back to top
11.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Natyra dhe peisazhi në poezinë e Ndre Mjedës – Sprovë nga Resmi Osmani

Gazeta

Poezi e Ndre Mjedes
Poezi e Ndre Mjedes

Natyra dhe peisazhi në poezinë e Ndre Mjedës

Sprovë nga Resmi Osmani

Në vijim të hulumtimeve për artin poetik, stilistikën, mjeteve shprehëse dhe mesazheve që përcjell te lexuesi poezia e Ndre Mjedës, nuk mund të mos bjerë në sy përfshirja e peisazhit dhe natyrës, jo vetëm si bukuri e trojeve shqiptare, që i shtojnë hijeshinë, e bëjnë atë të pëlqyeshme e të dashur, por edhe si pjesë e përditshmërisë së jetës, në të mirë e në të keq, në brenga e gëzime. Si të tillë, poeti e bën element strukturor të stilistikës së vargëzimit, për të ngjallur ndjesi dhe emocione, për të përcjellë te lexuesi me fuqinë dhe bukurinë e fjalës mendimin dhe filozofinë, mesazhin që poeti synon t’i përcjellë lexuesve.
Po t’i referohemi Da Vinçit1, piktura është poezi memece, kurse poezia pikturë memece, e verbër. Si njëra si tjetra, synojnë të imitojnë (rikrijojnë jo besnikërisht) artistikisht natyrën, secila me mjetet e saj. Duke e përcaktuar syrin si dritare të shpirtit dhe veshin (dëgjimin) portën ku hyjnë fjalët dhe tingujt, në rastin e poetit Mjeda, e kemi të shkrirë në një të vetëm: piktorin dhe poetin. Vëzhgimi, me sy të mprehtë, soditja, kundrimi i natyrës, peisazhit, dukurive të lidhura me stinët, e habitatit me larminë dhe shumllojshmërinë e elementëve përbërës, paraqesin një tablo piktorike, herë-herë edhe fantazmagorike, me element mitikë, që nxisin përfytyrimin lëndor apo abstrakt. Kjo materie bëhet njësh me poezinë, që është harmoni dhe sintezë e artit të fjalës, e që në këtë rast lidhet pazgjidhshmërisht me shikimin, soditjen e natyrës, për t’i dhënë lexuesit (apo dëgjuesit në rastet e recitimeve) jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe meditim e reflektim nëpërmjet emocioneve që ngjall fjala e bukur dhe e figurshme.
Pavarësisht nga tipologjia e poezive; lirike, elegjiake, baladeske, realiste apo romantike, si kusht të forcës shprehëse dhe emocionale ka bukurinë, që i vishet mendimit dhe forcës sugjestionuese nëpërmjet fjalës, tingëllimit, rimës e ritmit, të gjitha në një sintezë që përfshijnë kohën dhe hapsirën, me elementet e saj që janë pjesë e natyrës, peisazhit dhe mjedisit ku vendoset subjekti. Këtë Mjeda e bën mjeshtërisht, si pak kush tjetër. Lulet, zymbyli e tëndafili, zambaku, vjollca e borziloku, pemët e lulëzuara, zogjtë: shqiponja, bilbili, dallëndyshja, lejleku: drurët e pyllit: pisha, bredhi, ahu; burimet, prrenjtë dhe lumenjtë, ograjat dhe livadhet; det e qiell, diell, yje e hënë, thuajse një univers, janë pjesë e Atdheut të bukur, por që ato ja shtojnë edhe më bukurinë. Në këtë sfond është njeriu shqiptar, malësori e fusharaku, bujku e luftëtari dhe njeriu i thjeshtë që lufton për liri, e për ta bërë vendin e tij më të begatë, si qëmoti, pa ardhur mynxyra e robërisë otomane.
.
Ndre Mjeda .(1866-1937) - Dorshkrime
Ndre Mjeda .(1866-1937) – Dorshkrime
Peisazhi, dukuritë natyrore: acari dimëror, bora, murlani, pranvera, dielli dhe drita e hënës lulet, bukuritë, për poetin janë jo vetëm stoli dhe pjesë e mjedisit jetësor, por edhe mjete artistike, sfond i zhvillimit të ngjarjeve që u japin bukuri, madhështi e hijeshi vargjeve dhe mjeshtërisht përdoren si metafora, krahasime, paralelizma figurative e simbole për të ngjallur te lexuesi jo vetëm përjetime dhe emocione, por edhe vegulli e përfytyrime, të cilat bëjnë që poezia jo vetëm të mbahet mend gjatë por edhe dëshirën për ta mësuar përmendsh e për ta recituar me zë.
Elementë të natyrës, të peisazhit dhe mjedisit jetësor, shërbejnë si një metaforë te kënga e parë e Tringës te “Andrra e jetës”, metaforë e dyfishtë që shërben njëhershe edhe si prolog i poemës. Motrat, si dy qershi, si dy mollë të këputura nga një degë, dega nënkuptohet është e ëma që i ka sjellë në jetë. Në gjashtë strofa, jepet i plotë, përshkruar me penel artisti sfondi i zhvillimit të poemës, si një skenografi ku hasen pylli, kënga e bilbilit, ushtima dhe gurgullima e gurrës, drita e hënës dhe vallja e zanave, paqja në natyrë, por edhe paralajmërimi i dramës që do të ndodhë. E tillë metaforë haset edhe te “Vaji i bylbilit”, në pesë strofat e para.
Veçori stilistike e vjershërimit të Mjedës, është ekonomia e fjalës, që e bën poezinë e tij sintetike dhe me peshë si një materie e rëndë. Për këtë i vijnë në ndihmë simbolet, që i merr nga natyra. Në pesë strofat e par te “Vaji i bylbilit”, ndryshimi i motit jepet nëpërmjet simbolit të së pjesëshmes, jepet e tëra; shkrirja e borës, dimri po shkon, pastaj kalohet nga e veçanta te e përgjithshmja, aty gjenden: bora, dimri, murlani, fushat, malet, blerimi, livadhet dhe pemët e lulëzuara. Dhe gjithë këto në pesë strofa! Me fjalë të zgjedhura dhe të kursyera jepet moti: “Me shi pshtjellun acarija/ Përmbi bjeshkë po shungullon/ E prej maleve stuhija/ Ujët e detit përvëlon/ Gjimon moti e par e mbrapa/ Mnershëm rrfeja po kërcet…” Është një tabllo madhështore e dhënë me tërë ngjyrat, që i ngjall lexuesit përfytyrimin e plotë të sfondit ku zhvillohet veprimi dhe të përjetojë dhimbjen e heroit lirik. Dhe më tej: “Kjo duhi që s’ka pushim/ E ksaj zemre a pasqyra/ a pasqyra e vajit tim…” E gjithë kjo si paralelizëm figurativ me personazhin e poezisë “I tretuni”, që s’është tjetër kush veç poeti.
Një strofë me vargje rrënqethëse për acarin dimëror, është ajo që ve në dukje mjerimin e Lokes: “Binte bor e frynte veri/ Tue çue akull për gjith vis/ Nelt orteku ushton për mneri/ Tuj fundue çetin e lis”. I tillë i pashpresë dhe i ashpër e i hidhur është edhe fundi i saj. Mbi bazën e të kundërtave, bukurisë së natyrës dhe brengave njerëzore, ndërtohen kontrastet; “Tash ndër arë lulëzoj qershija/ E me borë dimni po shkon/ Kurrë s’mbarojnë t’zezat e mia/ Gjama jote kurr s’mbaron…”.
Statuja e Ndre Mjedës në Kukël
Statuja e Ndre Mjedës në Kukël
Lulet janë gjerësisht stoli e vargjeve të Mjedës, jo vetëm si mjet stilistik për krahasime që hasen shpesh, por edhe si pjesë e bukurive të atdheut dhe mjedisit ku çojnë jetën personazhet. Poeti pyet: “A lulzojnë lule të ershme/ Mal e fushë si në kohë të atëhershme…” Lulet janë pjesë e pandarë e atdheut. Ndër me të pëlqyerat, siç e kam vënë në dukje më parë janë: Zymbyli, trëndafili, zambaku, vjollca. Nuk na thotë që janë më të bukurat, se vetë emri lule simbolizon bukurinë, por ato janë të erandshme. Atje ku ka lule gëlon jeta, atje ku ato vyshken, jeta është mjerim. Te “I tretuni” gjejmë vargjet: “Atje ku nuk lulzojnë zymylat/ S’asht vend për bylbyla”, ndërsa te “Andrra e jetës”: E n’balkue mbaruen lulet… për të rrëfyer se në atë shtëpi jeta po shuhet. Lulet janë edhe shenjë nderimi për ata që ikin nga jeta. Lokja i thotë së bijës: “Merri kto lule e çoja/ S’lumes dhanti për te.”
Skenat idilike, që mund ta themi se janë të pakta, vendosen dhe kanë si sfond melodik këngën e bilbilave dhe si dekor trëndafilat dhe zymbylat që çlirojnë aromën e këndshme. ”Bashkë me lule – na thotë poeti – “Len dashnia/ Me kang t’shpendit qi galdon/ E prendverës bukurija/ Bashkë prej gjumit t’tan i zgjon”.
Lulet janë pjesë e peisazhit. Ograjat janë bleroshe, kodrinat të lulzuara, pemët kanë endur lule, fusha vishet me blerim, prroi ulet lehtas nga mali, dalë prej borës që i jep ushqim. Lulet dhe blerimi simbolizojnë zgjimin e natyrës dhe gjallërimin e jetës, si sfond ku rravgojnë personazhet, në ditë të mira apo të vështira, në gëzime dhe hidhërime. Një skenografi sugjestionuese ku pulson mendimi dhe shtillet veprimi.
Sa herë në poezitë dhe poemthat, bëhet fjalë për atdheun apo viset amtare, poeti nuk le pa përdorur si mjete artistike dhe nxjerrë në relief bukurinë dhe madhështinë e peisazhit. E tillë është hyrja në tri strofat e para të poemthit Lissus: kodra të stolisura me vreshta, fusha të lulzuara, ullishta gjelbërore, ku kodra e Velës prek qiellin dhe me yjet mban kuvende të shpeshta. Te “Scodra”, poemthi nis me një mal, Taraboshin e mnert që është ndeja e hyjnive, rrjedhën e Drinit, si dëshmitar i shekujve. Në poemthin “Liria” dhe poezi të tjera, shpaloset bukuri e bjeshkëve, e vargmaleve të mbuluara nga retë e mjegulla, sa duken sikur zbresin nga qielli.
Mjeda e ka dashur me shpirt natyrën shqiptare. Përveç prirjeve të tij prej artisti, vëzhguesi të hollë e njeriu të ndjeshëm, për këtë, jam i mendimit, se ka ndikuar edhe jeta prej famullitari, në fshatrat e thella, mes njerëzve bujarë dhe bukurive natyrore, të cilat ai i ka përjetësuar në vargjet brilante të poezive të tij. Krijime që na ngjallin emocione edhe njëqind vjet më pas, se arti i vërtetë nuk ka mort.
Tiranë, më 15.04.2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.