back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Natë andrrash… tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Anderr...
Andërr…

Natë andrrash…

tregim nga Jozef Radi

Pranvera ndjehej n’ajri dhe pylli m’shfaqesh gjithkund në pritje… nganjiherë m’dukej si ajo bisha që rrin gati me të msye… i mjaftonin veç pak ditë dhe ai çmendesh i tani… të dilte duersh dhe krejt mundimet dhe lodhjet e tua treteshin sa hap e mbyll sytë…
Kisha dy ditë që s’ndigjoja askënd nga bota… celularit i qe mekë drita dhe ma jepte gratis at kënaqsinë e pamasë të heshtjes pse s’ndigjoja askënd e s’më ndigjonte askush… veç violina e erës dhe kanga ndjellse e mëllenjave… Kisha punue si i çmendun, pa pushim dhe m’dukej sikur nji falenderimi i mshehun i pyllit m’rrëshqiste nëpër trup…
Mbramja ra shpejt veç mos me e lanë lodhjen time me u ba rraskapitje. Darkën e kisha gati, s’e bana dysh po i turra unshëm dhe ma shumë e hoqa qafe njat punë se sa hangra… Mandej u çova pritueshëm, ia vuna krejt llozat dyerve, mora gotën e venës te koka e shtratit dhe u mahnita me lojën e dritave që televizori rrëshqistë ndër muret e laskarueme t’saj kulle gjysëm të rrënueme që më sajdiste si nji kalorës mesjete…
S’di si qysh e tek po ajo lojë dritash m’hupi pa u ndje…

…Atherë ia krisa shplakë natës dhe zbathun ndër qiej u nisa, me ardhë te ti, njashtu me nji frymë që s’e di ishte imja a jo; u përbirova nëpër at terr të frikshëm largësie; shalova do re të zymta si dragoj, dhe iu avita flatrues syve të tu, me e ledhatue me shikim trupin tand t’lëmuem andrrash e njashtu ambël me u derdhë me peshën e flladit ndër ata flokë t’lëshuem si shelgje;
iu luta frikës t’mos ma trazojë njat marri, gëzimit ndër gjunjë i rashë me m’gjetë nji strehë veç për at natë… për at natë t’vetme… pse i kisha kapërcye krejt largësitë e pamata me nji dëshirë të ndezun: veç me prekë dritën hyjnore t’njatij trupi…
S’e di në e ndjeu kush ardhjen time, po unë u gjeta i mbrritun aty ku kisha dishrue edhe pse dyert e krejt njasaj bote të zhytme në terr ishin peng ndër dryna e lloza pafund…
Askush s’më kish pa… askush s’më kish ndje… veç do kopsa u kputën si gjethe vjeshte, dhe ranë pa zhurmë bashkë me petkat hanore të nji gruaje andërr, që e kish bà terrin e natës dehës, edhe gjithçka rreth saj mbretnonte n’shurdhësi të verbët…
Njashtu i lëbyrun drite e kundrova pa kohë at trup shkulun andrre, derisa e bana t’vërtetë! S’di, dhashë a mora ma shumë dritë; s’di nëse fjalët e mërmëritme kanë pasë kuptim a jo, s’di nse duert e mia të zgjatuna si somnambul të kenë prekë ndokënd a jo; s’di asgja, veç nëpërmendesha se hyja e dilja prej asaj nate si të isha në dhomën time… isha gjymtyrue si nji pyll i djegun vere që mkambet sa hap e mbyll sytë, i çmendun prej shinave të ambla të vjeshtës… dhe prisja dikush t’përplasej mbas meje…
Po jo asgja, veç nji frymë grueje m’fshiku lehtë dhe m’i lshoi krahët e pupëlt mbi supe dhe ndejtëm ashtu n’përqafje jashtë kohe, dhe s’po dija në ishte i vërtetë a jo, ai langzim shpirtnash e trupash që digjen n’heshtje nën nji dritë të mekët kristaline… kqyrja njat brerore gruaje që dilte prej kutisë magjike, e lëshohesh mbi sytë e mi… e rrufiste krejt terrin asaj dhome zhytë në vetmi, dhe bante aq dritë sa dukeshin shpirtnat!
Nata e krejt asaj bote qe ndalë aty… dhe kqyrte si e marrë gjithkah, bashkë me ne, pa e ditë as ajo vetë çka po ndodhte asaj me ne mbrenda…
S’vonoj dhe nisi drita me zbardhë…
M’u duk se i kisha vjedhë asaj grueje andrrën dhe e kisha msheha nën qepallat e mbylluna fort të syve! Jo ma shumë ia kisha dhurue andrrën time… dhe i kisha marrë asaj nate besimin e humbun se ende kisha fuqi me dashtë ende kisha mbrenda vetes diçka me dhurue…
Fryma e dritës rrinte pezull ndërsa mendoja qylymin fluturues të ikjes…
Pa trokitë kisha ardhë e pa lamtumirë m’duhej t’ikja; kisha jetue at natën e papërsëritshme; natën që s’i jepet gjithkujt, e që veç nga njiherë hyjnitë, si provë e dëshmojnë se e pamunduna s’asht dhe aq e pamundshme: as hapsina, as koha dhe as mendimi kundërshtues s’ma kishin ba t’pamundun mbrritjen…
S’paska asgja të pamundun thashë, ka veç njerëz që s’dinë me mbrritë tjetrin, edhe kur kërkohen fort, ashtu si ka të tjerë që shkrihen aq lehtsisht te njeni tjetri edhe kur midis tyne jeton egërsisht humnera…

uuuu… eeee…. aaaaa…. uuuuuuu
Si n’dehje po m’baheshin do zana të largët. Jo, jo s’doja me ndigjue asgja, doja veç me ndejtë aty mbi at qyllym fluturues… po zanat u banë ma të afërt e ma të trembun… S’ doja me i besue kësaj andrre me zhurmë e thirrje, ku m’dukej sikur përmendej edhe emni tim…
uuuu… eeee…. iiiiiiiii…
Ajo i-ja e zgjatun s’më pëlqente hiç…. Ndjehesha mirë aty n’at vetminë time, e pse m’duhej me e gjete vedin aty  ku thirrja e emnit tim u përplas me zhurmë mbas derës prej teneqeje… Kceva në kambë i trembun dhe s’po mbrrija me e mbedhë vedin ku isha… Ku jam thashë, dhe ashtu pip në kambë, ndjeva se diçka të bardhë më rrëshqiti prej trupit e u lshue lehtë përtokë. Shkela mbi të dhe e hapa derën… N’çast thirrjet u banë njerëz, njerëz që diku në kujtesë i kisha mshehë, po tash mendja më kish mbetë ngul te ato petkat që ranë prej trupit tim dhe nisën fluturimin nëpër terr të natës… Eh… Kushedi se ku vazhdojnë e enden nëpër botë… – mendova, ndërsa bahesha pjesë e zhurmave…
12 prill 2011

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.