi jo sakrificat e Atë Nikollës, i cili e deshi aq shumë Shqipërinë dhe kishën ortodokse shqiptare të pastruar prej gjarpërinjve bizantinë ortodoksë të cilët kanë si qëllim greqizimin e Shqipërisë nëpërmjet kishës.
Mbrojtës i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare – nga Buron Kaceli
I ndrittë shpirti At Nikollë Markut, mbrojtësit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i cili jetoi dhe punoi me lajtmotivin: “Për Fe e për Atdhe!”
I frymëzuar nga jeta dhe veprimtaria e tij, jam i kënaqur që kam realizu dhe kam në galerinë time këtë portret të tij…

Krejt i vetëm si në një vend të pushtuar – nga Milaim Nela
Homazh dhe mirënjohje të përjetshme për At Nikolla Markun këtë mbrojtës të paepur e të palëkundur të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Krejt i vetëm si në një vend të pushtuar, Ai ja kushtoi punën e tij si klerik Kishës Shqiptare dhe luftoi kundër uzurpimit të saj nga Janullatos dhe veglat e tij.
I vetmi që mbrojti Autoqefaline e Kishës së Fan Nolit, Visarion Xhuvanit e të tjerëve klerikë Shqiptarë që mbrojtën besimin ortodoks shqiptar dhe kishën e mirëfilltë Shqiptare.
I lehtë i qoftë dheu i tokës shqiptare.
I përjetshëm kujtimi i At Nikollë Markut