back to top
12.9 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Mrizi i Zanavet – Lirikë nga At Gjergj Fishta O.F.M.

Gazeta

Gjergj Fishta - Mrizi i Zanave
Gjergj Fishta – Mrizi i Zanave
Mrizi i Zanavet – Lirikë nga At Gjergj Fishta O.F.M.
Përgatiti Fritz Radovani
Shqypnis

1.T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit t’em dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue,
Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri.

2.Kjé i Lumi vetë, qi mue m’dërgoi ksi hiri
Për nën qiellë tande t’kthielltë un me u përftue,
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,
Ku Shqypja e Burrit s’dron se i qaset niri.

3.Ktu trima léjn gjithmonë, pse ti jé nana
E armvet n’zâ, qi shndrisin duerët e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si Zana.

4.Eden n’Ballkan ti jé; ti prej t’Amshu’mit
N’Balkan jé shkrue Mbretneshë mbi fiset t’tana:
Hyp fronin, pra, e sundo, Shqypni, m’t’liru’mit.

Gjergj Fishta - Mrizi i Zanave
Gjergj Fishta – Mrizi i Zanave

Koment nga At Viktor Volaj O.F.M:
1.Ti i shpirtit t’em dishiri! – Dishir me të vërtetë i shpirtit të Poetit, i cilli i kushton
jetën deri në ditë të vdekjes idealit kombtar. Vështirë se mund të na përmendë
historija e leteraturës botnore ndonji emën qi t’ia ketë kushtue krejt veprimin e vet letrar përlimit t’idesë kombtare si Fishta. Frymzue prej këtij ideali, Zana e tij këndon trimninë, besën, burrninë e nderën shqyptare me Lahutë; frushkulloi me fishkull djegëse veset e kombit e të Shtetit parasit me satirë; zgjoi, trandi, ngjalli me lirikë e melodrame atdhetare ndiesinë kombtare. – Tue hjekë…, tue thithë ajrin…
2.Leka i Madhi: Leka i Madh (356-323 para Krishtit). Mbret i Maqedonisë, i biri i
Filipit Maqedonas, i cili shtroi Gadishullin e Ballkanit, Azinë e Vogël, Afrikën Veriore e
u shty ngadhnjyes deri në Hindi. Maqedonasit kjenë nji vllazni me Ilirë e Epirotas.
Dihet me siguri se ata flitshin nji gjuhë krejt ndryshej prej greqishtes. Skandërbegu i
biri, përdor për trashigimtar gjaku e trimnije.
3.Dërgoi ksi hiri, nji dhanti këso dore, nji nderë kaq të madhe, – me u perftue: me u
xanë, me lindë. Malet e hjedhta e t’blerta: qi ngrihen madhnueshem, e të veshuna me landë e blerime.
-Ku Shqypja e Burrit: Shqypja, – personifikimi i Lirisë – e Burrit, e Pirros, mbretit
t’Epiriotve, nji fisi me Ilirët, ndej e lirë, megjthse e strukun ndër male, edhe gjatë
shekujve të robnisë; qaset – afrohet, nuk ka frigë se i qaset njeri (niri).
4.qi shndrisin duerët e t’lumit; qi flakrojnë në dorë të luftarit shqyptar të lumnueshëm. – i rrebtë, pa iu tutë syni përballë anmikut, i vendosun, trim me zemër të fortë.
Eden n’Ballkan: antonomazi, Parriz toke, vendi ma i bukri në Ballkan. – Hyp fronin,
hyp në fron!
-M’t’liru’mit: – mbi bijt tu të liruem prej robnije.

Shënim nga Fritz Radovani: Shqypnis, asht ndër poezitë ma të bukra të At Gjergj Fishtës. Lexuesit mund të drejtojnë një pyetje: “Deri kur nuk do të studjohet At Gjergj Fishta në shkollat Shqiptare?”
Melbourne, 25 Janar 2025 Shkodër, 1941

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.