back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026

Na fal, Bela… – nga Adriatik R. Dosti

Gazeta

Balluku & Rama
Balluku & Rama

Na fal, Bela… – nga Adriatik R. Dosti

Na fal që të kemi rënë në qafë shumë më shumë seç duhet.
Na u thaftë mendja për ç’kemi menduar për ty… na u thaftë dora për ç’kemi shkruar për ty… na u thaftë goja për ç’kemi folur për ty.
Sytë e veshët na u qorrofshin e shurdhofshin për ç’pamë e ç’dëgjuam për ty.
Ne i bëmë tenderat, o Bela, ndaj s’ke faj ti… ne i bëmë rrugët që të shembeshin e jo ti… ne i inauguruam tunelet e Murrizit e të Llogarasë para kohe dhe s’dëgjuam fjalën tënde…
Anijet bangladeshase në Vlorë janë tonat e jo të tuat… ndaj na fal, Bela.
Ato pallatet e apartamentet që Saliu t’i faturon ty janë tonat, o Bela, e jo të tuat… se ku ke nevojë ti për to… pffff.
Jahtet e limuzinat në pronësinë tënde, bizneset e llogaritë bankare milioneshe të tuat, për të cilat të akuzojnë të gjithë, janë pjellë e fantazisë së çmendur të Saliut e Gaz Bardhit me shokë e shoqe… ndaj ndjesë për shqetësimin, Bela.
Edhe ishit tënd, o Bela – Kolit – si ne ashtu edhe SPAK-u i kemi rënë kot në qafë, madje aq shumë sa e detyruam që të marrë arratinë i ziu e të ikë pa adresë, një Zot e di se ku.
Na fal, o Bela, se njerëz jemi edhe ne, dhe edhe gabojmë… fale SPAK-un, please… se nuk e ke idenë sa pishman janë bërë ata të shkretët, por vetëm “burrnia” e sedra e sëmurë nuk i lë të të ulen në gjunjë, të të puthin dorën e me lot në sy të të thonë: So sorry, Belushë.
Fali edhe ata të Gjykatës Kushtetuese, o Bela, aman, me qafsh! se aq dinë e aq bëjnë… Ashtu u thonë të bëjnë të shkretët… ndaj mëshirë për ta… se për bukën e gojës janë edhe ata.
Na fal, o Bela, se nuk e dinim që Rama shpirtin e jep e ty s’të shet… Pse budalla kujton ti se është ai… ç’di ndaj ç’bën.
Ndjesë, o Bela, se nuk e dinim që edhe ai diversanti i filmave të Kinostudios, siç i them unë… Ulsiu, qenka kaq fort krah teje… kot s’e thirri Edi atë në zyrën ku ishit ju të dy atë natë të gjatë dimri, ku i vutë pikat mbi “i”.
Na fal, o Bela, se ne na i bëri të qarta edhe Tao kokëpaforma që… Shqipërinë e djegim e shqiptarët i vrasim prapë si në atë 21 Janar të disa viteve më parë… dhe Belës s’ia heqim imunitetin sikur qielli me tokën të bashkohen… Po he, thuaj… hamë pykë ne…
Na fal, o Bela, se ti s’ke vjedhur asnjë qindarkë nga xhepat e varfër të shqiptarëve, siç të akuzojnë gojët e liga… hajdutët e vërtetë jemi ne… ti thjesht ke bërë detyrën e ke marrë atë që të takonte të merrje… pastaj pse e ke ndarë me kë të deshte zemra është puna jote e jo e jona.
Na fal, o Bela, që s’po i mbyllim dot gojët e liga që të akuzojnë për banda e banditë e për miliona të ndara e të vjedhura… bëje zemrën gur, ok… fjalë pazari e kafenesh janë, ndaj rri pa merak.
Fale edhe Edin, o Bela, se i re kot në qafë kur i the “Pallosh”, apo edhe më keq akoma kur e kërcënove se “po ike do e marrësh me vete…!” Njeri është edhe ai, mund të ketë gabuar diku… ka ngrënë dikur e diku një lugë çorbë të prishur dhe ndaj edhe sot e kësaj dite s’i pushojnë të vjellat.
U zumë ngushtë e na bëre me turp të gjithëve ne, o Bela, teksa dëgjuam fjalimin tënd të lamtumirës para ish-vartësve të tu…
Sa prekës, sa emocionues… sa domethënës… çfarë sinqeriteti, çfarë ndershmërie… vuuu lotët tona… druaj se do të ketë ndihmuar “Palloshi” që ta shkruajë atë fjalim, se atij çoku i jepet për gjëra të tilla… nejse, ti fole dhe ti e lexove, ndaj edhe merita ty të ngelet.
Çfarë pritjeje që të bënë ish-vartësit e kolegët e tu, o Bela… tufa lulesh pa fund, përqafime… puthje e lot… kujtime pa limit… e s’di pse, për dreq, m’u kujtua se fiks kështu e prisnim ne shqiptarët në rrugët e sheshet e Tiranës në kohën e artë të gjyshit tënd… princeshën e Kamboxhias… bukuroshen Monika Sihanuk.
Dhe s’e ke idenë, o Bela, sa inat më vjen kur shoh vazhdimisht nëpër rrjetet sociale atë videon me zë e figurë kur ai kodosh Enveri i djeshëm e poshtëron aq shumë gjyshin tënd kur thotë: “Pse, s’e njihnim ne se kush ishte Beqir Balluku… një mut – muti ishte…”
Eh, le të flasin sa të duan për ty e çfarë të duan, o Bela… ty të marrshin të ligat, e mutin le ta hanë vetë.
Se… në fund të fundit u pa kjo punë, o Bela… si lum ti, rraca, lloj e soji yt… se nuk thotë kot populli… puna jonë punë muti… punë të mirë ka hajduti.
Si është ajo kënga italiane që ka aq shumë qejf ta këndojë edhe pa orkestër ai kokë-pa-forma i Librazhdit, o Bela… “E partigiano… bella ciao, ciao, ciao…” etj., etj.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.