
Naim Frashëri ose P(r)o(f)eti
nga Kristaq Jorgo
125 vjet nga vdekja (20 tetor 1900 – 20 tetor 2025)
Poet dhe Profet është njëherësh Naim Frashëri. E ndier intuitivisht prej shumëkujt, e vënë në pah kalimthi nga të tjerë, përmasa thelbësore e veprës dhe e aksionit të tij, ajo e Profetësisë, u kap dhe u ndriçua, së pari, në mënyrë magjistrale nga Lasgush Poradeci.
Kur themi P(r)o(f)et, pra Poeti-e-Profeti si një dhe i vetëm, nuk kemi parasysh Thjesht koncepte të traditës antike e më pas asaj romantiko-idealiste për poetin, por një tipar organik të aksionit dhe të njeriut krijues naimian, veçori të brendshme të tekstit të tij, tipike për diskursin profetik (“fjalë e shenjtëruar” me përkufizimin e Lasgushit), të lidhura këto me specifikën e veçantë dhe nevojat supreme të një çasti përcaktues në ndërtimin e vetëdijes nacionale të bashkësisë shqiptare.

“Kush i bindte ata, kush do t’i bindte? Kush do t’i Këthente (nënv. im – K.J.)? Kush do t’i-a-u mbushte arësyen, t’i-u prekte dhe tundte dhe shkundte zemrën, t’i-u rrëmbente zemrën për hir të emrit shqiptar?[…] Nuk ishte kjo në fuqinë e njeriut, në fuqinë e thjeshtë të njeriut shqiptar… Ishte çështje fetare, punë feje; feja e Shqiptarit ishte feja e Shqiptarisë dhe për fenë flasin profetët, jo njerëzit. Për fenë e shqiptarisë do të fliste profeti i kombit shqiptar: Naim Frashëri. Ky do të bënte këthimin e shqiptarëve.” (Lasgush Poradeci).
Bashkohen këtu vetëdija e misionarizmit si dhe bindja e vlerësimi i bashkëkohësve për Naimin si “Apostull”, “qielltar i flaktë”, “ i Dërguar nga mesi ynë”.
Përmes Fjalës së tij Naimi krijoi pikërisht të Shenjtën Shqiptare, më saktë (ngjalli e) shenjtëroi, natyrisht Jo i Vetëm, por tok Me sivëllezër, ide-ndjenjë-bashkësinë e profanuar e gati të tretur – a thuajse të vdekur – Shqipërinë.
“Atje lint diell’i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’i bardh’e mirësija në atë vent janë mbluar,
Nat’ atje’ shtë tjatrë natë edhe dita tjatrë ditë.
Në pyjet e gjelbëruar atje rrinë Perënditë.”
Ja dhe një shembull tjetër, ndër të shumtët, më fort se i thjeshtë, veçse po aq fort sublim, i një teksti “ungjillëzues”, shqiptarizues, në kuptimin thelbësisht fetar të termit (“Atdheu”):
O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka!
Më je nënë, më je motër e vëlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
je më i mirë nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë nëna ime të ka parë,
dheu yt në fund atë e pati marrë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj,
tek ti lindi, tek ti vdiq ajo pastaj.
Ti ke parë gjysh-stërgjyshërit e mi,
edhe eshtrat tretur ua ke po ti.
Nga ti shpirt-o, ata kurrë s’qenë ndarë,
pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë.
Begatoje, o Imzot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij Ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin kurdoher’ armiqtë e tij!
Gaz përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!”
Vetëm nëpërmjet ngjalljes e shenjtërimit të Atdheut përmes Fjalës mund të realizohej Kthimi i shqiptarëve, të bëhej – me formulimin lapidar të Lasgush Poradecit – “Prej mosshqiptarit shqiptari”. “Duhej prekur zemra e tyre. Zemra, jo arsyeja: Dhe ay që do t’u fliste për komb e kombësi, për Shqipëri dhe liri, duhet t’i kishte folur më parë ashtu vetëvetes. Ata kishin nevojë për fjalën e një profeti, të një apostulli. Ato vargje të Naimit mbanin zemrën e kombit në dorë; flisnin drejt nga zemra dhe hynin drejt në zemër.” (L. Poradeci)
Vepra e Naimit luajti kështu në momentin e dhënë rolin e Lajmit të Mirë, rolin e Librit: ajo u shkrua me atë vetëdije ungjillëzuese dhe u receptua si e tillë.
Ja pse qëllimi patriotik, qëllimi etik dhe qëllimi estetik lidhen tek Ai prej hallkës së qëllimit profetik, i cili pjesën më të mirë të tekstit naimian e bën Fjalë të Frymëzuar.
Për këto arsye, në kujtesën shpirtërore, kulturore e letrare të kolektivitetit shqiptar Naim Frashëri duhet të ruajë sot e përgjithmonë cilësinë e pandashme të P(r)o(f)etit, të Poetit-Profet, cilësi me të cilën ka lindur.
U sintetizua shkëlqyeshëm kjo ide, pas ndriçimit pionier të Lasgush Poradecit, nga Vangjel Koça: “Pavarësisht nga kriteret e ngrira të estetikës për sa shikon vlerën letrare të veprës naimiane, Naim Frashëri është për neve shqiptarët një nga Herojt e Carlyle-it, Hero-Poet, Hero-Profet në kuptimin e lashtë të fjalës latine “Vates”, i cili me Lirën e tij zgjoi si Orfeu të Vdekurin Shqiptar…”
Ndaj le të lexohet më në fund vargu i Pashko Vasës “Feja e shqyptarit asht shqyptaria” ad litteram, në mënyrën më të thjeshtë e, ndoshta, më të njëmendët:
Shqiptaria është feja e shqiptarit, shqiptaria është pra fe, më tepër se e veçantë, natyrisht, por Fe.
Dhe si çdo fe ka profetët e saj, fort të veçantë edhe këta, por Profetë.
Kur të jetë shkruar – jo shkruar, por mbledhur – Ungjilli Shqiptar, Naim Frashëri do të jetë aty pa dyshim në radhën e Profetëve të mëdhenj, një lloj Danieli apo Isaie i Botës Shqiptare.