back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Motrat Islami… nga Mërgim Korça

Gazeta

Mergim Korça
Mërgim Korça

Motrat Islami…

nga Mërgim Korça

Motrat Islami… pezulluar mbas 30 vitesh punë tek Zëri i Amerikës.

U bënë ditë që në shtypin shqiptar, me plot të drejtë, është bërë tejet aktuale tema që merr shkas nga njoftimi për pezullimin nga puna të dy motrave Isabela (Islami) Çoçoli si edhe motrës së saj Zamira (Islami) Edwards, gazetare tashmë legjenda të radiostacionit “Zëri i Amerikës”, (punonjëse atje që nga viti i largët 1985), dhe të cilësuara si të shquara të asaj redaksije, gjatë fjalës paraqitëse të Drejtorit të Zërit Amerikës më 18 Dhjetor 2013 zotit David Enson. Nga që pikësynimi im nuk është të flas gjer’e gjatë rreth vetë aktit të arratisjes së këtyre dy heroinave së bashku me vëllan’e tyre të ndjerin Klement, i cili u mbyt gjatë notimit prej 12 kilometrash përgjatë natës që nga bregu i Sarandës për në Korfuz, mes kanalit të Korfuzit, (i përmëndur ky për dendësin’e madhe të qarkullimit peshkaqenëve nëpër të), por unë fillimisht desha të theksoj fare shkurt çfar’e ka lidhur familjen time me familjen Islami nga e cila rrjedhin dy heroinat e asaj ngjarjeje.
E doemos, mbas një paraqitjeje fare shkurt të fakteve që njoh unë si edhe detyrimit moral që ndjejmë ne si familje ndaj xhaxhait të dy heroinave, të ndjerit Shazivar Islamit, i vdekur në burgjet komuniste, të kundrohet ndodhíja e tridhjetë viteve të shkuar, e lidhur kjo me vendimin e kohëve të fundit për pezullimin e tyre nga puna.

Motrat Isabela dhe Zamira Islami
Motrat Isabela dhe Zamira Islami

Trashëgimia e Motrave Islami

Nga ana e Nënës së tyre, zonjës së nderuar Nadire (Selenica) Islami, sistemi komunist ua ka pushkatuar si gjyshin, Maksut Selenicën e gjithashtu edhe vëllan’e tij. Kurse nëna e tyre, vajz’e re u burgos për idet’e saja kundrakomuniste. Kur u lirua nga burgu mbas dhjetë vitesh, atë e mori për grua i nderuari Hajdar Islami, i cili kishte mbaruar Akademinë e Kulturës Fizike “Farnesina”, në Romë. Nga ky bashkim u ngjizën dy motrat si edhe vëllai i tyre i ndjerë. Kurse nga ana e të ndjerit Hajdar, i Ati i tij kishte studjuar teologji dhe i veshur me petkun fetar të Imamit, Dervish Islami kryente funksjonin e Zv/Kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar. (Emri i tij ishte Dervish dhe nuk kishte lidhje aspak me rang zyrtar të sektit Bektashí). Ndërsa xhaxhai i tyre, Shazivari, kishte studjuar në Firenze dhe ishte caktuar sekretar i ministrit të Arsimit pikërisht kur i ndjeri profesor Xhevat Korça u emërua titullar i atij dikasteri. Mbas arrestimit, Xhevat Korça u gjykua si i pandehur në gjyqin special të Prillit 1945, ku prokurori Bedri Spahiu, me ton skajshëm prej fitimtari, duke menduar se e vinte të pandehurin me shpatulla mbas muri, e akuzoi ish ministrin e Arsimit si përvetësues të fondit F.A.P.I., (fond q’e disponuan atë vit të gjithë dikasteret). Mirëpo prokurori e kishte mbështetur akuzën e tij të gënjeshtërt pa e ditur se Shazivar Islami kishte nxjerrë dokumentin origjinal me anën e të cilit ministri urdhëronte që ai fond t’u shpërndahej si një muaj rrogë shpërblimi suplementare të gjithë arsimtarëve në Shqipëri si edhe Kosovë! I ndodhur përpara kësaj situate prokurori i u drejtua trupit gjykues me pretendimin se: “…i pandehuri ua ka dhënë këtë rrogë shtesë arsimtarëve që t’i bëjë profashistë!” Dhe ish ministri iu drejtua edhe ai trupit gjykues të kryesuar nga Koçi Xoxi duke u thënë “Në qoftë se arsimtari shqiptar i shet idealet e tija atdhetare për një rrogë, atëbotë edhe unë e pranoj se ai ka qenë qëllimi im!”
Do t’ia shtoj këtij përshkrimi fluturimthi lidhur me trashëgimínë familjare të motrave Islami, heroinave të ngjarjes që po trajtojmë, edhe dy kujtime të mijtë me Baban’e tyre, të nderuarin Hajdar Islami. Më tregonte i ndjeri Hajdar ballafaqimin e Tij të fundit me të vëllanë, të ndjerin Shazivar. Duke qenë ky i fundit i burgosur qé sëmurur dhe e kishin shtruar në spitalin e burgut. Mbas disa ditësh mezi iu dha leje Hajdarit të shkonte t’a takonte të vëllanë. Mbasi pyeti njerin gardian si edhe të dytin se ku ishte i vëllai dhe asnjeri nuk i dha drejtim, tek kaloi për anë një shtrati ku çarçafi ishte i shtrirë deri në krye të shtratit, por dukej se mbulonte dikë, krejt i pavetëdijshëm Hajdari përvesh çarçafin e ç’të shohë? Të vëllanë Shazivarin… kufomë! E Hajdari e mbajti veten: logjika e mposhti ndjenjën e që të mos ua jepte kënaqësínë gardianëve t’a shikonin të ligështuar, e puthi në ballë të vëllanë, e mbuloi sërishmi dhe u largua nga burgu i spitalit! Kjo ngjarje, e cila tregon karakterin si edhe e shpjegon qëndrimin stoik të prindit të tyre… u pasua edhe nga qëndrimi i Tij kur u nda përgjithmonë me tre fëmijët e Tij, që hipën në karrocerin’e kamionit që do t’i largonte përfundimisht nga vend-internimi i tyre, Çerma e ai u tha lamtumirë tre bijve të tij pa lëshuar lot nga sytë!
Ngjarja e dytë. Një ditë u gjendëm ballë përballë me Hajdarin e ndjerë përpara ndërtesës së Postës në Lushnje. U përqafuam dhe, duke qenë të përqafuar më tha pak a shumë “…që të dy e dijmë dashurinë që na lidh, por të lutem mos rreziko të ndalosh me mua se ia shikon sherrin!” Kjo qe hera e fundit që u takova me Hajdar Islamin e ndjerë! E me këtë rast, nga që është krejtësisht’e ngjashme si rrethanë që nuk kishte se si të mos më linte mbresa të thella, nuk kam si mos t’a kujtoj edhe qëndrimin krejtësisht të ngjashëm ndaj meje të një ish shokut tim të shkollës së mesme edhe të ushtrisë, (kryer në Repartin e Punës), i internuar ai në Lushnje, Kastriot Bajraktarit, djalit të Mul Delí Bajraktarit, (pinjoll i familjes legjendare të Çun Mulës të Bajraktarëve të Hotit), oficer akademist dhe ruajtës i pamposhtur i kufijve shqiptare si edhe i shquar si kuvendár e mendimtár i njohur. Pra prindët janë si rregull gur themeli trashëgimíe e si pasojë dy qëndrimet e tyre, Hajdarit si edhe Kastriotit, do t’i njësoja me thënjen popullore si dardha nën dardhë bíje! Prandaj edhe motrat Islami me guximin e tyre si edhe personalitetin e formuar përgjatë viteve të vuajtjeve në internim si edhe të punës në Departamentin e Gjuhës Shqipe pranë Zërit të Amerikës, janë shëmbull frymëzues se si nuk ka si dardha të mos bjerë nën dardhë!

Grafike nga Avni Delvina
Grafikë… nga Avni Delvina

Shqipëria – Shtet i rrethuar prej Frikës dhe Skamjes

Janë shkruar mijëra fletë me dëshmí të faktuara lidhur me krimet e periudhës diktatoriale dhe për t’i përmbledhur këto në disa radhë askush nuk e kundërshton dot se jetonim në një shtet të rrethuar me tel me gjëmba, përshkuar nga rryma elektrike si edhe tok’e minuar para se të arrihej brezi i telave. Ata që duan t’a mohojnë janë të lire t’a bëjnë botërisht por… nuk i mashtrojnë dot as ndërgjegjet e vetes së tyre, sepse sot ata udhëtojnë nëpër vëndet e B.E.-së pa viza ndërsa kudo tjetër me viza lëshuar nga përfaqësítë diplomatike përkatëse, por pa asnjë ndërhyrje nga Shteti Shqiptar! E nuk mund të mohohet as fakti që brenda këtij kampi përqëndrimi populli, begatín’e sistemit aq të propaganduar nga organet e diktaturës komuniste mbas thuajse gjysëm shekulli, e shijonte duke qen’i ushqyer me tallona!
E provuan dhunën si edhe përndjekjen të përndjekurit dhe familjet e tyre fillimisht e në vazhdim edhe vetë morí familjesh drejtuesish ish komunistë, por që diktatori i vuri në shënjestrën e tij, se si ndjeheshin ato kur para portës tyre ndalonte makina e degës së punëve të brendëshme. E kjo duke qenë ata 100 % të bindur se nuk kishin bërë jo më veprimtarí kundra pushtetit, por as u kishte shkuar mendja të guxonin e të shprehnin ndonjë mendim mbi cilësin’e keqe të bukës, (mendim i cili po të çfaqej… zyrtarisht bëhej shkak të dënoheshe me dhjetë vite heqje lirije), pa lé të jepje gjykime rreth drejtimit të shtetit! Pra vendi përjetonte frikën e pathemeltë si edhe të pandërprerë, nga njera anë, si edhe varfërin’e skajshme, nga ana tjetër! E pra ky shtet nga vetë diktatori u quajt Shteti i Diktaturës së Proletariatit, por duke i shtuar edhe pretendimin si vendi më demokratik në botë!(???) Ç’paradoks, kur në kushtet e këtij shteti kaq demokratik, familja Islami u internua në Çermë të Lushnjes vetëm sepse i ndjeri Klementi, (aso kohe 17-vjeçar), u thirr nga hetuesia sikur kishte bërë aluzione kundra pushtetit dhe në vazhdim e dërguan në çmendinën e Elbasanit ku u torturua me lloj lloj trajtimesh mjekësore depersonalizuese. Ky trajtim që iu bë familjes Islami në kuadrin e luftës së mallkuar të klasave, qé edhe shtysa madhore kryesore që kur tashmë i ndjeri Klement, mbasi u kthye n’internim, të nxiste edhe motrat të arratiseshin duke braktisur prindët n’ato kondita e duke rrezikuar edhe veten e tyre!
Vazhdojmë tashti dhe e zgjerojmë shtrirjen e fushë-kapjes objektivit tone duke u hedhur dritë fakteve të tjera.
Z. Arben Xhixho ka pas punuar pranë Seksionit të Jashtëm në Radio Tirana nga viti 1986 e deri më 1991-shin. Kush e ka përjetuar periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri e kupton mirëfilli se pa qenë njeri me garancíra të posaçme politike nuk mund të zije një post të tillë në fushën e propagandës aso kohe! Mirëpo në vijim, mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, fryma e përzgjedhjes dhe vendosjes së elementëve ish komunistë në krye të çdo sektori, bëri që të përpunohej opinioni lidhur me Z. Arben Xhixho dhe ai të vinte në Sh.B.A. duke u punësuar që në vitin tashmë të largët 1992 fillimisht si gazertar në Seksionin e Gjuhës Shqipe të Zërit Amerikës, e në vazhdim shef i atij Seksjoni.
Në vijim nga Tirana erdhi dhe u punësua që nga viti 1992 dhe vazhdon e punon pranë Seksionit të Gjuhës Shqipe edhe Zoti Ilir Ikonomi, i cili ka qenë edhe ai punonjës i sektorit të gjuhës kineze pranë Radio Tiranës.
Nuk mjaftoi me kaq depërtimi në Seksionin e Gjuhës Shqipe të Zërit të Amerikës nga ana e pinjojve familjesh komuniste por, që nga fundi i vitit 1998, filloi punën në atë Seksion edhe ish punonjësja e Zërit të Rinisë që nga viti 1984 deri në vitin 1991, Z-ja Laura Konda, bija e komunistit Drago Siliqi. Megjithatë, ndonëse këto veprime tashmë nuk mund të quhen të rastësishme, pa hyrë fare në konsiderata karakteri më të gjerë, dua të theksoj një moment i cili pastaj na lejon të bëjmë edhe përgjithësimin rreth së gjithës sa u shkrua deri tashti. Fakti që Z. Arben Xhixho e ka filluar veprimtarín’e tij si gazetar pranë Radios “Zëri i Amerikës” ka qën’i njohur për mua që në vitin e largët 1993 ose 1994. Kjo për faktin se e kam pas njohur mirë baban’e tij, Janin, i cili ka qenë një komunist me bindje të thella, e që si sekretar partie drejtonte format e edukimit në Stacionin e Mekanizimit të Bujqësisë në Tiranë, në të cilat nuk linte radhë pa cituar Enver Hoxhën, sidomos në librat si ai “Kur Hidheshin Themelet…” ku dënonte “armikun e kllasës”. Bile ai ishte aq parimor sa që një herë një komunist, Xhavit Çalliku, shkaktoi një incident duke i thënë pak a shumë: “…mjaft më me këto se do të më bësh të largohem nga mbledhja…! Mirëpo kurrë, e ritheksoj kurrë ndonjëherë, nuk më ka shkuar ndërmënd t’a ngrija zërin se si një bir komunisti të punësohej në njerin prej seksioneve të Zërit Amerikës! Lind natyrshëm pyetja, pse? Sepse derisa luftën e klasave, atë armë djallëzore dhe të mallkuar që përdori me aq intensitet diktatura komuniste në Shqipëri e konsideroja krejtësisht të padrejtë, në asnjë mënyrë nuk mund t’ia lejoja vetes që, nisur nga po ata këndvështrime si edhe konsiderata t’a cilësoja të papranueshëm bashkëpunimin e Z.Arben Xhixho me “Zërin e Amerikës”. E tani, krejt natyrshëm lind pyetja tjetër, pse sot erdhi dita t’a ngré zërin tim e të vé në dukje se veprimi i tij sot përputhet plotësisht me direktivat e dhëna nga Ramiz Alia kur ai predikonte kthimin e komunistëve në kapitalistë? Z. Arben Xhixho deri më sot mendoj se është konformuar, sa herë ka rënë rasti, që diktaturën komuniste t’a shante me rrënj’e me degë, (siç udhëzonte Ramiz Alia kur po shkërmoqej diktatura komuniste), dhe të gjithën këtë, bije qartë në sy, e paska bërë veç për t’u bërë sa më i besueshëm para drejtuesve të tij. Kurse sot ai, si përgjegjës i Seksionit të Gjuhës Shqipe pranë Zërit të Amerikës, kthehet dhe e zbaton luftën e klasave duke pezulluar nga puna pikërisht dy motrat Isabela si edhe Zamira Islami, tamam të përndjekura nga diktatura, mbas të qenit të punësuara ato përgjatë thuajse 30 vitesh pranë atij Seksioni!(???) E pikërisht ky dyzim në qëndrimet e tij, më detyron mua sot të revoltohem nga që pezullimin nga puna të dy motrave e shikoj si vazhdim lufte klasash, ndjenjë kjo me të cilën fatkeqësisht është mëkuar Zoti Arben Xhixho që në moshën e tij më të brishtë.

Voice of America
Voice of America

Në Vend të Përmbylljes

Nuk ka rëndësi të diskutohet hamendësisht direktiva e dhënë nga Ramiz Alia, lidhur me vendosjen e komunistëve ose pinjojve të tyre në krye të çdo posti pune në themelin e pluralizmit politik në vendin tonë. Por e rëndësishme është të kundrohet rrjedha e ngjarjeve që nga shkërmoqja e sistemit diktatorial komunist deri më sot ku ndodhía e fundit është pezullimi nga puna i dy motrave Isabela dhe Zamira, veprim i bazuar thjeshtë në luftë klasash, i ngjarë pranë Seksionit të Gjuhës Shqipe të Zërit Amerikës. E doemos, bazuar në rrjedhën e ngjarjeve të faktuara, të nxirren edhe përfundimet përkatëse.
Mërgim Korça Mars 2014
marrë nga http://www.aafhsite.com

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Këto janë Shqiponjat e Lirisë, që çanë detin pa ju trembur syri për të dalë në botën e lirë! Këto janë vajzat që sfiduan dikaturën më të egër në rruzull dhe benë atë që s’e bënte kush në atë kohë… Ato meritojnë një nderim e vlerësim të veçantë, një përmendore aty buzë detit për dy motrat heroina, do jetë pasqyrë e gjallë e atij realiteti.
    Shkrimi i Z. Korça është një mrekulli për to. Ato meritojnë gjithçka… Turp për ata që i kanë pezulluar nga puna!!

  2. …demaskim i një realiteti të trishtë!!
    …Zoti Radi, ju përgëzoj për këto informacione që na përcillni… dhe nuk dyshoj në asnjë moment në shkrimet tuaja edhe të publicistëve të tjerë… Sidomos kur lexova mbi autorin e këtij artikulli kaq empirik… Unë e njoh prej vitesh xhaxhi Mërgimin, pasi im atë fliste me shumë pasion për Të si një njeri me vlera të larta njerëzore dhe shumë i dijshëm…!
    I uroj xhaxhi Mërgimit jetë sa më të gjatë, shëndet dhe ditë të Bardha!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.